GËZIM KABASHI: VANGJEL TOҪI, ZBULUESI I AMFITEATRIT TË DURRËSIT

 Pashtriku.org, 05. 02. 2014 – Vangjel Toçi, njeriu që e ka lidhur emrin e tij me disa nga monumentet më të rëndësishëm të antikitetit dhe të mesjetës në qytetin e Durrësit, nëse do të ishte gjallë, do të festonte 93-vjetorin e lindjes më 11 tetor 2013. Qyteti i lashtë i detyrohet prof. Vangjelit dhe ekipit që ai drejtoi në vite, zbulimin e Amfiteatrit 1900-vjeçar; mozaikun e njohur në botën shkencore me emrin “Bukuroshja e Durrësit” e që ndodhet sot në hyrje të muzeut historik kombëtar në Tiranë; termat (banjat) e periudhës romake në themelet e teatrit “Aleksandër Moisiu”; mozaikun me kalë deti, që vazhdon të jetë në pritje të specialistëve për t’u hapur përfundimisht… Lista e monumenteve dhe gjetjeve është e pafund. Mjafton të themi se në fondet e Muzeut arkeologjik të qytetit ndodhen më shumë se 20 mijë objekte të regjistruara, që ende nuk janë shqyrtuar nga arkeologët. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e veprimtarisë madhore të Vangjel Toçit.

Prof.Vangjel Toçi (1920 – 1999)

Pse nuk ka një shesh apo rrugë me emrin e Tij?
Ishte njeriu që iu desh të ndeshej jo pak me injorancën e kohës, me mediokrit dhe me ata që mund ta sulmonin më lehtë edhe për vëllanë e tij, të pushkatuar pa gjyq nga diktatura, Mark Toçin, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur dot. Katër ditë më parë, kur në amfiteatrin e zbuluar prej tij në vitin 1966 mbërriti një grup inspektimi i organizatës “Europa nostra” patëm një motiv më shumë për ta kujtuar arkeologun, që nuk mbaroi një shkollë të specializuar, por që u bë shembull i qytetarit model për të gjithë durrsakët. Kjo është arsyeja, që qytetarët durrsakë e kujtojnë me respekt e nderim edhe sot, e shumëkush nuk e kupton arsyen përse në Durrës nuk ka një shesh apo një rrugë qendrore me emrin “Vangjel Toçi”, apo përse vazhdon ngurrimi për ti dhënë emrin e tij Muzeut Arkeologjik, të cilin ai gjithashtu e themeloi 63 vjet më parë.
Rrruga e Mish-shitësit
[Padituria, mediokriteti i së kaluarës shfaqet edhe sot. Në vitet 2000, bashkia e Durrësit bëri riemërtimet e infrastrukturës rrugore. Është një komedi e tërë se çfarë përmbajnë tabelat orientuese të rrugëve dhe shesheve. Deri dhe emrin e të atit të një punonjësi të kabinetit të ish-kryebashkiakut ka një rrugë, merita e vetme e të cilit ishte profesioni i nderuar i mish-shitësit. Prandaj nuk kishte vend për prof. Toçin! -ndërhyrje e “Dyrrah”-ut]
Elbasan-Durrës-Bolonja-Durrës
Le ta rikthejmë edhe një herë në kujtesë jetën dhe veprimtarinë e Vangjel Toçit. Vangjel Toçi u lind më 11 tetor të vitit 1920 në qytetin e Elbasanit, në një familje nëpunësi. Ata u zhvendosën shumë shpejt në Durrës, ku Vangjeli përfundoi shkollën qytetëse. Mjaft i interesuar për studimin, ai ndjek liceun e Shkodrës në vitet 1937-1941. Më pas fiton një bursë për në Universitetin e Bolonjës (Itali) për mjekësi, por, për shkak të zhvillimeve të luftës, nuk mundi ta përfundojë.
Biblioteka
Bashkëkohësit e profesor Vangjelit thonë se merita e parë e tij në Durrës është krijimi i bibliotekës së qytetit më 11 shtator të vitit 1945, së cilës i dhuroi edhe 1 000 libra të tij personalë. Duke u kërkuar bashkëqytetarëve të kontribuojnë për Bibliotekën, bibliofili bëhet një lajmëtar dhe shembull i kulturës për durrsakët. Institucioni, që ndodhet ende në godinën ku u themelua, në një vend të dukshëm ka foton e themeluesit të tij, njeriut që krijoi katalogët e parë topografikë, alfabetikë, sistematikë dhe krahinorë për Durrësin.
Muzeologjia
Në vitet e drejtimit të bibliotekës Vangjel Toçi iu kushtua me pasion muzeologjisë dhe veçanërisht specialitetit të arkeologjisë për të mos u shkëputur më prej tij. Objektet e zbuluara në nekropolin e qytetit zënë vend në stendat e bibliotekës, duke u bërë kështu eksponate të vërteta, të cilat i hapën rrugë krijimit të muzeut të parë arkeologjik në vitin 1951.
– Skulptura,
– stele,
– kapitele,
– kolona,
– bazamente,
– arkëza
– funerare,
– shtyllëza anepigrafike, etj., pjesa më e madhe e të cilave ndodhen në fondin e muzeut arkeologjik, janë objektet e shumta prej guri e mermeri, të cilat kanë parë dritën e diellit pas qindra vitesh nga përkujdesja e duarve të profesorit. Një pjesë e monumenteve u ekspozuan në lulishten e njohur sot si shëtitorja bregdetare, projekt që morri jetë falë kurajës së drejtorit. Nën drejtimin e Vangjel Toçit në Muzeun e Durrësit u krijuan me radhë sektorët e historisë, arkeologjisë, luftës nacional-çlirimtare, etj.; në vitin 1968, pasi afroi në muze disa nga artistët më të shquar durrsakë, ai ngriti galerinë e arteve figurative. Pak para se të dilte në pension, ai bëhet nismëtari i ndërtimit të muzeut të ri arkeologjik të qytetit antik, vepër e cila përfundoi vetëm 10 vjet më parë, duke vendosur në eksponatet e tij, një pjesë nga trashëgimia e zbuluar nga duart e Vangjel Toçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

– Amfiteatri i Durrësit –

– Bukuroshja e Durrësit –

“Bukuroshja” dhe amfiteatri antik, dy mrekullitë e Durrësit
Profesor Vangjeli ishte një shkencëtar autodidakt. Por siç shkruan për të shkencëtari francez, Rozhe Lëkot (Roger Lecotte), “gjetjet e tij të mrekullueshme i detyrohen erudicionit dhe instinktit të sigurt, një vetie parashikimi të pikës së zbulimit”. Ky përcaktim është çelësi që shpjegon “pse-në” e zbulimeve të bujshme të Vangjel Toçit. Duke ndjekur me vëmendje shtypin shkencor dhe veçanërisht atë që i kushtohej Durrësit antik, profesori gjurmon mozaikun e mrekullueshëm, që më vonë do të njihej në të gjithë botën shkencore me emrin “Bukuroshja e Durrësit” [shih foton e fiksuar në vitin 1956 kur u bë rizbulimi]. Të dhënat që jepnin arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober nga gërmimet e tyre në Durrës gjatë Luftës së parë botërore u bënë busulla e zbulimit të vitit 1959, që e ka shënuar përsëri qytetin antik në bibliografitë e arkeologjisë. Vëzhgimet e kujdesshme të zonës dhe të dhënat e Marin Barletit për praninë në Durrës të një amfiteatri të rrënuar i hapën rrugë në vitin 1966 zbulimit më të madh arkeologjik në vendin tonë, amfiteatrit antik, mrekullisë, e cila bashkëjeton me qendrën e re të qytetit me dinjitetin që i dhanë bashkëqytetarët pararendës [shih foton nr. 3 të vitit 1966].
Dashuria për shqipen
Në familjen Toçi edhe 14 vjet pas humbjes së njeriut të dashur, studioja e profesorit ka mbetur siç ka qenë. Mes rafteve me libra dhe shënime të duket sikur të ndjek edhe zëri i tij i butë. Në 20 vitet e fundit të jetës, kjo studio u bë laboratori i tij krijues. Bashkëpuntori i Vjetër Shkencor, i cili në vitin 1970 u nderua me çmimin e Republikës “Për punën e gjatë dhe këmbëngulëse, me vlerë të dalluar shkencore, në lëmin e zbulimeve arkeologjike dhe veçanërisht për amfiteatrin antik të Durrësit” do të niste në këtë dhomë të vogël një tjetër sfidë, veprën “Nga emrat ilirë tek emrat shqiptarë”. Zbuluesi i mbi 300 emrave ilirë, shkruan se “qëllimi me përkushtim i kësaj vepre madhore ka qenë, që me anë të thellimit të studimit në fushën e onomastikës ilire, mbi bazën e punimit të zhvillimit fonetiko-historik, të lidhë ilirishten me shqipen duke nxjerrë në pah ndër të tjera, me anë të emrave ilirë, leksikun e shqipes”. Vetëm për këtë temë, e cila mbeti e papërfunduar për shkak të sëmundjes së autorit, janë shkruar mbi 20 mijë faqe. Dhjetëra artikujve të shkruar në shtypin shkencor shqiptar nga Vangjel Toçi, u janë referuar specialistë të njohur në shkallë botërore, si Carlo de Simone, Russu, Lui Rober, Zaharia Manjani, Dysselier, Gatti, Franke, Vulpen, etj.
“Pagëzuesi” i 30-40-vjeçarëve
Nuk janë të pakët 30-40-vjeçarët në Durrës dhe në mbarë vendin që nuk e dinë se kanë një lidhje me profesor Vangjelin. Emrat që ata mbajnë janë sugjeruar prej tij me anë të një broshure me emra ilirë, të cilën e kishin thuajse në të gjitha zyrat e gjendjes civile. Genti, Plarenti, Dorina, Dardani, Albani, Platori, e dhjetëra të tjerë mbajnë këta emra të bukur, të zbuluar në shtyllëzat e vogla nga duart e pasionuara të Vangjel Toçit, njeriut që e deshi Durrësin dhe arkeologjinë.

* * *
SHRTOJCË E PASHTRIKU.ORG

VANGJEL TOCI – EMËR I MUNGUAR!!!

Vangjel Toçi u lind më 11 tetor të vitit 1920 në Elbasan, në një mjedis të qytetëruar intelektual. Ai ishte fëmija i tretë ndër pesë fëmijë që kishte familja e tij. I ati, Sotir Toçi ishte një nëpunës shteti i dëgjuar në rrethet intelektuale si njohës i shumë gjuhëve të huaja. Ai ka kryer shkollën fillore dhe të mesme në Durrës. Përfundoi në 1941 Liceun në qytetin e Shkodrës. Po ashtu kreu Fakultetin e Mjekësisë dhe të Kirurgjisë pranë Universitetit të Bolonjës në Itali, të cilën nuk arriti ta përfunojë deri në fund. Vangjeli dinte shumë mirë gjuhët e huaja si: greqishten e lashtë dhe latinishten, gjuhën frënge dhe atë italiane. Ai i ka kushtuar shumë vëmendje muzeologjisë dhe në veçanti arkeologjisë. Me punën e tij ka arritur krijimin e bibliotekës së qytetit të Durrësit dhe Muzeun Arkeologjik. Arkeologu Toçi punoi me pasion dhe këmbëngulje për amfiteatrin, që është një monument i lashtësisë. Një meritë tjetër në punën e tij është studimi që ai ka bërë në lidhje me përbërjen e popullsisë që jetonte në qytetin antik, nga ku, nëpërmjet mbishkrimeve të varreve jep një listë të gjatë të emrave ilirë. Vangjeli transmetoi tek banorët e tij bashkëqytetarë, ndjenjën e përgjegjësisë për mbrojtjen e së kaluarës, duke i bërë kështu bashkëpunëtorë me të në rrugën e gjatë të njohjes dhe identitetit të së kaluarës. Në 10 shtator të vitit 1945 përurohet krijimi i bibliotekës së Durrësit, ku Vangjel Toçi dhuroi 1.000 libra të tij. Ai krijon katalogët topografikë, alfabetikë, sistematikë dhe krahinorë për Durrësin. Në vitin 1947 zbulon godinën me mozaik bardh e zi të shekullit të parë të erës sonë, me figura nga mitologjia detare. Në 13 mars të vitit 1951 krijohet Muzeu i Parë Arkeologjik i qytetit të Durrësit, me objekte të grubulluara nga vetë arkeolou ynë Vangjel Toçi. Ai zbulon në vitin 1959 mozaikun e shekullit të tretë para e.s. i ashtuquajtur “Bukuroshja e Durrësit”, i cili ka në qendër një grua të hijshme me qëndrim monumental. Në periudhën 1950-1982 nga zbulimet në Nekropolin e qytetit antik, arkeologu Toçi evidenntoi afro 300 emra ilirë, duke e vënë Durrësin në krye të qendrave të banuara ilire në të gjithë Ballkanin. Më pas, për afro 20 vjet, ai punoi me ngulm në fushën e onomastikës ilire, duke lënë një vepër ende të pabotuar prej mbi 20 mijë faqesh, mbi etnogjenezën e popullit tonë. Këmbëngulja e arkeologut të njohur durrsak Vangjel Toçi, risolli në dritë pikërisht në vitin 1959, një nga veprat më të shquara të lashtësisë “Bukuroshja e Durrësit”. Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë në fillimin e shekullit të XX mbi praninë e mozaikut, në një nga lagjet qendrore të Durrësit. Për herë të parë ky mozaik u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në Luftën e Parë Botërore, në vitin 1916. Për fat të mirë dhe falë këmbënguljes dhe aftësisë profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi, e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Rizbulimi i tij ngjalli interesin e shumë shkencëtarëve të huaj, të cilët megjithë kufizimet e periudhës komuniste kërkuan ta shihnin nga afër veprën e lashtësisë. Mozaiku, që është mbiquajtur “Bukuroshja e Durrësit”, një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtrave që e krijuan atë, ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik. Teknika e përdorur për krijimin e mozaikut është me gurë zalli natyrorë, me ngjyra të ndryshme të ngjitura me njëra- tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe. Amfiteatri antik është monumenti më i rëndësishëm i Durrësit, i vendosur krejt në qendër të lagjes më të vjetër dhe i rrethuar nga shtëpitë e banorëve. Ai u zbulua nga arkeologu i mirënjohur durrsak, Vangjel Toçi, në vitin 1966 dhe është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan. Ai është ndërtuar në shek. I-II pas Krishtit, në kohën e perandorit romak, Adrian. Pas fushatave të viteve 1966-1970 në amfiteatër, gjatë katër viteve të fundit janë kryer fushata gërmimesh arkeologjike verore me përfundime të rëndësishme. Galeritë e amfiteatrit janë shfrytëzuar disa herë si vende ekspozitash arkeologjike, ndërsa në vitin 2004 janë organizuar disa spektakle artistike. Rrënimi i amfiteatrit ka nisur në shekullin V, kohë në të cilën perandorët, tashmë të krishterë, i ndaluan ndeshjet vdekjeprurëse të gladiatorëve. Amfiteatri është ngritur në fund të shek. I, fillimin e shek.II e.s. në një strukturë me mure tullash dhe guri. Sipas një mbishkrimi të zbuluar, në kohën e mbretërimit të perandorit Adrian (97-117 e.s.) për përurimin e bibliotekës së qytetit 12 çifte gladiatoresh u ndeshën në amfiteatër. Në shek.IV para e.s. pas braktisjes, pllakat e gurta të mbulesës u hoqën. Në një nga galeritë e amfiteatrit, në shek.VII u ndërtua një kapele me mozaik mural dhe arena u shndërrua në varrezë. Muzeu Arkeologjik ndodhet përballë shëtitores kryesore të qytetit, e cila mban emrin “Taulantia” dhe është përuruar më 13 prill 2002. Muzeu i ri ka rreth 2.000 objekte të ekspozuara dhe të klasifikuara sipas kronologjisë së zhvillimit të qytetit që nga periudha arkaike deri në Mesjetën e hershme. Nëntoka e Durrësit, duke qenëse qyteti aktual është i ngritur tërësisht mbi të vjetrin, është një burim i vazhdueshëm zbulimesh të reja dhe për këtë arsye është shpallur “muze” dhe mbrohet me ligj të veçantë. Në vitin 1962, për herë të parë, pranë Muzeut Arkeologjik Durrës ,Vangjel Toçi krijon “Atelienë e Monumenteve”, si një institucion me rëndësi të veçantë. Në vitin 1968 ngre “Galerinë e Arteve Figurative” të qytetit dhe e vë nën administrimin e Muzeut.Vangjeli ka kontribuar në hartimin e librit “Fjalor me emra njerëzish”. Vangjel Toçi vdiq më 27 janar të vitit 1999.

Vangjel Toçi dhe stafi i tij në Amfiteatrin e Durrësit, 1969.

Vangjel Toçi mbi mozaikun – Bukuroshja e Durrësit –

– Vangjel Toçi në Parkun Arkeologjik të Durrësit –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura