GJOKË DABAJ: KËRCËNIMI BËRTHAMOR RUS DHE PERËNDIMI

Durrës, 23. 03. 2015 – Me Perëndim kuptojmë, në këtë rast, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës. I quajturi „Bashkim Evropian“, për fatin tonë të keq, nuk është I BASHKUAR. Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë në defensivë. Pra, në ritiratë, në tërheqje, duke përdorur manovra diplomatike me efekte të përkohshëm, manovra financiare dhe ekonomike, si dhe skema e skenarë të shërbimevet sekretë. Këtë gjendje të sëmurë të Perendimit, sado që edhe vetë është e sëmurë, oligarkia ruse e ka kuptuar mirë dhe prandaj edhe po e shfrytëzon rastin. Hyri në Krime pa i hyrë ferrë në këmbë. Tha se po i çlironte „tokën e vet“ dhe „popullin e vet“ dhe askush nuk pyeti, nuk i shtroi pyetjet, madje nuk guxoi të pyesë: „Që kur kështu, u bë tokë ruse toka e Krimesë?!“ dhe „Që kur ka ardhur në Krime ai popull rus?!“ Sepse, banorë rusë ka edhe në Moldavi, ka edhe në Letoni e Estoni, por ka edhe në Berlin.
Tani, mbasi e mori Krimenë, Putini po rrëfehet, po deklaron, qoftë edhe nëpërmjet të tjerëvet, se, në qoftë se do ta kundërshtonte dikush (me armë) aneksimin e Krimesë, „i kish në gatishmeri ARMËT BËRTHAMORE“.
Pse po bëhen këto deklarata?!
Për pjesën e kthjellët të njerëzimit çdo gjë është e qartë: Rusia, e sunduar dhe e përfaqësuar sot prej V.Putinit, po përgatitet të përparojë në rrugën e vet të invazionit, politik, ekonomik e, në vazhdim, edhe ushtarak. Pasi e shfrytëzoi „votën e lirë“ të rusëvet të Krimesë, ai tash mund të shfrytëzojë edhe „të drejtat legjitime“ të Sërbisë: mbi Kosovën, mbi Malin e Zi, mbi qëllimisht të pastabiluzuarën Ish-Rep. Jugosllave të Maqedonisë etj. Sapo ia dha Sërbisë 2 miliardë euro, jo për të përmirësuar ekonominë e popullit sërb, por për t’u riarmatosur, ose, më mirë të themi, për t’u mbiarmatosur, për t’u superarmatosur.

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Në Mal të Zi mjafton të ndodhë një „rotacion“ në zgjedhjet e përgjithshme dhe shteti malazias të bashkohet faktikisht me Sërbinë. Le të „nxitohet“ sa të dojë Perendimi për ta „rreshtuar“ në NATO Malin e Zi „me procedurë më të shpejtë“! Del Franca dhe e pengon NATO-n, ashtu siç e pengoi para 15 vjetësh për të hyrë në Mirtovicën e Veriut.
Në këtë mënyrë, Rusisë i rri e hapur rruga për të dalë në Adriatik, pra, për ta pasur në dorë krejt Detin e Mesdheut, nëpërmjet korridorit tokësor Sërbi-Mali i Zi. Tivarin e shndërron saora në bazë detare, Grykat e Kotorrit i ka „strehim natyral“ për anijet e luftës. Ka pengesë, si ferrat nëpër këmbë, vetëm ne shqiptarët, por edhe ne na e gjen „dermanin“.
Në ndërkohë, BE-ja, me këtë rrugë që ka nisur, mund të shpërbëhet shumë më shpejt se ç’i është dashur për t’u krijuar. Anglia, tashmë, disa herë ka deklaruar (ose kërcënuar) se mund të ndahet. Greqinë mezi po e mban Gjermania, ndërkohë që grekët s’po pushojnë së mjeluri Evropën, duke i bërë shantazhe pas shantazhesh.
Pothuajse e njëjta situatë është edhe në NATO. Dihet që peshën kryesore të financimit të NATO-s, rreth 80%, e ka mbajtur dhe vazhdon ta mbajë SHBA-ja. Mirëpo, ajo SHBA, në kohën tonë, siç e thashë, ndodhet në defensivë, sepse ka shumë probleme, si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Kur ajo, pra SHBA-ja, nuk e ndali dot pushtimin e Krimesë, pse të shpresojmë që do ta ndalë, që nuk do ta lejojë pushtimin rus në çfarëdo mënyre, edhe të Ballkanit?! Fundja, Mesdheu nuk është det i Amerikës! As Ballkani s’është i Amerikës!Duke shfrytëzuar, siç ka bërë edhe në të kaluarën Rusia Cariste, këtë situatë divergjencash meskine në Botën Perendimore, Rusia e sotme e ka fare lehtë të bëjë politikë etno-nacionakiste në Sërbi, në Mal të Zi dhe midis bullgarëvet dhe, në të njëjtën kohë, t’i trembë Fuqitë Perendimore me arsenalin e vet atomik. Kështu, në një ditë me mjegull, Sërbia do ta ketë të lehtë ta riinvadojë Kosovën, me parullën “për të çliruar vëllezërit sërbë”. Bëhet desanti në të quajturat “komuna sërbe” dhe Bonstilli i Farizajit nuk hyn në punë për asgjë. Le të rrijë Bonstilli aty! Në dashtë edhe le të largohet, ashtu siç ka ardhur! Kujt po ia mban të intervenojë përballë rrëzikut për Njujorkun e Vashingtonin!? Greqia, në anë tjetër, i rri gati gjysmës tjetër të Shqipërisë Jugore, pjesës që s’e ka pushtuar dot në vitin 1913. Tani së fundmi vendosi prapë t’u japë nga 360 euro në muaj atyre plakave e pleqve shqiptarë që deklarohen si grekë. Edhe unë i thashë sime shoqeje, me një humor tepër të hidhur: “Regjostrohu, more, edhe ti si greke! Unë malazias, ti greke!”
Ç’do të bëjë dhe ç’mund të bëjë Evropa e PABASHKUAR, kur Ballkani, një ditë pa pritur, të gjendet në duart e prorusëvet dhe kur Rusia të lëvizë lirisht me flotën e vet detare (siç edhe po lëviz me flotën ajrore), nga Adriatiku deri në Gjibraltar?! Ç’do të bëjë e ç’mund të bëjë një Evropë e PABASHKUAR, duke u kërcënuar, terrorizuar apo invaduar edhe nga grupe ekstremistësh islamikë, në të njëjtën kohë kur Rusia vazhdon punët e veta, si në kohët kur po kjo Evropë e kish havale Perandorinë Osmane?! Tabloja është fare e qartë: Evropa realisht e PABASHKUAR do të bëjë përunjësisht atë ç’i thotë Rusia. Duan, Rusia dhe prorusët, të mos bëjnë hair shqiptarët, të mos e marrin kurrë veten shqiptarët?! Ashtu do të bëhet! Duan, Rusia dhe prorusët, të mos ndjehen të gjallë myslimanët e Bosnjës (sikur të gjitha të këqiat vetëm prej tyre u vijnë evropianëvet)?! Ashtu do të bëhet!! Praktikisht, një Evropë e PABASHKUAR do të vazhdojë të jetojë nën tekat dhe nën mëshirën Rusisë Pravosllave, ashtu siç jeton një prostitutë nën tekat e meshkujvet të pamoralshëm.
E kam thënë edhe herë tjetër: E vetmja rrugë për ta „qetësuar” oreksin barbar të multimiliarderëvet të Rusisë, do të ishte që multimiliarderët e Perendimit ta mbledhin veten, t’i shikojnë më me përgjegjësi interesat e popujvet të vet dhe të krijojnë një shtet TË CENTRALIZUAR. Kryqyteti i atij shteti, për 1000 arsye, duhet të jetë Berlini. Ballkani duhet kooptuar ngutshëm në atë shtet TË CENTRALIZUAR dhe Turqia, gjithashtu për 1000 arsye, duhet të bëhet pjesë e atij shteti. Në të kundërt, s’ka për të mbetur gjë pa u përdorur, që nga shantazhet politikë, nacionalë e fetarë, deri te armët kimike, bakterologjike dhe atomike dhe njerëzimi do të përjetojë tmerre që nuk arrin dot t’i korrnizojë asnjë lloj përfytyrimi.
Ç’mund të ndodhë tjetër, kur fatin e njerëzimit tashmë e kanë marrë në dorë, jo forcat progresiste, por, më një anë multimiliarderët barbarë e m’anë tjetër multimiliarderët përjetësisht meskinë e dredharakë?! Forcavet progresiste botërore u bëjnë thirrje zërat lemeritës të viktimavet të ardhshme: “Gjeni rrugë dhe organizohuni për t’i ndalur KATASTROFAT!”

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura