Durrës, 5 mars 2020: Nëse nuk do të kish një pjesëmarrje aq të madhe, nuk do ta kisha shkruar këtë artikull. Nuk do ta kisha shkruar, sepse nuk e kam prirjen të merrem me gërr-mërret tanë të brendshëm.
Që Ilir Meta ishte i tëri një hipokrit i pandreqshëm, kuptohej fare lehtë qoftë edhe nga që nuk e përmendi asnjëherë PASURINË E VET. Para se të derdhte gjithatë vrer kundër oligarkëvet, ai duhej t’u thoshte të 100 mijë njerëzvet, të mbledhur aty kastile për ta dëgjuar e brohoritur, se është edhe vetë njëri prej atyre oligarkëve. Duhej të thoshte: kur, ku dhe në çfarë formash e zotëron atë pasuri. Duhej të thoshte si e ka fituar atë pasuri dhe duhej të thoshte, më në fund, si dhe në cilat fusha të ekonomisë apo kulturës së këtij vendi do ta përdorte në të ardhshmen pasurinë me vet.
Nuk është e moralshme të flasësh keq për shtresën, së cilës i përket dhe të mos thuash asnjë fjalë të keqe për vete.
Unë, që jam një fshatar, nëse do t’i akuzoja fshatarët për çfarëdo cilësie të tyre, nëse do t’i sulmoja ata me një mllef të papërmbajtur, aq më tepër para një turme aq të madhe, duhej doemos t’ua pohoja të pranishmëvet se jam edhe unë pjesë sociale e po asaj shtrese. Kur e lëvdoj shtresën a kastën, së cilës i përkas, ose njerëzit e asaj kaste, s’ka gjë edhe nëse nuk e them që jam edhe unë pjesë e tyre. Mirëpo, kur njeriu hedh baltë mbi të njëjtën kategori njerëzish, së cilës i përket edhe vetë, kjo është moralisht aq e ulët, sa kushdo që i dëgjon fjalët e një të tillë njeriu, do të duhej t’ia kthente shpinën.
Po e bëj edhe një paralelizëm tjetër, duke u kërkuar ndjesë gravet që po o përmend këtu me këtë emër. Midis prostitutavet, të cilat janë njëqind herë më njerëzore se të këtillë politikanë, ka edhe nga ato që e braktisin rrugën e vet të gabuar dhe vendosin të martohen, me qëllim për të krijuar familje të rregullt. Si thoni ju, a nuk duhet t’i thotë ajo prostitutë burrit dhe familjes së burrit, ç’ka qenë në të kaluarën?! Edhe fëmijëvet të vet, në të ardhshmen, a nuk duhet t’ua rrëfejë ajo nënë të kaluarën e vet? A ka burrë t’i besojë një ish-prostitute që ajo nuk do të jetë më e tillë, nëse nuk rrëfehet sinqerisht?! A ka familje që e pranon në gjirin e vet një ish-prostitutë, pa u bindur se ajo në të ardhshmen nuk do të jetë e tillë?!
Këto gjëra duhej t’i kish mbajtur parasysh Ilir Meta, sapo ka vendosur të dalë në atë mënyrë para popullit dhe sapo ka vendosur ta akuzojë aq rëndë palën tjetër, prej së cilës nuk dallohet as sa një fije floku.
Ilir Meta guxoi dhe e mbushi sheshin me flamuj të Kombit Shqiptar. Por, a nuk e di ai që Kombi Shqiptar FYHET RËNDË, kur dikush e përdor flamurin e tij për hipokrizi?! Kombi Shqiptar FYHET, kur ia përdorin flamurin në atë mënyrë!
Ilir Meta guxoi dhe nxori në foltoren e vet edhe flamurin e Shtetevet të Bashkuar të Amerikës. E mori në duar dhe e valëviti, në përpjekje për t’u mbushur mendjen amerikanëvet se preisdenti shqiptar është një adhurues i Amerikës. Por zonja ambasadore e Shtetevet të Bashkuar të Amerikës ia kuptoi hipokrizinë dhe ia çoi mesazhin menjëherë. Kush nuk do ta kuptonte?! Mirë që s’e nxori e s’e valviti edhe flamurin e Bashkimit Evropian, sepse edhe andej do të kish marrë të njëjtin reagim.
E lexuam edhe letrën që Fran Shkreli ia kish dërguar ambasadores. Por unë mendoj se ambasadorja nuk është shprehur kundër përdorimit të flamurit amerikan nga ana e shqiptarëvet. Ajo është shprehur kundër KEQPËRDORIMIT. Ilir Meta e keqpërdori në radhë të parë flamurin shqiptar, pastaj e keqpërdori edhe flamrin amerikan.
Ilir Meta, para turmës, mbledhur aty kushedi me çfarë marifetesh, doli me Kushtetutën ndër duar dhe u mundua të na e mbushë mendjen sikur ish gati të jepte edhe jetën për atë kushtetutë. Por, a nuk e dinë shqiptarët që, asaj kushtetute në çdo gjashtë muaj po i ndërrohen nenet?! Aq shumë është modifikuar e rimodifikuar ajo kushtetutë, sa edhe vetë Sabri Godoja, ndjesë pastë, njëri ndër hartuesit e saj, nuk do ta njihte më. Në këto rrethana, a nuk e dinë shqiptarët qe Ilir Meta po e përdor atë libër të kuq siç po i levërdisë atij?!
Më në fund, Ilir Meta u ul në gjunjë përpara atyre njëqind mijë shqiptarëve, që e kishin mbushur sheshin, por me pretendimin se po u ulej në gjunjë të gjithë shtetasvet. U ul në gjunjë dhe e formoi me dy duart shqiponjën tonë dykrenare. Gjithkush ka të drejtë të krenohet me simbolin e kombit të vet. Por jo me qëllime mashtrimi! Jo me hipokrizi, sepse simboli i kombit fyhet në atë mënyrë!
Të gjitha këto ndodhën para syvet tanë. Para syvet të krejt Kombit Shqiptar, në Republikës e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Republikën e Maqedonisë Veriore, në Republikën e Sërbisë, në Republikën e Malit të Zi, por edhe në Republikën e Greqisë, sado që atje një shumicë shqiptarësh, falë pikërisht të këtillë sharlatanëve që ka pjellë ky Komb shekull mbas shekulli, pëlqejnë më shumë të quhen grekë se sa shqiptarë.
Të gjitha këto ndodhën edhe para syvet të mërgimtarëvet tanë, të cilët tashmë në numër janë trefish më shumë se në Atdhe. A do t’i marrë malli mërgimtarët e këtij vendi të kthehen në Atdhe, kur shohin këtu të këtillë thjatro?! Thjatro, me plot kuptimin e fjalës!
Të gjitha këto janë dëshmi që Ilir Meta është një hipokrit, i cili hipokrizinë e vet e mbulon me emërtimin POLITIKË. NJERI IPOLITIKËS! Megjithkëto, nuk është çudia më e madhe që, në Kombin tonë, ekzibicionet më amoralë të shiten për virtytin më të kulluar.
Kjo nuk është çudia më e madhe. ÇUDIA, shumëfish më e madhe se kjo, është që, TË KËTILLË NJERËZVE, PO U SHKOJNË MBRAPA DHJETËRA MIJË TË TJERË! Si është e mundur të mblidhen rreth Ilir Metës aq shumë njerëz, për ta dëgjuar çfarë po thotë dhe për ta duartrokitur?!Madje edhe për t’iu bindur urdhëravet të tij britmamëdhenj e zëçjerrë?! Si mund të jenë shqiptarët e sotëm kaq naivë!? Ta zëmë se dyqind prej tyre paskan ineresa pasurie dhe interesa pasurimi! Ta zëmë se disa prej tyre shpresokan për ndonjë vend pune badihava, nëse ky sharlatan arrin ta rrëzojë atë… sharlatanin tjetër! Por i gjithë ai popull nuk duhet të jetë aq i prapambetur dhe aq i pamoralshëm! Atëherë, si shpjegohet që mbushet sheshi me aq kallaballëk, që Fan Noli do ta quante turmë pa tru?! Me një pagesë, karremë peshku, apo thjeshtë me një transport falas, shëtitje deri në Tiranë?! Si mund të bien kaq poshtë mijëra njerëz të kohës sonë?!
Thuhet që në atë “tubim presidencial”, përveç anëtarëvet dhe simpatizantëvet të Partisë Demokratike, të cilët shkojnë ku t’u thotë udhëheqja, ka pasur edhe një numër pasardhësish të zogistëvet dhe ballistëvet. A ka logjikë (në këtë rast partiake), që zogistët dhe ballistët, kundërshtarë tradicionalë të socializmit, t’i ngjiten pullë poste një njeriu që s’ka qenë ndonjëherë kurrfarë monarkisti dhe kurrfarë ithtari i idevet kombëtare a la Mit’hat Frashër?! S’ka qenë kurrë, sado që një pinjoll të ish-mbretit e mban afër dhe sado që, kur ia do puna, shfaqet si president i të gjithëvet. President i ë gjithëvet, përveç i atyre që e kanë zgjedhur dhe miratuar në parlament!
A nuk mundën të gjejnë këta pasardhës të legalisëvet e ballistëvet ndonjë udhëheqës të vetin, por shkojnë e i ngjiten ikësit nga Partia Socialiste dhe themeluesit të një tjetër partie sociliste me emrin LSI?! A e dinë këta, gjoja legalistë edhe ballistë, ç’do të thotë L-S-I? L-S-I është “lëvizje socialiste”! Gjoja, sepse as socialiste nuk është! Kur u bënë puthadorë të një “socialisti”, “demokratët”, “zogistët” dhe “ballistët” tanë?! I vëmë detyrimisht nën thonjëza, sepse që të gjithë janë ashtu siç do t’i quante Shefqet Musari: KARAVIDHE! Shportë me KARAVIDHE!
Përfundimi, fare i shkurtër dhe fare i qartë: RROJMË NË KOHË MENDJESH TË TURBULLTA! Plakat tona të dikurshme, religjioze, do të na thoshin: Zoti e bëftë mirë! Edhe unë po them kështu: Ardhtë dikush tjetër për ta vënë në rrugë të mbarë këtë popull, kaq keq, kaq për dreq, të çorientuar!
Gjokë Dabaj, Durrës – 3 mars 2020