GJOKË DABAJ: A ÇUAM LULE TE DËSHMORËT E 1912-s…?!

(Durrës, 14. 01. 2013) – Mua më shqetëson shumë TË MOSPËRKUJTUARIT nga ana jonë e atyre që janë sakrifikuar për familjen e vet, gjegjësisht, për kombin e vet. (Kombi, siç dihet, s’është tjetër, veçse (përgjithësisht) një bashkim familjesh të të njëjtit gjak.) Mund të lexoni për këtë shqetësim timin edhe “Omeriadë për Ditë Feste”, “Strategjia e shqiptarëvet” (shkurt: Strat; bot. ILAR, Tiranë, 2011), “Prush plagësh të pambyllura” (bot. Prishtinë, 2007).
E pritëm 100-Vjetorin me veprimtari të shumta: Me revokim të historisë (jo krejt, por pjesërisht), me diskutime, me marshime drejt Vlorës, me tubime: në Shkup, në Tiranë dhe në Prishtinën, mezi të çliruar 90 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë. Flamurin tonë e pamë të valëvitet më me entuziazëm se kurrë më parë dhe, numerikisht, të paparë asnjëherë tjetër në këta 100 vjet.

LEXONI LIBRIN: STRATEGJIA E SHQIPTAREVËT
KLIKONI KËTU:
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/strategjiaeshqiptarevet.pdf
………………………………………………………..

Të gjitha këto qenë punë shumë të mira. Qenë aq të mira, sa disa pjesë qëllimkëqia të fqinjëvet tanë, nuk mundën të rrinë pa na akuzuar për nacionalizëm. Nuk mundën dot pa na akuzuar për nacionalizëm, madje për ekstremizëm, ndonëse ne i patëm lënë shumë gjëra pa i thënë dhe pa i bërë, dmth pa i përkujtuar.
Mua, gjatë gjithë kohës, tek po shikoja në ekran veprimtaritë kushtuar 100-Vjetorit, mendja po më rrinte, sa te arritjet, aq edhe te SAKRIFICAT. A i përkujtuam ashtu si duhej dhe aq sa duhej SAKRIFICAT, që ky Komb ka bërë deri sa ka arritur në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë?! Jo! Nuk i përkujtuam ashtu si duhej! Madje, e kemi lënë pjesën MË TË RËNDËSISHME pa e theksuar ashtu si duhej dhe aq sa duhej: GJAKUN që është derdhur për të arritur deri te ajo Ditë. Kemi “HARRUAR” të kujtojmë, ashtu si duhej, GJAKUN që Kombi ynë ka derdhur pikërisht në vitin 1912, le më në periudha të tjera!
Vetëm në 2 muajt e fundit, në vigjilje të aktit më madhor në historinë e Kombit tonë, janë vrarë e masakruar disa dhjetëra mijë shqiptarë, e ne nuk e vumë në dukje PIKËRISHT këtë pjesë të atij akti. Po ta kishim vënë në dukje, ASHTU SI DUHEJ, këtë anë të atij akti, ndoshta fqinjët tanë nuk do të mund të shpreheshin ashtu si u shprehën. Por, edhe nëse do të shpreheshin fqinjët, përkrahësit e tyre, që i dëgjuam gjithandej, nuk do të mund të flisnin kurrsesi me gjuhën që folën.
Unë po rendis këtu vetëm një pjesë të atyre SAKRIFICAVE, të dokumentuara. Po i rendis thjeshtë për të ilustruar idenë, se vërtet pikërisht KËTË PJESË të atyre të vërtetave nuk duhej ta kishim lënë mangut.
– “Në krahinën e Shkupit numëroheshin 38 cisterna të mbushura me kufoma shqiptarësh.” (Strat. f.98). (Kemi parë shumë ekspozita pikturash, por askund nuk pamë cisterna të mbushura me kufoma.)
– Gjenerali Zhivkoviq urdhëroi në Senicë vrasjen e 950 prijësve shqiptarë dhe ‘turq’.” (Strat.f.98) Senica është në skajin më verior, por, nëse ka vërtet demokraci në Rep. e sotme të Sërbisë, askush nuk do të na ndalte t’i çonim edhe atje 2 kurora. Në mos, përndryshe, do t’i tregonim botës që kombi sërb ende nuk është pjekur sa duhet.
– “Në Terstenik u vranë 60 shqiptarë.” (Strat.f. 98) A e kanë përmendoren këta 60 dëshmorë? A çoi kush lule, më 28 Nëntor, te vendi ku ata janë vrarë?
– “Në Smirë u vranë 32 shqiptarë.” (Strat.f.98) Është fjala për vitin 1912. A çoi kush lule në përkujtim të atyre dëshmorëve më 28 Nëntor 2012?
– “Në Verban u vranë 20 shqiptarë.” (Strat.f.98) A e kanë lapidarian? A çoi kush lule?
– “Në Lubishtë u vranë 19 shqiptarë.” (Strat.f.98) A i përkujtoi dikush ata dëshmorë, në atë Ditë Feste?
– “Në kasaphanën e Ferizajt u vranë 1200 shqiptarë.” (Strat.f.98) A e kanë përmendoren në qendër të Ferizajit ata 1200 dëshmorë të Pavarësisë? A është marrë ndonjë historian me përpilimin e listavet të atyre 1200 dëshmorëve (aq sa është e mundur)?
– “Lumë: 400 burra, që u dorëzuan vetë, u çuan në Prizren dhe u vranë grupe-grupe, nga 40 e nga 60 në ditë.” (Strat.f.99) “Rituali” masakrues ka zgjatur e pakta 1 javë. A është preokupuar kush t’u ndërtojë, atyre 400 therorëve, një përmendore, mu te Shatërvani, aty ku bëjnë hije Kisha Pravosllave, Bogosllovia dhe ish-ndërtesa e Udbës? Po në Kukës a u përkujtuan ata 400 burra lumjanë, të prerë në besë?
– “Pranë stacionit të Kumanovës, të ikurit, 700-800 vetë, qenë kapur, lidhur dhe i vranë, duke i copëtuar sikur të ishin kafshë.” (Strat.f.99) Ku është industria jonë e filmavet?! Mos qofshim ne, që jemi gjallë! Haram e paçim bukën, ne, që jemi gjallë!
– “Në afërsi të Shkupit u masakruan 2000 shqiptarë.” (Strat.f.99) A është i përfshirë në projektin e sheshit kryesor të Shkupit monumenti kushtuar këtyre dëshmorëve, që shqiptarët të kenë ku të vendosin kurora në ditë përvjetorësh?!
– “Midis Kumanovës dhe Shkupit u vranë 3000 shqiptarë.” (Strat.f.99) Në rrugën që lidh Shkupin dhe Kumanovën, a haset ndonjë monument, 30 apo 60 metra i lartë, përballë të cilit të detyrohen të ndalen turistët, midis të cilëvet edhe ata që kujtimin tonë ndaj të masakruarvet e quajnë nacionalizëm?!
– “Jo larg Prizrenit, 5000 shqiptarë u masakruan.” (Strat.f.99) Ku ndodhet ky vend?! Njerëzit i ndalin veturat te tregu i fshatarëvet për të blerë speca e lakra të bardha. Po për të fotografuar monumentin e atyre 5000 shqiptarëve, themelvënës të Pavarësisë sonë kombëtare, a ua kemi krijuar mundësinë atyre veturëvozitësve?!
– Në rrethin e Prishtinës 5000 shqiptarë zhduken, nga terrorizmi masiv sërb.” (Strat.f.99) Në Prizren ishin 5000, këta 5000 të Prishtinës janë të tjerë. Dikush duhej t’ua ndërtonte edhe këtyre një monument, më të lartë se kambanaret e kishavet dhe më të lartë se minaret e xhamivet. Për kambanaret dhe për minaret kemi para, ndërsa për ata që Zoti i ka pranuar në parajsë (xhenet) këtu e 100 vjet më parë, s’paskemi para as për një pllakë! Madje, s’paskemi para, as për një shkrim historik në faqet e ndonjë gazete të Prishtinës, me rastin e atij 100-Vjetori, të cilin Prishtina e ka paguar aq shtrenjtë.
– “Shtypi shkruante se vetëm gjatë 2 muajvet të parë (të luftës së vitit 1912) (tetor-nëntor 1912, Gj.D.), në Kosovë u vranë mbi 25000 shqiptarë.” (Strat.f.99) Për këta, pra, për këtë shifër gjithpërfshirëse, do të duhej një kryepërkujtimore, nga më të madhërishmet, diku në një lartësi sipër Prishtinës, por edhe në Tiranë e në Vlorë, sepse, pa gjakun e atyre 25000-ve, as Tirana e Vlora nuk do ta kishin arritur pavarësimin.
– “Në Gërdheshtë, Malziu i Pukës, sërbët therën 72, gra, pleq dhe fëmijë.” (Strat.f.100) Të gjithë ata pukjanë që 28 Nëntorin nuk e përkujtuan dot në Vlorë, do të duhej të ishin tubuar pikërisht atje, në Gërdheshtë.
– Në Gjakovë, malazeztë pushkatojnë 56 shqiptarë, sepse nuk pranuan të ndërrojnë fenë. Bashkë me një prift katolik. (Hist.e pop.shq. Tiranë, 1995, f.146) Nuk çuam lule as te vendi ku janë pushkatuar këta martirë të besimit të tyre. Madje, ka të ngjarë që gjakovarët e sotëm as që e dinë vendin ku këta janë flijuar.

* * *
Kjo, siç thashë, është vetëm një pjesë e therorisë shqiptare, vënë në themelet e Pavarësisë, në vjeshtën e vitit 1912.
A i kemi evidencat e plota të asaj therorie 100 vjet mbas Shpalljes së asaj Pavarësie, të përgjakur deri në brez? Nuk i kemi!
Në Shkodër, dihet që është vrarë Hasan Rizapasha. Ai e ka përmendoren, krenarisht të merituar, por numri i martirëvet të tjerë, qoftë shqiptarë, qoftë mbrojtës joshqiptarë, as që dihet dhe as që u ka hyrë kush kërkimevet për ta ditur. Le më për të ngritur përmendore. A u kujtuam për ata dëshmorë, 1 nga 1, 10 nga 10 e 100 nga 100, dhe a çuam lule atje ku ata kanë rënë, në Tarabosh apo në Bardhanjor? Nuk u kujtuam. (Nëse është ndryshe, kërkoj ndjesë. Gj.D.)
Janina u mbajt shumë kohë e rrethuar nga forcat pushtuese greke. Sa shqiptarë u vranë për mbrojtjen e Janinës gjatë atij rrethimi?
Gjakshkelësi Jorgj K. Zografi dhe gjakprishësi Esat pashë Toptani, bënin që të 2 të njëjtën punë, njëri në Veriperendim, tjetri në Jug, por shqiptarët, qoftë edhe fëmijë, duke u flijuar nën zjarrin e shqipërirrënuesvet, vinin themelet e shtetevet që sot i gëzojmë.
Ç’do të thotë të harrosh martirët në një jubile?! Të harrosh martirët në një jubile, do të thotë që të mos e presësh shëndosh e mirë jubileun tjetër. Ne i harruam këtë radhë martirët tanë. I harruam, qoftë përgjithësisht, qoftë grupërisht apo individualisht, që nga kufijtë e Artës deri në kufijtë e Senicës. Kjo është shenja më ogurzezë për Kombin tonë, që, nëse nuk korrigjohemi, jubileun tjetër nuk do të ketë më kush ta presë.
Por ne nuk po e lëshojmë këtë britmë orakulli, që të ndodhë ashtu. Ne po e përdorim këtë ulurimë orakulli, si mjet për t’u shkundur e për t’i flakur tej mënyrat e përjargura të gjykimit e të veprimit.
* * *
200 vjetët sapo i kemi filluar. Duhet me doemos t’i hyjmë punës për ngritjen e përmendorevet. Dhe, në radhë të parë, me veprime të tillë, i duhet thënë atij Nikoliqit e kujtdo tjetër si ai, se shqiptarët, nga 2012-a e në vazhdim, kanë për të ngritur jo më pak se 700 lapidarë, pikërisht në ato pjesë të Shqipërisë Gjeografike që sot politikisht quhet Sërbi Jugore. Vetëm në Prokuple, Kurshumli, Medvegjë, Toplicë e deri në Nish (Ronë Nishliu atje i ka varret e të parëvet), shqiptarët kanë për të ngritur, fare demokratikisht, 700 të tilla përmendore, sepse aq fshatra na janë shpopulluar me dhunë. Edhe në Jug, filluar nga Ura e Mifolit e deri te Ura me nam e Artës, kudo që dikush ka guxuar të na derdhë qoftë edhe një pikë gjaku, ne do të ngrejmë përmendore në mënyrën më demokratike. Askush s’mund të na ndalë t’i nderojmë të vdekurit tanë, në mos vetë ne.

………………………..

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

GOLGOTA SHQIPTARE 1878 – 1999!
(Një foto që flet sa 10 000 fjalë!)

==============================

(SHTOJCËN E PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG, SH.BERISHA)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura