DR.MOIKOM ZEQO: LASGUSH PORADECI DHE ‘KAMADEVA’ E DASHURISË!

Tiranë, 3 nëntor 2017: Poema “Kamadeva” e Lasgush Poradecit është poema më e çuditshme dhe më e pakrahasueshme për dashurinë në letrat shqipe. Askush nuk ka mundur t’a bëjë këtë gjë para tij. Askush nuk mund ta bëjë këtë gjë edhe pas tij.
Po çfarë është Kamadeva?
Është emri i Hyjit të Dashurisë në Mitologjinë e Indiane. Në mitologjitë e tjera ka emra të tjerë. Në mitologjinë Greke quhet Eros. Në mitologjinë romake quhet Kupidon.
Në të vërtetë Hyji paraqitet në formë mashkullore. Te grekët dhe romakët është një fëmijë i vogël, lakuriq, me flatërza tek supet, që ka një hark me shigjetë. Kur qëllojnë me shigjeta është mënyra për të treguar se i ka qëlluar për vdekje, deri në pafundësi vetë Dashuria. Pra, kemi një mitizim të dashurisë.
Midis dy njerëzve mund të lindë Dashuria. Por ata nuk e kanë në dorë të jenë të dashuruar, nëqoftëse Erosi dhe Kupiditi nuk i qëllojnë gjoja me shigjetë. Tamam një dimension jashtë dashurisë tokësore, midis njerëzve. Të mos harrojmë se këtu bëhet fjalë para së gjithash për dashurinë Erotike, Seksuale.
Kurse figura e Kamadeos përfaqëson një Hyj mashkull, natyrisht hyjnor, që ka në dorë për të bërë që dy njerëz të dashurohen marrëzisht, në një sakrifikim të dyanshëm, komplomentar.
Figura ikonografike e Kamadeus ndryshon nga figurat ekonografike të Erosit dhe të Kupidonit.
Pyetja e parë që të vjen ndër mend kur lexon titullin e poemës të Lasgushit është, pse Poeti ka përzgjedhur emrin e Kamadevos dhe pse në një shtrat tradicional mesdhetar, të cilit ai i përket në gen dhe në frym nuk ka përdorur as emrin grek Eros dhe as emrin romak Kupidon.
Përcaktimi i emrit Kamadevo ka të bëjë me formim in kulturor gjermanik të Lagushit.
I kulturuar në një nga universitetet më të mëdha të Evropës, në Graz, duke e njohur gjermanishten deri në nuancat e saj filologjike, Lasgushi ka njohur dhe filozofinë e kohës, kur ai studioi dhe jetoi në Graz.
Ai kishte lexuar veprën e Shopenhauerit, i cili është filozofi i “Vullnetit si fuqi”, filozofi i cili kritikoi kulturën e degjenruar perëndimore të Evropës, për shkak të mitologjisë së krishterë, që solli jo përparim të mendimit, por kthim mbrapsht, prandaj ai solli në kulturën gjermane njohjen e filozofisë së Lindjes, Budizmin dhe format e tjera të mendimit lindor.ù
Të njëjtën gjë kish bërë edhe Poeti i madh gjerman Gëte. Në librin e tij të poezive “Divani Lindor – Perëndimor”.
Për Gëten parimi qe “Lux ex Orientis”-”Drita vjen nga Lindja”.
Akoma më furishëm, në forma më rebeluese qe filozofi Niçe, i cili librin e tij kryesor e quajti “Kështu foli Zarafustra”.
Pra studimet për filozofinë e Lindjes tek dijetarët dhe shkrimtarët gjermanë krijuan një kult të ri. Studimi i Sanskrishtes dhe krijimi i shkollës “I gjuhësisë krahasimtre” me Franc Bobin në krye, krijuan për herë të parë një disiplinë shkrencore,të mirëfilltë për klasifikimin e popujve indo-evropiane.
Edhe shqiptarët qenë një popull indo-evropianë.
Përsëri po e ngre në reliev pyetjen: A ka patur një arssyetim të thellë dhe bindës Lasgushi për titullin e poemës së tij me emrin e Hyjit indian të Dashurisë. Këtë nuk mund ta dimë. Ndoshta edhe nuk kemi pse ta dimë. Ndoshta fakti që shqiptarët si popull indo-evropian nuk e kanë të dokumentuar në mitologjinë e tyre antike Ilire emrin e një Hyjit të dashurisë e bën më të besueshme pikpamjen se Lasgushi qëllimisht i tërhequr nga emri Kamadeva për të treguar se në mungesën e një emri të ngjashëm, të tillë, tek shqiptarët si pasardhës të ilirëve, mund të përdoret një simbolikë më universale si emri Kamadeves.
Poema e Lasgushit është vërtet një krijim sui-generis.
Kjo poemë është shkruar gjatë një periudhe kohore të gjatë. Shumë të gjatë.
Në vitin 1981, siç e ka shënuar dhe në ditarin e vet Lasgush Poradeci më dhuroi mua një kopje të daktilografuar të Poemës” Kamadeva”. Më vonë unë kam botuar fragmente të saj në gazetën “Drita”.
Në të gjitha studimet dhe librat e shkruar për krijimtarinë e Lasgushit askush nuk është ndalur në mënyrë të thellë dhe bindëse për vlerat e kësaj poeme.
Vështirësia qëndron në nivelin e njohjes.
Vështirësia bëhet akoma më e rendë kur studiuesi as e ka idenë e disa nocioneve kulturore, që kishte në kokë Lasgushi, në universalitetin e dijes së tij.
I vetmi njeri që ka konstatuar diçka interesante ka qënë Petraq Kolevica. Në librin e tij të kujtimeve Petraq Kolevica ka shkruar për një poezi me pak strofa të quajtur gjithashtu “Kamadeva” të Emineskut, përkthyer nga Lasgush Poradeci.
Poezia e Emineskut është shumë e bukur, përtej përkimit formal të titujve poema e Lasgushit është një gjë krejt tjetër, e pakrahasueshme në kuptimin e plotë të fjalës.
Poema e Lasgushit është me 143 strofa katërshe. Është një poemë lirike. Pa subjekt. Dashuria në vetvehte është subjekti i subjekteve. Pra nje subjekt i padukshëm në dukëshmërinë e vargjeve. Është drama dashurore, ose tragjedia erotike e poetit me të dashurën e tij tokësore ose të përfytyruar. Është një dashuri përvëluese, ku të dashuruarit vërtiten rreth njëri tjetrit me “dëshërim në sy dhe me shpirt të ndritur”.
E dashura është arketipi i të gjithë të dashurave.

Më çfaqi përandej
Sa yj që jeni,,
Sa vasha që ju ndjej
Ndaj vini e veni;

Ndaj derthni aq përgjërim,
Dyke kundruar,
M’a tundni shpirtin t’im
Të ngashëruar.

Dh’ashtu, posi dikur,
Nga largësira,
Më del plot hir e nur
Ajo m’e mira.

Poeti është dashuror i përjetshëm, me një farë kuptimi edhe i dashurive të para jetës së tij, por dhe i dashurive të pas jetës së tij.
Midis mijëra shëmbëlltyrave ai ka padyshim një që i shfaqet ndër vegime që e thërret “më e mira”.
Ajo me hapa të lehtë shkel mbi lartësira, prej saj gjithmonë vëgon, del, përhapet, muzikë e fshehtë.
E dashura është e përhershme, lëviz si pluhur qiellor, i praruar mbi botën. Por ajo hesht:

Pa gojë, o zemër ti,
Kjo fjala jote!
Pa fjalë, o dashuri,
O gojëplote!

Takimi i poetit me të dashurën krahasohet me një “pyll të ndezur në ar, që tundet nga argjendi”.
Takimi i Dashurisë “gjëmon tingëllimtar, si një gjëmb argjendi”. Po mbas takimit vjen ndarja.Shpirtëzohet largimi. Vjen terr i madh. Në këtë terr vetëm yjet e largët i puthnin të dashuruarit “Me puthje të arta”.
Pjesërisht dëgjohet një këngë në lartësitë e epërme, plot jehona. Tashmë këndonin mbi trupat e të dashuruarve “Dy shpirtrat e tyre”. Këndonin qiellorisht.
Mes një melodie ku çdo gjë është tretur, mes engjëve në qiej dhe përshëndetjeve të tyre.
Në këtë pjesë të poemës kemi një vegim Dantesk.

Bashkuan këngë e gas
E ngazëllimë
Meqerubinë pas
E serafinë;

Plot ëndje, plot hare,
Dorë-për-dore,
Kënduan përmi ne
Çetat qjellore;

Gjëmuan yj e qjej
Nga gung’ e lartë,
Kumbuan tej-për-tej;
Me tinguj t’artë;

Si dy qirinj n’altar,
Flakë-bashkuar,
Q’i djeg e tret me zjarr
Drit’e pashuar.

Në vënd të martesës së trupave, erotikës fizike, kemi martesën e shpirtërave.
Dy shpirtrat u himnizuan në altar, me himne të dlirta. Pra tashmë edhe përtej vizionit Dantesk kur Dantja i gjallë, ende i pavdekur kaloi nga Ferri në Purgator për t’u takuar në Parajsë Beatriçën e tij prek kohe te vdekur, Lasgushi akoma më mistik përfytyron, poetizon vegimin e një përqafimi të lumturuar, të dy shpirtrave me kurorat ceremoniale të martesës.
Është dufi që buçet me drithërime, që zbret në detin e qënies së poetit:

Që me kurorë i thur
Zemrat bujare –
Ah ç’bëmë ashtu sikur
S’bëmë gjë fare?

Ah ç’bëmë ashtu, ashtu,
Kaq nëmë e gjëmë?
Ç’far bëmë ashtu, bubu!
Sikur gjë s’bëmë?

Me një fjalë ajo që nuk u realizua në tokë, të realizohet në qiell. Dashuria në jetë i mburrosi lëvizjet e të dy të dashuruarve.
Në këtë pikë reflektohet një dashuri reale në jetën e Lasgushit. Kuptohet e pafinalizuar. Pra dashuria funksionoi.
Kamadeva i qëlloi zëmrat e të dashuruarve më shigjetën e tij. Por ndarja në jetë qe më e plotfuqishme se dashuria në qiell.

Si na largoj aq shpejt
Nat’ e nxirosur,
Dhe s’mbetmë krejt-e-krejt
Ngrirë e ngurosur!

Ngurosur që të dy
Përgjithëmonë,
Me shpirtin t’onë aty,
Me trupin t’onë!

O ndarje! Pështjellim!
Pishtar i shuar!
O Kamadeva im
Shigjetë-helmuar:

Poezi zbulon atributin kontradiktor të Kamadevas. Pra, Kamadeva jep një dashuri që në kondita të caktuara edhe është edhe nuk është. Shënjon një dashuri kur dy qënje tokësore, por me kusht që e realizueshmja të jetë përfundimtare përtej statusit tokësor. Poeti e quan Kamadevan “Demon”, me sy si zjarr, që shkëlqen nga bukuria.
Gjithashtu Kamadeva është “Efeb i Ri”, që është dhe me rreze dhe me hije, por që ka aftësi të ndryshojë një vërbërim magjije në sytë e poetit. Ai e copëton në dysh të bardhën jetë. Shikon dhe buzëqesh fort i zilepsur.
Pra Hyji i Dashurisë Kamadeva ka zili dashurinë e pakufishme të dy qënjieve tokësore. Ky është një koncept shumë i papritur.
Madje kapërcen edhe konceptet mitologjike në përgjithësi. Kamadeva del kështu një Hyj i dyfishtë, i së Mirës dhe i së Keqes, një Hyj Androgen. Edhe për mua që kam shkruajtur libra për mitologjinë dhe mendoj se e njoh kulturën mitologjike “ky kapërcim i konceptit” i një mitit të Kanadevas tek Lasgushi më duket enigmatik, por edhe më tepër një fuqi më e madhe e tokësores, se sa e qiellores.

Zili, Demon! Demon!
Thumb e peronë
Tmerisht ty të përshkon
Prej ëndjes s’onë!

Dhe mjaft, Demon, Demon,
Zili-përskuqur,
Tmerrisht ti urdhëron:
Mjaft buzë-puqur!

Dh’e josh me ledhë e vrer
Zemrën e ngratë,
Na sbret përposh në terr,
Nëpër mesnatë;

Për në greminë e hon
Na sbret për-dore,
Atje ku rri mi fron
Ndarja mizore;

Në fronin e ndarjes prehet Nëma dhe Gjëma.
Ende ka thirrje grishëse. Ende kujtesa risjell imazhet e dashurisë.
Por ndarja është ndaluese. Me britma dhe përshtjellim tronditen shpirtrat e të dashuruarve.
Bjen qielli i zi me bujë, këputen yjet e universit, vërshojnë kudo lumenj me lotë, gjëma është e paskajshme, por “Dy shpirtrat përmbi trupat, zënë dhe rënkojnë”.
Atë që e vuajtën trupat e vuajnë akoma më shumë shpirtrat. Dëshpërimi gëzohet.
Dëshpërimi në qiell është po aq fatal sa dhe në tokë.

Dhe ne po shtrydhim lot
Dëshpërimtarë
Ndaj vamë e s’arthmë dot
Dh’ u patmë ndarë.

Shkëndijmë n’arrati,
Të ngashëryer,
Ngjërojmë vrer e zi
Zemërë-thyer.

E dashura e ndjeu poetin në kujtime. Që ndarja të bëhej sërish një takim përfundimtar. Por kjo nuk e qetëson aspektin tragjik. Gremisen qiejt dhe vetë dheu, në këtë përshtjellim gjithshka vështron se si dy shpirtrat përmbi trupat të vajtojnë. Mahnitet me tmerr çdo krijesë e gjallë për përqafimin e ëmbël që patën bërë të dashuruarit. Për ndarjen si një mandatë, nuk do të ketë më prehje. Bukuria tretet “në një mall të kotë”, por një mall tjetër, “një mall përgjimtar është pas të dashurës që çfaqet si një fill llastari si fill rrufeje”. Kujtimi i sa dashurës përhapet si vesë, si bruma dëbore, por se lëviz “si kaprollja në pyll e rritur me mjaltë”.
Syri i së dashurës e ka një vështim “me shtatë drita”. E dashura është një Fate, plot nur.
Koha e dashurisë i ngjan “Prillit dhe Majit plot manushaqe”.
Dhe ja një tjetër “kapërcim koncepti”:

U hapnë për çudi
Qjell e qëndresë,
Dhe posi perëndi
Del një krijesë.

Dhe sbriti përmi ne
Një gjeraqinë,
Të prishë botë e dhe
Me bukurinë.

Vargjet e mësipërme të kujtojnë një imazh biblik: Atë të pagëzimit të Krishtit në Lumin Jordan nga Gjon Pagëzori, kur qielli u hap dhe u shfaq një pëllumb, që në ikonografi konsiderohet si një nga shënjat e Krishtite Shpirtit te Shenjte.
Për Lasgushin analogjia është krahasimtare. Shpirti i së dashurës zbret nga lart për poshtë. Ajo është Çudia, që verbon, të ndrit në thellësirat e errëta të zemrës.
E veshur më një petk Kremtor, plot nur e shkëlqim buzëqesh. Kështu ajo u ndez yjet e diejt e dashurisë duke i varur sërish nëpër qiejt e gjithësisë.
Por megjithatë dashuria prap është si drita që nuk ka të perënduar, por fshihet nën dhe, e mbuluar nën një varr. Ndrit thellësira.
Poeti është i çarë në dysh.

Me shpatë mes-për-mes
Jam i përshkuar,
Me zjarr që kurrë s’vdes,
I përvëluar.

S’e mirrnja dot mi dhe,
Me mënt’ e mija,
Që shpatë e presë e teh
Kish dashurija.

Poeti përfytyron sërish një imazh takimi (të pamundur). Dera troket. Del të shohë, s’u mbajt dot dhe ra, e dashura ju shfaq si një Zanë. Deshën të takohen. Diçka i pengonte. Gjithshka i largonte. Të dy s’u puqnë aspak.
Për poetin durimi është dhimbja më e madhe e dashurisë, një durim i padëgjuar, që është dhe përvëlim i patreguar.

Ti s’vjen, o mall ti s’vjen
Për të-dytë-herë,
Dhe zemra ime zjen
Si në skëterrë;

Përplasem si tallas,
Tërë trazirë,
Gajasem e bërtas
Në shkretëtirë:

Ku je, ti mall! Ti mall!
O jeta! Jeta!
Sa larg që zall më zall
Mezi të gjet!

Ah ku ‘sht’ ajo perri,
Që kam takuar,
Që më dhuroj në gji
Zjarr të pashuar!

Ah ku ‘sht’ ajo, ajo,
Që dashuronja,
Dhe llaftaronja, oh,
Kur t’a shikonja!

Dashuria për Lasgushin është një koncept kozmik. Dashuria e vërtetë është edhe ndarje, ndarja është prania e dashurisë në mungesë. Dashurija universalizohet në botën e shpirtërave. Kuptohet që shpirtrat janë të njerëzve. Kuptohet vetvetiu se figura hyjnore e Kamadevas është varianti Lasgushian i Kamadevas.
Një poemë e tillë për dashurinë në të vërtetë është shkruajtur vetëm nga Lasgushit në një formë, frymëzim dhe imazh të tillë të pakrahasueshëm me të tjerët.
Poezia e pa realizuar në të vërtetë realizohet. Dashuria që mungon në të vërtetë rishfaqet. Ajo që është mund dhe të mos jetë, por ajo që nuk është, patjetër edhe do të jetë.
Në poezinë shqipe poema “Kamadeva” është një poemë mistike që shpjegon më mirë se çdo poemë tjetër natyrën shpirtërore të njeriut Lasgush Poradeci.
Në të vërtetë më shumë se sa një ndikim formal nga poezia “Kamadeva” e Emineskut mund të gjejmë gjurmët e një frymëzimi të thellë nga poema mistike “Bukurija” e Naim Frashërit.
Po kjo kërkon një studim krahasimtar, të mëvetçëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura