Durrës, 31. 03. 2016: Marrim vesh që “ekspertët” e huaj e paskan quajtur “të drejtë“ vijën e demarkacionit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Nuk është aspak për t’u çuditur. “Ekspertët” e huaj ia kanë dhënë dikur edhe Podgoricën principatës malaziase. “Ekspertët” e huaj ia kanë dhënë pak më vonë edhe Tivarin Malit të Zi dhe ishin gati t’ia jepnin edhe Shkodrën.
A po u dhimbet toka shqiptare “ekspertëvet” të huaj?!
Shihni çfarë bënë “ekspertët” Karla del Ponte, Dik Marti dhe Parlamenti Evropian! I nxorën të pafajshëm Sërbinë dhe Malin e Zi, të mos dënoheshin për genocid, as në Bosnjë, as në Kosovë e as në Kroaci, dhe bënë që të zvarriteshin shqiptarët gjyqevet, sikur krimet i kanë bërë shqiptarët e jo sërbët e malazezët! Malin e Zi, madje, as që e përmendën, falë një manovre fare banale të një M. Gjukanoviqi, shokut të ngushtë të një M.Bullatoviqi.
Në qoftë se komisioni “shtetëror” i Republikës së Kosovës do ta kish prurë “vijën e demarkacionit” deri në Deçan, duke arsyetuar “demokratikisht” se në Pejë e ka selinë Partriarkana Sërbe dhe se në Deçan gjendet një manastir me fytyra “shenjtorësh” nemanjiqas, a mendoni se “ekspertët” e huaj do ta kishin quajtur të padrejtë qëndrimin kapitullues të “komisionit shtetëror” të Republikës së Kosovës?! Jo kurrë!
– “Ekspertët” e huaj edhe Graçanicën po e quajnë “tokë sërbe”.
– “Ekspertët” e huaj edhe Durrësin, sapo t’u jepej rasti, do t’ia jepnin Sërbisë!
Po pse?!
Sepse paguhen, or vëlla! Sërbëvet dhe malazezëvet nuk u dhimben paratë për t’i “shpërblyer” “ekspertët” e huaj! As truket diplomatikë nuk u mungojnë sërbëvet dhe malazezëvet. Ndërsa pushtetarët shqiptarë i marrin të gjitha paratë për vete! Kurse në punët diplomatike pushtetarët tanë janë, që të gjithë, debila të pandreqshëm. Tranguj dhe kunguj! Ja, ky është konkluzioni! Mjer ne, kush po na e ruan oborrin!
Gjokë Dabaj – 31 mars 2016.