REXHEP KASUMAJ: MENDIM I DJEGUR DËSHIRAK (NJË ANALOGJI E PASHPRESË)

(Berlin, 08. 03. 2013) – A është fare e ndodhshme që, fjala vjen, Grabovci i Partisë Demokratike dhe Beqiri i Lidhjes demokratike, të dyja të Kosovës, të ulen me shqetësim e përkushtim të përbashkët, për të shkruar një libër për sfidat e vendit të tyre? E pamundur! Supozimi do të vente përtej limiteve të logjikës. Do të kredhej krejtësisht në botën fantazmagorike … Për të bërë këtë, ata do të duhej, paraprakisht, të ishin të tjerë, që për fatin e keq të të gjithëve, nuk janë. E ata, prototipat e paqenë, do të mblidhnin pak kulturë, do të linin mënjanë punët e pista, do të heshtnin shqytarët e pakokë në përbaltjen a përgjakjen e rivalizimit politik, nuk do të vinin dorë mbi pasurinë publike, do të shejtnonin votën e lirë, dhe, së fundi, të iluminuar e sherbestarë të sovranit që përfaqësojnë, do të ngriheshin në staturë morale të historisë që ende kërkon e prodhon heronjë…
1.
Duke shpalosur fije të tjerrjes së errtë krijuese, Kadare tregon se, teksa shkruante “Kështjellën”, kishte pasur një dhimbje therëse veshi. Për çudinë e tij, do të vërente më pas se, spontanisht, pa qenë pjesë e gëdhendjes së personazhit, këtë dhimbje ia kishte kaluar dhe gjeneralit turk që udhëhiqte ekspeditën për nënshtrimin e Krujës.
Kur evokoj ndonjëherë këtë shpjegim, vjen lehtas si një pëshpërimë pyetja: a thua dhe analistë të devotë tek shkruajnë kritikisht e me pezm për zhvillimet në Kosovë, bëjnë po këtë gjë? Se Kosova e vërtetë nuk ngjan aspak me produktin e përfytyrimit të tyre opinionist!? Se ajo qenkësh në rregull me demokracinë, me hovin ekonomik, me paqen sociale, me qeverisjen racionale e të moralshme, me kompletimin sovran të pavarësisë!?
Dhe, ndoshta si në laboratorin e derdhjes shpirtërore, ata, padashje e vetishëm, i kalojnë virtualisht dhimbjen individuale miljeut real, të pasqyruar tashmë si dhimbje kolektive!?
Natyrisht këtu nuk flitet për klientelistët, oborrtarët, luledjellësat e shumtë që bëjnë rojë llogoreve të fuqisë politike a të bizneseve të nëndheut… Fundja nëse çdo bibliotekë ka këndin e librave të gënjeshtrës (si shkruan Umberto Eko), aherë, po transponuam këtë në rrafsh jete, do të thoshim se çdo komunitet ka dhe galerinë e gënjeshtarëve…
Do të fokusoheshim, ndërkaq, në atë dorë idealistësh, shkrimet e të cilëve, ç’është e drejta, edhe mund ti përshkojë një moment dëshpërimi, mandej niveli i ndryshëm i arsyetimit, stili, temperamenti, maturimi – por, sërish, faktet tronditëse janë aty. Të paanashkalueshme kudo që shkel e ngado që sheh!..
E keqja, si një kurm i vdekur, sado e stolisur nuk zbukurohet dot.

2.
Më ka rënë ta lexoj diku përgjigjen interesante të një vjershëtori të lashtësisë (Persinos me sa më kujtohet), kur i pyetur për poetin më të madh të kohës thotë: çdonjëri syresh e mban veten për të parin e të mëdhenjëve, kurse Homerin – të dytin pas tij!
Në një çast prehjeje, ndërsa absolvoja me kënaqësi fine radhët e librit ”Sokrati përgjigjet” (të Aleksdander Demandt) do të reflektoja befas për ironinë e spostimit homerik. Fillimisht e pasigurtë, por pastaj gati bindëse, do t’më përftonte analogjia e trishtme: politika dhe titullarët e saj vuanin po të njëjtin delir të madhshtisë kudo në landet shqiptare. Ata janë prore më të mëdhenjtë, e shoqëritë që ata sundojnë janë, rrjedhimisht, më të lumturat në Europë. Mirëpo ky karusel fatkeq, me zhurmat e dritat e tij verbuese, nuk ndalon dot. Sundtarët vijojnë të mashtrojnë suksesshëm në flatrat e emfatizmit bezdisës, ndërkohë që të sunduarit besimlehtë, rëndom, përkunden në transin e snobizmit kolektiv. Dhe, pikërisht së këtejmi hijeson ky soj moskuptimi provincial i hireve të Europës. Anonimiteti, ndonjëherë i shpifur, mandej ftohtësia e falsuar, verniliteti, arbitrarizmi pushtetar, arroganca e parasë, grykësia, meskinëria e përbuzshme, mimikria e ultë, përtallja e dijes, improvizimi absolut – nuk janë postamentë të saj! A nuk dëshmon, pra, njëmendësia e prekshme e përditësisë, krejt të kundërten dhe a mund ti bënte ato të hareshme (si do të thoshte Presidentja e vyer) kjo pikturë trishtuese e realitetit hibrid?
3.
Kisha parë botimin e tij, por vetëm para ca ditësh më ra në dorë libri interersant: ”Ç’duhet bërë. Gjermania 2.0?” (Herder), me autorë Friedrich Merz, i Demokristianëve dhe Wolfgang Clement, i Socialdemokratëve gjermanë. Nuk ishte struktura tematike a niveli i arsyetimit, që e bënin të tjetërsojtë në magjinë tërheqëse. Ai kishte një simbolikë rëndësore, një posibilitet që më përhihej si ëndërr çliruese e mpakëse njëkohësisht!
