GAZETA „REPUBLIKA E KOSOVËS“ SI „ZËRI I KOSOVËS“ NË SHËRBIM TË LËVIZJES SONË KOMBËTARE!
Më 2 prill 2024, në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, u mbajt një akademi për nder të 50-vjetorit të “Zërit të Kosovës”. Me këtë rast Halit Krasniqi ka lexuar një kumtesë për historikun e „Grupit Revolucionar“ dhe të gazetave „Zëri i Kosovës“, „Liria“, “Republika e Kosovës”, “Zëri i Nxënësit” etj.
Nga Halit Krasniqi, Prishtinë 2 prill 2024
Zonja e zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Kur është themeluar Organizata atdhetare Grupi Revolucionar dhe kur ka filluar botimi i “Zërit të Kosovës’’, shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera në ish Jugosllavi, në pikëpamje të aspekteve socio-kulturore e politike, ishin disa shtresa formimesh.
Një pjesë e shkolluar, me arsimim të të gjitha profileve, por e strukturuar në sistemin e shtetit në masë të madhe me privilegje dhe atëherë kur themelohet Grupi Revolucionar e kur do të botohet “Zëri i Kosovës”, kjo pjesë ka qenë shumë e ekzaltuar nga diskutimet për ndryshimet kushtetuese dhe sidomos nga pritjet për avancimin e statusit të Kosovës në kuadër të federatës jugosllave, e cila në të gjitha aspektet, Kosovën dhe shqiptarët i kishte lënë me status shumë diskriminues.
Nga ndryshimet kushtetuese që priteshin të aprovoheshin në konstruktin e modifikuar në sistemin e vëllazërim bashkimit në vetëqeverisjen e socializmit jugosllav, përhapej një shpresë për avancim të statusit të Kosovës dhe pozitës së shqiptarëve në përgjithësi brenda asaj krijese.
Një pjesë gjysmë analfabete që rropatej ndershmërisht për të mbijetuar në këtë masë shtresimesh, mund të gjendeshin ndërtime atdhetare e gatishmëri për të përkrahur ide e veprime patriotike në interes të shqiptarëve, por kryesisht karakterizohej me gjendje inhibitive pa ndonjë vetiniciativë.
Pjesa tjetër që përbëhej nga inteligjenca atdhetare, por qe ishte e vogël nga përqindja në krahasim me numrin e përgjithshëm të shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme, në atë kohë kishte pësuar goditje nga burgosjet e pjesës së parë të viteve 60-ta dhe pas demonstratave të vitit 1968, rrjedhimisht ishte mjaft e sfilitur, por megjithatë ndërgjegjja patriotike, edukimet atdhetare, hovet revolucionare, intelektët më të virtytshëm të kohës, kishin zbuluar formulën për të motivuar e shtyrë në veprime konkrete, se si duhet luftuar zgjedhën e robërisë me çfarëdo emri që të ketë, e cila nga struktura profesionale të shumë qendrave akademike të atij konglomerati kombesh, dizajnohej me një vokabular patetik, si rregullim shtetëror perfekt, i ashtuquajtur i vetadministrimit që përmes sistemit arsimor, organizatave kulturore, organizatës së Lidhjes komuniste, Lidhjes socialiste të masave popullore, të Lidhjes së luftëtarëve të luftës anti nazifashiste, të Lidhjes se rinisë socialiste, shumë organizatave të gruas, mjeteve të shumta të informimit që funksiononin nga praktika bashkëkohore të kohës e nga forma specifike të organizimit; Akademitë e shkencave në gjashtë kryeqendrat e republikave dhe të dy krahinave, një dyzinë institutesh shkencore të të gjitha fushave, dhjetëra universitete, etj. Përmbledhtazi të gjitha bashkërisht shërbenin si temjan për tufat e besimtarëve dhe kështu e përbenin edhe më të komplikuar frontin për ta luftuar krijesën e quajtur RSFJ.
Ndërsa shteti shqiptar atëherë, për neve ishte inspirim e motivim i jashtëzakonshëm. Megjithatë, sado që kishte struktura të posaçme e organizime specifike me specialistë të fushave të caktuara që merreshin me studime të sistemit jugosllav në teori dhe praktikë, si dhe me pozitën e shqiptarëve të ndarë e të copëtuar edhe brenda Jugosllavisë së atëhershme dhe me status diskriminues. Megjithatë ato grupe specialistësh në Tiranë, sado që kishin informacione të shumta e përkushtime të përhershme me fokus të vetëm për pozitën e Kosovës dhe shqiptarëve në Jugosllavi, nuk ishin në nivelin e Grupit revolucionar, i cili përbëhej nga të rinj të guximshëm e entuziast me formime modeste e me informacione të kufizuara, me arsimim shumica ende pa përfunduar studimet themelore, por me ndërgjegje të zgjuar, me intelekt të shquar, me guxim mahnitës, me vetëmohim të pashembullt, vetëflijues unik. Përmbledhtazi me një sistem të vlerave me sublime që i kishin ngarkuar vetes një mision historik dhe zhvillonin një veprimtari titanike me mision ndërgjegjësimi të shqiptarëve dhe të organizimit të tyre në një front të përbashkët për t’iu kundërvënë një shteti që kishte fuqi ushtarake të pa imagjinueshme e me një organizim shtetëror të brendshëm të ruajtur nga një milici publike me privilegje të kohës e me numër të madh për ta ruajtur rendin publik. Me një shërbim sekret të strukturuar profesionalisht e të shtrirë me informatorë të paguar e vullnetarë dhe me kufij shtetërorë të ruajtur nga një ushtri me numër të madh e me moshë të re, me detyrime qytetare në afate të caktuara dhe e pajisur me arsenal ushtarak që renditej në mes të top dhjetëshes së shteteve më të fortifikuara të Evropës. Ndërsa në aspektin ekonomik, pikërisht në atë kohë kishte një lulëzim të ekonomisë dhe me industri në zhvillim për të plotësuar nevojat e tregut të brendshëm si dhe kapacitete për mallra të caktuara dhe lëndë të parë edhe për eksport. Paraqitjen e nevojave të punësimit për të rinjtë pa kualifikime e me kualifikime të ulëta, e kishte zgjidhur me kontrata pune të përkohshme në tregun evropian nga shtetet me zhvillim më të lartë. Nga këto kontrata me këtë treg kishte evituar shumë probleme që mund të rriteshin nëpër vitet në vijim nga armata e të pa punësuarve dhe njëherazi ky front punësimi kishte ndikuar në rriten e ekonomisë familjare te kjo armatë mërgimtarësh.
Në kohën kur botohet “Zëri i Kosovës” (1974), Jugosllavia kishte arritur një zhvillim e mirëqenie sociale më të lartë se të gjitha shtetet socialiste. Gjithashtu konkurrente ishte edhe me standardin e disa shteteve me sistem kapitalist, që dallonin paksa me cilësinë e mjeteve të prodhimit dhe me organizimin e marrëdhënieve në prodhim.
Ndërsa në politikat e marrëdhënieve të jashtme me shtetet tjera, kur themelohet Grupi Revolucionar dhe kur fillon botimi i “Zërit të Kosovës”, shteti i RSFJ-së ishte me pozitë të konsoliduar në marrëdhënie ndërkombëtare dhe me një rol specifik në mes lindjes e perëndimit, duke drejtuar Lëvizjen e të painkuadruarve, që sipas numrit të anëtarëve, pas OKB-së ishte organizata më e madhe me organizim politik që merrej me paqen, të drejtat e njeriu dhe mirëqenien në Glob.
Vetëm një marshim masiv dhe një zë buçitës që tundi tokën dhe dridhi edhe qiellin në pranverën e vitit 1981, do të prishte imazhin e kësaj krijese artificiale me një prezantim deri atëherë mjaft simpatike në botë, pothuajse për të gjitha rregullimet shoqërore e politike.
Në kohën kur krijohet Grupi Revolucionar, RSFJ-ja në marrëdhëniet me shtete të caktuara, ishte me privilegje në marrëdhënie tregtare që përtej Atlantikut, nga ShBA-ja e deri në shtetet e lindjes, ku gëzonte statusin special si shtet mik i tyre, duke përfituar nga ShBA-ja dhe miqtë e saj të NATO-s, makineri për prodhime të industrisë ushtarake dhe prodhime te arsenalit të tyre ushtarak. Gjithashtu, atëherë me ndryshimet ne establishmentin e Bashkimit Sovjetik, do të përfitojë me furnizim të arsenalit ushtarak dhe me municione edhe nga shtetet tjera të Paktit të Varshavës. Ndërsa nga shtetet e lindjes, përfitonte nga statusi i posaçëm, çmime të ulëta për arin e zi të tyre, që ishte me ndikim në zhvillimin e ekonomisë së Jugosllavisë.
Por themeluesit e Grupi Revolucionar kishin preokupim vetëm pozitën e Kosovës dhe të shqiptarëve dhe aspak potencialet e shtetit Jugosllav, e as pozitën e saj të jashtme e të brendshme, as ashpërsinë e milicisë së saj dhe të shërbimit sekret, e as arsenalin ushtarak të saj. Këtë sfidë kanë mundur ta bënin vetëm të rinj të talentuar me edukimet e veçanta atdhetare, me formimet specifike si rilindësit e kohës së tyre, me përkushtime kaq të admirueshme dhe vetëm këto virtyte me energji titanike, kanë mund ta projektojnë dhe realizojnë një vepër të tillë, siç ishte botimi i buletinit: Zëri i Kosovës, i cili ka shërbyer në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, në motivimin për përkushtime atdhetare dhe në masovizimin e organizimeve ilegale për t’ju kundërvënë një shteti që gëzonte simpati në botë dhe që kishte kontroll për stabilitetin e brendshëm. Por, do të komprometohej nga shqiptarët në imazhin e jashtëm e do të shpenzonte fonde të pa imagjinueshme në angazhimet për ta shtypur pakënaqësinë e shqiptarëve në organizimin e brendshëm dhe për të survejuar e ndjekur shqiptarët rebelues brenda e jashtë Jugosllavisë.
2.
Zbulimi dhe burgosja e një pjese të këtij grupi është kapitull i dhimbshëm që meriton vëmendje të veçantë e fokusim në specifika individuale të grupit të të arrestuarve.
Por unë do ta veçoja një aspekt të pa ndriçuar plotësisht dhe një pjesë të pa trajtuar deri tani në mënyrë meritore, sepse ka edhe ngjashmëri me organizatën time të pa dekonspiruar asnjëherë.
Për stoicizmin e Grupit Revolucionar në hetuesi, nuk kam të dhëna të hollësishme, por nga të dhënat e përgjithshme, e dimë që mbesin shumë bashkëveprimtarë të pa burgosur edhe pse ishin zbuluar fakte e dëshmi se nuk i kishin kryer grupi i të burgosurve, por duke marrë përsipër krijime dhe veprime të shokëve të pa burgosur, krijojnë mundësi që pas konsolidimit të radhëve të organizuara për të vazhduar veprimtarinë atdhetare në emër tjetër e me qëllim të njëjtë, duke krijuar kushte e mundësitë për bashkëveprimtarët e pa arrestuar, për botime edhe me cilësore se sa Zëri i Kosovës, që do ta avancojnë edhe më shumë ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Sikur se do të ndodh krijimi i OMLK-së dhe botimi i gazetës “Liria”, e cila do të luaj një rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në formimin e orientimin politik të atyre që e kanë lexuar dhe që kanë shpërndarë frymën e saj.
3.
Te shqiptarët atëherë kishte edhe organizime të tjera që kishin synime të njëjta sikur OMLK-ja atdhetare, pasardhëse e Grupit revolucionar.
Bashkë me gazetën “Liria”, që shkrimet dërgoheshin nga Kosova dhe gazeta botohej në Zvicër nga Kadri Zeka me shokë nga kjo organizatë atdhetare. Ndërsa në Gjermani, ishin botuar para saj me nga tre numra edhe gazetat atdhetare “Bashkimi” e drejtuar nga Ibrahim Kelmendi dhe organizata e tij, e cila nuk shquhet me ndonjë organizim e shtrirje brenda vendit dhe “Lajmëtari i Lirisë” e drejtuar nga Jusuf Gervalla, në emër të një organizate që ishte me histori veprimi, por që deri sa fillon botimi dhe shpërndarja e saj, nuk e gjejmë të strukturuar e të shtrirë në tërë Kosovën dhe vise tjera shqiptare dhe gjithaq aktive. Botimi i kësaj gazete do të shërbej për përtëritje të radhëve dhe masivizim të organizatës deri në zbulimin e saj, në arrestimet masive në vitin 1981 nga kreu i saj Ismajl Haradinaj e Hasan Ukëhaxhaj, deri te të gjitha Komitet e organizuara në disa komuna.
Gjithashtu, më 1981 edhe vazhdimësia e Grupit Revolucionar e riorganizuar në OMLK do të zbulohet me shtrirje në tërë Kosovën dhe në viset tjera shqiptare në masë të madhe dhe do të kem rastin të njihem e shoqërohem me anëtarë të këtyre dy organizatave dhe të organizimeve tjera në burgun e Pejës dhe ne kazamatet e kohës: në Goli Otok, në Lepogllavë, në Gospiq dhe në Stara Gradishkë, për të cilat para se të burgosesha, do të dija shumë pak.
4.
Nga organizatori i këtij sesioni për rolin dhe rëndësinë e “Zërit të Kosovës”, kam aprovimin që të flas për shtypin ilegal të vitit 1981 e më pas, që deri sot ende nuk është trajtuar realisht në gamën e merituar. Janë shkruar edhe libra për këtë temë, por autorët janë shërbyer nga dosjet e gjykatave dhe janë mbështetur kryesisht vetëm në dosjet e UDB-së dhe natyrisht se kjo temë është trajtuar njëanshëm.
5.
Në dosjet e Gjykatave janë vetëm organizatat dhe botimet e tyre që UDB-ja i ka zbuluar e dekonspiruar. Ndërsa një organizim që i kam takuar edhe unë, me fizionomi klandestine, ka botuar edhe tre tituj të shtypit ilegal: “Republika e Kosovës”, “Zëri i Nxënësit” më 1981 dhe “Shtigjet e Lirisë” me 1984, por nuk është dekonspiruar kjo organizatë që ka botuar këtë shtyp dhe nuk mund të gjendet as në dosjet e gjykatave e as në dosjet e UDB-së, si organizatë. Por mund të gjenden në këto dosje protagonistët që janë zbuluar gjatë leximit dhe shpërndarjes së ekzemplarëve të këtij shtypi, të cilët janë dënuar si lexues dhe shpërndarës.
Ky shtyp me tirazh modest, është shtypur në Drenovc të Malishevës dhe është shpërndarë e lexuar në rrethe të ndryshme të Kosovës. Dy titujt e parë janë zbuluar po atë vit. Gjashtë ekzemplar janë zbuluar dhe protagonistët e tyre janë burgosur dhe dënuar penalisht. Ekzemplari i parë i buletinit “Republika e Kosovës” është zbuluar në fund të nëntorit 1981 dhe pastaj të tjerët.
Ndërsa gjithë këta ekzemplarë gjatë dhunës në hetuesi kanë rrjedhë, një nga një në periudhën gjashtë mujore, janë shpërndarë nga një protagonist i burgosur që nuk ka pranuar fillimisht për asnjërin qe ua ka dhënë për lexim, por me mënyrat e metodat në gijotinat e kohës, në zyrat e UDB-së, kanë bërë ballafaqimin me këta protagonistë fatkeq në periudha ciklike sipas dekonspirimeve nga burgosjet masive në vitet 1981 dhe 1982 dhe pas ballafaqimeve një nga një, me qëndrim stoik ka përballuar torturat e pa imagjinueshme me mjete të dhunës dhe me elektroshok në gijotinat e UDB-së në Pejë dhe në lokalet e Njësisë Speciale në Kopaonik dhe nuk ka dekonspiruar as botimin e tyre e as autorësinë e rolit të tij, duke mohuar katër prej tyre në ballafaqim në zyrat e UDB-së me ata që ua kishte dhënë për lexim ekzemplarët e dekonspiruar dhe fillimisht dy nga ta, një pas një në periudhë dy mujore, i ka pranuar pas ballafaqimit në ato zyra me dekonspiruesit fatkeq, duke krijuar e mbrojtur alibinë se i ka gjetur në autobus gjatë një udhëtimi të zakonshëm. Por as këta dy ekzemplarë nuk përputheshin me kohën e deklaruar nga të tjerët, e as me vendin e marrjes së tyre. Por, me një stoicizëm do ta ndalë dekonspirimin e shtypit dhe të organizatës që e kishte prodhuar atë. Ky stoicizëm do t’i kushtoj dëmtim në shëndet për mbi gjashtë muaj pothuajse çdo natë tortura mizore në një izolim me nënshkrim të Mehmet Maliqit, pa vizita të familjes e as të avokatit, përveç vizita të mjekut Dr. Agim Gojani dhe të infermierit të vetëquajturit Baca mixhë, me nga dy injeksione para dite dhe pas dite në periudha ciklike disa herë nga dy javë. Pas eksperimenteve mizore në burgun e Pejës, nga ekipe prej 22 xhelatësh, do të vazhdojnë me trajtime tjera të posaçme në lokale të njësive speciale në Kopaonik, në grupe egërsirash të asaj milicie, pa inspektorët e Pejës dhe as ata krahinor, ku pas sfilitjes nga torturat dhe nga pagjumësia për ditë e net të tëra, pas pesë ditëve, do t’ia improvizojnë propozimin për letër lamtumirëse familjes, që nuk do të pranoj për ta shkruar atë letër dhe as dëshirën e fundit nuk do ta përzgjedh para një pushkatimi formal nën kërcënimin, gjithnjë të një përkthyesi nga serbishtja në gjuhën shqipe, që nëse edhe për një moment nuk tregon gatishmëri për të rrëfyer historinë nga erdhi ky shtyp në dorën e tij, armët janë gati për të shkrepur në trupin e hajthëm e të sfilitur që ishte katandisur.
Me bindjen se do të thyhet më pastaj në torturat tjera, e kthejnë nga aty ku ishte nxjerr në vetmitë e Burgut të Pejës, për trajtime të njëjta me kërcënimin se nëse nuk bindet për të rrëfyer do ta mbysin me tortura, të cilat do të vazhdojnë pa sukses për ta thyer.
Në këtë pjesë është me rëndësi për zhvillimet e sotme të bëhet publike një detaj. Dy nga xhelatët prej 22 vetave shqiptarë të UDB-së së Pejës, nga viti 1992 e deri më 2008 kanë ushtruar funksione publike në institucionet e Republikës së Kosovës. Madje njëri, Gani Hajdari përgjegjës në drejtorinë e policisë së Pejës dhe Mehmet Loci shef i shërbimit sekret të Republikës së Kosovës dhe njëherazi në dy mandate qeverisëse në Tiranë, të qeverisë Meksi dhe të qeverisë Berisha, sipas detyrës në Kosovë, ka qenë edhe ndihmës i shefit të Shërbimit sekret të Shqipërisë.
6.
Stoicizmi në burgun e Pejës i këtij protagonisti dhe në njësitë speciale në Kopaonik, për të mos e zbuluar shtypin ilegal dhe organizatën e tij, përveç dëmtimit në shëndet, këtij protagonisti i ka kushtuar me dënim me burg për të mitur nga dhjetori 1981 deri në shkurt 1983 dhe me dy dënime të montuara më 1984 dhe më 1985 për ta mbajtur në burg deri në amnistinë e qershorit 1990, ku do të lirohen të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe kroat nga kryesia e Kroacisë, e cila drejtohej nga ish të burgosurit politikë kroat.
Loja me dy lirime nga burgosje të montuara pastaj, është bërë nga strategë katilë të UDB-së me bindje se do të zbulonin nga survejimi që i bëhej gjatë kohës nga momenti i daljes nga burgu dhe deri te burgosjet e sërishme.
Këto hollësi për këtë stoicizëm gjatë torturave dhe për vigjilencën në mes të burgosjeve, do të marrin kuptimin e rëndësisë së plotë pas një ndërlidhje me shembuj identik me Grupin Revolucionar pas pak në këtë fjalë.
7.
Ky shtyp i pa zbuluar dhe kjo organizatë e pa dekonspiruar është e dokumentuar vetëm në procese gjykimi dhe me protagonistë autoritativ të kohës sonë, që kanë shkruar artikuj, që kanë organizuar shtypin e saj, që e kanë shpërndarë për ta lexuar të tjerët, por tani nuk mund të gjendet asnjë dokument autentik i shkruar dhe asnjë dëshmi të shkrimeve e botimeve origjinale të cilat mund të jenë ruajtur vetëm në sirtarët e UDB-së.
8.
Autorët e kësaj organizate me përjashtim të njërit, veteran i arsimit për dyzet vjet, veteran i UÇK-së nga paraqitjet e para me maska, i ndjeri Alush Krasniqi, të gjithë të tjerët janë gjallë ende. Gjithashtu edhe kumbarët e pagëzimit të titujve “Republika e Kosovës” dhe “Zëri i nxënësit” janë gjallë. Njëri i burgosur, i njohur dhe shumë i respektuar në Kosovë dhe në struktura të shërbimit sekret të Shqipërisë, Bilall Kryeziu, i cili njërin buletin e pagëzon me titull “Zëri i Nxënësit” edhe pse ishte zë akademik, me arsyetimin që nuk bie në sy edhe po që se do të ndodhë ndonjë pakujdesi duke kaluar nga dora në dorë në ndonjë vend publik. Ndërsa pagëzuesi i buletinit tjetër: “Republika e Kosovës”, është veprimtar autoritativ i pa burgosur, i pa arrestuar asnjëherë, veteran i arsimit, profesor i sociologjisë dhe filozofisë, Kapllan Krasniqi, shkrimin e tij në kundërvënie të gjatë ndaj fjalimit të parë të Fadil Hoxhës, kundër demonstratave të Pranverës ’81-të, ia kemi botuar në buletinin “Republika e Kosovës” si dhe shkrime tjera të tij në botimet tjera në këtë buletin dhe në buletinin “Shtigjet e Lirisë”.
Ndërsa ende janë gjallë themeluesit tjerë edhe autorët e shkrimeve e lexues të pa burgosur e të pa dekonspiruar asnjëherë.
Po ashtu edhe lexues të këtij shtypi janë mjaft ish të burgosur, si për shembull: profesor Bilall Kryeziu, profesor Prend Buzhala, gazetarët Hamëz Morina e Martin Çuni, profesor Mehmet Kryeziu, sekretari Miftar Bogiçi, Adem Krasniqi dhe të tjerë, atëherë nxënës e studentë të burgosur: Haki Morina, Tafil Morina, Zymer Krasniqi, Shani Krasniqi, Rexhep Krasniqi, Sahit Morina, Milazim Morina, Elmi Zenuni, Halim Rudi, Mursel Kryeziu, Fatmir Greiçevci, etj, si dhe shumë të tjerë të pa burgosur që kanë qenë autorë shkrimesh, kanë shërbyer në sigurimin e shaptilografit, makinën e shkrimit, shpërndarjen e shtypit dhe në sigurimin e materialit, si: letrat amëz të dyllit, tabakët e shumtë të letrës dhe ngjyrën e shumëzuesit. Një pjesë nga këta kanë qenë edhe të angazhuar në shkrimin e parullave në shumë vende të caktuara dhe në të njëjtën kohë, në sigurimin e ngjyrës dhe sigurimin e stofit për ngjitjen e parullave dhe të letrës e llojit hamer për shkrimin e parullave.
9.
Në tetor të vitit 1981, përmes arsimtarit Adem Morina, tani dëshmor, pjesëtar i organizimit të këtij shtypi të pa dekonspiruar e të organizatës së pa zbuluar, ishin krijuar kontakte zyrtare me organizimin e gazetës “Liria” dhe në atë takim ishte bërë propozim që të ndalet shtypi me këta tituj dhe në këtë formë nga kjo teknikë e vjetër. Aso shkrime me atë nivel shumë të vlerësuar, të dërgohen për botim në gazetën “Liria”, kështu edhe ajo mund të botohej më shpesh. Ne, atëherë nuk e dinim vendin se ku botohej, por propozimi ishte i arsyeshëm, sepse evitonim shumë rreziqe dhe ne e mirëpritëm me një gatishmëri bindëse, sepse edhe synonim të bënim këtë bashkim. Por goditja nga burgosjet në të dy organizimet e ndërprenë këtë bashkëpunim ende pa filluar.
10.
Atëherë nuk e dinim edhe një fakt që do të kishte një histori të ngjashme, se redaksia e gazetës “Liria” funksiononte në saje të një stoicizmi e vigjilence që ishte treguar nga mos dekonspirimi i plotë i Grupit Revolucionar. Edhe pse ishin gjetur shumë materiale të shkruara nga shokët e pa burgosur, njëri prej tyre do të merrte përsipër pa qenë autor i shkrimit, por nga eksperti i UDB-së mjerani Shaban Hoti, pas një hulumtimi në zyrat e analizave të UDB-së, shkrimi me autorësi Hys Derveni edhe pse ishte marrë përsipër gjatë hetimeve, megjithatë dyshohej në autorësinë e tij. Me një zell vazali nga viti 1974, ky hulumtim udbesk sjell në konkluzionin e saktë, pas katër vitesh, se autor i këtij shkrimi është gazetari i “Rilindjes”, Hydajet Hyseni dhe jo Xhafer Shatri që e kishte marrë përsipër dhe ishte duke vuajtur dënimin nga viti 1974. Kështu nga viti 1978 Hydajet Hyseni krijon historinë e tij prej ilegali në kohën më të gjatë që ka njohur Lëvizja ilegale, duke jetuar brenda në Kosovë e në shtete evropiane, deri kur arrestohet pas dekonspirimit në rolin e frymëzuesit me ligjërimin e tij të shkëlqyeshëm e emblematik me megafon hipur në drurin e blinit, në demonstratën popullore të 2 prillit 1981 në Prishtinë.
E ndërlidha këtë fakt për të nënvizuar rëndësinë e stoicizmit dhe integritetin e personaliteteve të veprimtarëve atdhetarë, për të mos dekonspiruar pjesë të mundshme të organizimit ilegal.
Në këtë rast, rënia e një pjese të Grupit Revolucionar, ka ndikuar që të ndalet botimi i “Zërit të Kosovës”, por pas disa viteve, pjesa e organizimit të pa zbuluar të organizatës, me rol të veçantë të Mehmet Hajrizit, pas një riorganizimi të kujdesshëm, nxjerr në dritë në tetor të vitit 1980, gazetën prestigjioze “Liria”, e cila do të luaj rol të rëndësishëm në rrjedhat e kohës dhe sidomos në përgatitjen e pakënaqësive në demonstratat e Pranverës 1981, edhe pse ato demonstrata nuk ishin organizuar fillimisht nga OMLK-ja, personalitetet e saj drejtuese, bashkë me anëtarësinë e gjerë, do të luajnë rolin e tyre në të gjitha aspektet e mundshme pastaj, nga ndikimi për pjesëmarrje masive, deri te ideimi i kërkesave të arsyeshme e sugjestionuese për qytetarët në atë kohë.
11.
Po kështu edhe mos dekonspirimi dhe mos zbulimi i organizimit që kishte botuar buletinin “Republika e Kosovës” dhe buletinin “Zëri i Nxënësit” në vitin 1981, pas konsolidimit të sërishëm të organizimit, më 1984 do të fillojnë sërish botimin e shtypit ilegal, por tani me një buletin tjetër: “Shtigjet e Lirisë”, të cilin sërish gjykimet e montuara do të godasin këtë organizim për ta ndërprerë shtypin ilegal nga ky organizim që në numrin e parë, por pa e zbuluar asnjë veprim të kësaj organizate. Përsëri i arrestuar është vetëm protagonisti i historisë së stoicizmit të viteve 1981/82 dhe të vitit 1984.
Në këtë rast do të veçoja një fakt mbresëlënës nga dy tituj: “Feja, temjan në duart e titistëve”, dhe “Gjakmarrja te shqiptarët, armë në duart e armikut”, të shkruara me nga 6 faqe tekst!
Këta dy tituj ia ngarkuam t’i shkruante atëherë një profesori të zakonshëm, ende pa ndonjë publikim në shtypin legal të kohës. Ndërsa tani studiues, kritik letrar, eseist dhe shkrimtari i mirënjohur Prend Buzhala, që jo vetëm se nuk ka asnjë kopje të këtij buletini, por as kopjet e shkrimeve të tij. Edhe pse tani ka krijuar dhe botuar mbi njëqind vepra letrare, assesi thotë nuk mund t’i rishkruaj ato dy shkrime.
12.
Pas burgosjeve masive të pasardhëses së Grupit Revolucionar të OMLK-së, me 1981, një organizatë me përkushtim të jashtëzakonshëm atdhetar dhe në pikëpamje të edukimit ideopolitik është me nivelin më të lartë akademik, jo vetëm të organizimeve klandestine, por madje me një shkëlqim më të spikatur se të gjitha institutet profesionale të kulturës dhe shkencës në Prishtinë. Duke qenë kështu e bujshme veprimtaria botuese e kësaj organizate, në pikëpamje cilësore më shumë se sa sasiore, kishte bërë ndikim të thellë dhe në rreze veprimi të gjerë në të gjitha viset shqiptare me gazetën “Liria” dhe me përmbledhjen poetike “Këngët e lirisë”.
13.
Frymën e përkushtimit të kësaj organizate atdhetare e gjejmë më pas në një përpjekje për ta vazhduar veprimtarinë e kësaj organizate dhe përgatitjet për të vazhduar botimin e gazetës “Liria” me nr. 6, nga veprimtarët e mirënjohur Bajrush Xhemajli dhe Rrahim Sadiku me shumë veprimtarë të tjerë. Por, arrestimet do t’i ndërprenë ata ende pa krijuar fizionominë e organizatës dhe pa shtypur materialet e përgatitura. Këtë fakt do ta mësojmë pas gjykimit dhe dënimeve të rënda të tyre kur do të publikohen në gazetën e përditshme Rilindja.
14.
Kapitull i veçantë është botimi i “Zërit të Kosovës” në pjesën e parë të viteve tetëdhjetë në perëndim, duke filluar si frymëzuese e luftës çlirimtare me personalitetin emblematik të ilegales, Jusuf Gervallën, themelues e kryeredaktor e deri në luftërat çlirimtare si frymëzuese e zëdhënëse e UÇK-së, UÇPMB-së dhe e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që këtë gazetë e përbën me historinë më të gjatë të një gazete kombëtare në gjithë historinë e shtypit shqiptar. Edhe pse e botuar në perëndim është futur ilegalisht në vazhdimësi pas çdo numri të botuar me tirazh solid. Natyrisht se edhe kur janë krijuar dy redaksi dhe janë botuar dy “Zëra të Kosovës”, përkohësisht, megjithatë meritojnë vëmendje dhe analiza të posaçme për rolin e tyre në emigracion dhe në Kosovë e viset tjera shqiptare ku janë sjell dhe lexuar ilegalisht. Dhe natyrisht se kanë rritë pakënaqësitë e masave dhe kanë inspiruar lexuesit për veprime atdhetare në kohë të caktuara dhe në vendet e tyre ku kanë jetuar.
Kur më transferuan nga Goli Otoku bashkë me të tjerë të burgosur, në kazamatin e Lepogllavës, u informova se po botohen dy “Zëra të Kosovës” në perëndim. I shkrova një letër nënës sime, të rimuar fillim e mbarim, me një alegori që ka shërbyer për ta kaluar censurën e burgut dhe me përgjërime për bashkim në një zë pa përmendur shtyp e as shtypshkronjë, pa përmendur gazetë e as redaksi, dhe këtë letër pastaj, disa kohë më pas e kishte botuar gazeta e studentëve “Bota e re”.
15.
Gjithsesi, meriton të përmendet me këtë rast edhe roli modest i një buletini tjetër i botuar, “Rruga e Jonë”, në mes të viteve të nëntëdhjeta në Francë me një jetëgjatësi afër tre vjeçare nga veprimtari i mirënjohur Xhevat Bislimi me rrethin e tij të organizuar në emigracion.
16.
Gjithashtu edhe Komiteti drejtues i pararojës së LPRK-së brenda vendit, në vitin 1989 kishte filluar botimin e buletinit “Pararoja” për strukturat e organizuara me tirazh të kufizuar dhe “Rruga e Lirisë” me tirazh më të madh nga drejtuesit Fadil Vata e Afrim Zhitia me bashkëveprimtarët e tyre. Por, kur plagët e burgut martirin heroik, Fadil Vata e shtrinë në shtratin e vdekjes dhe pas rënies heroike të Afrim Zhitisë më 2 nëntor 1989, edhe ky shtyp nuk do të ishte jetëgjatë.
17.
Se sa është vlerësuar i rrezikshëm shtypi jonë ilegal nga Beogradi zyrtar, do ta ilustroj me dënimin e organizatës së Muhamet Kelmendit të arratisur atëherë, kur do të burgosen më 1981 prof. Halil Berisha, Sali Kelmendi e Sali Lajçi me pjesëtarë të tjerë të kësaj organizate ilegale nga Peja, pa ndonjë histori veprimi ilegal, por vetëm se kanë menduar ta botojnë një buletin me titull “Pavarësia”, janë dënuar me burg nga një deri në katër vjet, nëntë veprimtarë të asaj kohe.
18.
Roli i shtypit ilegal meriton studim të veçantë dhe analizë të plotë prej fillimit të tij pa tejkaluar asnjë nga titujt e kohëve të robërisë, sado jetëshkurtër që të kenë qenë. Por, kjo duhet të bëhet me një studim serioz për cilësinë e përmbajtjeve të shkrimeve dhe roli e ndikimi i drejtpërdrejtë te lexuesit e kohës, pa ngarkesa me përshkrime për aksidentet e lexuesve të atij shtypi në gijotinat e UDB-së.
Në përfundim:
Pas daljes nga burgjet e kohës, në fillim të vitit 1991, autorë të “Zërit të Kosovës”, të botuar në vitet 70-ta, të gazetës “Lajmëtari i lirisë”, në vitet 79/80, të gazetës “Liria” të botuar më 1980/1981, dhe të buletinit: “Republika e Kosovës” dhe të “Zëri i Nxënësit”, të botuar më 1981 dhe të buletinit “Shtigjet e Lirisë” të botuar më 1984, pjesëtarë të organizatës për ta vazhduar botimin e gazetës “Liria” dhe pjesëtarë të redaksisë së buletinit “Pararoja” dhe “Rruga e Lirisë”, do të bashkohemi në një redaksi legale në Prishtinë dhe do ta nxjerrim gazetën periodike “Bashkimi” në 6 numra, me 274 bashkëpunëtorë. Nga ky numër mbi 90% do të dalin me shkrime për herë të parë me identitet të tyre publik si autorë shkrimesh.
Gazeta “Bashkimi” më 1991 dhe qendra e redaksisë së saj, kishte për qëllim që të shërbej për kontakte e debate të përditshme, për farkimin e ideve në rrugën e lirisë, për trasimin e vizioneve që kërkonte koha për kombinimin e veprimeve legale me vizion paqësor aq sa ishin të mundshme në atë kohë dhe atyre ilegale për përgatitjet e luftës që realisht mendonim se ishte e pashmangshme. Si dhe për të arsyetuar lëvizjet e veprimtarëve ilegalë se përse po e frekuentonin Prishtinën. Ndërsa pjesa më aktive e kësaj gazete, do t’i arsyetonin lëvizjet e tyre në gjithë etninë shqiptare për qëllime të redaksisë për secilën temë që do të na duhej si arsyetim. Ky qëllim është arritur, por për këtë kërkohet sesion tjetër e trajtim specifik për këtë temë.
Krejt në fund:
Në këtë redaksi, në vitin 1991, me makinerinë e saj është shkruar dhe është shtypur platforma e organizimit të luftës çlirimtare me sektorët e posaçëm se si duhet të funksiononte lufta çlirimtare e paevitueshme dhe i është dorëzuar organit Drejtues të LPRK-së atëherë, nëpërmes meje, në një nga mbledhjet e rregullta të Komitetit Drejtues, nga që isha pjesë e asaj udhëheqjeje në përbërje prej katër përfaqësuesve të Kosovës dhe dy përfaqësuesve të viseve tjera shqiptare, e kam prezantuar si autor të asaj platforme një autoritet të asaj kohe, edhe pse është punuar edhe nga të tjerë bashkëpunëtorë. Meqenëse ky material është në dosjet e Gjykatës së Hagës, nuk do të lëshohem në specifikime të tjera.
Ju faleminderit për vëmendjen!
_________________________
NJË SHYP I LIRË DHE I PAVARUR NË KOSOVËN E ROBËRUAR
Nga Mehmet Hajrizi, Prishtinë, më 2 prill 2024
***
ZËRI YNË I KOSOVËS
Nga Bislim Elshani, Prishtinë, më, 2 prill 2024
***
DRITËHIJET E ZËRIT TË KOSOVËS
Nga Xhafer Shatri, 14 prill 2024