PROF. ASOC. DR. VANGJEL KICI: PROJEKTI I QEVERISË ‘RAMA’, “1 MILIARD DOLLARË” – E ZHYT VENDIN NË BORXHE TEK BANKAT E HUAJA!

Kanada/Toronto, 2 shtator 2018. Ky projekt e zhyt vendin thellë e më thellë në borxhe tek bankat e huaja. Paratë u “hodhën në rrugë”, dhe një pjesë e tyre u bënë “rrush e kumbulla”. Buxheti i shtetit nuk pati të ardhura. Ekonomia nuk pati zhvillim. Nuk u hapën vende të reja dhe të përhershme pune. Nuk u rrit mirëqenia e popullit. Po të ishte shtetëzuar nafta, siç u premtua gjatë fushatës zgjedhore, me shumë më pak para do të ishte rivënë në punë sektori shtetëror i naftës. Buxheti i shtetit do të kishte shumë të ardhura. Do të hapeshin shumë vende të reja dhe të përherëshme pune. Do të rritej mirëqenia e popullit. Këto nuk ndodhën, sepse qeveria u shërben vetëm të huajve dhe vetes, por jo popullit.

Sipas këtij projekti, gjatë vitit 2018 do të investohen 1 miliard dollarë në infrastrukturën rrugore, në shëndetësi, arsim etj. Shteti, privati dhe banka nënshkruajnë një kontratë, sipas së cilës privatit i duhet dy vitet e para të investojë nga paratë e veta, dhe shlyerja e detyrimeve nga shteti të nisë vitin e tretë. Sipas këtij projekt programi, krijohen mundësi për rritje punësimi dhe rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Kjo formulë ka marrë dakordësinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore (sipas Korporatës së Radios dhe Televizionit të Turqisë – TRT Shqip, të datës 07 shkurt 2018).

Tani jemi drejt fundit të vitit 2018. Paratë u hodhën për ndërtimin e disa rrugve, shkollave… Pas mbarimit të rrugës, shkollës etj., punëtorët mbetën prap pa punë. Pra, papunësia nuk u zgjidh. Të pranojmë se u ndërtuan disa rrugë. Kështu do të zhvillohet ekonomia? Të pranojmë se kështu po zhvillojmë turizmin. Me turizmin do të zhvillohet ekonomia? Shembujt tregojnë se kjo është e pamundur. Greqia fqinje e ka shumë të zhvilluar turizmin, por ekonominë e ka shumë të dobët. Kuba e ka shumë të zhvilluar turizmin, por ekonominë e ka shumë të dobët. Sikur nafta të ishte shtetëzuar, ashtu siç premtoi Rama gjatë fushatës zgjedhore, me shumë më pak pará shteti do të kishte fituar vërtet shumë, dhe do të ishin hapur shumë vende të reja dhe të përhershme pune.
Në vitin 2014, grupi im i gjeologve e njoftoi drejtpërsëdrejti kryeministrin Rama, për një strukturë të cekët, me shumë perspektivë për naftë-gazmbajtje. Grupi kërkoi që atë ta merrte shteti, dhe jo të huajt, sepse ishte me shumë leverdi ekonomike. Kryeministri Rama, dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, e sollën vërdallë grupin tonë. Strukturën në fjalë, dhe disa struktura të tjera të cekëta, ua dhanë me konçesione korruptive kompanive të huaja të naftës, të cilat gjatë 3 vjetve nuk kryen asnjë punim kërkimi në teren.
Tani qeveria ka rinënshkruar kontrata hidrokarbure me po ato kompani dhe për të njëjtët Blloqe (Blloku 4, Blloku Velça). Ky është skandal qeveritar. Tani grupin tonë ministri nuk e lejon as të kontaktojë dhe të bashkëpunojë me kompanin Shell për Bllokun 4, sikurse na premtoi para 3 vjetësh. Kjo kompani ka planifikuar që të shpojë atje një pus pas 2 vjetësh (shto edhe 3 vjet që kaluan pa kryer punime! Shto edhe shumë vite të tjera, që qeveria e mëparshme “Berisha – Meta” ia kishte dhënë me konçesion korruptiv kompanisë mafioze Sky Petroleum, e cila nuk kreu asnjë punim kërkimi në Bllokun 4). Grupi im e ka gati projektin e shpimit të pusit, dhe këtë e di mirë ministri Gjiknuri. Grupi ka bindjen se përgatitja dhe shpimi i pusit mund të realizohen brenda dy muajve. Procesi i shpimit të një pusi të cekët në Bllokun 4 zgjat një javë, kurse në Shpirag shpimi i një pusi të thellë zgjat një vit. Kostua e shpimit të një pusi të cekët në Bllokun 4 është rreth 2,5 deri 3 milion dollarë, kurse në Shpirag kostua e shpimit të një pusi të thellë arrin 75 deri 100 milionë dollarë (sipas ministrit Gjiknuri). Mund të na thuhet se koston e mbulon kompania e huaj, por koha e humbur është në dëm të Shqipërisë. Mjafton të kujtojmë këtu se vënia në shfrytëzim e vendburimit të Shpiragut po zgjat më shumë se një çerek shekulli. Kujt i shërben kjo vonesë? Shqipëria po boshatiset…. Sikur ta kishte marrë shteti atë strukturë të cekët, qysh në vitin 2014 dhe deri sot (Berisha u njoftua qysh në vitin 2011!!), atje nafta do të ishte zbuluar prej vitesh, dhe vendburimi do të ishte vënë në shfrytëzim. Buxheti i shtetit do të kishte vërtet të ardhura të mëdha. Do të ishin hapur shumë vende të reja dhe të përhershme pune. Shumë shqiptarë nuk do ta braktisnin Shqipërinë. Mirëqenia e popullit do të ishte përmirësuar. Vendi nuk do të ishte zhytur më thellë në borxhe. Por të gjitha këto të mira nuk ndodhën, për shkak të korrupsionit ashiqare qeveritar! Si struktura e cekët e lartpërmendur ka edhe struktura të tjera, të përgatitura plotësisht për shpime (p.sh. Velça në jug të Gorishtit), por kjo qeveri, haptas antishqiptare, ua ka dhënë kompanive të huaja, të cilat gjatë 3 vjetve nuk kanë kryer asnjë punim kërkimi në teren.
Në fakt, jo 1 miliard dollarë, por shumë më pak, do të mjaftonin për rivënien në punë të sektorit shtetëror të naftës shqiptare. Fillimisht investimet kryesore qeveria duhet t’i bënte në sektorin shtetëror të naftës, dhe jo në ndërtime rrugësh. Kryesore nuk janë rrugët, që sjellin zhvillim ekonomik, por nafta dhe gazi, të cilat pastaj i ndërtojnë edhe rrugët, edhe turizmin, edhe të gjithë ekonominë e Shqipërisë. Kështu do të hapeshin shumë fronte të reja dhe të përhershme pune për shqiptarët, që po braktisin masivisht Shqipërinë, nga papunësia dhe varfëria. Pra, zhvillimi i sektorit shtetëror të naftës mund ta zhduk papunësinë dhe të ndalojë emigrimin masiv të shqiptarve. Kështu mund të zgjidhen këto problem kyçe për Shqipërinë. Provat, për zgjidhjen e tyre me mënyra të tjera, janë vetëm mashtrime. Duke investuar në sektorin shtetëror të naftës, brenda pak kohe do të kishte shumë të ardhura buxheti i shtetit.
Autori i këtij shkrimi e ka gati për botim studimin, ku argumentohet perspektiva e madhe naftë-gazmbajtëse e Shqipërisë Veriore, sikurse edhe në Shqipërinë Perëndimore dhe Lindore. Pra, e gjithë Shqipëria ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz. Tek nafta dhe gazi duhet përqendruar vëmendja e qeverisë, dhe jo tek rrugët, apo tek drurët frutorë arrore të Berishës! Që të përparojë Shqipëria, populli duhet të kërkojë me çdo kusht shtetëzimin e sektorit të naftës.
Të mos harrojmë, për shembull, se edhe vetëm zbulimi i mundshëm i një vendburimi gjigant nafte dhe gazi, siç është ai, që pritet të zbulohet poshtë masivit të Bulqizës, mund ta ngrejë lartë ekonominë e të gjithë Shqipërisë. Kështu mund të forcojmë ekonominë e shtetit të tanishëm të degraduar shqiptar! Të rrisim mirëqënien e popullit të varfër shqiptar, nëpërmjet zhvillimit të naftës dhe të gazit si pronë shtetërore.
***
Qeveritë pas vitit 1990, përfshirë edhe qeverinë e sotme “Rama”, nuk e kanë ndjerë dhe nuk e ndjejnë aspak kundërshtimin apo rezistencën e popullit shqiptar, ndaj veprimeve të tyre keqbërëse. Ato nuk e ndjejnë aspak rrezikun e kërkimit të llogarisë ndaj tyre. Qeveritë e njëpasnjëshme e dinë fare mirë, se populli shqiptar është i përçarë dhe i paorganizuar. Është prishur qellimisht uniteti i popullit. Nuk ka kush e organizon popullin në protesta antiqeveritare, sepse sindikatat janë të korruptuara. Formimi i shumë partive politike u bë, që të prishej uniteti i popullit. Shqipëria, me më pak se 3 milion banorë, ka 127 parti politike, të majta dhe të djathta. Ato tërheqin në drejtime të ndryshme! Të gjitha këto parti duan fonde, duan zyra dhe paisje zyrash (kompjutera etj.), duan makina… Mjer populli, që i mban këta parazitë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë 325 milion banorë dhe vetëm dy parti politike! Ne jemi të përçarë edhe nga besimet e ndryshme fetare, edhe nga pakicat e shumta kombëtare (8 minoritete) etj. Ne duhet të arrijmë të kemi 2-3 parti politike. Ne duhet t’i anulojmë zyrtarisht minoritetet, që përbëhen nga disa qindra individë (p. sh. ai malazez, serb etj.). Ne duhet të kemi një Komitet apo Këshillë Kombëtar Fetar, i cili duhet të mbrojë dhe të bashkojë popullin, pavarësisht bindjeve të ndryshme fetare. Ky Komitet duhet të shërbejë si qendër e unitetit të popullit shqiptar. Kush e bënë bashkimin e popullin grek? E bënë Kisha Ortodokse Greke. Kush e bënë bashkimin e popullit iranian? E bënë feja myslimane Shiite, e vendosur në krye të shtetit. Pra, edhe populli shqiptar duhet të bashkohet rreth një qendre. Kush do të jetë kjo qendër uniteti? Për këtë le të mendojnë dhe të vendosin intelektualët shqiptarë. Ndoshta si qendër mund të shërbejë një parti, e quajtur Partia e Popullit?
***
Parlamenti shqiptar është i mbushur me përfaqësuesit e listave të kryetarve të partive. Ai vendos çfarë kërkon partia në pushtet, dhe jo çfarë do populli. Shto këtu edhe blerjen dhe grabitjen e votave. Deputetët kukulla quhen përfaqësues të popullit, por në të vërtetë ata nuk janë të tillë. Prandaj, duhet që parlamenti të ketë dy dhoma:
– Dhoma e lartë ose Senati dhe
– Dhoma e ulët ose e përfaqësuesve të popullit, që në rastin tonë nuk janë përfaqësues të tij.
Dhoma e Senatit zbut ose kufizon vendimet e dhomës së ulët. Senati ndalon vendimet e padrejta të parlamentit. Ai mbron popullin. Pra, senati duhet në kushtet e Shqipërisë. Senat kanë shtetet më të zhvilluara të botës: SHBA, Gjermania, Italia etj. Tek ne duhet bërë reforma zgjedhore, duhet bërë reforma në drejtësi, duhet bërë Vetting-u etj. Për këto flitet shumë dhe bëhet pak. Vitet kalojnë njëri pas tjetrit pa bërë reforma dhe Vetting të vërtetë, por vetëm llafe. Qeveria jonë, për çdo gjë vendos vet, pa e pyetur fare popullin, dhe pa i dhënë llogari askujt. Prandaj jemi katandisur në këtë gjëndje mjerane. Tundet Bukureshti nga protestat popullore kundër korrupsionit qeveritar, kurse në Tiranën e qeverisë së korruptuar kokë e këmbë, mbretëron qetësia. Populli le të vendosë vet për fatin e tij!
***
Rama prezanton projektin “1 miliard dollarë”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura