Gjekë Gjonaj: Vojvodët e Trieshit, trashëgimi e kujtesës

Ulqin, 10 shkurt 2021: Në traditën historike të trieshjanëve vend të veçantë zë edhe vojvoda, Emërtimi “vojvodë” , siç shpjegohet në veprën “ Leksikoni historik i Malit të Zi”, botuar në Podgoricë në vitin 2005, ka qenë titull ushtarak mesjetar ( komandant ushtrie, urdhërdhënës). Vojvodë në kuptimin e drejtë dhe gjithëpërfshirës, kanë qenë prijës, respektivisht kryetarë të një vëllazërie të madhe brenda një fisi të caktuar në Triesh. Domethënë vojvodë nuk kanë pasur të gjitha fiset trieshjane , por kryesisht ato më të mëdhatë. Titulli vojvodë ka qenë i trashëguar, sikurse edhe titulli bajraktar ( shqip flamurtar). Këta njerëz të dalluar për aftësitë dhe vlerat e tyre individuale dhe njerëzore nga disa vëllazëri e fise në këtë trevë shqiptare fillimisht kanë qenë të ngarkuar të qeverisë osmane. Ata ishin njerëz të besueshëm të pushtetit turk, të cilët ndiqnin zbatimin e urdhrave , sidomos pas reformës së Tanzimatit e cila filoi në vitin 1839 dhe përfundoi në Periudhën e Parë Kushtetuese , në vitin 1876. Të gjthë vojvodët trieshjanë zgjdheshin dhe emrëoheshin nga veziri i Shkodrës (pusheti osman).
Edhe pas rënies së pushtetit turk vojvodët vazhdojnë të udhëheqin ( “ sundojnë)” në këtë bajrak, deri në gjysmën e dytë të shekullit 19-të. Prej kohës kur ushtria malazeze hyri ( pushtoi) në Triesh, dy vite para Kongresit të Berlinit, vojvodët i zgjodhi dhe i emëroi pushteti i atëhershëm malazez. Kjo nuk ndodhi vetëm në Triesh, por edhe në trevat e tjera të Malësisë së Madhe, në Hot, Grudë e Kojë. Vojvodët e këtyre krahinave ishin njerëz të besueshëm të Perandorisë Osmane, të Mbretërisë së Jugosllavisë dhe të Mbretërisë së Malit të Zi. Shikuar nga aspekti i asaj kohë vojvodët treishjanë por edhe të krahinave tjera, edhe në Perandorinë Otomane edhe në Mbretërinë e Malit të Zi e deri në Luftën e Dytë Botërore, kujdeseshin për interesat vendore dhe zbatonin ligjet. Pavarësisht se vojvodët shqiptarë-malësorë janë emëruar nga ushtria turke dhe mbretëtria malazeze gjithmonë janë përpjekur me gjithë forcën e mendjes dhe të trupit që veprimet e tyre të ishin në pajtim me interesin e popullit të vet. Ata, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, vendimet e veta i merrnin në favor të ruajtjes së qënies shqiptare, duke mos bërë asnjë kompromis me pushtuesit, në dëm të mbrojtjes së kauzës kombëtare shqiptare.
Nga dëshmitë dhe bisedat e trieshjanëve të vjetër, por edhe të malësorëve të tjerë të moshuar, rezulton se vojvodët, bashkë me bajraktarët dhe krerët e tjerë të fiseve luftonin për liri e barazi të popullatës vendase, në rrethana historike jashtëzakonisht të pafavorshme për shqiptarët. Në këtë aspekt, mendoj se duhet shikuar dhe vlerësuar rolin, rëndësinë dhe kontributin e tyre nëpër shekuj.
Referuar tregimeve të moçme, mbështetur në kujtesën e trieshjanëve dhe literaturës që më ka rënë në dorë, do të përpiqem të jap emrat e vojvodëve të Trieshit, që nga fillimi i shekulit XVIII e deri në vitin 1876, me rënien e Trieshit nën administrimin e Malit të Zi, kur edhe u zhduk ekzstimi i Institucionit të Bajrakut në malin e Trieshit. Thuhet, dhe është shënuar nga disa autorë trieshjanë, se qysh se dihet , për vojvodë në këtë cep të Malësisë së Madhe, kanë qenë nga vëllazëria ( fisi) i Delajve, nga Dukajt e Budzës (Buxës) dhe nga Nikprëlajt e Bëkajve (Trieshi i Epërm). Ndërkaq vojvodë nga Trieshi i Poshtëm kanë qenë vetëm nga fisi Gjeloshaj të Nikmarashit.
Më së shumti vojvodë në Triesh ka trashëguar fisi-vëllazëria Gjeloshaj nga fshati Nikmarash. Nga ky fis vojvodë ka qenë: Lulë Nika. Pas tij vjen Broq Lula, kurse më vonë Prëlë Broqi, Gjokë Prëla, Gilë Doshi, Mark Gjeloshi,Nikë Gjeloshi, Prëloc Marku dhe Marash Marku. Ky i fundit e mori vojvodllëkun në moshën 20 – vjeçare dhe e mbajti plotë 31 vjet, kur edhe bëhet kapidan i Trieshit, të cilën detyrë të lartë e ushtron 26 vjet, deri në vdekje. Vlen të theksohet se Marash Marku e mbajti pushtetin (sundoi) në Triesh gjithsej 57 vjet ( 31 vjet vojvodë ).
Fisi i Delajve ka pasur një vojvodë – Pal Lekën. Një vojvodë më shumë ka pasur fisi i Dukajve të fshatit Budzë. Vojvodë të këtij fisi kanë qenë Makal Raçku dhe djali i tij Lala.
Nga fshati Bëkaj vojvodë i parë u bë Marku i Shqepanit. Më vonë atë e trashëgoi i biri, Drashku ( Dreshku), e pastaj vazhdoi të jetë vojvodë Nikë Prëla, njëherazi themelues i shtëpisë së vojvodëve Nikprëlaj. Nikën e trashëgoi nipi i tij Leka. Mbas Lekës vojvodë erdhi i biri i tij Pali . Meqë djali i Palit nuk ishte i aftë për ta trashëguar të jatin , vojvodë bëhet nipi i tij Huso Telash Deda. Atë e trashëgoi Dedë Husi, vojvoda i fundit nga fisi Nikprëlaj.
Në Triesh vojvoda ishte mbi bajraktarin. Vojvoda ishte i pari, ndërsa bajraktari i dyti. Vojvoda në Triesh printe në të gjitha tubime. Fliste i pari. Rrinte i pari. Ky nderim që u bëhej vojvodëve në Triesh, me sa kam njohuri unë (në mos qofsha gabim) është i veçantë dhe i vetëm. Në krahinat tjera të Malësisë së Madhe ishte ndryshe. Vojvoda ishte nën bajraktarin. Një bajrak në trevat e Shqipërisë së Veriut kishte disa vojvodë sipas katundeve ( fshatrave ).

—————————–

Gjekë Gjonaj: Bajraktarët e Trieshit sipas kujtesës së popullsisë vendase
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10864

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura