GJOKË DABAJ: JO REXHEPI, PO VETË ZOTI LE TA THOTË!

Durrës, 24. 01. 2017: Jo Akademiku Prof, Dr. Rexhep Qosja, por vetë Zoti le ta thotë, Kombi Shqiptar nuk duhet dhe nuk mund të pranojë “shkëmbim” territoresh me shtetet fqinjë brenda territorit të vet!
…E pat shprehur Rexhepi këtë ide në një televizion të Preshevës dhe unë pata reaguar me një shkrim titulluar “Po preshevarët a do të pranonin?! Dhe qe publikuar atëherë ai shkrim te “pashtriku.org”. Editori e pat ilustruar atë shkrim timin me një pistoletë që i drejtohej kokës së Rexhepit dhe me diçiturën “Vetëvrasja e Rexhep Qoses”. Mua nuk më pat pëlqyer ajo paraqitje aq drastike dhe i pata shkruar mikut tim Sheradin Berisha, që ta hiqte atë ilustrim, sepse qëllimi ynë nuk është përçarja, por bashkimi, jo duke vrarë, por duke shëruar njëri-tjetrin.
Kur po promovohej në Prishtinë romani im “Kriza e arkivistit, kronikë beogradase”, e ftova edhe Rexhepin dhe ai erdhi. U ndjeva shumë i nderuar dhe thashë fjalët më të mira. Edhe ai gjithashtu u suall me shumë përzemërsi ndaj meje. Në një skaj të mendjes më rrinte shpresa se ndoshta ardhja e tij në këtë promovim dëshmonte se e kish pranuar qortimin tim tepër miqësor dhe se nuk do ta përsëriste më gabimin që kish bërë lidhur me Mitrovicën. Mirëpo mbrëmë, te Klan-Kosova, ai e dha përsëri të njëjtën ide tepër të mbrapshtë. Tha se shqiptarët duhet të merren vesh me Sërbinë që t’i japin asaj Mitrovicën e Veriut dhe, si shkëmbim, të marrin Luginën e Preshevës.
Është fyerje! Është mospërfillje e të gjitha vlerave që ka krijuar deri më tash Kombi Shqiptar! Është një shkelje nga më mendjelehtat, një shkelje mbi dinjitetin e Kombit tone. Kombi ynë, me gjithë peripecitë e pafund dhe genocidin e pashoq që është ushtruar mbi të, prapëseprapë ka dalë të mos poshtërohet deri në këtë shkallë.
Që nga 1912-a e këndej, sado që shtetet fqinjë, ndihmuar prej përkrahësish të tyre të fuqishëm, e kanë copëzuar si mos më keq Atdheun tonë, unë nuk di ndonjë dhurim tjetër “shtetëror”, përveç rastit të mallkuar të Shën Naumit.

Mitrovica Veriore, bashkë me të gjitha pjesët që i ka djathtas e majtas, me Zubin Potokun e me Leposaviqin, është tokë shqiptare. Banorët joshqiptarë që jetojnë në ato treva, janë IMIGRANTË. Disa prej tyre kanë ardhur më heret, disa më vonë, por që të gjithë janë të ardhur. Le të bëhen studime dhe le të nxirren përfundimet! Jo përfundime shovinistë e fantazistë, por shkencërisht të mbështetur! Asnjë sërb i mirëfilltë nuk është vendës në Mitrovicë! Të mendosh t’ua japësh sëbëvet Mitrovicën e Veriut, është një lëshim që i bëhet aparteidit sërb! Diskriminimi I shqiptarëvet, kudo që ata ndodhen, është një aparteid i pastër, sado që ne nuk jemi zezakë!
Për më tepër, ne kemi tempujt tanë në Shalë të Bajgorës, në veri të Mitrovicës Veriore. Kemi kullat e Boletinëvet, një mijë herë më shenjtërore se sa të quajturit Visoki Deçani. Them një mijë herë, sepse shenjti ynë Isa Boletini ka rënë, është vrarë për lirinë e Kombit të vet, ndërsa Stefan Deçanski, i glorifikuar prej sërbëvet si një shenjt i rëndësishëm i Manastirit Visoki Deçani, përveçse ka qenë pushtues në vendin tonë, ja se çfarë ka qenë tjetër: Ka vrarë vëllanë e vet Konstantinin në mënyrën më çnjerëzore, të pamundshme për t’u përfytyruar, jo më për t’u vepruar. Ka dhënë urdhër që ta shtrijnë të vëllanë sipër një trungu, ta mbërthejnë trupin e tij me gozhdë dhe pastaj t’ia presin trupin për midisi, siç pritet një kafshë e therur. Një gojëdhënë popullore sërbe thotë edhe se, ky „shenjtor i madh“, kafkën e të vëllait e ka shndërruar në bardhak, me të cilin më vonë pinte verë. (Krs. M.Qosoviq, Bizarni sveci, f.156)
Megjithkëto, sipas Akademikut tonë, Prof.Dr. Rexhep Qosja, shqiptarët u dashka t’ia lëshojnë asaj Sërbie, aspak të ndryshuar prej Mesjetës së vet, edhe varrin e dëshmorit dhe heroit tonë Isë Boletini, çlirues i Shkupit dhe i pranishëm në Vlorë kur atje qe shpallur Pavarësia! T’ia lëshojnë asaj Sërbie varrin e Isë Boletinit, eshtrat e të cilit mezi i mblodhëm atje ku e kish vrarë dora sërbe! Dhe t’ia lëshojmë Sërbisë të gjitha minierat dhe krejt krenarinë tonë kombëtare ta hedhim në baltë! Kështu thotë Rexhepi!
Një fshatar i padinjitet dhe i pavertebër do t’i thoshte pikërisht kështu një rrëmbyesi: Ma kthe, more, atë lopën që ma ke marrë e merr në vend të saj një lopë tjetër, se, për Zotin, po më qajnë fëmijët! Plaçkitësi, natyrisht që do t’ia merrte një fshatari të tillë që të dyja lopët, por edhe fëmijët, ose do t’ia vriste, ose do t’i shndërronte në shërbëtorë.
Në këta kushte, kur qeveritarët e Sërbisë do të vinin e t’i faleshin Stefan Deçanskit të tyre, masakrues të vëllait të vet, mu në tokën tonë, jo në tokën e Sërbisë, e ne të mos mund të shkonim as për t’i çuar një tufë lule Isë Boletinit te varri, kjo nuk ka arsye as Zotin ta dëgjojmë, jo më Rexhep Qosen.
Në këta kushte, kur sërbët po kërkojnë „të drejta“ administrative territorial brenda në Republikën e Kosovës, jo në Mitrovicën Veriore, por deri në Graçanicë e në Brezovicë, jo Akademiku ynë, deri vonë shumë i nderuar dhe jo pa meritë, të jetë gati t’ia falë për fare një copë të madhe të tokës sonë, bashkë me gjithatë pasuri që ajo ruan brenda vetes, por vetë Perendia të na thotë, ne nuk do t’i themi me gojën tonë: Merre!
Natyrisht, forca bën punën e vet. Bota, e lojtur mendsh, edhe mund të provojë, por, në u ndeztë edhe njëherë zjarri këtu, nuk dihet se kur dhe ku mund të fiket.
…Ç’kanë sërbët që nuk duan të rrojnë me ne?! Përse po i ngrejnë ata mure aq qesharakë dhe aq anakronikë në anën e përtejme të Ibrit?! A prandaj u dashka t’ua japim Mitrovicën Veriore, se sërbët nuk po mundkan të rrojnë e të punojnë bashkë me shqiptarët?! Po pse po mundkan të rrojnë bashkë me ne në Çikago e në Detroit e këtu nuk po mundkan të na durojnë?!
Po flitet e, me sa duket, edhe po planifikohet diku, në dofarë zyrash, krijimi i shtetevet „kombëtarë“ këtu, në gadishullin e Ilirisë. Madje po e quajnë punë që do të ndodhë së shpejti. Këta s’janë, veçse plane zjarrndezësish! Hartuesit e të tillë planeve duan ta shohin gadishullin e Ilirisë, që ata e quajnë Ballkan, edhe njëherë në flakë, siç e panë në vitet 1990. Nuk janë të kënaqur me rezultatet e asaj gjakderdhjeje. Duan gjakderdhje të tjera. Kjo është e kuptueshme tashmë për të gjithë. Është e kuptueshme në IRJM. Është e kuptueshme në Bosnjë-Hercegovinë, ku ka mbirë një Republikë Sërpska, njëlloj si Kalifati ISIS në Irak e në Siri. …Ku dallohet Srebrenica nga Alepoja?!
Por ne po u themi përsëri të gjithë planifikuesvet të çdo lloj gjakderdhjeje: Ajo gjakderdhje, këtë herë, nuk do të kufizohet vetëm në këtë gadishull!
Sërbët nuk kanë kërkuar kurrë atë që u ka takuar dhe nuk kërkojnë as sot atë që u takon. Sërbët kërkojnë SPASTRIM ETNIK, edhe në drejtim të Kroacisë, deri në Zarë e Shibenik, veç në mos ua mbajttë, edhe në drejtim të Hercegovinës e Malit të Zi, deri në Hercegnovi (A e dini sa sërbë jetojnë në Hercegnovi, mbeturina të ushtarakëvet të dikurshëm? Dhe pikërisht ata sërbë, Sërbia kërkon t‘i përdor si alibi.), edhe në drejtim të Shqipërisë, nga Ura e Ibrit deri në Tivar, Durrës e Vlorë. A e di i nderuari Akademik, se, para gati dy muajsh, janë kapur në Vlorë, te ish-baza ushtarake e Pasha-limanit, spiunë të Rusisë, duke fotografuar?!
Dhe, a e di Akademiku ynë që sërbët do ta përdornin si alibi edhe Vrakën me pesë shtëpi sllavishtfolëse, për t’u futur në Shkodër e në Lezhë?! Dhe a e di ai që këtu në Shijak jetojnë disa mijë boshnjakë dhe sërbët do ta përdornin këtë si alibi për të marrë edhe Durrësin?!
Murin e Mitrovicës Veriore Beogradi nuk e ka ngritur, për të penguar sërbët që të mos zbresin më në jug, por e ka ngritur që të mos ngjiten shqiptarët më në veri. Dhe, sapo ta kenë marrë Mitrovicën Veriore, nëse do ta pranonin ofertën e Akademikut tonë, ata do të ngrinin një tjetër mur, për shembull, mu në mes të Shkupit, duke e ndarë lagjen shqiptare prej pjesës tjetër, të kolonizuar me sllavë jo më heret se në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Kur përdorim këtu etnonimin sërb, fjalën e kemi gjithmonë për sërbët joprogresistë, jo për sëbët progresistë e bashkëkohorë, dhe mua më vjen sinqerisht keq që një personalitet i kulturës sonë bie në grackën e pikërisht një të tillë kategorie sërbësh.
…Gjithë këto ditë, tek po planifikoja për të vënë në jetë platformën time të Përkujdesjes Gjithshqiptare, mendja po më shkonte vazhdimisht te një punë e bukur që do të duhej të bënte ajo Përkujdesje. E dinë të gjithë shqiptarët që, midis Rexhep Qoses e Ismail Kadaresë ka pasur fyerje të ashpra personale. Sa mirë do të ishte që t’i pajtonim këta dy kolosë të kulturës sonë dhe t’i ulnim një ditë të dy bashkë në një tavolinë! Po bluaja në mendje edhe një lloj skenari, se si do të mund ta realizonim këtë lloj pajtimi, jo midis dy komshinjve të pagdhendur, grindur e vrarë njëri me tjetrin, por midis dy intelektualëvet më të mëdhenj të Kombit tonë!
Mirëpo, a kam sy e faqe t’i them unë Ismail Kadaresë: Hajde dhe pajtohu me njeriun që po kërkon t’ia falim Mitrovicën Veriore Sërbisë?! A kam sy e faqe?!
Gjokë Dabaj, Durrës – 20 janar 2017

Zona e Debatit – Rexhep Qosja – 19.01.2017 – Klan Kosova

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura