Gazetaria sportive gjithnjë e më joshëse edhe për femrat
Nga Arif Ejupi
Gjatë këtyre ditëve kemi pasur nderin të lexojmë një punim Diplome shkalla bachelor të zonjës,Alketa Zejnullahu,studente e Fakultetit Media dhe Komunikim në Kolegjin UBT të Prishtinës.
Ndër të tjera na ka bërë përshtypje përzgjedhja e temës me titull “Lajmet e Sportit në Mediat e Kosovës”
Deri në pavarësimin e Kosovës nga Serbia, temat mbi sportin në Radio Televizionin e Prishtinës ( tani RTK) dhe Radio Prishtinë (tani Radio Kosovë) si dhe në gazetat e asaj periudhe “Rilindja” “Bujku” “Zëri” “Koha “ dhe “Bota Sot”janë trajtuar vetëm nga meshkujt.
Madje, rreth tyre të shumtën e rasteve kanë shkruar ish-sportistë të dalluar disiplinash të ndryshme sportive në Kosovë.
Këtë temë tejet interesante pas çlirimit të Kosovës në shumë faqe e ka shtjelluar me mjaft sukses e reja nga Podujeva, Alketa Zejnullahu e porsa diplomuar në Kolegjin UBT të Prishtinës, niveli bachelor.
Ajo në konsultim të vazhdueshëm me pedagogët e saj, sidomos me Dekanin e Fakultetit për Media dhe Komunikim prof.dr. Ferid Selimi, ka bërë në shtojcë të punimit edhe një Anketë.
Nëpërmjet së cilës ka marrë opinionet e mbi 100 vetave njohës të sportit. Anketa shihet se është punuar komforë rregullave shkencore pafavorizuar asnjërin prej sporteve.
Brenda saj janë përfshirë të gjitha disiplinat e sportit, të cilat ndër vite aplikohen në Kosovë dhe Evropë.
Po ashtu është precizuar sipas shkallëve edhe shprehja e mendimit mbi hapësirën e tyre dhënë në shtyp, televizion e portale tjera të vendit.
Anketës i janë përgjigjur pothuajse të gjithë të anketuarit prej moshës 18 deri mbi 50 vjeç.
Pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve të kësaj Ankete kanë qenë kryesisht ekspertë të sportit, profesionistë të gazetarisë sportive dhe studentë të Fakulteteve të ndryshme në Kosovë e vende të Perëndimit.
Ata në prononcimet e tyre kanë qenë të pandikuar dhe të lirë. Mbase kjo metodë e punës ka bërë që kjo temë të fitojë në vlerë dhe t’i qëndroj kohës.
Në anën tjetër zonja, Zejnullahu shpresë e ardhshme e Medias dhe Komunikimit në Kosovë e më gjerë, ka zhvilluar edhe mbi 20 intervista me gazetarë sportivë të mediave tona.
Pjesë e këtyre intervistave kanë qenë edhe femrat që në televizionet dhe gazetat tona e bëjnë punën e moderatores, analistes apo komentatores së ndeshjeve të futbollit, siç është rasti me zonjën,Qendresa Krelani e njohur më tepër si Qeqa.
Ajo në kuadër të emisioneve të Sportit në RTK, ka komentuar edhe ndeshjet e Kampionatit Botëror të futbollit për femra “Australi-Zelandë e Re 2023”
Pas shqyrtimit të çdo interviste veç e veç zonja, Alketa Zejnullahu ka publikuar edhe një pasqyrë grafike me përqindje dhe të dhëna mbi kushtet e punës së gazetarëve sportivë në mediat e Kosovës, dikur dhe sot.
Edhe pse punë e lodhshme dhe goxha stresuese zonja, Alketa Zejnullahu, ka arritur t’i qes në letër titujt e të gjitha emisioneve që i kushtohen Sportit dhe që transmetohen në televizione dhe platforma të ndryshme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Diasporë, qofshin ato vizive apo të shkruara.
Ajo duke u treguar e përpiktë në këtë punim ka llogaritur edhe minutat në dispozicion që kanë ofruar gazetarë e gazetare për secilën degë të sportit.
Me kusht që punimi të jetë në nivelin e duhur shkencor është bërë edhe hulumtimi i literaturës së nevojshme në gjuhë të huaja si: anglisht, gjermanisht, frëngjisht etj.
Ky punim Diplome që mund të jetë referencë për studentët e ardhshëm të kësaj fushe përmban renditjen e temave si dhe parathënien. Në faqet e këtij studimi po ashtu gjendet edhe Fjalorthi i termave me sqarim të çdo fjalë apo shkurtese.
Autorja e këtij punimi me vlerë me pak fjalë falënderon nga zemra prindërit, Bekimin dhe Shpresën, gjyshërit, Zejnullahun dhe Mihanën, motrat, Kledën dhe Erën, si dhe vëllain e saj të vetëm Arin.
Ata si në shkollën e Mesme ashtu edhe në studime e mbështetën Alketën parezervë. Mirëpo, ajo këtë përkrahje e ka arsyetuar, duke treguar arritje të larta në të gjitha nivelet e shkollimit.
Alketa komunikuese dhe e afërt me njerëz edhe jashtë familjes fjalë miradije thotë edhe për shoqen e saj të studimeve Shkurte Berisha, me të cilën pati bashkëpunim të rregullt dhe shumëçka të përbashkët. Andaj, atë pa lajka e konsideron si motër të vërtetë.
Zonja, Zejnullahu shpreh mirënjohjen e saj të veçantë edhe ndaj zotit, Safet Zejnullahu, gazetar e publicist i njohur i cili e ka ndihmuar në çdo kohë, si me literaturë ashtu dhe me këshilla.
Kjo fushë e gazetarisë për zonjën, Alketa Zejnullahu, s’është e panjohur. Ajo edhe gjatë kohës së studimeve është prezantuar në gazetat dhe portalet tona me analiza e vështrime interesante nga Sporti.
Alketa Zejnullahu me prirje në gjuhë të huaja nëse siguron ndonjë bursë apo donacion studimet në shkallën Master, planifikon t’i bëjë në ndonjërin prej Universiteteve të Austrisë ose Gjermanisë.