GJOKË DABAJ: LETËR E HAPUR ED RAMËS ME RASTIN E DITËS SË FLAMURIT

Pashtriku.org, 19. 11. 2014 – (ZOTIT ED RAMA, KRYEMINISTËR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË – T I R A N Ë / LETËR E HAPUR) – I dashuri Edi! Të kam dërguar deri tani 7 letra, por veshi i kabinetit tënd dhe i yti më kanë rezultuar të shurdhër ose gjysmë të shurdhër (me përgjigje formale). Të thashë në letrën e fundit që burokracia i ka muret më të trashë se cilado kështjellë e Mesjetës, prandaj edhe nuk çuditem fort që ka ndodhur kështu me letrat e mia. Po në letrën e fundit të kam thënë edhe se të konsideroj si kryeministrin shqiptar më SHPRESËDHËNËS në këta 2 dhjetëvjetësha. Këtë konsideratë timen e kam shprehur edhe në media, gjë që, në mos daltë kështu, do të përbënte kosto edhe për mua.
Tani, meqë në fund të këtij muaji kemi FESTËN E FLAMURIT (dhe për mua kjo është dita më e shenjtë e shqiptarëvet), vendosa që letrën e tetë të ta bëj të hapur.
Në kokën time gjallon një numër jo i vogël mendimesh e ideshë, të cilat mendoj që ti, si kryeministër i një pjese të shqiptarëve, duhet në radhë TË PARË t’i njohësh, në radhë TË DYTË, pas analizavet, doemos dashamirëse, jo ndaj meje por ndaj Atdheut dhe Kombit, nëse janë për t’u pranuar, t’i pranosh si mendime të vlefshëm, dhe në radhë TË TRETË, të ndërmarrësh masat e përshtatshme për t’i vënë në jetë. (Pa këtë të tretën, asgjë s’do të kish kurrfarë vlere.)

——————————–
Por, para se të t’i parashtroj, në formë konspekti, gati si tituj, një pjesë të idevet të mia, dua të ta tërheq vëmendjen te një ligjësi e përgjithshme, botërore: Që të kryhet një punë me sukses, është e domosdoshme të zbulohet dhe të zbatohet një veprim THEMELOR, i ashtuquajturi ÇELËSI I SUKSESIT. Ne shqiptarët i themi kësaj pune, ta kapësh demin për brirësh e jo për bishti.
1. Aleksandri i Madh, thonë, krijoi falangat dhe ato ishin “sekreti”, dmth çelësi i të gjitha fitoreve të tija.
2. Sulltanët osmanë, në luftërat e tyre, zbatuan mënyra të reja, psh. formacionet e jeniçerëvet, dhe prandaj korrën suksese për një kohë të gjatë.
3. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i ynë pat sukses të jashtzakonshëm, sepse, gjatë rrethimevet që i bënin sulltanët Krujës, ai qëndronte jashtë rrethimit dhe në atë mënyrë kthehej në rrethues të rrethuesvet.
4. Napoleon Bonaparti, midis tjerash, veproi në mënyrë novatore me artilerinë dhe, falë pikërisht kësaj risie ushtarake, arriti deri në Moskë.
5. Udhëheqjet komuniste të revolucionevet, në shekullin XX, kishin në themel të strategjisë së tyre, taktikën e luftës partizane dhe krijimin e organevet të pushtetit vendor.
6. Në historinë e religjionevet ka 3 elementë që përfaqësojnë, që përbëjnë, çelësin e jetëgjatësisë së tyre: një doktrinë TË SHKRUAR, një udhëheqje QENDRORE dhe njësitë VENDORE, sinagoga, kisha, xhami etj.
7. Në praktikën time si mësues e kam pasur gjithmonë parasysh këtë parim të rëndësishëm: Të gjej mënyrën më efikase, që nxënësit e mi të marrin edukatë e dije të qëndrueshme. Prandaj dhe jam sot qytetar nderi në vendin ku kam punuar.

—————————–
Tani, siç e thashë në fillim, po t‘i parashtroj në formë konspekti idetë që unë dëshiroj t’i shqyrtosh ti me seriozitetin e duhur.
1. Procesi i shkërmoqjes, i shpërbërjes së Kombit tonë, nuk mund të ndalet me asnjë formë tjetër, më mirë se me krijimin e institucionit të PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE dhe, si organe zbatues të asaj Përkujdesjeje, krijimin e njësivet përkatëse vendore, që unë i kam quajtur FJALËMIRA TË GJUHËS SHQIPE. Unë nuk kërkoj që ta krijosh ti këtë lloj institucioni, i cili u ka munguar iliro-arbro-shqiptarëve e pakta për 2000 vjet, por kërkoj që ti ta PËRKRAHËSH këtë nismë, gjithsesi jetike për të ardhshmen e shqiptarëvet.
2. Çelësi i daljes së bujqësisë sonë nga kriza ku e futën komunistët e dështuar, është krijimi në vendin tonë i pronavet bujqësore-blegtorale 10-HEKTARËSHE. Një projekt-ide më të zgjëruar ia kam dërguar Ministrit të Bujqësisë, zotit E.Panariti.
3. Arsimi ynë do ta ketë vështirë, madje të pamundur, të dalë nga kolapsi ku e futi restaurimi stihik, pa kurrfarë projekti shkencor, i kapitalizmit, nëse nuk do të përdoret metoda e MARRJES NË DORËZIM të nxënësvet, të paktën deri në mbarim të klasës së pestë. Më gjërësisht e kam publikuar këtë ide në disa organe të medias.
4. Drejtësia shqiptare nuk del dot nga qorrsokaku i korrupsionit pa u vënë në zbatim, me rrugë kushtetuese, të konsideruarit I PANDEHUR i gjykatësit, ndaj gjykimit të cilit është bërë ankimimi. Një gjykatës i shkallës më të ulët, kundër gjykimit të të cilit është bërë ankimim, duhet të merret në shkallën e dytë si I PANDEHUR. Arsyetimi është ky: Librat e ligjevet i ka pasur mbi tavolinë. S’kish arsye juridike për të gjykuar shtrembët.

———————
Këto janë 4 çështje, të cilat kërkojnë shqyrtime të hollësishëm dhe, pasi të jenë shqyrtuar, jo me miopinë e zakonshme të burokratëvet megalomanë, por me syçeltësinë e njerëzvet që e shikojnë me dashamirësi mendimin e tjetrit, t’i hyhet hartimit të legjislacionit përkatës dhe zbatimit praktik të tyre.
Nuk është nevoja të zgjatemi më tepër. Në këtë DITË të shenjtë TË FLAMURIT, mua s’më mbetet tjetër, veçse të pres një angazhim pozitiv dhe një qasje konstruktive nga ana jote, së pari si person me vizione të lakmueshëm dhe së dyti si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Them kështu, sepse të gjitha këto që i shkrova, janë shumë të qarta dhe shumë të thjeshta për t’u kuptuar dhe, veç kësaj, nuk po shtroj këtu ndonjë hall vetjak, timin ose të familjes sime.
Gëzuar DITËN E FLAMURIT, që është festa më e madhe e të gjithë shqiptarëve, dhe gëzuar 29 NËNTORIN, i cili, ndonëse shënon çlirimin e vetëm një pjese të shqiptarëve, e ka vendin e vet të nderuar në historinë e Kombit tonë!
Miqësisht,
GJOKË DABAJ
Fshati PJEZË, S H I J A K
Email: [email protected]
Cel: 0692567880
17 nëntor 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura