SHTEGTIMI I “ÇËSHTJES” N’PËR KOHË…

Shtator, 2021 Berlin

SHTEGTIMI I “ÇËSHTJES” N’PËR KOHË…

Nga Rexhep Kasumaj

1.

Dikur moti, në kohët e errta otomane, Kosova zuri të ishte “Çështje”, dhimbshëm e në shkelje të dhuntisë së Hyjnive…

Një Entitet i veçantë. I rimun në gjak e mbytur në vetmi. Mallkim sulltanor nga gojdhënat e robit, do t’a ndiqte nga moti në mot. Azi, Portë e lartë…Rebelim, shuarje, heshtje, rebelim prapë.

Delir zgjërimi e madhështie në fronin e huaj. shesh i shkokëzimit. Konferenca e kancelarë të dehur. Rrudhje, troje të prera, dritë mashtruese dhe Zotni i ri, Zotni i zi!

2.

Dhe, në prag e, sa tronditshëm, pas Luftës së parë të botës, do mbetej sërish “Çështje”. E kreshpërosur si rrallëherë…

Okupim. sprovë ekzistence. Londër…Bisturi mbi Arbni, frak i gjakosur.  Përligjje e pamundur. Elaborate, doktrina e barbari. Zhbërje, poshtërim, rezistencë epike. Plojë. luftëtarë malesh.  shfytyrim,  mort, etnikum i pazot. Anonimitet e harrim prapë, mbyllje në varfëri e injorancë. Traktate. Dëbim shtetëror, trathti. Sallone pabesie.

Varre pa emër.

3.

Mbarimi i Luftës së dytë të botës, madje gjatë saj, Kosovën e  gjente të rikthyer në “Çështje” prapë. Do rilindej me gjithçka rrotull saj…

Ç’koherencë drame dhe faji! 

Ndaj, Shtetrrethim. Paqe e lëbyrtë, ekzekutime në masë, burgje e asfiksim. Tevona pak frymë, tempull i dijes dhe prapë e përherë ndalim. Ndjekje, liri e paparë: e veçantë, e dozuar si ca pika shiu vape në kopshtin e tharë, vetëm për “Çështjen” dhe fëmijët e saj.

4.

E, kështu, “Çështja” shtegton tutje. Prekë Orën e ndërrimit të mijëvjeçarëve…

Gjak e lot e dhimbje. Fat i shkruar. Gropa me shqiptarë të vrarë… Pastaj thikë që shkon deri në asht. Kryengritje e Madhe, Ushtarë shqiptarë që luftojnë “Çështjen”, këtë fatkeqësi kronike të historisë. Sehirpritje, si prorë. Aleatë armësh, Judë. Gjithmonë Judë… Kështjellë e huaj,      memorje e ligë. Hije dhe fantazma të vjetra, darkë me helm, gjysmështet. Një fill drejt qiellit. Por, ja, “Çështja” nuk jepet e s’jepet dot.

5.

Mirëpo, njëj muzgu të lodhur, i vjen një goditje. Të thuash për vdekje…

Dimër. Fror i ftohtë. Besë e shpresë ngrohin gjithçka. Republikë më vete, i thanë. Pavarësi. Kanceleri të mëdha. Njohje. Popull që lumnon. Veçse, sërish, dialektikë që urren përsosmërinë. Ruan një cen. E pra, sëmbim shpirti. Veri i trazuar. Serbë të mnirun. Komando e huaj. Frëngjë. Latinë të rryer përbetimesh. Armiqësi. Truall e shtëpi të humbura. Lum i vuajtur plot dëshmi vitesh. Por i heshtur si Zotat.

6.

Porse “Çështja”, tani e ligështuar shumë, tkurret m’një fije…

Nuk quhet më “Çështja e Kosovës”, por “Çështja e Veriut”! Për çudi, kështu e cilësojnë vetë shqiptarët.

Në grepin e saj të vogël ata mbajnë lëvarë “Çështjen e madhe”!

Jo vetëm të Kosovës, por Shqiptare mbarë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura