GJOKË DABAJ: AMBASADORI SËRB TALLET ME SHQIPTARËT, SHQIPTARËT NUK DINË Ç’T’I THONË

(Durrës, 29. 01. 2013) – Ambasadori i Sërbisë, njëfarë Mirolub Zariq, shkon në rrethin e Fierit dhe përuron atje një konsullatë sërbe. Alibia është, se, në fshatin Libofshë të Fierit, paska një minoritet “sërb”, diku rreth 2500 banorë. Askush nuk u hyn më tutje analizavet për të zbuluar të vërtetat. Kush qenkan këta “sërbë” të Libofshës? A janë, këta banorë sllavë, këtu në Myzeqenë e Shqipërisë, imigrantë apo banorë autoktonë? Nëse nuk janë autoktonë, nga kanë ardhur këtu në Libofshë? Kur kanë ardhur këtu? Pse kanë ardhur këtu? A ka sërbë imigrantë nëpër fshatra të Greqisë dhe a ka hapur Sërbia atje konsullata? Po në Argjentinë a ka konsullatë sërbe për sërbët që mund t’i ketë hedhur atje halli për të jetuar? Po në SHBA? Po në Zvicër? Po në Gjermani, a mund të gjenden raste konsullatash të këtilla të Sërbisë, për 2500 njerëz?
Zoti M.Zariq e di më mirë se ne, e di me statistika, që nëpër Botë ka më shumë se 200 qytete me nga më shumë se 2500 banorë sërbë. Sërbë të mirëfilltë, jo sërbë të falsifikuar si këta të Libofshës. A i del Sërbisë llogaria të hapë konsullata të këtilla në të gjithë qytetet e Botës, apo e ka hesapin vetëm me Shqipërinë?Më në fund, a mund të krahasohen 2500 sërbë të falsifikuar, refugjatë, imigrantë, që jetokan, si popullsi e ardhur, në një fshat të Myzeqesë, me 100 mijë a më shumë shqiptarë, që jetojnë, që përpiqen të jetojnë, në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, e që nuk janë imigrantë?!

………………………………………………………

OREKSET E SERBISË PËR “PAKICAT” NË SHQIPËRI!

Ambasadori sërb, njeri i moshuar dhe krejt serioz, tha se midis Sërbisë edhe Rep. së Shqipërisë, duhet të ketë reciprocitet në trajtimin e pakicavet kombëtare. E lavdëroi Sërbinë, gjoja sikur ajo kujdeset për të drejtat e pakicavet dhe kërkoi që edhe Rep. e Shqipërisë të përgjigjet me të njëjtën mënyrë. Tha, gjithashtu, krejt serioz dhe si burrë i pjekur, fjala të cilit duhet të jetë absolutisht e besueshme, se Rep. e Shqipërisë dhe Sërbia janë 2 vende FQINJË dhe se ata duhet të ndjekin një politikë të FQINJËSISË së mirë. Në të vërtetë, nga konteksti i fjalës së tij, dilte që Sërbia ka ndjekur një politikë FQINJËSORE konstruktive, së cilës edhe rep e Shqipërisë u dashka t’i përgjigjet me të njëjtë frymë konstruktive.
Kjo, përkthyer në gjuhën më konkrete, do të thoshte që edhe rep e Shqipërisë duhej të çonte policinë në Libofshë, siç çoi Sërbia policinë në Preshevë, dhe t’ia shkulte shoqatës “Jedinstvo” tabelën e dizajnuar aq sllavodashurisht. Kjo do të ishte marrëdhënia reciproke.
Mirëpo, asnjërit, as diplomacisë shqiptare, as gazetarëvet, as popullit të Fierit, i cili shquhet për humor, nuk iu kujtua, as t’ia vërë në dukje ambasadorit sërb këtë lloj reciprociteti dhe as ta pyesë: E kish seriozisht apo me shaka, kur thoshte që Sërbia me Rep.e Shqipërisë janë 2 shtete FQINJË. Nuk e pyeti askush, ç’kuptonte zotëria me fjalën SUSED, fqinj. Ambasadori i Sërbisë në Gjeramni, a guxon t’u thotë gjermanëvet që Sërbia dhe Gjermania janë FQINJË? Po Greqia dhe Sërbia a e quajnë njëri-tjetrin shtete FQINJË?
Emri i kryetarit të shoqatës “Jedinstvo” është Eqrem Duleviq. Ai thotë se është nga Sanxhaku dhe, me qenë se Sanxhaku ndodhet në Sërbi, rrjedhimisht, edhe ai duhet ta quajë veten sërb. Kjo është logjika e tij. Thotë kështu, por nuk i tregon 2 gjëra shumë të rëndësishme: Nuk thotë se, për t’u quajtur sërb, paguhet prej Sërbisë, midis tjerash, edhe me paratë e taksapaguesvet shqiptarë të Preshevës, dhe nuk thotë që bashkëkrahinasit e tij, atje në Sanxhak, nuk e quajnë veten sërbë.
Pas kësaj, që ne po e quajmë komedi serioze, komedi pa të qeshura, s’mbetet tjetër, veçse të vijnë në Fier edhe India apo Egjipti, për të hapur konsullatë të vetën, sepse dihet që aty jeton një komunitet rom, për të cilin realisht duhet të kujdeset dikush, komunitet jo prej 2500 vetësh, por ndoshta 3-fish më shumë se myslimanë të Sanxhakut. Le të vijë edhe Rep.e Kosovës të hapë konsullatë në Fier, sepse në Fier ka shumë kosovarë. Le të vijë, në vazhdim të kësaj komedie cinike, edhe Greqia e të hapë këtu në Fier 3 konsullata: 1 për fierakët ortodoksë, që Greqia i quan grekë, 1 për vllehët, që greqia gjithkështu i quan grekë, dhe 1 për çamët, sepse edhe çamët kanë ardhur këtu nga shteti grek, të dëbuar prej vendit të vet, siç janë dëbuar (perj kujt?) edhe myslimanët e Sanxhakut, që zoti M.Zariq kërkon t’i përdorë si kundërpeshë përballë shqiptarëvet e Anamoravës.
Nuk iu bë zotit M.Zariq edhe kjo pyetje: Sikur këta myslimanë “sërbë” të Fierit, të ishin ndodhur rastësisht jo në Fier, por në Srebrenicë, a do t’i kish vrarë Sërbia këta “sërbë”?
——————-
Sqarim shoqërues: Sigurisht që ne nuk jemi kundër të drejtavet të cilitdo. Por jemi vendosmërisht kundër pëdorimit për keq, kundër përdorimit të ulët, të të drejavet të kujtdoqoftë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura