BEN BLUSHI: ҪA KE ALBIN?

Tiranë, 28. 01. 2015 – E kam takuar vetëm një herë Albin Kurtin për të kuptuar se ashtu si shumica e njerëzve që janë produkt i librave dhe i iluzioneve që shkaktojnë ato, ai ka një defekt të pëlqyeshëm: nuk di të bëjë llogari. Kjo përshtypje m’u forcua dje, duke parë protestat e dishepujve të tij në Prishtinë. Nëse do ta takoja serish, do t’i bëja këtë pyetje: Ça ke Albin?
Dhe pyetja nuk është vetëm politike, por në radhë të parë njerëzore.
Ndoshta unë jam ngutur të shoh Albinin në krye të Kosovës më shpejt nga ç’po duket se ngutet ai vetë. Deri dje besoja se kjo ditë mund të ishte me e afërt, ndërsa sot besoj se vetë Albini e ka shtyrë, e ka zhvendosur, njëlloj siç zhvendosen në libra faqet më të bukura që zakonisht janë në fund dhe asnjëherë në fillim.
Albin Kurti, megjithë arsyet që ka, dje është ngutur aq sa ndoshta është ngatërruar duke vrapuar mbi gurët e shëtitores së Prishtinës dhe është rrëzuar. Do t’i duhet kohë të ngrihet dhe t’i bëjë njerëzit të besojnë se rruga drejt pushtetit nuk kalon nga rrëzimi i pushtetit në rrugë, por nga rregulli që pushteti fitohet kur meritohet. Me vota.
E di që nëse do t’ia thosha këtë në sy, do më përgjigjej se pyetja ime s’ka vend, se ajo është një përshtypje e krijuar nga rrethanat, se ai nuk doli në protestë për pushtet, por për dinjitet. Edhe nëse unë do gjeja mirëkuptimin e sforcuar për ta kuptuar, keqkuptimin nuk e ka me mua, por me qytetarët e Kosovës. Nuk jam unë ai që duhet të bindë, por kosovarët që kanë humbur një mundësi për t’i besuar dikujt më shumë se të tjerëve.

“Albin Kurti dje nuk ka sulmuar qeverinë e Kosovës, ai ka sulmuar Albin Kurtin”(b.b)

Sepse Albin Kurti dje nuk ka sulmuar qeverinë e Kosovës, ai ka sulmuar Albin Kurtin. Një njeri për të cilin të gjithë, andej dhe këndej kufirit, besonim se kishte aftësinë, kurajon dhe pasionin për të ndryshuar modelin e politikanit shqiptar me pak utopi dhe me shumë vullnet. Ai na kishte bindur se deri dje ishte ndryshe nga të gjithë modelet që kemi parë dhe ndoshta prandaj nuk votohej në shumicë. Ai fitonte sa herë humbte. Votat, jo durimin, siç ndodhi dje.
Por sot ai nuk është më ai që ishte. Politikanë të dhunshëm kemi parë plot. Madje shumica e atyre që kemi parë janë të dhunshëm sa herë që abuzojnë, mashtrojnë, nuk i dorëzohen ligjit, nuk mbajnë premtimet dhe bëjnë aleanca të pamundura që në një kuptim janë poaq të dhunshme sa gurët mbi policinë e Kosovës.
Albini u ka bërë kundërshtarëve të vet nderin më të madh. Tani ata kanë të drejtë të thonë: Albin je si ne.
Por sikur Albin Kurti të kishte bërë kaq pak, do ishte prapë pak dhe madje e ngushëllueshme në kuptimin historik të fjalës. Ne shqiptaret kemi humbur aq shumë kohë për të prodhuar modele të pranueshme politike saqë edhe një humbje tjetër nuk na kushton shumë. Madje nuk na kushton aq sa besohet se na kushton. Koha ka provuar se ne jetojmë duke i humbur shumë shpejt iluzionet që i krijojmë ngadalë.
Dëmi i Albin Kurtit është edhe më i madh.
Ai ka krijuar një model politik i cili do duhet vite të shkulet nga Kosova. Të gjithë dishepujt e tij janë të rinj. Ata filluan ta kërkojnë të drejtën e tyre jo me fjalë por me gurë. Jo me vota, por me grushta. Nga Albini mund të shpëtojmë, por nga ata nuk shpëtojmë dot më. Sepse ata janë shumë. Dhe janë të rinj. Dje ata janë ndjerë heronj, martirë të rënë në një betejë që do t’i shoqërojë gjithë jetën. Ata u mësuan të besojnë se e kanë betejën me shtetin dhe jo me pushtetin. Por nuk është kështu. Dhe Albini nuk u tha se nuk është kështu.
Dishepujt e tij dje u kthyen në një sekt që besojnë se shteti, përveçse i vjedh, edhe i rreh, i persekuton, i burgos, i ndëshkon dhe i asgjëson. Albini i detyroi ata të besojnë diçka që nuk është. Edhe nëse nuk i detyroi, nuk i pengoi të besojnë atë që nuk duhet dhe unë habitem sesi nuk hyri mes tyre dhe policisë për të penguar krijimin e një sekti.
Ku ishe Albin kur ata rriheshin dhe rrihnin, gjuanin dhe gjuheshin, dhunonin dhe dhunoheshin? Pse nuk dole t’i tërheqësh? Pse nuk i kurseve? Pse nuk u the të ktheheshin? Të duhej një sekt? Ndoshta. Por ti kishe një parti dhe një sekt është gjithmonë më pak se një parti. Të duhej një fe? Për çfarë? Ajo është gjithmonë më e paragjykuar se një besim. Të duheshin dishepuj. Me sa duket. Por ata janë gjithmonë më të dobët se një bashkim.
Prandaj të pyes: Ça ke Albin? Pse ke vendosur të humbësh?
Ça ke Albin?
Vërtet nuk e kupton se humbja e moralshme me vota është më e dobishme se fitorja e shëmtuar që vjen nga forca? Nuk e di se vota shtohet edhe kur zvogëlohet, ndërsa dhuna zvogëlohet pikërisht kur shtohet?
Unë besoj se ti e kupton sa herë që lexon, por nuk e kupton sa herë që vepron. Sidoqoftë ngushëllohem kur besoj se të mos dish të bësh llogari është një defekt njerëzor i pëlqyeshëm, megjithëse politikisht i padobishëm. Shpresoj të jetë edhe i kurueshëm.
Tani që mendoj për ty besoj se e di çfarë ndjen. Ti beson se nuk jeton në kohën dhe në vendin e duhur. Kosova me apatinë e vet të ka lodhur. Të ka bërë të besosh se duke mos e dominuar dot si politikan, mund ta fitosh si martir.
Por nëse unë s’gabohem, ti e ke gabim. Kështu besojnë të gjithë ata që humbin, përfshi edhe ty, që dje provove se je në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Je pjesë e kohës dhe vendit ku jeton. Je produkt i Kosovës që kundërshton!
Atëherë ça ke Albin?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura