Ulqin, 1 maj 2020: Shqiptarët, shekuj me radhë, kanë kremtuar bashkë festat fetare të njëri-tjetrit. Kjo vlerë unike e të së kaluarës dhe të sotmes së shqiptarëve këtë vit u shënua pak ndryshe për dallim nga vitet e mëpërparshme. Situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia e koronavirusit ndryshoi ritualet fetare të komunitetit shqiptar katolik, mysliman e ortodoks.
Prijësit fetarë shqiptarë në Mal të Zi pranuan menjëherë udhëzimet e qeverisë malazeze dhe e përshtatën jetën e saj në bazë të rrethanave aktuale. Ata, pavarësisht besimit dhe qëndrimit të tyre, treguan përgjegjësi maksimale ndaj tjerëve dhe të mirës së përbashkët në përputhje me situatën. Morën vendim të anulohen të gjitha aktivitetet kishtare: meshat, ndarja e sakramenteve, mësimi besimi, vizitat familjare, bekimi i familjeve, sikurse edhe aktivitetet fetare islame si falja e gjithë namazave nëpër xhamia dhe çdo veprimtari me besimtarë. Por, në të njëjtën kohë nuk ndërprenë as edhe për një moment shpirtin e fesë, dashurisë e flijimit për ta. Pra, jeta e jashtme është ndalur, kurse ajo e brendshme është intensifikuar.
Besimtarët e të tri konfesioneve fetare festën e Pashkëve dhe muajin e Ramazanit i kremtuan me “dyer të mbyllura”. Katolikët dhe ortodoksët në Mal të Zi për herë të parë meshën për ringjalljen e Jezu Krishtit e ndoqën drejtpërdrejt në shtëpiat e veta, duke e kthyer atë në folenë e mirëfilltë ku jetohet feja e Zotit, pa shkelur brenda ambienteve të kishës. Të gjitha ritualet për Pashkët janë kryer në kisha të boshatisura e të heshtura, ku besimtarëve u është bërë thirrje që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos lejojnë që një virus të shkatërrojë jetët e tyre. Bersimtarët, pasi morën urimet nga anëtarët e drejtuesve të kishës, atmosferën e trishtë e shprehën duke uruar “Gëzuar për shumë vjet Pashkët”, por ajo që shprehu më shumë frymën e periudhës së Pashkës ishte përshëndetja “Krishti u ngjall” dhe si përgjigje kishte “Vërtet u ngjall”.
Në këtë atmosferë të trishtë edhe shqiptarët e besimit islamë filluan muajin e madhërueshëm të Ramazanit. Agjërimi i Ramazanit është diçka personale, ndërsa plotësimet e tjera fetare, si falja e namazeve, lutjet e përbashkëta në xhami si dhe iftaret janë rituale, që do të kryhen brenda 30 ditëve individualisht ose me familjarët e vet në shtëpi. Krahas besimtarëve myslimanë ky muaj gjen përjetim të njëjtë edhe tek bektashinjtë me mesazhin e përbashkët që Zoti të rrisë më shumë dashurinë për njër-tjetrin, vëllazërinë, solidaritetin dhe të forcojë më shumë marrëdhënien midis familjes dhe shoqërisë.
Besimtarët e të tri konfesioneve e patën shumë të rëndë kremtimin e festive në izolim, në kohën e pandemisë, sespe kurrë më parë nuk janë mësuar që t’i kalojnë në këtë mënyrë festat e tre. Dhe kjo natyrshëm i ka lënduar të gjithë shqiptarët ! Mirëpo, edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme deshti Zoti që njëherë ta kalojnë mirë të gjithë këtë situatë, duke respektuar tërësisht traditën e festave tona fetare. Arritën me të njëjtin përkushtim, lutje e pendesë t’i vlerësojnë më shumë gjërat shpirtërore, pasi që shpeshherë kemi vrapuar rreth gjërave të cilat tani nuk kanë vlerë. E kjo shpresojmë të na ketë ndihmuar gjithë shqiptarëve që të zgjohemi e të vlerësojmë më shumë njëri-tjetrin, veten, familjen dhe të tjerët.
Masat e distancimit fizik prej pandemisë së Covid-19 nuk arritën t’i ndajnë shpirtërisht shqiptarët nga njëri-tjetri, nga vlerat dhe traditat tona kombëtare. Sepse, përqafimi shpirtëror i shqiptarëve, është po aq i fortë sa edhe afrimi fizik. Domethënë gjithçka ishte njësor, por ndryshe.