Durrës, 04. 07. 2105 – Pasi dështoi komunizmi në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, vëmendja e njerëzimit duhet të kthehet te problemet e kapitalizmit. Dështimi i komunizmit dhe restaurimi i kapitalizmit në vendet ish-komunistë, u bë në mënyrë stihike, duke shkatërruar në radhë të parë vetëdijen, mençurinë njerëzore dhe, pas kësaj ose krahas kësaj, edhe ekonominë. Nuk u bë RESTAURIM I STUDIUAR. Klasa kapitaliste, e cila duhej rikrijuar në vendet ish-komunistë, u rikrijua me metoda johumane. Shaj komunizmin, shkatërro çdo gjë të vlefshme që kish krijuar komunizmi dhe krijo, mbi baza korruptive, një shoqëri dhe një ekonomi të korruptuar.
Po marr vetëm një shembull. Po kërkohet tani “dekriminalizimi” i kastës politike në Republikën e Shqipërisë. Po kërkon SHBA-ja, po kërkon BE-ja. Pyetja shtrohet: Ku ishin SHBA-ja dhe BE-ja kur në Republikën e Shqipërisë po krijohej kjo kastë politike?! Ç’bënin atëherë, dmth, në vitet 1990 e këndej, por edhe më parë, që t’i dilej së keqes përpara, sociologët dhe studiuesit, pastaj pak më vonë emisarët, monitoruesit, udhëzuesit, fundja, presidentët dhe kryeministrat e botës kapitaliste perendimore?! Tani u kujtuan këta ta kërkojnë “dekriminalizimin” dhe a thua do të mund të dekriminalizohet një kastë tërësisht ose pothuaj tërësisht e përlyer?! Apo mos ndoshta bëhet fjalë vetëm për fshehjen, për kamuflimin e krimevet ?! (Fjala krim këtu ka kuptim shumë të zgjeruar.)
Jo vetëm në Republikën e Shqipërisë, por në krejt ish-kampin e quajtur socialist, zotëron e njëjta situatë. Kasta politike, dmth, përfaqësia e klasës së re kapitaliste, filluar prej V.Putinit, a është E DEKRIMINALIZUAR?! Dhe, a i kemi dëgjuar ndonjëherë SHBA-në dhe BE-në të kërkojnë në Moskë dekriminalizimin e kastës politike të atjeshme?! Le ta thotë në Moskë atë që ambasadori i SHBA-së e tha në Tiranë në fushatën e zgjedhjevet!
Tani vijmë te Greqia. Bëhen 2 pyetje themelore:
1.Pse dhe si ia dha Evropa Perendimore gjithato para Greqisë, pa e kontrolluar ku po i çonte Greqia ato para, ku i kish mendtë kapitalizmi evropian?!
2.A vërtet i ka gjë borxh populli grek Evropës Perendimore?!
I përgjigjemi së dytës. Populli grek, pa përfshirë aty plutokracinë greke, nuk i ka kurrfarë borxhi kapitalizmit evroperendimor, marrë në tërësi. Mjafton të llogariten fitimet që ka nxjerrë kapitalizmi evroperendimor, duke i shitur Greqisë mallrat e vet, filluar nga motokorrëset, makinat qepëse, prodhimet plastikë, motoçikletat, veturat, kamionët, kombajnat, llamarinat, tornot, deri te armatimi ushtarak, jashtë çdo përfytyrimi, si sasi dhe si sofistikim. Le të merren zë për zë të gjithë importet që ka kryer Greqia në periudhën, ta zëmë, 20-vjeçare, le të merren eksportet që ka kryer Greqia në drejtim të Evropës Perendimore po në këtë periudhë, të llogariten fitimet e njërës palë dhe tjetrës, të bëhet bilanci i fitimevet, dhe do të shohim që, jo vetëm s’i ka borxh populli grek kapitalizmit europerendimor, por kapitalizmi europerendimor i ka borxh popullit grek, ndoshta 5-fishin.
Pyetjes së parë, pse dhe si ia dha Evropa Perendimore gjithato para Greqisë, shkenca duhet t’i përgjigjet duke nxjerrë si shkak zhvillimin kapitalist të paplanifikuar dhe të pakontrolluar. Nuk është studiuar perspektiva, nuk janë as parashikuar, as parandaluar rreziqet. Nuk është monitoruar në terren shpenzimi i astyre kredive. Ku po investohet? A nxiren dhe për sa kohë nxiren paratë e x-y investimi, pa e rrëzikuar shlyerjen me kohë të këstevet? Madje mund të ndodhë që një kreditor nuk i jep paratë atje ku biznesi i tij konkurohet. Psh, ai i janë dhënë Greqisë më me qejf kredi për ndërtimin e anijevet, apo kredi për blerjen e anijevet?!
Në krejt këtë proces të dhënies së kredivet dhe të keqmbikqyrjes së tyre, shpeshherë edhe me qëllim, kanë përfituar 2 grupe njerëzish, edhe në Evropën Perendimore, edhe në Greqi. Në Evropën Perendimore qarqet shumë të pasur janë pasuruar edhe më shumë, në Greqi është rritur dhe fuqizuar pikërisht klasa e pasur, ajo që edhe i ka kërkuar, në emër të shtetit, në emër të politikës (luftë kundër komunizmit, forcim ushtarak përballë Turqisë myslimane), në emër të strategjisë, huatë dhe kreditë njerën pas tjetrës. Sot 600 apo 700 miliardë euro të plutokracisë greke ndodhen nëpër banka, ndërsa Evropa Perendimore i kërkon shtetit grek pakësimin e pensionevet dhe të rrogavet. Pse nuk ndërmerr klasa kapitaliste europerendimore, me anë të shtetevet, shpronësimin e klasës kapitaliste greke, deri në lukuidimin e së quajturit “borxh”?! Dua të them: Pse nuk po kërkohet DEKRIMINALIZIMI i asaj pjese të shoqërisë greke, e cila, në mënyrë abuzive, ka shfrytëzuar fondet e taksapaguesvet europerendimorë?! Nuk kërkon, sepse ka frikën e vetes. Sorra sorrës nuk ia nxjerr sytë.
Vijmë kështu në përfundime tejet të frikshëm. Nuk janë të INKRIMINUAR vetëm politikanët në ish-vendet komunistë. Është i INKRIMINUAR krejt kreu i klasës kapialiste evropiane, amerikane dhe botërore. (Sigurisht, me kuptimin më të gjërë dhe më të mirëfilltë të fjalës krim.)
Kapitalizmi klasik është në krizë. Pas dekompozimit të komunizmit, i cili kish defekte që në doktrinë (psh, kërkonte zhdukjen e pronës private, duke mos mbajtur parasysh që keqpërdoruesit e pronës private do t’i suleshin edhe më me lakmi pronës së përbashkët), ka shenja të qartë tashmë që edhe kapitalizmi klasik po rihyn me shpejtësi në të njëjtën krizë si pat hyrë disa herë deri në vitet 1932 e 1933, vite që u pasuan me diktatura dhe që e çuan botën në kasaphanë. Jemi në prag të krizavet të mëdha, veçse tash kasaphana as që do të mund të krahasohet me atë të Luftës së Dytë.
Nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveç reformimit tepër serioz të rendit të sotëm shoqëror dhe ekonomik, duke filluar nga krijimi i bindjevet, që ky rend nuk e çon njerëzimin drejt kurrfarë progresi, dhe duke krijuar një TEORI TË RE të nxjerrjes së shoqërisë njerëzore nga kolapsi. Teoria e re duhet të përhapet jo më me organizma e celula partishë, por nëpërmjet një RELIGJIONI TË RI, kompilim i religjionevet të mëparshëm, por i zhveshur nga çdo lloj misticizmi. Kjo është e vetmja rrugë. Të gjitha rrugët e tjera janë arnime rrobash të grisura.
David Icke Puts events in Tunisia, France and Greece into Context, On The Richie Allen Show