Durrës, 2 korrik 2018: Më 2011-n botova librin “Strategjia e shqiptarëvet“ . Është libri më udhëndriçues i Kombit Shqiptar, mbas librit të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet“. Është libër, i cili nuk ka për t’u përsëritur dhe s’ka pse të përsëritet as këtu e njëmijë vjet, mbasi unë të kem vdekur fizikisht.
Në vazhdim të këtij libri, falë mirëkuptimit dhe largpamësisë së mikut tim Sheradin Berisha, janë publikuar edhe një varg shkrimesh të mi me titull të përbashkët „Përkujdesja Gjithshqiptare“.
Krejt ky korpus, mirëfilli programor, i cili i fton shqiptarët në veprime konkretë për ta shpëtuar Kombin Shqiptar nga rreziqet që po e kërcënojnë ditë për ditë, dhe për ta inkursuar, më në fund, në një udhë përparimi, është aq i qartë për çdo mendje të shëndoshë, për çdo mendje që nuk vuan nga ndonjë sëmundje, sa do të duhej në këto 7 vjet të kish filluar të zbatohet të paktën nga pjesa më e kthjellët e këtij Kombi.
Por nuk ndodhi kështu! Këtë strategji, mijë për qind shpëtimtare, jo për një e dy apo dy mijë shqiptarë, por për të gjithë Kombin tonë, me sa duket, nuk e lexoi pothuaj askush. E lexuan vetëm disa, që mund të numërohen me gishta, dhe shumica e tyre e përkrahën këtë rrugë. Më marrin në telefon, janë të të njëjtit mendim, por ç’mund të bëjnë një grusht njerëz, aq më tepër kur janë të shpërndarë: një në Zvicër, për shembull Kadri Rexhaj, një në Gjermani, për shembull Sheradin Berisha, disa në Prishtinë, për shembull Agim Vinca, Xhevat Gjini, Gani Krasniqi, një a dy në Prizren, si Fadil Cukaj e Begush Bajrami, një a dy në Burrel, si Hamdi Hysuka e Isuf Çipi, disa në Tiranë, si Dilaver Goxhaj, Pëllumb Xhufi, Faik Xhani. Aq më tepër, kur që të gjithë këta janë ekonomikisht në kufijtë e pamundësisë për të përballuar nevojat e veta familjare e personale, le më për të investuar vlera monetare për Kombin. Këta po investojnë sa po mundin, mendjen dhe shpirtin e tyre.
Por ku janë shqiptarët e tjerë?!
Ku janë profesorët?!
Ka në Kombin Shqiptar me qindra Doktor-Profesorë (Dr.Prof). Ku janë këta, që nuk po i përgjigjen kësaj thirrjeje strategjike, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me të ardhmen e Kombit, të cilit i përkasin këta Dr.Prof-ë?!
Në Kombin Shqiptar ka disa mijëra gazetarë, kryeredaktorë, redaktorë, reporterë, komentatorë e analistë.
Si nuk u gjet njëri, që ta amplifikojë këtë Strategji Kombëtare?!
Bëhet një demonstratë ekologjistësh dhe shkruajnë gazetat e flasin televizionet, grindjet në parlamente pasqyrohen përditë nëpër media, lidhjet dhe zgjidhjet e të quajturvet vipa, divorcimet e zhdivorcimet e tyre, i ke përditë nëpër faqet e gazetavet, një „paradë“ homoseksualësh bëhet dhe që të gjithë shkruajnë e flasin pë atë „paradë“. Një ilaç i ri, një klinikë dentare që i merr dhëmbëprishurit aq sa s’vlen as koka e tij, një palë këpucë të një modeli që „s’është parë“ deri më sot, një lloj sallami „i garantuar“, një vrasje, një gremisje në kanal, gjejnë vend për t’u publikuar në të gjitha gazetat dhe në të gjithë televizionet. Një Strategji Kombëtare dhe një platformë me titull „Përkujdesja Gjithshqiptare“, as që i bie në mend dikujt që t‘i përmendë, le më t‘i propagandojë.
Ku janë intelektualët tanë?!
Ku janë mësuesit?!
Ku janë inxhinierët?!
Ku janë mjekët?!
Ku janë juristët?!
(Do të keni rast këto ditë ta njihni nga afër një të atillë që quan veten jurist, por që s’është as afër juristit).
Ku janë ekonomistët?!
Libri im titullohet „Strategjia e shqiptarëvet“!
A janë dopak seriozë këta intelektualë, apo i kalojnë orët e lira duke parë këmbët lakuriqe të topmodelevet nëpër faqet e gazetavet dhe në ekranet e televizorëvet?!
Ku janë biznesmenët shqiptarë?!
Janë me mijëra të pasuruar në këto 30 vjetët e fundit. Është krijuar në këta 30 vjetët e fundit një klasë kapitaliste shqiptare.
A mendojnë këta kapitalistë shqiptarë diçka për Kombin e vet?!
Kapitalistët e të gjithë kombevet të tjerë shquhen për nacionalizëm. Ata bëjnë politikë shtetërore e diplomatike në të mirë të kombevet të vet. Ata bëjnë politikë kulturore kombëtare. Kapitalistët e kombevet të tjerë nuk lënë asnjë teori nacionaliste pa e shqyrtuar dhe pa mbajtur qëndrim ndaj saj.
Libri im, traktati im, titullohet „Strategjia e shqiptarëvet“, platforma ime programore titullohet „Përkujdesja Gjithshqiptare“. Si dreqin s’i ra në sy një të pasuri shqiptar, t’ua hedhë një shikim, kësaj strategjie dhe kësaj platforme?! Del në televizor një plak hallexhi, që e ka nxjerrë i biri në rrugë të madhe dhe gjendet një i pasur që ia siguron atij mjerani një strehë dhe një copë bukë. Në vend që shteti ta kapë të birin e atij plaku për zverku dhe t’i thotë: „Mbaje t’ët atë siç është për t’u mbajtur, se e ke për detyrë!“
Po Kombi i këtyre pasanikëve shqiptarë, Kombi Shqiptar, a nuk është nxjerrë edhe ky në rrugë të madhe?!
A nuk po e greqizojnë pasanikët grekë gjysmën e Shqipërisë Jugore dhe a nuk po kërkojnë ta bëjnë të vetën edhe pjesën tjetër të Shqipërisë Jugore?!
A nuk po i mbushin pasanikët sllavë, me sllavë, copa të mëdha të Shqipërisë Veriore, Veriperendimore dhe Verilindore?!
A nuk po ia marrin badihava krejt Shqipërisë, pasanikët e kombevet të tjerë, naftën, bakrin, kromin, floririn, plumbin, argjendin, qymyrin?!
Si është e mundur të mos e ndiejnë veten ngushtë këta milionerë shqiptarë, kur poshtërohen në këtë mënyrë prej lloj-lloj milionerësh të botës, duke i varfëruar përditë e më shumë Atdheun e shqiptarëvet dhe Kombin Shqiptar?!
Si është e mundur të mos e kuptojnë këta të pasur shqiptarë, që, pa i dalë zot strategjikisht Kombit të vet, as fëmijët e tyre nuk e kanë të sigurt të ardhmen?!
Le që ata as që e dinë që ekziston në botë një libër që titullohet „Strategjia e shqiptarëvet“. Ata më parë interesohen e bëjnë plane për të zhvirgjëruar një gjimnaziste, duke e çuar në ndonjë motel në periferi të Tiranës a Prishtinës, se sa për t’i siguruar djalit apo vajzës së vet një të ardhme më të bukur në gjirin e Kombit të vet.
Ku janë politikanët, filluar nga ata që ulen në kolltuqet e deputetëvet, në kolltuqet e ministravet e të kryeministravet, deri te ata që drejtojnë komunat e bashkitë dhe që i lënë mbeturinat plastike të shndërrohen në male plehrash?! Male plehrash që u zënë grykat lumenjvet, që i shëmtojnë brigjet e detravet e të liqenevet tanë dhe që po ua bëjnë Atdheun të neveritshëm, edhe shqiptarëvet të mirë, edhe shqiptarëvet gjysmë të mirë, edhe atyre që s’dinë të bëhen të mirë! Si nuk u gjend, midis gjithë këtyre kazanëve mbushur me politikanë, një politikan i kthjellët që të dalë e të thotë: „Shikoni, more! Është një plak që ka shkruar një libër, projekt për të ardhmen e shqiptarëvet. A s’e marrim ta shohim çfarë thotë?!“
Unë tashmë jam mbi 80 vjeç. E shoh qartë që Kombi im është në rrezik. Kam qenë 20 vjeç kur i jam kushtuar Kombit tim dhe Atdheut tim.
I kam lënë prindët në pikë të hallit. E kam lënë tim vëlla 13 vjeç, në moshën kur kish shumë nevojë për ta pasur të vëllanë afër. Kam punuar gjithë jetën atje ku rrethanat e kanë parë të arsyeshme të punoja. Kam dëshmitarë ish-bashkënxënës të mi në Nikshiq, në Prishtinë, në Gjakovë e në Prizren. Kam dëshmitarë shokët e mi të ilegalitetit në Prizren. Kam dëshmitarë bashkëkrahinasit e mi në Shestan, në Tivar e në Ulqin. Kam dëshmitarë qindra tepelenas (nëse s’më kanë harruar), kur hapnim qilizëm në brinjat e Beçishtit. Kam dëshmitarë dhjetëra shokë studentë të vitevet 1967-1971 në Filologjikun tonë të dashur. Kam dëshmitarë qindra nxënësit e mi në Klos të Matit e në krejt Kryematen, qindra fshatarë, prindër të nxënësvet të mi, dhe dhjetëra arsimtarë, kolegë të mi të punës.
Kam punuar sa për të mbajtur veten dhe për të rritur, me modesti, të pesë fëmijët, që i lindëm dhe i mëkëmbëm bashkë me shoqen time të jetës, dhe krejt energjitë e mia i kam shpenzuar në shërbim të Atdheut e të Kombit tim. I kam krijuar me pasion të madh një tufë librash, mund të bëhen nja 50, të publikuar e të papublikuar. Kam botuar rreth 250 shkrime e studime dhe jam i sigurt që asnjëri prej atyre krijimeve, libra e artikuj, nuk do t’i turpërojë, as emrin tim, as familjen nga e kam prejardhjen, as krahinën, e cila po shuhet nën trysninë e shkombëtarizimit, as Atdheun, as Kombin, të cilit i përkas dhe as aspiratat pozitive në shkallë gjithnjerëzore.
Por tash, që i kapërceva të 80-at dhe dihet që një ditë, gjithsesi jo të largët, kam për të vdekur siç vdesin të gjithë njerëzit, jam shumë i shqetësuar, jo për veten, por për Kombin: Pse nuk po i hyjnë punës shqiptarët e mirë për ta vënë në jetë programin që e kam hartuar, për ta e jo për vete?!
Për ta e jo për vete!
Shqiptarë të mirë, të zotë dhe të aftë, ka mes nesh me qindra mijë. E shohim këtë në sukseset e dhjetëra e qindra bashkëkombësvet tanë që po na e zbardhin faqen gjithandej, në punë e në biznese, në muzikë, në sport, në arte e në shkencë. E shohim këtë në patriotizmin që po shfaqet në rrjetet socialë në të gjithë aspektet dhe që, po kurorëzohet, me këngë të shumta atdhetare, me pamjet më krenarisjellëse të flamurit tonë e deri me improvizimin impresionant të shqiponjës dykrerëshe me anë të duarvet, aq sa atë po e „përgjithësojnë“ edhe individë e grupe individësh që nuk janë shqiptarë.
Shqiptarë të paarrirë, por të mirë, ka me miliona, dhe për ta duhet të kujdeset dikush, përndryshe ata shkrihen në furrën e nxehtë të globalizmit, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Shqiptarë të paarrirë e në shumë raste jo të mirë, por të prirur për të bërë lloj-lloj „trimërirash“, të cilat herët a vonë ua hanë kokën, ka midis nesh me shumicë, aq sa ata në shumë aspekte, po na nxjerrin namin e keq. Ata kanë nevojë për një kujdesje e ndihmë të shumëfishtë. Dy librat e mi, „Strategjia e shqiptarëvet“ dhe „Përkujdesja Gjithshqiptare“, i kanë programuar deri në detaje një të tillë kujdes e një të tillë ndihmë.
Krejt Kombi ka nevojë për një përkujdesje të o r g a n i z u a r !
Përse atëherë nuk po ua vënë veshin këtyre dy librave të paktën ata shqiptarë që duhet të parët t’ua vënë veshin?!
Ata që e ndiejnë se janë diçka dhe vërtet janë, sepse e kanë treguar, o në fushë të kulturës e të dijevet, o në fushë të ekonomisë! A mos po vazhdon të vuajë Kombi ynë nga ndonjë sëmundje tradicionale, e cila na ka katandisur një grusht njerëz?!
Duke pritur që të bëhen të gjallë dhe të më ofrojnë përkrahje në numrin tim të telefonit +355 692567880, ose në imelin tim [email protected], unë këto ditë do të publikoj edhe disa nga përpjekjet e mia të dështuara, jo për fajin tim, por për faj pikërisht të asaj pjese të Kombit Shqiptar, e cila, në të këtillë raste, duhet të veprojë e nuk vepron me përkushtimin e duhur atdhetar.
Gjokë Dabaj, Durrës 1-2 korrik 2018
———————————
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
Në vazhdim lexoni librin ‘Strategjia e shqiptarëvet’, në formatin PDF:
GJOKË DABAJ: STRATEGJIA E SHQIPTARËVET
https://pashtriku.beepworld.de/files/gjoke-dabaj/strategjiaeshqiptarevet.pdf
***
Më poshtë lexoni platformën ‘Përkujdesja gjithshqiptare’ në formatin PDF:
GJOKË DABAJ: PLATFORMË – PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/gjoke%20dabaj%20plaforme%20perkujdesja%20gjithshqiptare.pdf
Postime të Lidhura
GJOKË DABAJ: PËRÇARJA FETARE NDËR SHQIPTARËT NUK ËSHTË TEJKALUAR
Durrës, 01. 10. 2013 – I. Më nxiti për të folur edhe njëherë për këtë problem një shkrim…
ADIL FETAHU: QËNDRIMI I SHQIPTARËVE, SERBËVE DHE GREKËVE NDAJ HEBREJVE
Prishtinë, 18 tetor 2017: Shqiptarët dhe Hebrejtë Shqiptarët dhe Hebrejtë janë dy ndër popujt më të lashtë në…
FATON MEHMETAJ: RISQARIM – BISEDA IME ËSHTË SHTREMBËRUAR NGA GAZETARI V.KAJTAZI
Pashtriku.org, 28. 08. 2012 – (Lidhur me artikullin “AKI-ja e Maksim Ferrës me mbi 50 agjentë në Kosovë”,…
XHELAL ZEJNELI: NDRYSHIMI I HISTORISË SHPIE NË PËRSËRITJEN E SAJ
Shkup, 13 tetor 2020: Historinë duhet ta rishikojnë, jo shqiptarët e sunduar, por sunduesit turq; pra, jo i…