Pashtriku.org, 02. 06. 2015 – (Fjala në promovimin e librit „E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit“, në Ulqin, 23 maj 2015) [Pas përshëndetjes dhe falenderimit për të pranishmit (në gjuhën shqipe), ky tekst u lexua në gjuhën malaziase, sepse aty gjendeshin disa shqiptarë të Tivarit, të cilët nuk e zotërojnë mirë gjuhën shqipe.] Libri, për të cilin më keni nderuar sonte me praninë tuaj, për ta promovuar, nuk është një libër i jashtzakonshëm, siç e tha z.Nail Draga. Përkundrazi, ky libër është i tëri në frymën e kohës, në të cilën po jetojnë sot, do të thosha, të gjithë popujt e botës, por, në mënyrë të veçantë, popujt e Ballkanit. Edhe KROATËT po e ripërtërijnë historiografinë e vet, edhe MALAZEZËT gjithashtu po korrigjojnë nga themelet çdo gjë që është shkruar shtrembër për ta.
Vetëm sërbët dhe grekët, por edhe turqit, sikur po u shmangen këtyre revidimeve. Por, le të shpresojmë që edhe atje dijetarët PROGRESISTË do t’i kryejnë korrigjimet e nevojshëm, sepse, siç ka thënë Frederik Niçeja, „Të vërtetat që heshten, shndërrohen në helme“ (Krs. M.Qosoviq: „Bizarni…“, f.5)
E unë, i nisur edhe nga kjo thënie e Niçes, po them kështu: Në qoftë se nuk do të rishikohen e rregullohen shkencat historiko-filologjike të Ballkanit, të krejt Ballkanit, madje sa më shpejt, fëmijët e sotëm të ballkanasvet, sapo të rriten edhe pak, s’ka ç’i pret tjetër, veçse të theren PRAPË njëri me tjetrin. Siç janë vrarë e therur në të shkuarën.
Tivari i vjetër (1863)
Pra, ashtu siç edhe thashë pak më parë, në këtë libër jam përpjekur që çdo gjë ta trajtoj NË FRYMËN E KOHËS, duke korrigjuar sa të ish e mundur gjërat që tashmë nuk i pranon koha.
Mirëpo, ajo çfarë NUK ËSHTË NË FRYMËN E KOHËS, ajo që edhe sot e kësaj dite ka ngelur jashtë zhvillimevet bashkëkohorë dhe që unë po e shoh të domosdoshme ta trajtoj sonte me ju, është GJENDJA REALE NË TIVAR DHE NË RRETHINËN E TIJ.
Më lejoni, pra, t’i numëroj këtu, fare shkurt, vetëm disa nga faktet, gjithanësisht të SHIKUESHËM, dhe ndaj të cilëvet askujt prej nesh nuk do t’i lejohej të rrinte indiferent.
1. Në Tivar, më shumë dhe më keq se në vise të tjerë, sundon mendimi JO I LIRË që njeriu „është i lirë“ „ta zgjedhë“ kombësinë e vet. Si rezultat i një të këtillë „lirie“, disa shqiptarë tivaras janë deklaruar si malazezë, disa si kroatë, dosa si boshnjakë, disa si myslimanë (Unë nuk e di a ka kund në botë një komb mysliman.) dhe disa madje edhe si sërbë. Në këtë mënyrë, më një anë, asgjësohen gjuha dhe kultura e gjyshëvet e paragjyshërvet, në anë tjetër, MËKATNOHET rëndë ndaj brezit të ri, sepse ai brez i ri është i dënuar të rritet si një bimë pa rrënjë. Dhe, si rezultat i një „lirie“ të këtillë të infektuar rëndë, Tivari është plot me malazezë artificialë, kurse Mali i Zi është plot me sërbë artificialë. A i duhen një sërbie progresiste sërbët artificialë dhe a i duhen Malit të Zi progresiv malazezët artificial, të klonuar, dhe përse veprohet në këtë mënyrë?!
2. Në qytetin e Tivarit dhe në fshatrat rreth tij NUK KA PËR SHQIPTARËT SHKOLLË NË GJUHËN SHQIPE. Përse?!
3. Në Tivar nuk ka librari dhe bibliotekë me libra në gjuhën shqipe. Përse?! Mos vallë sepse shqiptarët nuk do të donin të lexonin libra në gjuhën e tyre?!
4. Në Tivar nuk ka gazeta në gjuhën shqipe, në një kohë kur gazeta të sërbisë ka me shumicë. Përse?! A sepse shqiptarët e Tivarit nuk janë më shqiptarë?!
5. Në Tivar madje as MESHA nuk thuhet në gjuhën e besimtarëvet. Plakat shqiptare të Tivarit kanë qenë detyruar t’i luten Zotit në gjuhën që ato nuk e njihnin. Madje në gjuhë starosllave! Përse?!
Të gjitha këto i kanë përgjigjet, por sonte nuk po duam t’i themi ato përgjigje.
Në vazhdim të këtij parashtrimi, gjithsesi tragjik, do të mund të bënim edhe një varg pyetjesh të tjera.
a) Përse në Tivar, madje në njërin prej sheshevet të tij kryesorë, nuk ka ende një përmendore të arqipeshkvit Petrus, që ne shqiptarët e themi Pjetër, THEMELUESIT arbër të arqipeshkvisë sonë tashmë 1000-vjeçare?!
b) Përse në Tivar, qoftë brenda murevet të qytetit të vjetër, qoftë diku jashtë bedenavet, nuk ka ende një BUST të arqipeshkvit Gjon Bruni, martirizuar NË EMËR TË LIRISË, pikërisht të këtij Tivari?!
c) Përse në Tivar, psh, përpara një shkolle, nuk ka ende një bust të Dom Gjon Bdek Buzukut, autorit të librit të parë arbërisht, të njohur deri më sot?!
ç) Përse në Tivar nuk ka një shtatore të Dom Gjergj Jubanit, pas gjasës, bir i Kranjës, ngulur në hu më 1646-n dhe një tjetër shtatore të Dom Gjergj Sumës, pas gjasës, bir i Anës së Malit, ngulur edhe ai në hu, mundimshëm, prej pushtuesvet osmanë, në vitin 1649?!
d) Përse, në të njëjtin Tivar, nuk ka ende, madje një përmendore grandioze, kushtuar 72 heronjvet të këtyre anëve, të cilëvet, sepse e donin lirinë, iu prenë kokat në oborrin e kishës së Shëkollit në Tivar të Nalt, në vitin 1649?!
Dh) Gati për secilin arqipeshkëv të kësaj arqipeshkvie, ARQIPESHKVI E MARTIRIZUAR NDËR SHEKUJ, do të duhej të kish nga një shtatore, si nëpër vende të dukshëm të krejt Tivarit, ashtu edhe në Lastua të Budvës, në Shestan të Sipërm, në Ljare e kudo ku kanë qenë të detyruar të strehohen.
Arqipeshkvinjtë e kësaj arqipeshkvie, të identifikuar gjer tani më shumë se 60, nuk kanë qenë thjeshtë hierkë të besimit katolik. Ata ishir RREZATUES TË KULTURËS EUROPERENDIMORE.
Jo vetëm arqipeshkvinjtë, por e gjithë plejada e klerikëvet, midis tyre klerikët e abacisë së Shën Mërisë të Ratëzit, ata të abacisë dominikane të Menkës sipër Tivarit, ata të Shën shirgjit e bakhit në Anë të Malit, të gjithë pra kanë qenë këtu përhaps dhe ruajtës të frymës progresiste perendimore dhe e gjithë kjo do t’i bënte shumë mirë, qoftë AFIRMIMIT TË HISTORISË SË SHQIPTARËVET, në këto hapësira, qoftë edhe SHTETIT MALAZIAS.
Atëherë, përse nuk afirmohen, përse nuk vihen në dukje me të gjitha format e mundshme, këto të vërteta kulturore, me vlera të mëdha për historinë e kësaj hapësire gjeografike?
Sigurisht, për të gjitha këto ka përgjigje dhe mund e duhet të bëhen analiza shumë serioze, por sonte nuk është as vendi, as koha. Këtu sonte është vendi dhe koha për ta thënë qartë edhe shkurt vetëm 1 fjali: Në Tivar, tash 137 vjet po zotëron një gjendje absurd.
Dua të them në fund edhe kaq: Mali i Zi ka 1000 arsye që edhe në Tivar, si në të gjitha trevat shqiptare, të promovohen: historia, gjuha dhe kultura SHQIPTARE. E unë po ju them tash vetëm 1 prej atyre 1000 arsyeve që Malin e Zi e lidhin me kulturën shqiptare: Emri i Llovqenit shpjegohet me gjuhën shqipe, emir i Njegushit shpjegohet me gjuhën shqipe, emrat e Zetës dhe të Cetinjës shpjegohen me gjuhën shqipe. A do të thotë kjo që ne shqiptarët tani po duam t’i shqiptarizojmë Llovqenin, Njegushin dhe Cetinjën, ashtu siç po do t’i bëjë të Sërbisë një farë amfillohije Radoviq?! Natyrisht që jo! Gjithë çfarë kërkojmë ne prej malazezëvet, madje edhe me publikimin e këtij libri, është: Të bëhemi fqinjë të mirë dhe shembullorë!
Gjokë Dabaj, Ulqin – 23. V. 2015