(Durrës, 03. 12. 2012) – Zotërinj të gazetës Figaro, ju përdorët këto ditë në gazetën tuaj shprehjen Shqipëri e Madhe (Grande Albanie). Jam i detyruar, me këtë rast, të ju bëj një vërejtje gjuhësore e njëkohësisht konceptuale. Koncepti Shqipëri e Madhe (Grande Albanie) është i palogjikshëm për cilindo gazetar apo edhe njeri të cilësdo sferë tjetër, që e njeh historinë.
Duke qenë se shqiptarët janë një komb, i cili rrjedh prej ilirëvet, koncepti Shqipërie Madhe (Grande Albanie) duhej të përfshinte pikërisht atë hapësirë, në të cilën shtrihej në Epokën e Antikitetit etnia e ilirëvet. Pra, Iliria. E Iliria dihet që shtrihej nga gadishulli i Istrisë dhe i lumit Sava, në veriperendim e në veri, deri, e pakta, në malet e Pindit dhe në Gjirin e Ambrakisë, në jug. Në këtë mënyrë, nëse dikush do të fliste për një Shqipëri të Madhe (Grande Albanie), ai doemos duhej të kish parasysh KËTË hapësirë gjeografike e jo ndonjë tjetër, qoftë më të madhe, qoftë më të vogël.
Mirëpo, ju, zotërinj të gazetës Figaro duhet ta dini që sot nuk ka asnjë shqiptar në botë, i cili të ëndërrojë një Shqipëri të tillë. Shqiptarët e sotëm nuk ëndërrojnë kurrfarë SHQIPËRIE TË MADHE. Ata ëndërrojnë dhe projektojnë vetëm një SHQIPËRI, të quajtur prej disave NATYRALE, e cila është “natyrale” vetëm si pasojë e qindra mijë tragjedive tona gjatë historisë. Një SHQIPËRI “natyrale”! Dmth një SHQIPËRI, në të cilën etniteti ilir, i quajtur sot Komb Shqiptar, ka aritur të mbijetojë. Por kjo në asnjë mënyrë nuk mund të quhet Shqipëri e Madhe (Grande Albanie). Kjo, realisht, është një Shqipëri fare e vogël, me të cilën ne shqiptarët jemi të detyruar të mjaftohemi.
Shprehja Shqipëri e Madhe (Grande Albanie) është një shprehje injorantësh, të cilët nuk njohin as historinë, as aspiratat e vërteta të Kombit Shqiptar. Është shprehje injorantësh që haset edhe në mesin e vetë ne shqiptarëvet. Por, duke iu drejtuar gazettes Figaro, e cila ka një emër të mirë midis të gjitha gazetave të sotme të Europës, unë dëshiroj që gazetarët e asaj gazete të mos bien pre pikërisht e shprehjevet të tilla injorante.
Me termin thjeshtë SHQIPËRI, me emërtimin gjeografik SHQIPËRI, gjithë banorët e këtij planeti, midis të cilëvet në radhë të parë gazetarët e nderuar të Figarosë, duhet të kuptojnë hapësirën që shrihet nga rrethinat e Nishit deri në Gjirin e Prevezës dhe nga brigjet përkatës Jon e Adriatik deri në lumenjtë Vardar e Moravë. Kjo është Shqipëria Gjeografike, ndaç të themi natyrale, ndaç historike, ndaç edhe AKTUALE. Është një Shqipëri, të cilën etniteti ilir ka arritur ta ruajë të patjetërsuar deri në sh XIX, shekull në të cilin, edhe kjo copë e mbetur, ka filluar tragjikisht të RICOPËZOHET.
Ne shqiptarët e sotëm, duke qenë se jetojmë në kohëra disi më demokratike, kemi dëshirë që kjo pjesë E VOGËL e Atdheut tonë të dikurshëm, e cila përgjithësisht ka mbetur e paasimiluar, të mos vazhdojë të asimilohet e tjetërsohet edhe më tej. Dëshirojmë, pra, ta ruajmë e ta konsolidojmë këtë pjesë TË VOGËL të atdheut tonë, në rrethanat që i ka krijuar Bota e Sotme. Kjo kurrsesi nuk mund të quhet Shqipëri e Madhe (Grande Albanie). Përkundrazi, kësaj hapësire gjeografike, Nish-Prevezë, Tivar-Veles, do t’i shkonte shumë më mirë emërtimi Shqipëria e Vogël (Petite Albanie).
Mirëpo, ne as këtë term nuk duam ta përdorim. Ne dëshirojmë të përdorim thjeshtë emrin SHQIPËRI dhe po kështu do të donim që edhe gazetarët e Figarosë ta konceptonin vendin e shqiptarëvet, thjeshtë me emrin SHQIPËRI.
Këtu, sigurisht, del një varg vështirësish mjaft i komplikuar. Por i komplikuar jo krejt për fajin tonë. I komplikuar KRYESISHT për fajin e Fuqivet të Mëdha, të cilat, në 1 shekull e gjysmë të fundit, plotësuan miopisht, shkurtpamësisht, kërkesat e palogjikshme të fqinjëvet tanë sllavë edhe grekë. Kështu, duke e konceptuar hapësirën gjeografike të mësipërme si SHQIPËRI, del e nevojshme që shteti me emrin Republika e Shqipërisë të konceptohet jo si Shqipëri, por si pjesë e SHQIPËRISË, shteti me emrin Republka e Kosovës të konceptohet jo si Kosovë, por si pjesë e SHQIPËRISË, krahina me emrin Çamëri të konceptohet jo si Greqi Veriperendimore, por prapë si pjesë e SHQIPËRISË, e kështu me radhë. E dimë që, në një realitet historik më shumë se të mbrapshtë, është shumë vështirë të adaptohet një terminologji e saktë, por s’kemi ç’bëjmë. Janë pikërisht gazetarët, midis të cilëvet edhe ju, të nderuarit gazetarë të Figarosë, ata që duhet t’i prijnë saktësimit të një terminologjie, terminologji, e cila gjithsesi në dhjetëvjetëshat e ardhshëm do të përdoret kështu siç po themi ne shqiptarët.
Me shumë respekt, Gjokë Dabaj nga Durrësi, 3 dhjetor 2012