Durrës, 6 Qershor 2019: (Reagim lidhur me një shkrim që ka botuar kohët e fundit për situatën në Republikën e Shqipërisë) – Unë nuk e di si e konsiderojnë këtë gazetë lexuesit e kthjellët të Gjermanisë. (Them të kthjelltët. S’e kam fjalën për të pakthjelltët, të cilët dihet se janë me shumicë.) Por unë, si shqiptar dhe si një evropian nga më dashamirësit e këtij kontinenti, vetëm me një artikull të sajin, krijova përshtypjen e padëshiruar, që kjo gazetë s’qenka tjetër, veçse një prostitutë nga më të zakonshmet. E neveritshme e njëkohësisht dhimbjeshkaktuese dhe zindjellëse!
Nuk më erdhi aspak keq për një fare Vangjushi dhe për bashkëbiseduesit e tij të përgjuar. Nuk më erdhi keq, sepse, sidomos ne që jetojmë këtu afër, i dimë vlerat morale të secilit prej tyre. Por më erdhi keq për “Bildin”! Një gazete aq të madhe, si nuk i shkoi mendja se do t’i duhej, (Se i DUHET!) një kasetë përgjimesh edhe për palën tjetër?! A nuk e njeh “Bildi” moralin edhe të palës tjetër, këtu në Shqipëri?! Të kish publikuar dy kaseta përgjimi, një të manipulantëvet të PS-së dhe një të manipulantëvet të PD-së, madje tri, edhe një të manipulantëvet të LSI-së, askush nuk do të mund të thoshte as gjysmë fjale të keqe për atë gazetë. Por ajo nuk veproi ashtu. Atëherë, pyetja ime dhe pyetja e cilitdo lexues tjetër TË KTHJELLËT, është kjo: Ç’e shtyu këtë gazetë të marrë anën vetëm të njërit krah?!
Për mua nuk ka tjetër shpjegim, veçse PAGESA. Kjo gazetë është PAGUAR nga dikush, me qëllim që të ndezë zjarret e një lufte civile në Republikën e Shqipërisë, me pasoja për krejt Shqipërinë. Qofsha i gabuar! Por ky është konstatimi im.
Kur them për krejt Shqipërinë, e di fort mirë “Bildi” për cilën Shqipëri e kam fjalën.
Ai dikushi, që e PAGUAN “Bildin” për të shkaktuar trazira në Republikën e Shqipërisë, them unë, kërkon tërthorazi, që problemet midis Republikës së Kosovës dhe Sërbisë të dalin në plan të dytë, në mënyrë që Sërbia të përfitojë sa më shumë e Shqipëria të humbë sa më shumë. Kështu ka ndodhur sa herë që Kosova, dhe krejt Shqipëria, kanë pasur nevojë për përkrahjen e popujvet të Evropës. Ka dalë dikush që t’i turbullojë mendjet e këtyre popujve.
Duam a s’duam ne, i këtillë del “Bildi” në sytë e një lexuesi të kthjellët, shqiptar apo gjerman: Një gazetë e PAGUAR për të nxitur trazira! Thjeshtë prostitutë mediatike, së cilës s’i bëhet vonë as për veten, le më për të tjerët! Është ulje për gjuhën, në të cilën shkruhet ajo gazetë!
…Dhe, duke medituar kështu, zemërthyer, për një të tillë gazetë, të thuash qendrore në botën mediatike evropiane, mua po më shkon mendja edhe më keq: A kemi ne, në kohën tonë, një media mirëfilli PROGRESISTE, të paktën këtu në Evropë?! A është e zonja media e sotme evropiane t’ia thotë Evropës të vërtetat OBJEKTIVISHT, në mënyrë që kjo Evropë të mund ta gjejë rrugën që i duhet?!
“Bildi”, me këtë shkrim kaq të njëanshëm, dmth. kaq JOOBKEKTIV, në lidhje me gjendjen politike në Republikën e Shqipërisë, dëshmon të kundërtën. Dëshmon që shtypi i Evropës, i sotmi, nuk është në krye, por është në bisht të rrugës historike, duke e penguar progresin e duke favorizuar realisht forcat regresive, të cilat po e fusin njerëzimin në rrugë pa krye. Rrugë të tejmbushur me rrëziqe të PA PËR FY TY RUE SHËM!
“Bildi”, o duhet t’i korrigjojë me sinqeritet gabimet, jo vetëm këtë, por të gjithë gabimet që kanë gjetur vend në faqet e saja, ose… brezat që vijnë do ta hedhin atë gazetë në koshin e plehravet… Për ta çuar në punishten e dekantimit!
6 qershor 2019. Gjokë Dabaj.