Ç’e bënte kaq të ndryshëm dhe ç’i jepte këtë status?
Pse janë politikanë që shkruajnë libra? Asgjë e re. Në Europë, për dallim nga Kosova, ata shpesh paraqiten me libra të mëdhenj. Janë të kënduar e të ditur. Shumë prej tyre dhe intelektualë elitarë!
Pse ishte shkruar bashkërisht prej atyre që vinin nga rreth i politikës eprore? Por dhe kjo përvojë nuk është fort e rrallë në kontinentin e shkumëzuar të trazimit dhe dijes!
Veçanësia brilante, e kjo është tema këtij skicë-eseu, qëndronte tjetërkund. Jashtë rrezes shkurtane të përceptimit ballkanës. Libri pretencioz e pak idhnak, mbante, prandaj, autorësinë e dy politikanëve eminentë të dy partive a “dy mëmëdheve” ideologjikë, gjithmonshëm kundërshtarë, që bëjnë krykolonat elektorale dhe të jetës politike gjermane përgjithsisht.
Kishin dorëzuar armët e betejës së ashpër pushtetare a, mbase, dhe vetë zejen e politikës dhe shestonin e hidhnin lirshëm vlerësime për koalicionin e madh të ahershëm, për krizën e Socilademokratëve (komunikim i gabuar, mesazhe difuze, “demobilizim asimetrik” i pësuar nga kampi tjetër), për defektet prijëse të Kancelares Merkel e teza të ngjashme plot kurajo e pasion mbi shtigjet që duhej të çante atdheu i tyre. Ishte arkivuar ai gjiriz vesesh nguctare që di të prodhojë kauza përballëse e partive dhe ishte naltuar virtytshëm interesi madhor kombëtar.
4.
Dhe kjo s’kish si të mos më nxiste, e pakta, një ndjesi inkomoditeti lakmitar. Madje, një smirë të fshehtë tek bluaja mendimin dëshirak që dhe në vendin tim, Kosovë, ku politika ende njëjtësohet me intrigën, të shihja një kulturë të tillë shtetërore. Mirëpo e imagjinoni dot një libër të tillë në Kosovë? A është fare e ndodhshme që, fjala vjen, Grabovci i Partisë Demokratike dhe Beqiri i Lidhjes demokratike, të dyja të Kosovës, të ulen me shqetësim e përkushtim të përbashkët, për të shkruar një libër për sfidat e vendit të tyre? E pamundur! Supozimi do të vente përtej limiteve të logjikës. Do të kredhej krejtësisht në botën fantazmagorike … Për të bërë këtë, ata do të duhej, paraprakisht, të ishin të tjerë, që për fatin e keq të të gjithëve, nuk janë. E ata, prototipat e paqenë, do të mblidhnin pak kulturë, do të linin mënjanë punët e pista, do të heshtnin shqytarët e pakokë në përbaltjen a përgjakjen e rivalizimit politik, nuk do të vinin dorë mbi pasurinë publike, do të shejtnonin votën e lirë, dhe, së fundi, të iluminuar e sherbestarë të sovranit që përfaqësojnë, do të ngriheshin në staturë morale të historisë që ende kërkon e prodhon heronjë… Ndaj, pyetja ngjan paksa e shkretë, sepse dhe përgjigja zhgënjyese ngjan poashtu e rezervuar: ky libër nuk mund të shkruhet në Kosovë! Jo vetëm për kompetencën e munguar intelektuale, por, më tepër akoma, për higjienën e munguar nacionale të prijësve të “Republikës së Rambujesë”!
Vizioni i përlindësit të shpresës, atij që më shumë i jep e më pak i merr atdheut, nuk është trollëzuar ende ndër shqiptarët e shekullit të ri. Kjo fjalë, për habinë e inteligjencies mesatare, ndajgjendet kudo si fjongo e çdo oponence që bëjnë kontrahentë opozitarë apo bashkpunëtorë të rrëzuar, tek thonë se ata paskëshin vizion të pamirë, mbrapshtan, të pasaktë, vetor… Por ajo, padyshim, qarkullon lajthitshëm në trafikun nocioneve politikë. Ata nuk kanë vizion fare.
Janë të dënuar me kënaqësinë që të mos e kenë atë. Dhuntia e tejpamësisë është e largët për ta, apo, si do thoshte Niçe, e pakapshme për thundrat e deleve! Filozofi peripatetik Theofrasti, këshillonte se masës popullore nuk duhet bërë as mirë, e as keq. Sepse të mirën e harrojnë shpejt, kurse të keqen e mbajnë mend gjatë.
Është një paradoks i llojit të vet, por ata, anipse nuk ia kanë dëgjuar kurrë emrin, ndjekin zellshëm, si nxënës të mirë, mësimin e tij. Nuk preferojnë asgjënë. Përkundrazi. Të rrallë a endemikë, siç janë, do të adoptonin, në udhë krejt instinktive e origjinale, alternativën e diferencuar: të bëjnë vetëm keq! Një levë të sigurtë për fronin e tyre të artë do t’ua dhuronte, mjerisht, vetë turma amorfe, kjo specie e pangjashme vetëflijuese…Ndaj ata, duke tejlatuar, si me qesëndi, urtinë antike, nuk frikësohen aspak nga gjatësia e mbamendjes popullore!
Dijetari i shquar, me gjasë, sadoqë cinik në parathënmen e tij, nuk do të ketë pandehur se, mijëra vjet më pas, e keqja e ushtruar me kaq perversitet dhe shpërfillje, nuk do të kujtohet as shkurt, e as gjatë.
Ajo, thjeshtë, durohet qejfërisht!
Si një fat i zgjedhur!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura