Ulqin, 11 mars 2019: Tre marsi i vitit 2019 do të mbetet i shënuar si një ditë feste jo vetëm për Malësinë, por edhe për të gjithë shqiptarët. Pse? Për faktin se atë ditë zgjedhësit e kësaj trevë shqiptare, e njohur për historinë e saj të lavdishme të larë me gjakun e bijave dhe bijëve të saj, me burrërinë e saj, me atdhedashurinë e saj, me nderin e saj, me dinjitetin e saj, me vizionin e saj dhe me shumë vlera të tjera njerëzore të saj votuan shqip në zgjedhjet lokale për fitoren në Komunën e Tuzit. Votuan për njerëzit e vet të zemrës. Për përfaqësuesit e tyre politik të bashkuar për herë të parë në jetën parlamentare politke në Mal të Zi rreth “ Forumit Shqiptar” në përbërje të të cilit lidhën “Besën e Malësorit- Shqiptarit) për fitore Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve. Pas numërimit dhe rinumërimit të votave Komisioni Komunal Zgjedhor konfirmoifitoren e Forumit Shqiptar me sloganin “ Malësia na Bashkon”, i cili në përbërjen e re të pushtetit vendor të Tuzit do të ketë 16 këshilltarë , pa të cilët nuk mund të formohet pushteti i ardhshëm në këtë komunë.
Fitorja në zgjedhjet lokale në Tuz, erdhi pikërisht në mars, që për shqiptarët është muaj i veçantë e kuptimplotë. Rëndësia dhe pesha e këtij muaji për shqiptarët rritet edhe më shumë për këto ngjarje historike të cilat sollën erën (aromën) e lirisë së tyre kombëtare dhe shtetërore:
1. Më 5 mars 1998, në sulmin tri ditësh të Ushtrisë Jugosllave dhe forcave policore,u vra komandanti legjendar, Adem Jashari, familja e tij dhe Jasharët e tjerë në Prekaz të Drenicës ( Kosovë). Sakrifica e tij heroike u bë simbol i pavarësisë sëKosovës.
2.Më 24 mars 1911 filloi Kryengritja e Malësisë së Madhe, e cila rezultoi me ngritjen e Falmurit Shqiptar në Deçiq, duke u bërë kështu krahina e parë shqiptare, e cila mbolli rrënjët e lirisë dhe Pavarësisë Kombëtare.
3. NATO-ja, më 24 mars 1999, nisi “Operacionin e Forcave Aleate” ndaj Jugosllavisë për t’i dhënë fund presionit dhe masakrave ndaj popullit shqiptar, me synimin “serbët jashtë, ndërmjetësuesit brenda, refugjatët të kthehen”.
Atmosfera e festimit të fitores filloi në Tuz dy-tri orë pas mbylljes së kutive të votimit. Shqiptarët e veshur kuqezi gëzimin e tyre e shprehën në formën e vet.Përmes këngës dhe valvitjes së Flamurit Kombëtar – simbolit të shenjtë të tyre.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se fitorja në Tuz, i ka prekur emocionet e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Jehona e saj u përjetua pothuaj në të gjitha qytetet shqiptare jashtë shtetit, duke përfshirë këtu edhe diasporën ( mërgatën ) shqiptare
nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe Botës. Kjo fitore e shqiptarëve në Mal të Zi dëshmoi se bashkëpunimi dhe bashkimi sjellë sukses. Si e tillë tërhoqi vëmendjen edhe të Tiranës edhe të Prishtinës zyrtare. Gjithashtu edhe të shumë intelektualëve shqiptarë të nivelit më të lartë shkencor.të cilët në deklarimet e tyre publike u shprehën me krenari për” një fitore të madhe” të shqiptarëve në këto zgjedhje.
Akademik Rexhep Qosja, duke komentuar zgjedhjet vendore në Tuz, është shprehur se ky vend duhet të jetë një mësim për politikanët në Shqipëri dhe Kosovë. “Malësia e Madhe u tregua e madhe me virtytet dhe vlerat e saj edhe kësaj here: u tregua e madhe me bashkimin e forcave politike të shqiptarëve në Malin e Zi. Bashkimi e siguroi fitoren. Por me këtë Bashkim ajo u dha mësim edhe qytetarëve shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë. I ftoj pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë të mësojnë çka duhet mësuar, prej shqiptarëve të Komunës së Tuzit, prej shqiptarëve të Malësisë së Madhe”, shkroi Qosja ndër të tjera përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook.
Edhe anëtari i Këshillit Bashkiak në qytetin e Nju-Jorkut, Mark Gjonaj, me prejardhje nga fshati Reç i Ulqinit i cili ditën e zgjedhjeve deri vonë pasmesnate ishte i pranishëm në Tuz u shpreh shumë entuziast se pas shumë dekadave kjo komunë do të udhëhiqet nga shqiptarët. “Kurrë më i gëzueshëm dhe kurrë zemrën më të plotë se kam pasur se sot. Është një energji. Është një entuziazëm që me të vërtetë populli shqiptar është bashkuar në Malësi, për të mirën e kombit tonë, dhe jo vetëm për një komunë. Sot nuk është në pyetje vetëm një komunë, por kombi jonë dhe detyrimi e borxhi që kemi ”, i tha Gjonaj “ Zërit të Amerikës”.
Së fundmi , por jo për nga rëndësia, fitorja e zgjedhjeve lokale në Malësi përcolli mesazhin e qartë të bashkimit të shqiptarëve dhe u vlerësua shpresëdhënëse për shqiptarët në rajon. Tani mbetet që këtë mrekulli të bukur të marsit ta ruajnë dhe valorizojnë subjektet poltike shqiptare fitimtare në këtë garë zgjedhore në të mirë të mirëqenies së barabartë të të gjithë banorëve të komunës më të re në Mal të Zi.