Ulqin, 08. 09. 2015: Delegacioni i Komunës së Deçanit zhvilloi me datë 4 shtator 2015, një vizitë zyrtare në Komunën e Ulqinit. Vizita u realizua në kuadrin e vendosjes se lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve, kryesisht lidhje në fushën e kulturës, artit, sportit, ekonomisë e tjerë. Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka dhe homologu i tij kryetar i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj shprehën interesimin dhe vullnetin e dy institucioneve për të çuar përpara këtë bashkëpunim me interes të përbashkët.
Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka deklaroi me këtë rast se është një ditë e veçantë për komunën tonë. “Aktin e firmosjes së binjakëzimit në mes të dy komunave tona e konsiderojmë një vlerë e cila do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet tona vëllazërore. Marrëveshja parasheh bashkëpunim në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Ajo është një rast i mirë për sipërmarrësit për të investuar, shkëmbyer njohuri dhe aftësi, për institucionet e kulturës, sportit dhe fushave tjera. Me këtë rast dua të veçoj edhe marrëdhëniet e mira që janë shembull në mes të Malit të Zi dhe Kosovës. Edhe kjo marrëveshje besoj se është një ogur i mirë në procesin e integrimeve evropiane, ka deklaruar Gjeka.
Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka dhe kryetari i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj.
Në anën tjetër kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj në emër të të gjithë qytetarëve të kësaj komune shprehu falenderimin e tij për mbështetjen e qytetarëve të Ulqinit që i ofruan qytetarëve të Deçanit dhe të tjerëve gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së. “Ne jemi një popull. Kemi një gjuhë, një traditë. Të gjitha i kemi të përbashkëta. Edhe të kaluarën. Prandaj mendoj se Komuna e Ulqinit dhe Komuna e Deçanit mund të kenë bashkëpunim me interes të përbashkët. Ne e kemi nisur ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, e cila do t’i afrojë shumë shqiptarët në rajon. Nga Deçani deri në Shkodër janë jo më shumë se 70 kilometra, ndërsa pas përfundimit të kësaj rrugë ne në Ulqin mund të vijmë për një orë e gjysmë. Kështu po krijohen mundësi shumë më të mira të bashkëpunimit dhe të afrimit në mes nesh”, ka thënë Selmanaj.
Edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit mr. Fuad Haxhibeti aktin e binjakëzimit të këtyre dy komunave e vlerësoi hap shumë të rëndësishëm, sepse siç u shpreh ai, në këtë mënyrë do të kemi mundësi të njohim më mirë njëri-tjetrin. “Do të kemi mundësi të intensifikojmë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke filluar nga kultura, sporti, ekonomia, pse jo edhe politika. Nëpërmjet këtij binjakëzimi do të arrihet afrimi i Ulqinit dhe Deçanit, të cilët kanë një gjuhë dhe një kulturë të përbashkët”, ka pohuar Haxhibeti.
Binjakëzimi i Ulqinit dhe Deçanit përfundoi me një koktej të rastit në restorantin “ Europa”.