VALI QYRFYҪI: GJETJE TË REJA ARKEOLOGJIKE NË DURRËS. PROKURORIA VIJON HETIMET (FOTO)

Pashtriku.org, 11. 02. 2017: Gjetjet e reja historike në Durrës i kanë bërë arkeologët të vlerësojnë se kjo pjesë e trashëgimisë kulturore historike nuk duhet varrosur. Gjatë punimeve për pastrimin e themeleve të godinës otomane të shekullit XIX, që u gjetën në një pjesë të sheshit para portit të Durrësit, aty ku më parë ndodhej kompleksi i statujave të këngëtarëve të muzikës botërore, kanë dalë në dritë dhe objekte të tjera pjesë e trashëgimisë historike të qytetit.
Gjetjet e reja konsistojnë në një gur varri të periudhës osmane, që dyshohet se i përket ndonjë zyrtari të administratës së atëhershme turke, një top lufte, i ndryshëm nga ai i gjetur pak ditë më parë, si dhe 22 predha guri me formë sferike që hidheshin me katapultë, një lloj arme e vjetër që përdorej, që nga antikiteti romak e deri në mesjetë, gjatë rrethimit të një kështjelle për të goditur ushtrinë armike. Topi i dytë, që është më i hershëm në kohë se ai i gjetur pak metra më tutje, si dhe predhat sferike, që nuk kanë lidhje me të, janë gjetur brenda strukturave të godinës së administratës osmane, e cila mund të ketë qenë përdorur edhe si godinë për qëllime mbrojtjeje. Predhat sferike të gurit dyshohet se i përkasin shekullit XIV, por mund të jenë dhe më të hershme. Këto lloj predhash janë përdorur kryesisht deri në gjysmën e dytë të shekullit XV dhe më pas u prodhuan dhe përdorën predhat shpërthyese. Studiuesit thonë se pas Mesjetës, me zhvillimin e armëve artilerike dhe përdorimin e predhave shpërthyese, predha e gurit përdoreshin edhe në strukturat e godinave për shkak të fortësisë, rezistencës së tyre. Lidhur me gjetjet e reja, arkeologu Edi Shehu, që po ndjek nga afër pastrimin e sheshit ku janë pezulluar punimet nga firma zbatuese e projektit “Veliera”, ndonëse i rezervuar shprehet se ky sit duhet të mbrohet në mënyrë që të jetë i vizitueshëm nga të gjithë. Ndërkohë edhe themelet e vazhdimit të murit bizantin, pjesë e sistemit të fortifikimit të qytetit, mund të bëheshin të dukshme për publikun përmes konservimit dhe mbulimit me xham të disa fragmenteve të tyre.

E gjithë kjo pasuri historike që dëshmon një periudhë të rëndësishme për qytetin, atë nën sundimin e Perandorisë Osmane, kur Durrësi pati një tkurrje, humbje të rëndësisë së dikurshme, sipas arkeologëve dhe qytetarëve durrsakë nuk duhet varrosur. Bërja e saj e dukshme përmes mbulesave të qëndrueshme dhe transparente nuk do të cënonte as vazhdimësinë e projektit për ndërtimin e sheshit të ri, madje do të kishte një vlerë të shtuar dhe një tërheqje të fortë për turistët vendas e të huaj që brenda një perimetri të ngushtë mund të gjejnë dëshmi të Antikitetit Romak, periudhës byzantine, Mesjetës dhe periudhës së mëvonshme që daton deri në shekullin XIX. Shumë pranë vendit të gjetjeve të reja ndodhet një fragment i murit bizantin, Torra Veneciane, më tutje Muret Mesjetare dhe Amfiteatri Antik, për të vijuar me Muzeun Arkeologjik dhe të tjera dëshmi të rëndësishme të një qyteti që gjallon mbi veten dhe di të nxjerrë në pah të kaluarën, duke vlerësuar të sotmen dhe të ardhmen moderne të tij.
Gjetjet e reja duket se do të shtyjnë në kohë përgatitjen e relacionit të specialistëve të arkeologjisë. Themelet e godinës së zbuluar i takojnë fundviteve 1800 dhe godina është shembur nga autoritetet e atëhershme me qëllim ndërtimin e portit dhe rrugës së tregtarëve. Mënyra e ndërtimit të mureve ka elementë që i përkasin kohëve të ndryshme, madje, sipas arkeologëve disa gurë mund t’i përkasin edhe periudhës romake. Interes paraqesin shtresat arkeologjike që mund të ndodhen poshtë godinës. Megjithatë gjetjet e fundit e çojnë në rritje vlerën e këtij siti, ndërkohë që rezultatet e sondazheve arkeologjike do të jenë baza për vendimmarrjen mbi fatin e këtyre zbulimeve, si dhe nëse projekti për ndërtimin e sheshit publik do të ketë ndryshime për të ruajtur këtë pjesë të trashëgimisë historike të qytetit, që historikisht që nga themelimi i tij dhe deri në ditët e sotme është ngritur e ringritur në të njëjtin territor që përkon atë që njihet si Durrësi i vjetër.
Jo zhvarrosjes se murit
Me fillimin e punimeve, punëtorët e firmës zbatuese të projektit nxorrën në dritë dhe themelet e murit bizantin që vazhdojnë deri te Torra Veneciane, por ato u mbuluan me shpejtësi për t’u konservuar nëntokë, me bindjen se një fragment i këtij muri, përbri hyrjes së godinës 15-katëshe “Fly”, është ruajtur dhe bërë i vizitueshëm për qytetarët dhe turistët. Megjithatë arkeologë dhe studiues mendojnë se bërja e dukshme dhe e fragmenteve nga vazhdimi i këtij muri dhe pse vetëm në themele, pasi pjesa tjetër është dëmtuar ndër shekuj do t’i shtonte vlerën sheshit dhe qytetit.
Hetimet
Ndjeshmëria qytetare dhe ajo e specialistëve ndaj dëmtimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe shkeljes së ligjit për ndërtime në zonën e mbrojtur arkeologjike A, qofshin këto dhe me interes publik, ka vënë në lëvizje dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur akuzat që shoqëria civile ka ngritur ndaj Bashkisë Durrës për një ndërtim të paligjshëm që cenon frikshëm legjislacionin në fuqi. Prokuroria nisi hetimet pas kërkesë padisë së paraqitur nga Aleanca për Mbrujtjen e Vlerave Kombëtare (AMVK) ndaj Bashkisë Durrës. Ndërkohë më 7 shkurt, sipas aktivistes së shoqërisë civile Lorisa Ylli edhe shoqata MENV Group ka kërkuar pranë Gjykatës Administrative të shkallës së parë Durrës pezullimin e punimeve të paligjshme në shesh, ndërkohë që AMVK së bashku me Unionin e Ekspertëve Mjedisorë i është drejtuar me një shkresë dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar të Mediave për një dëgjesë publike mbi dëmin që po i shkaktohet ligjit dhe qytetit të Durrësit me këtë ndërtim. Në kërkesë padinë drejtuar prokurorisë, si dhe dy kërkesat e tjera deklarohet se me punimet në shesh për zbatimin e projektit “Veliera” janë shkelur ligji “Për trashegiminë kulturore”, ai “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, përcaktimet e Planit të Përgjithshëm Vendor të Durrësit, ligji për mjedisin dhe vendimi i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, ku punimet duhet të kishin një marrëveshje paraprake trepaleshë midis Bashkisë, Institutit të Arkeologjisë dhe ASHA.
Prokuroria ka nisur shqyrtimin e dokumentacionit të Bashkisë dhe firmës zbatuese të projektit, si dhe të marrë dëshmitë e para nga specialistët e fushës për hapat që janë ndjekur apo janë shkelur ndaj zbatimit të projektit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura