(Durrës, 30 qershor 2012) – Gjuha shqipe është një thesar me vlera të rralla, me të cilën do të krenohej kushdo që ta kish fatin ta ketë këtë gjuhë të vetën. Kombi ynë është një pasuri e pazëvendësueshme në krejjt kulturën dhe historinë Europës. Po kolera ku është? Kolera jemi ne vetë! Murtaja jemi ne vetë! Këto sëmundje gjenden brenda trupit tonë dhe është koha që, më në fund, ta krijojmë SHKENCËRISHT sistemin tonë të IMUNITETIT.
Që ka një sëmundje, e cila po e shkatërron gjuhën shqipe, po e pakëson, po e zvogëlon, po e rrëgjon, kjo është evidente, e dukshme, edhe tash, ashtu siç ka qenë prej shumë shekujsh, qysh në fazën e saj iliro-arbërore. Por tragjedia vjen dhe shumëfishohet para syvet tanë, kur të konstatojmë që ne nuk e kemi trajtuar dhe ende nuk po e trajtojmë në mënyrën e duhur këtë problem tonin gangrenë. Akademitë tona, institutet tanë të albanologjisë, fakultetet ku gjuha shqipe ligjërohet si lëndë, pedagogët e kësaj lënde, do të duhej të ishin marrë prej kohësh, në mënyrë shkencore, pikërisht me këtë dukuri, me dukurinë e pakësimit (shprehur në përqindje) të përdoruesvet të kësaj gjuhe. Të ishin marrë me këtë punë, duke u mbështetur përkushtimisht dhe rigorozisht në statistika, të kishin zbuluar shkaqet e një të këtillë dukurie dhe të kishin kërkuar rrugët për ta luftuar këtë sëmundje.
______________________________
GJERGJ FISHTA – GJUHA SHQIPE:
Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare…
…………………………….
____________________________
Sëmundjen që e ka sulmuar dhe po e shkatërron gjuhën tonë, metaforikisht mund ta quajmë si të na vijë më për së keqi. Më për së keqi dhe më për së plasuri. Mund t’i themi kolerë, murtajë, skollomend, zgjebe, sidë, kancer, tuberkuloz. E vërteta mbetet po ajo: Gjendja e gjuhës shqipe është alarmante. Nise nga të duash, ndaç nga Tirana, ndaç nga Prishtina, ndaç nga Stambolli, ndaç nga Athina. Sa më shumë i observon dhe i percepton dukuritë, aq më shumë ngarkohesh, edhe mendërisht, edhe nervërisht, prej gjendjes në të cilën kjo gjuhë po lëngon.
Janë, po thonë, në territorin e Shqipërisë, në 2 republikat tona, rreth 50 a më shumë institucione të lartë arsimorë privatë, që secili për vete po i quan, me mburrje, universitete. Kanë në përbërjen e tyre një varg fakultetesh nga më të ndryshmit, nga më të modes, nga më modernët dhe nga më të preferueshmit, por asnjëri prej sish, të paktën për aq sa shohim nëpër reklamat e tyre pompoze, nuk ka fakultet albanologjie, fakultet për gjuhën shqipe dhe për të gjitha të tjerat që lidhen me këtë gjuhë: histori të shqiptarëvet, letërsi të shqiptarëvet, etnologji të shqiptarëvet.
Përse kështu?!
A mos ka zgjeben gjuha shqipe, që s’e duan shqiptarët e pasur për fëmijët e vet, që shqiptarët e pasur nuk duan që qoftë edhe ndonjëri prej fëmijëvet të tyre t’i përkushtohet kësaj diturie?! A është e infektuar me kolerë gjuha shqipe?! A kanë francezët fakultete të gjuhës frënge në universitetet e tyre privatë?! A kanë turqit fakultete të gjuhës turke në institucionet e tyre të arsimit privat?!
_________________________________________
NAIM FRASHËRI: GJUHA JONË SA E MIRË!
Gjuha jonë sa e mirë!Sa e ëmbël,sa e gjerë! Sa e lehtë,sa e lirë!Sa e bukur,sa e vlerë!
____________________________
Në Tiranë e në Prishtinë të lëbyren sytë nga tabelat që ne shqiptarët i lexojmë e s’i kuptojmë. Të lëbyren sytë nga mbishkrimet e huaj dhe të merr malli të gjesh të paktën 1 rrugë apo rrugicë, ku sipër dyervet e vitrinavet, të shkruhet vetëm shqip.
Nëpër gazeta, po edhe në faqet e pothuaj të gjithë librave, t’i shpon bebet e syvet një trajtë e shkurtër e përemrit vetor I, e cila krejt paditurisht përdoret në vend të trajtës së shkurtër të përemrit vetor U: “për t’i dhënë atyre mesazhe shprese”. Në gjuhën tonë shkruhet edhe thuhet “për t’u dhënë atyre”, jo “për t’i dhënë atyre”! Është më mirë të mos e njohësh gramatikën dhe të lexosh qorrçe, sesa të ndeshesh thuajse në çdo rresht me shkelje të këtilla. Solla këtu vetëm 1 shembull, por do të mund të mbushnim 5000 faqe me shembuj nga më skandalozët shkeljesh e përbaltjesh të gjuhës sonë amëtare. Gjuha shqipe është po aq e ndotur me pasaktësira drejtshkrimore, sa edhe lumenjtë tanë me shishe plastike.
Por do të ishim thuajse të lumtur, në qoftë se do të qenë vetëm këta mëkatet e Tiranës e të Prishtinës. Mëkatet e qeveritarëvet tanë janë të atilla përmasave, që mund të krahasohen me një bir, i cili, ndërsa e ëma dergjet në shtrat për të vdekur, nuk kërkon mjekë dhe ilaçe për nënën, por luan bilardo nga mëngjesi gjer më darkë, dhe me një prind, i cili, ndërsa fëmija i tij, me temperaturë 40 gradë, lufton me vdekjen, shkon e gdhihet nëpër pabe, herë me një dashnore, herë me një tjetër. Të këtillë mëkate kanë qeveritarët tanë ndaj gjuhës amëtare. Do t’i shohim më poshtë një pjesë fare të vogël të tyre.
Le të shkojmë në Stamboll dhe le të bëjmë atje një statistikë. Sa për qind e shqiptarëvet, që jetojnë në atë qytet, shkruhen, dmth regjistrohen, deklarohen si turq e sa për qind e grekëvet, që jetojnë në atë qytet, janë regjistruar ose regjistrohen si turq? Sa për qind e shqiptarëvet të atyshëm flasin me fëmijët e vet turqisht e sa për qind e grekëvet të atyshëm flasin me fëmijët e vet turqisht? Sa parlamentarë ka në parlamentin turk që nuk janë regjistruar si shqiptarë dhe që nuk e flasin fare ose e flasin shumë rrallë gjuhën shqipe? Pse nuk flasin shqip këta zotërinj?!
___________________________________
NDRE MJEDA: GJUHA SHQYPE…
___________________________
Sa qeveritarë e parlamentarë, shqiptarë ose arvanitas, ka në shtetin grek dhe që nuk regjistrohen si shqiptarë, nuk deklarohen shqiptarë dhe nuk e flasin gjuhën shqipe? Nuk e di askush. Nuk e di askush, sepse askush prej profesorëvet tanë, prej akademikëvet tanë, asnjë prej institucionevet tanë të specializuar për të studiuar shqipen dhe shqiptarët, nuk e ka marrë mundimin t’i studiojë këto gjëra. Askush nuk ka studiuar sa parlamentarë e qeveritarë shqiptarë ka në Turqi e në Greqi, le më, sa kopshtarë, sa peshkatarë, sa kapitenë anijesh, sa shitës, sa kamerierë, sa tregtarë tekstilesh, sa argjendarë, sa poçarë, sa bukëpjekës… Lëshuar shqiptarët nëpër kontinente dhe as që i shkon kujt ndërmend të interesohet për ta. Të ishim bagëti, do të na kishin numëruar. Francezët vijnë vit për vit këtu në Shqipëri dhe interesohen sa shqiptarë e flasin gjuhën frënge, ne nuk interesohemi, as që duam t’ia dimë, sa shqiptarë nuk e flasin gjuhën shqipe. Ne s’na interesojnë fare këto gjëra. Ne jemi si ata prindër (në pastë të tillë) që i lënë fëmijët pa bukë në shtëpi, ose në shtrat të vdekjes, dhe bredhin moteleve e kazinove. Gjuha shqipe, për ne, nuk ka as aq rëndësi sa ç’ka psh gjuha shqipe për kinezin. Shteti kinez interesohet për gjuhën shqipe më shumë se ne, sepse ai ka katedër të albanologjisë mu në Pekin. Në anë tjetër, Kinezi e di fort mirë sa kinezë ka psh në Ulqin apo në Podgoricë. I ka regjistrat e tyre me të gjitha të dhënat gjenealogjike dhe interesohet shtetërisht, midis tjerash, edhe për gjuhën që përdorin ata dhe fëmijët e tyre. Ne, ndërkaq, nuk e dimë sa shqiptarë ka, as në Ulqin, as në Podgoricë. Nuk dimë, nuk duam të dimë dhe as që na bëhet vonë, si jetojnë ata shqiptarë e, midis tjerash, edhe ç’gjuhë flasin ata dhe fëmijët e tyre.
Kemi pasur në Nikshiq të Malit të Zi 2 vajza shqiptare, 1 nga Plava e 1 nga Ulqini, të cilat nuk pranonin me folë shqip dhe jo vetëm nuk shoqëroheshin me djemtë shqiptarë, por as nuk i përshëndetnin. Kemi pasur edhe djem të atillë që kishin frikë me folë shqip. Më vonë, njëri prej tyre, në një shkollë ku nuk kish asnjë nxënës sllav, ka dhënë lëndën e gjuhës e të letërsisë sërbe. E ka dhënë atë lëndë që nga dita kur ka diplomuar dhe deri sa ka vrarë veten. Sigurisht, ai s’e ka vrarë veten nga keqardhja, nga të brejturit e ndërgjegjes, që fëmijëvet shqiptarë, në vend të gjuhës shqipe, u ka mësuar gjuhën sllave, por ne na e tërheq vëmendjen edhe ky fakt. Çfarë fituan, ai njeri dhe ato vajza, në jetën e tyre?
Janë, jo 1 e 2, por me mijëra shqiptarët e Plavës dhe të Tivarit, të cilët mund të regjistrohen edhe sërbë, edhe malazezë, edhe kroatë, edhe boshnjakë (apo me “kombësi” myslimane), mund të regjistrohen madje edhe turq, por vetëm shqiptarë jo. Gjuha shqipe dhe kombësia shqiptare për ta është kolerë. S’është kolerë gjuha shqipe, o njerëz!
_______________________________________
O SA MIRË QË JAM SHQIPTAR…
………………………………..
_______________________________
Kam hasur, jo 1, as 2, por disa bashkëkombës shqiptarë nga Tivari, të cilët jetojnë në Gjermani apo në Francë tash 40 vjet, dhe fëmijëvet të vet, atje, në Francë a në Gjermani, u mësojnë jo shqipen, por sllavishten. Ua mësojnë sllavishten dhe e quajnë veten jo shqiptarë, por malazezë. Sikur shqipja të jetë një kolerë. S’është kolerë gjuha shqipe, o njerëz! Jo 1 e 2, por janë me shumicë shqiptarët, të cilëvet, para 150 vjetësh, regjimet monarkikë sllavë ua kanë ndryshuar llagapet, psh nga Gjokmarkanj në Đokmarković ose nga Elezaj në Elezović, nga Murataj në Muratović. Kanë kaluar 150 vjet. Tani kanë të drejtë ligjore ta kthejnë atë të shkretë llagap në origjinën e vet, por nuk e kthejnë. E ruajnë -VIQ-in, sikur ai -VIQ të jetë një hajmali fatsjellëse për ta dhe për fëmijët e tyre. Çfarë fitojnë këta njerëz, që ikin, që i shmangen identitetit të vet me aq vendosmëri?!. Janë me dhjetëra mijë, madje me qindra mijë (E kush i ka numëruar?!) shqiptarët e Çamërisë, të cilët, të nisur nga feja, janë regjistruar grekë, fëmijët i çojnë në shkolla greke dhe, e dinë që janë shqiptarë, por nuk duan as ta mësojnë gjuhën shqipe, as të quhen shqiptarë. Kanë emigruar nëpër Evropë e në Amerikë, rrojnë atje me vite, nuk pranojnë “të bëhen” francezë, as gjermanë, as angloamerikanë, por nuk pranojnë as të kthehen në origjinën e tyre. Duan të mbeten grekë! Pse, or byrazer!? Ç’të keqe ka me qenë shqiptar?! Madje, ka nga ata që s’u rri b. rehat, por bëhen pjesëtarë të lobevet antishqiptarë. Japin para për të lobuar kundër Shqipërisë e kundër shqiptarëvet. Dmth japin para, ua pakësojnë kalamajvet të vet copën e bukës, për të lobuar kundër vetëvetes. A ka ndonjë grek që e mohon, që s’e përdor gjuhën greke dhe që lobon kundër kombit grek?! A ka ndonjë sërb që e mohon, që s’e përdor gjuhën sërbe dhe që lobon kundër kombit sërb?! Kundër qeverivet greke apo sërbe edhe mund të ndodhë që shprehen, edhe grekët, edhe sërbët, por jo kundër kombevet të vet dhe sidomos jo kundër gjuhëvet të veta. Vetëm ne na i ka pirë sorra mendtë.
Ua kish pirë sorra mendtë shqiptarëvet që jetonin rrotull Petro Ninit, prandaj dhe u vra Petro Nini. Të ish Petro Nini vetë i 50-i a vetë i 100-ti në Luaras, atë askush nuk do të mund as ta vriste, as ta helmonte. Të ish Papa Kristo Negovani vetë i 100-ti a vetë i 200-ti në Negovan, atë askush nuk do të mund ta prekte me dorë dhe sot, mbesa e tij do të fliste shqip njëlloj si i ungji. Kam hasur në fshatin Ljare një djalë që ia kishin vënë emrin Dragan. Ishte nga fisi i Tagajvet. Vëllanë e gjyshit të tij, Atë Leonard Tagajn, e kanë vrarë jugosllavët në vitn 1945 pikërisht sepse predikonte shqiptarizmin. Si është e mundur ta ketë lënë Zoti pa mend nipin e atij heroi, që t’ia vërë fëmijës së vet emrin Dragan, të regjistrohet nëpër dokumente, pa e detyruar ligji, jo Tagaj, por Tagić, të mos i mësojë djalit as shkrim, as këndim në gjuhën shqipe dhe t’i çojë ashtu drejt një asimilimi shterpë të gjithë pasardhësit, të vetët dhe të axhës së vet, hero i Kombit tonë?! Është e mundur, sepse ne jemi ndoshta kombi i vetëm në Evropë, i cili, gjatë shekujvet, nuk ka krijuar, ME VETËDIJE, një SISTEM IMUNITETI. Ne na mungon sistemi kombëtar i imunitetit. Si rrjedhojë, trupin tonë etnik, qenien tonë etnike, mund ta sulmojë dhe ta rrëzikojë çdo lloj gripi e çdo lloj kolere.
___________________________________
JETOJ KUQ E ZI…!
______________________________
Natyrisht që, problemi që po trajtojmë, është i mbushur edhe me emocione. Me keqardhje, me indinjatë, me revoltë, madje edhe me mllef, i cili është gati ta çojë njeriun deri në shtigjet e sherrit e të krimit. Një grup të rinjsh nga Shestani, që jetojnë në Tivar, bënë një ditë një ndeshje minifutbolli me një grup shestanasish që jetojnë në rrethinat e Ulqinit. Por ajo nuk ish ndeshje. Ajo ish rrahje e mirëfilltë. Shestanasit e Tivarit, të cilët nuk pranojnë të flasin shqip, në vend që t’i binin topit, u binin me shqelma bashkëkrahinasvet të vet. Dhe kjo për të vetmen arsye se në bluzat e shestanasvet nga rrethet e Ulqinit emri SHESTAN ishte shkruar shqip, me SH e jo sllavisht me Š. Ç’është kjo pikë e zezë?! Lexojmë në fejzbuk disa batuta që shkëmbehen midis të rinjvet çamë dhe një pale tjetër, që s’dihet se nga janë. Kjo pala tjetër u thotë bashkëkombësvet të vet çamë: “Mirë jua ka bërë Napolon Zerva! Duhej t’ju kish shfarosur të gjithvet!” Vazhdojnë batutat me të shara nga më vulgaret dhe prapë s’ka si të mos na dridhet shpirti: Ç’është kjo pikë e zezë?! Ç’është kjo kolerë!?
Megjithatë, detyra e të mençurvet nuk është t’i ndezë gjakrat negativisht e shkatërrimisht. Detyra e të mençurvet është t’i ndezë gjakrat pozitivisht, me frymë ndërtuese e jo shkatërruese. Ç’duhet bërë që gjuha shqipe të mos konsiderohet gjuhë kolere, sepse gjuha shqipe nuk është tillë?! Ç’duhet bërë që Kombi ynë të mos konsiderohet prej vetë nesh, prej vetë shqiptarëvet, si një komb i padëshirueshëm? Ç’duhet bërë që kombi ynë të mos urrehet prej vetë nesh? Fenomenet e asimilimit janë të pranishëm në një numër të madh kombesh, sidomos në kombet e prapambetur. Por ata askund nuk shfaqen kaq katastrofikë sa ç’po ndodh me Kombin tonë.
Dikush, madje shumica e teoricienëvet tanë, thotë që e keqja na vjen prej fqinjëvet. Është e vërtetë që fqinjët tanë janë agresivë, janë denigrues, janë strategë dhe takticienë të kurdisur kundër Kombit tonë, janë, më në fund, edhe masakrues nga më të përbindshmit. Por prapë nuk mund të pranohet që fenomeni i të shkërmoqurit tonë, kaq të ngjashëm me një organizëm që e dekompozon lebra, na vjen i tëri prej fqinjëvet. E thamë pak parë në lidhje me Petro Ninin, me Papa Kristo Negovanin dhe me Atë Leonad Tagajn. Faji, kolera, lebra, gjenden brenda nesh! Gjuha shqipe është një thesar me vlera të rralla, me të cilën do të krenohej kushdo që ta kish fatin ta ketë këtë gjuhë të vetën. Kombi ynë është një pasuri e pazëvendësueshme në krejjt kulturën dhe historinë Europës. Po kolera ku është? Kolera jemi ne vetë! Murtaja jemi ne vetë! Këto sëmundje gjenden brenda trupit tonë dhe është koha që, më në fund, ta krijojmë SHKENCËRISHT sistemin tonë të IMUNITETIT.
Ashtu siç kemi disa dhjetëra mijë mjekë e infermierë, për të na mbrojtur me vaksinime dhe për të na shëruar nga virozat e ndryshme, nga barku i keq, nga tuberkulozi, nga zgjebja, nga sëmundjet veneriane, ashtu Kombi Shqiptar ka nevojë për nja 100 mijë profilaksues dhe mjekues të qenies së vet kombëtare. Kombi ynë ka nevojë për nja 100 mijë a më shumë predikues dhe propagandues të gjuhës shqipe dhe të krejt vleravet tona etnokulturore e historike. Pa zhurmë, pa anatema, pa stresime dhe pa ngërçe.
_____________________________________
KOHA ËSHTË E MASKARENJVE! POR ATDHEU I SHQIPTARËVE!
___________________________________
Mund të na dalin me këtë rast gjithfarë teoricienësh (sepse ne nuk vuajmë nga mungesa e teoricienëvet) dhe të na thonë, me një logjikë fare të thjeshtëzuar: Ne e kemi armatën e mësuesvet dhe të pedagogëvet, për të na i kryer këto punë. Për edukimin patriotik të fëmijëvet dhe për të afirmuar vlerat tona kombëtare. Kemi median e shkruar, përhapur si asnjëherë tjetër, kemi median elektronike, një mundësi që njerëzimi (e rrjedhimisht as ne) s’e ka pasur kurrë më parë. Kemi ambasadat tona gjithandej. Ne u themi të këtillë teoricienëve semplicizues dhe nënvleftësues të një këtillë gangrene, e cila po e çon drejt tjetërsimit nacional më shumë se gjysmën e Kombit tonë, se vërtet i kemi këto mundësira, por, ndërsa Greku e Turku hapin shkolla greke e turke për shqiptarët këtu në Shqipëri, ne (me gjithë këto “mundësira”!), s’po jemi në gjendje të çojmë as 5 abetare, në Athinë apo në Stamboll. Madje as në Shkup, as në Ulqin, as në Bujanovc. Dhe s’po jemi në gjendje të mbajmë gjallë një Nokshiq e një Medvegjë. Edhe grekët e kanë armatën e mësuesvet e të pedagogëvet, kanë median, kanë diplomacinë, por ata kanë edhe PRIFTËRINJTË, të cilët, qysh prej rrëzimit të Zeusit, s’e kanë përdorur për gjë tjetër Jezusin, veç për të propaganduar e përjetësuar gjuhën greke. Grekët i kanë pedagogët dhe mësuesit, por qeveritë e tyre betohen para klerikëvet me mjekërr, pikërisht para atyre që ua ruajnë gjuhën greke. Ua ruajnë gjuhën greke jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri. Në këta kushte, ne jemi të detyruar të kërkojmë rrugë, natyrisht, jo rrugë konservatore, siç i kanë fqinjët tanë, sërbë, turq e grekë, por të atilla rrugë që të mund t’u përgjigjen me efikasitetin e duhur sfidavet TË RRËZIKSHME të shekullit XXI.
_______________________
FATOS ARAPI: ATDHEU – SHQIPËRIA
______________________________
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)