Durrës, 2 mars 2021: Që Evropa, krahas dritës, krahas ndriçimit që i ka dhënë gjithë botës, ka bërë edhe gomarllëqe pa fund, pëgjithësisht në dëm të vetëvetes, ka shembuj me shumicë. Unë po sjell këtu vetëm disa prej tyre, kryesisht nga ata që lidhen më ngushtë me kombin dhe me vendin tim.
Kë dëshiron të fuqizojë Evropa, duke mos i dhënë kurrfarë impulsi ekonomik, jo vetëm Republikës së Shqipërisë, por krejt Shqipërisë?! Dëshiron të fuqizojë këtu influencën turko-arabe, influencën sllavo-ruse apo influencën kineze?!
I përmenda këta tre opcione, pa pasur asnjë mendim të keq, as për arabët, as për rusët dhe as për kinezët, por thjeshtë për të vënë dukje miopinë e kontinentit tim.
Në vitet kur, me mijëra shqiptarë, nga Vardari, nga Rrafshi i Dukagjinit e nga Kosova, po derportoheshin, mashtrueshëm dhe dhunshëm, për në Turqi, ç’bëri Evropa, për t’i mbrojtur këta banorë të Evropës?!
Në ditët dhe në muajt kur në Republikën e Shqipërisë po shkatërroheshin industria dhe bujqësia e këtij vendi evropian, cila ishte largpamësia e Evropës?! Pse nuk i doli zot Evropa kësaj ekonmie, duke thënë: Kjo është ekonomi evropiane dhe unë nuk lejoj që kjo ekonomi evropiane të asgjësohet!?
Në vitet kur, në pjesët e Shqipërisë, që vetë Evropa ia kish falur Sërbisë, po ngriheshin shqiptarët në demonstrata, ç’bëri ajo Evropë për të korrigjuar apo, së paku, zbutur krimin e të parëvet të vet?! Sa dhe si i mbrojtën evropianët, shtetërisht, kërkesat e demonstruesvet shqiptarë, që Sërbia po i shtypte e rrafshonte me zinxhirë tankesh?! Të paktën të ish vendosur ndonjë sanksion ekonomik ndaj atij shteti, që po i terrorizonte aq brutalisht shtetasit e vet! Por, as aq, po them as aq, nuk bëri Evropa, për të mbrojtur kombin shqiptar, njërin prej kombevet themelues të këtij kontinenti!
Përballë një të këtillë qëndrimi ndaj shqiptarëvet, ç’të drejtë ka ky kontinent të mburret se është djepi i Renesansës dhe i Humanizmit?! Apo duhet të pranojmë që ky kontinent i yni është bastarduar tashmë?!
U desh të vinin këtu Shtetet e Bashkuar të Amerikës, për ta përkrahur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. U desh që Shtetet e Bashkuar të Amerikës të zbulojnë Reçakun dhe t’u thonë evropianëvet: Hapini sytë! A s’po shihni ç’po ndodh në tokën tuaj?!
Këto që shkrova deri këtu, do të mjaftonin për t’i nxitur forcat tona progresive, forcat tona evropina mendjekthjellta, që të reagojnë kundër forcavet tona të verbëta, të cilat, me verbërinë e tyre, po bëjnë që, për herë të tretë, të fillojë pikërisht këtu një luftë tjetër botërore!
Hajvanllëqet e këtij kontineti, tragjikisht të hajvanizuar, nuk kanë të mbaruar! Ka disa dhjetëvjeçarë që Bashkimi Evropian po ia mbyll derën Republikës së Turqisë për t’u bërë antare e BE-së. Në ata dhjetëvjeçarë Republika e Turqisë udhëhiqej nga Turgut Ozali dhe Tansu Çilleri. Ç’po priste BE-ja, që nuk po e pranonte në strukturën e vet Republikën e Turqisë?! Po priste që atë shtet ta merrnin në dorë islamikët?! Apo po priste që të ndahet prej BE-së edhe Mbretëria e Bashkuar?!
Republikën e Shqipërisë nuk po duan ta pranojnë në BE, me “arsyetimin”, herë të hapur e herë të fshehur, se ky vend na qenka një vend mysliman! Në një kohë kur në Evropën e sotme Perendimore jetojnë e pakta tri herë më shumë myslimanë, se sa në krejt Shqipërinë, përfshirë aty edhe Kosovën, edhe Sanxhakun!
Në një kohë kur krejt Evropa mezi priti që të vdiste Enver Hoxha, në mënyrë që, në Republikën e Shqipërisë, të rihapeshin xhamitë!
Tani, njerëzit me logjikë të pathartuar, duhet të pyesin: Ç’urren më shumë Evropa e sotme?! Komunizmin, që vetë ajo e ka lindur, apo islamizmin, i cili, për fajin e saj, ia ka dalë të përhapet edhe në Evropë?! Sigurisht, të dyja, por islamizmin e urren më pak se komunizmin.
Këto janë thagma, që vetëm ky kontinent i yni mund t’i gëlltitë pa i përtypur. Deri sa një ditë t’ia bllokojnë fytin dhe të detyrohet të shpërthejë në luftëra vetëshfarosëse!!!
Por thagmat më të pagëlltitshme janë këto që do të lexoni pak më poshtë.
Ka 30 vjet që Evropa Perendimore po kërkon që, në Republikën e Shqipërisë, të merret me të mirë feudalizmi i Perandorisë Osmane! Është njëri nga kushtet kryesorë për t’u pranuar Republika e Shqipërisë në BE: O t’u ktheni tokat ish-bejlerëvet, o s’ka anëtarësim në BE! Bejlerët tanë, të parët e të cilëvet mund të kenë luftuar dikur për pushtimin dhe shkatërrimin e Vjenës, duhet sot të shpërblehen, duke ua kthyer tokat, të fituara pikërisht duke i shërbyer Perandorisë Osmane! Ato toka, të cilat Enver Hoxha, një komunist i formuar dhe i edukuar në Evropë, ua kish konfiskuar dhe ia kish ndarë popullit shqiptar, për t’i punuar dhe për t’i gëzuar.
Enver Hoxha, jo vetëm që ua kish marrë tokat ish-shërbyesvet të sulltanëvet, por edhe i kish arrestuar apo pushkatuar disa nga ata, si dikur Napoloni kundërshtarët e vet. Por Evropa e sotme, ajo Evropë që e adhuron Napolonin e vet, për të shfryrë inatin kundër Enver Hoxhës, marksist, leninist e stalinist, e ka ngarkuar me gjobë shumëvjeçare pikërisht shtetin që e rrëzoi regjimin e Enver Hxhës. Pushtetarët shqiptarë, që me aq mllef i përmbysën statujat e Enverit, po detyrohen tani t’u paguajnë dëmshpërblim atyre që Enveri i pati ndëshkuar për fajet që ata kishin bërë. Pushtetarët e sotëm shqiptarë, që me aq mllef i patën përmbysur statujat e Enver Hoxhës, po detyrohen tani t’ia pakësojnë të ardhurat buxhetore popullit të vet, duke i dëmshpërblyer ish-të dënuarit nga regjimi i Enver Hoxhës dhe duke e detyruar popullin që të kujtojë me nostalgji kohën e Enverit. Ç’kusur ka populli i sotëm shqiptar, tërësisht pro Bashkimit Evropian, të paguajë për të quajturit “ish-të persekutuar”, madje, edhe për bijtë, edhe për nipërit e tyre, të cilët as që e kanë provuar kurrë të quajturin “kalvar të regjimit komunist”. Përse duhet t’i dëmshpërblejë populli, nga buxheti i shtetit të vet, ata që dikur qenkan dënuar prej dikujt tjetër, me të padrejtë ose edhe me të drejtë?! Dhe pse u dashka Bashkimi Evropian t’ia vërë kusht Republikës së Shqipërisë, tashmë prej kohësh e deklaruar kundër komunizmit, që të paguajë për ato ç’mund të ketë bërë, para më shumë se gjysmë shekulli, regjimi komunist?!
Për të gjykuar një tufë udhëheqësish të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Evropa e sotme, paska mundësi të krijojë gjykata speciale! Ndërsa për t’i rigjykuar dhe për t’i nxjerrë të fajshëm ose të pafajshëm ata shqiptarë që i kishin dënuar gjykatat komuniste, Evropa nuk paska mundësi, madje nuk e quajtka të nevojshme, të krijojë asnjë lloj gjykate, as speciale, as jospeciale! Ata, që të gjithë, qenkan apriori të pafajshëm!
Madje, shumëfish më keq, kjo Evroppë, në vend që të çojë në Hagë 400 komandantë kriminelësh sërbë, po çon në Hagë 4 udhëheqës të një ushtrie çlirimtare! S’ka dyshim që, sipas logjikës së kësaj Evrope, lumturia duhet t’i vijë këtij kontinenti, jo nga Shqipëria paqedashëse proevropiane, por nga një Sërbi tradicionalisht zjarrvënëse!
Po e mbyll këtë shkrim tepër të vështirë, duke e sqaruar pak edhe titullin. Mund të kisha gjetur ndonjë shrehje të Volterit, Molierit apo Tuenit të përtejoqeanit, por m’u duk më e përshtatshme për evropianët e sotëm fjala arabe HAJVANLLËK. Kështu, besoj se do të konceptohet më qartë fytyra e këtyre politikanëve, të padenjë për të udhëhequr atdheun e Dantes, Shekspirit, Balzakut, Njutonit dhe Lui Pasterit!
Durrës 1 mars 2021
Postime të Lidhura
ARIF EJUPI: GËZIM ILAZI – NË GARË PËR ASAMBLENË E QYTETIT VERNIER TË GJENEVËS
Gjenevë, 20. 03. 2015 – Gëzim Nexhmedin Ilazi, me rrënjë nga Komogllava e Ferizajit do të garojë më…
LIBRI “ARTI I TË DASHURUARIT” I PSIKOLOGUT ERICH FROMM
Isuf Bytyçi, Mynih 04. 10. 2022 LIBRI “ARTI I TË DASHURUARIT” I PSIKOLOGUT ERICH FROMM „Ai që s’di…
XHAVIT HALITI I PDK-së (ZEKA i LPK – UÇK-së) DHE RREZIQET NGA ZAJEDNICA, KISHAT DHE MANASTIRET SI “MINISHTETE SERBE”!
Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 10 shtator 2023 “Asociacioni i Komunave duhet të themelohet, duhet të njihet gjuha serbe…
NATYRA SHËRON, IZOLIMI DËMTON!
NATYRA SHËRON, IZOLIMI DËMTON! Nga Sheradin Berisha, Facebook 24 Prill 2020 Njeriu është natyrë dhe aty jeton në…