Durrë, 26 shkurt 2021: Shqipërinë, nëse është për t’u bashkuar, do ta bashkojnë shqiptarët e vetëdijshëm. Nëse nuk është për t’u bashkuar, prit të copëtohen edhe këto dy pjesë të Shqipërisë, që sot quhen shtete!
Republika e Shqipërisë ka rrëzik të copëtohet, sepse pretendimet e Greqisë janë të përditshëm: Në Dropull, në Himarë, në Gjirokastër, në Përmet, në Korçë, pa pasur as edhe një mbështetje të arsyeshme. Pretendimet e shtetevet sllavë, Sërbi, Mali i Zi, Bullgari, janë të pranishëm dhe sistematikë: Në Shkodër, në Dibër, në Korçë, deri edhe në Librazhd e Elbasan, pa pasur as edhe një mbështetje të arsyeshme.
Në Republikën e Kosovës po punohet ditë e natë që ajo të copëtohet. Po sajohen gjithfarë “zajednicash”, deri edhe te bashkimi i ortodoksëvet sërbë me myslimanët të quajtur “boshnjakë”, bashkim e bashkëpunim, i cili nuk ka ekzistuar kurrë më parë.
Ndërkohë, cila është veprimtaria e shqiptarëvet, me synimin për ta bashkuar atdheun tonë në një shtet të vetëm? Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishte degë të Lidhjes në të gjithë qytetet e Shqipërisë, që nga Peja e Ulqini, deri në Janinë e Prevezë. A e kemi sot një organizim të tillë?!
Punët do të duheshin filluar nga ajo pjesë e Shqipërisë, e cila ka mbi 100 vjet jetë shteti. Dëshira për të pasur një shet të plotë shqiptar duhej të fillonte në Tiranë dhe prej këndej të përhapej në pjesët e tjera të Shqipërisë. Kjo duhej të ishte ecuria e natyrshme e një procesi të rikohezionimit të kombit shqiptar, mbasi ai u copëzua, në vitin 1913, në mënyrë aq të panjerëzishme. Por nuk ndodhi kështu, midis të tjerash, edhe nga druajtja se mos Republika e Shqipërisë akuzohej si shkaktare e “destabilizimit” të rajonit. Si mund të gjykohet aq miopisht dhe aq qyqarisht?! Kush ishte dhe është shkaktar i destabilizimit, ne apo ata që na e kanë copëtuar atdheun?!
Gjithsesi, me sakrifica shumë të mëdha… Po e përsëris: Me sakrifica shumë të mëdha, sa s’tregohet as me gojë, as me mijëra faqe të shkruara, u arrit që, në shekullin XXI shqiptarët të kenë dy shtete, dhe, përveç gjysmës së Shqipërisë Jugore, që po e mban të pushtuar Greqia pa u dhënë shqiptarëvet asnjë të drejtë kombëtare, u arrit që shqiptarët në Republikën e Maqedonisë Veriore, në Republikën e Malit të Zi dhe ata të mbetur në Republikën e Sërbisë, t’i kenë, qoftë edhe formalisht, disa të drejta.
Tani ka ardhur koha kur kombi shqiptar, o duhet të ketë një program të vetin, qartësisht të përcaktuar, ose të mbetet përsëri në shpresën e organizimevet parcialë: organizime copa-copa, të cilët, sado të përpiqen, nuk e shpëtojnë dot kombin nga rreziqet.
Në median elektronike po shfaqen gjithandej hartat e një Shqipërie të plotë. Madje, u arrit që, në mes të Beogradit, të fluturonte një dron me hartën pikërisht të kësaj Shqipërie, shoqëruar prej dy nga kryepersonalitetet e shquar të kombit tonë, prej Ismail Qemalit dhe prej Isa Boletinit. Ishte një ngjarje vërtet e bukur dhe e denjë për t’u shënuar në historinë e kombit tonë. Por kjo as përafërsisht nuk është e mjaftueshme!
Në radhë të parë brenda Republikës së Shqipërisë, aty ku shqiptarët nuk kanë pse të kenë frikë prej askujt, lëvizja për bashkim kombëtar nuk është as përafërsisht atje ku duhet. Nuk ka organizata patriotike me synim bashkimin e kombit në një shtet të vetëm, as në Tiranë, as në Shkodër, as në Vlorë, as në Korçë, as në Fier. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka parti që të ketë në programin e vet idealin e bashkimit të shqiptarëvet në një shtet të vetëm, me përjashtim të së quajturës “parti e çamëvet“, e cila, jo për faj të saj, s’është në gjendje të sigurojë në parlament as aq deputetë sa ç’i siguron partia artificiale e “komunitetit“ artificial të grekëvet.
Në Tiranë dhe nëpër rrethe dalin me dhjetëra gazeta në gjuhën shqipe, por asnjëra prej këtyre gazetave nuk e trajton çështjen e bashkimit kombëtar me preokupimin dhe me seriozitetin e duhur. Përkundrazi, me shumë keqardhje jemi të detyruar të pranojmë që, redaksitë, qoftë edhe pronarët e këtyre gazetave, bashkimin e kombit tonë në një shtet të vetëm, nuk e kanë as në cep të mendjes. Po kështu edhe televizionet, të cilët në Republikën e Shqipërisë nuk janë të pakët.
Atëherë, si ta quajmë këtë mentalitet tonin, në një kohë kur kombet rrotull nesh, por edhe kombe të tjerë, s’po lënë mënyrë pa përdorur kundër kombit tonë, me synimin që tokat tona të bëhen toka të tyret?!
Unë jam shumë i shqetësuar, por më e keqja nuk është te shqetësimi im apo i shqiptarëvet të tjerë që mendojnë si unë. Më e keqja është se, as ne që mendojmë, flasim dhe shkruajmë për këta probleme, nuk po mund të bashkohemi! Kush do ta bashkojë Shqipërinë, nëse ne që ditë për ditë po flasim për bashkimin, nuk po bashkohemi?!
Durrës, më 26 shkurt 2021