GJOKË DABAJ: REXHEP QOSJA, PËRFAQËSUES I INFANTILIZMIT NË MENDIMIN PATRIOTIK SHQIPTAR TË SHEKULLIT XXI

Durrës, 27. 01. 2017: Thelbi i këtij infantilizmi është ky: E kemi humbur Mitrovicën Veriore, sepse shumica e banorëvet të saj na qenkan tashmë sërbë! Hajde ta mbledhim veten dhe të ruajmë Mitrovicën Jugore! E kemi humbur pjesën më të madhe të Shkupit, sepse aty tashmë na banokan slavë! Hajde të shpëtojmë të paktën një lagje, që fatmirësisht banohet ende prej shqiptarësh! E kemi humbur Ohrin, hajde të mbrojmë Strugën! E kemi humbur Tivarin, hajde të mbrojmë Ulqinin! Na ka ikur Vranja, të marrim të paktën Preshevën!
Infantilizëm do të thotë gjykim fëmijëror dhe dihet që fëmijët, me këtë lloj gjykimi, i humbin të gjitha. Na e bënë një gol! O burra, tërhiqemi të gjithë te porta, që të mos na bëjnë gola të tjerë! …Dhe pastaj grindu njëri me tjetrin!
Nuk do të kisha folur më për Rexhepin, sepse i kam publikuar dy shkrime dhe ai, besoj unë, duhet të jetë i qartë për çka kam shkruar dhe pse kam shkruar ashtu. Por e keqja më e madhe është, se Rexhepi nuk është i vetmi intelektual i yni i mbërthyer për fyti kaq rrëzikshëm prej këtij lloj handikapi. Prandaj dhe po i lutem lexuesit që ta konceptojë problemin në krejt kompleksitetin e tij, shtruar për t’u kuptuar së pari drejt dhe pastaj edhe për t’u zgjidhur mençurisht dhe jo si fëmijë.

Nëse është për t’u besuar gazetavet, të cilat janë bërë tashmë të neveritshme me ca tekste analfabetësh, Akademiku Rexhep Qosja ka thënë mes tjerash kështu: “Do të doja ta shpëtoja Kosovën prej shtetit të quajtur Bashkësi e Komunavet Sërbe.” (Cili shqiptar i vërtetë nuk do të donte?!) “T’i jepet Sërbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me sërbë, të cilëvet do të mund t’u bashkohen edhe sërbët e visevet të tjerë të Kosovës.” (Posi! E vogël!)
“Propozimin tim e kam botuar disa herë para 30 vjetësh.“
Puna arrin deri atje sa të shkruhet: „Akademiku ka thënë se do të ishte i gatshëm që ta bisedonte me sërbët çështjen e kufijvet.“ (Pra, Rexhep Qosja merr përsipër rolin e një Cen Kryeziu, në kohën kur Sërbia nuk po pranon as ta njohë Republikën e Kosovës!)
Përdoret shprehja „mbi shkëmbimin e territorevet Kosovë-Sërbi“. (Në të vërtetë, i ofrohet Sërbisë një copë tjetër Kosove, duke qenë qysh më parë i sigurt që s’ka për ta marrë kurrë atë që pretendon.)
Në adresë të atyre që nuk janë të një mendimi me Akademikun, lëshohet akuza sarkastike: „që na e dhurojnë mendjet që mendojnë vetëm sot për sot dhe që shohin vetëm deri te kthesa e parë.“
Madje, për kundërshtarët e mendimit të tij, ku do të nënkuptohej edhe z.P.Majko, Profesori shprehet prapë sarkastikisht: „Nuk dua të mendoj që kjo politikë është e frymëzuar më parë prej propagandës së atyre që gëzojnë frytet e tregtisë së zezë të mafisë sërbe dhe të mafisë shqiptare me Mitrovicën Veriore sesa të mendjepaktësisë e të padijes.“
Kur i lexon këta fragmente, njeriut tonë i lindin një varg pyetjesh. A ekzistonte para 30 vjetësh Bashkësia e Komunavet Sërbe, prej të cilavet paska dashur ta shpëtojë Kosovën Profesori ynë? E thashë, mund të jenë lajthitje të gazetarëvet, por nëse R.Qosja e ka pasë qysh atëherë idenë për t’ia dhënë Mitrovicën Veriore Sërbisë, atëherë qëllimi paska qenë diç tjetër! Jo për ta shpëtuar Kosovën nga “shtetet e vegjël sërbë”, por diç tjetër!
Te shprehja “(sërbëvet e Mitrovicës Veriore) t’u bashkohen edhe sërbët e visevet të tjerë të Kosovës”, nënkuptohet një zhvendosje e popullsisë sërbe nga jugu drejt veriut. Kështu, sërbët e Graçanicës, të Gjilanit, të Lipjanit e të Brezovicës, madje edhe të Çagllavicës, u dashka të shpërngulen dhe të kalojnë përtej Urës së Ibrit. Më saktë, përtej murit që po e ndërtojnë sërbët. Por, a do të pranojnë ata të shpërngulen?!
Ta zëmë se u bë edhe kjo shpërngulje. Po me sllavishtfolësit e Dragashit dhe me ashkalinjtë, ç’ka menduar të bëjë Profesori?! A e di ai që Sërbia nuk do të përtojë aspak t’u japë nga një rrogë të gjithë goranëvet, jo vetëm të Dragashit, por edhe atyre të Shishtavecit, duke e anashkaluar faktin që ata janë të besimit mysliman, vetëm e vetëm që ata të deklarohen prosërbë?! E dimë që sërbët i shqetësojnë shumë më tepër myslimanët që flasin shqip, sesa myslimanët që flasin sllavisht. Të paktën deri sa t’i shtien në thes. Kështu, në një kohë tjetër, Sërbia do të kërkojë “të drejtat e veta” “territoriale” edhe në Prizren e Kukës. Profesori i njeh mirë dinakëritë e sërbëvet dhe të sllavëvet në përgjithësi, po edhe të grekëvet. Si është e mundur të mendojë se, duke i dhuruar Sërbisë Mitrovicën Veriore, shpëtohet Kosova prej lakmisë sërbe?!
Ai e di fort mirë që, në janar të vitit 1943, çetnikët bënë masakrën më të përbindshme mbi krahinën e Bihorit, duke u marrë jetën brenda një nate më shumë se shtatë mijë shqiptarëvet. Dhe, nëse është largpamës, nëse nuk mendon “sot për nesër”, ai duhet ta kuptojë që sllavët, në këtë rast malazezët, po duan ta marrin sot gjysmën e Rugovës, jo për ta përdorur për kullotë, as për turizëm, por për ta pasur më lehtë, në një rast të volitshëm, që ta shfarosin edhe Rugovën si Bihorin. Ta bëjnë edhe Rugovë si Bihorin, po them, në mënyrë që t’i afrohen edhe më shumë Patrikanës së Pejës. Me genocidin e Bihorit, e më parë edhe me zhbërjen e Nokshiqit, sllavët kanë mundur ta kthejnë në sllavishtfolëse edhe një pjesë të Rozhajës dhe Plavën, e pakta deri në Hot, ku deri vonë është folur shqip, ndërsa Dacajt, nën gjithatë presion, kanë pushuar tashmë së ekzistuari. O Zoti i Madh i Shqiptarëvet! A vërtet mendon Rexhepi se, duke i dhuruar Sërbisë Mitrovicën Veriore, u pritet rruga të gjitha këtyre mizorive?!
Kam shkruar aty më parë lidhur me pazarin atdheposhtërues që ka bërë Ahmet Zogu me sërbët për Shën Naumin dhe për Vërmoshin. Midis pazarit që kërkon të bëjë Profesori ynë me të njëjtët sërbë dhe atij të Ahmet Zogut, ka fare pak dallim dhe ka shumë ngjashmëri. Dallimi është se Ahmet Zogu nuk kërkoi prej sërbëvet t’i japin Preshevën dhe as ndonjë copë tjetër të Shqipërisë, por kërkoi t’i japin pushtetin në Tiranë. Sërbët ia dhanë mundësinë Ahmet Zogut për ta marrë Tiranën, por me kusht që Vërmoshi e Shën Naumi t’u jepen sërbëvet, ndërsa në Tiranë xhandarmëria të komandohej prej sërbëvet. Përse e kërkuan sërbët pikërisht Vërmoshin? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Që Vuthajvet as të mos u shkojë në mendje ta quajnë veten pjesë e Shqipërisë. Dallim tjetër midis Akademikut tonë dhe Ahmet Zogut është se ky nuk po kërkon prej sërbëvet pushtet shtetëror, por po kërkon të njihet si bamirës, si shpëtimtar i Kosovës dhe i Anamoravës.
Dhe unë vërtet po çuditem: A beson ky njeri, pas një përvoje përballjeje aq të gjatë me sllavët shqiptarofobë, se, duke ia dhënë Sërbisë Mitrovicën Veriore, e çliron Anamoravën?! Mitrovica Veriore, me një të hedhur firme, bëhet tokë e shtetit sërb, sepse krejt supestruktura atje është e gatshme. Por, a do të mund të hynte Anamorava aq thjeshtë nën kufijtë e Republikës së Kosovës?! Në Bujanovc dhe në Medvegjë ka edhe sërbë. A do të pranojnë sërbët e Bujanovcit e të Medvegjës t’i bashkohen Republikës së Kosovës? Apo do t’i shpërngulim edhe ata drejt veriperendimit?! Në kufi me Republikën e Kosovës, pra, në territorin shqiptar të Anamoravës, po ndërtohet një bazë e madhe ushtarake, e financuar fuqishëm prej Rusisë. A do të tërhiqet ajo ushtri sërbe, madje sërbo-ruse, nga ajo bazë, sapo të mbarojnë “bisedimet” për “shkëmbimin” e territorevet? Kush do ta detyrojë Sërbinë t’ia dorëzojë faktikisht Anamoravën Republikës së Kosovës? A Zonja F.Mogerini, që puthet aq lezeçëm me A.Vuçiqin?!
Një përkrahës i Rexhepit më thotë mua në fejzbuk se po shikoj ëndrra. Kush po shikon ëndrra, zotëri?!
Profesori ynë duhet ta dijë që Bullgaria u ka dhënë shtetësi bullgare të gjithë gollobordasvet sllavishtfolës, banorë të Republikës së Shqipërisë. (Sigurisht, atyre që e kanë kërkuar dhe ata janë shumica.) Madje, jo vetëm sllavishtfolësvet, por edhe shqiptarëvet të Librazhdit, Prrenjasit dhe Elbasanit. Ndoshta edhe Pogradecit e Dibrës. Mjafton që kërkuesit e asaj shtetësie të deklarohen me kombësi bullgare, të marrin një banesë me qera diku në Bullgari, dhe, s’ka aspak rëndësi, rrojnë apo nuk rrojnë në atë banesë, mjafton të regjistrohen si banorë rezidentë dhe bëhen automatikisht shtetas bullgarë.
Përse e bën këtë Bullgaria?! A për humanizëm?! Rexhepi do të thotë: E bën mafia. Po a s’është mafi edhe kjo e Sërbisë, që ua ka blerë e po ua blen tokat shqiptarëvet, vetëm e vetëm për t’i dëbuar nga Mitrovica Veriore?!
Profesori ynë duhet ta dijë që një fshat i vogël në breg të Liqenit të Prespës, vendlindja e Sterjo Spasses, është kthyer tanimë në një faktor të rëndësishëm elektoral në IRJM, në favor të partivet joshqiptare. Banorët e atij fshati, që i thonë Pustec dhe të cilit Republika e Shqipërisë ia ka dhënë të gjithë atributet e pushtetit autonom lokal, jo vetëm kanë marrë shtetësi “maqedone”, por votojnë që të gjithë, atje ku partitë sllavomaqedone kanë më shumë përballje me shqiptarët. Këtu, në Republikën e Shqipërisë, i gëzojnë të gjitha të dejtat për autonomi nacionale, atje, në IRJM, i gëzojnë të gjitha “të drejtat” për subversion antishqiptar! A do të na propozojë ndonjë ditë Profesori ynë që t’ia japim Pustecin IRJM-së, në këmbim ta zëmë të një fshati thjeshtë shqiptar, në pastë mbetur diku në zonën e Velesit?!
Sllavët i kanë shfrytëzuar të gjitha situatat e turbullta për të zhvatur sa më shumë tokë shqiptare. (Dhe kjo ka ndodhur, sepse ne nuk kemi pasur strategji kombëtare, praktikisht të zbatueshme. (Lexoje, të lutem, librin tim “Strategjia e shqiptarëvet”!) Ata i kanë mbushur me banorë slave, Ohrin, Manastirin dhe Shkupin dhe, pasi t’u jetë dhënë vullnetarisht Mitrovica Veriore, kush na siguron që nuk do të na i kërkojnë, Korçën ose të paktën Devollin (për të mos u përplasur me grekët), Pogradecin (thjeshtë sepse emri i tij e ka formën sllave), Prrenjasin, Librazhdin dhe Shupenzën (sepse dikush prej këtyre ka shtetësi bullgare).
Profesor i nderuar! Ne nuk kemi ndërmend t’ua lëmë Manastirin sllavëvet, sepse ai aktualisht qenka i banuar me imigrantë sllavë! Ne nuk kemi ndërmend t’ua lëmë Ohrin sllavëvet, sepse ai qenka aktualisht i banuar me imigrantë sllavë! Ne nuk kemi ndërmend t’ua lëmë Shkupin sllavëvet, sepse ai qenka mbushur me sllavë në gjysmën e dytë të shekullit XX!
Shqipëria ka mbërritur e formatuar gjeografikisht në shekullin XIX dhe e tillë do të mbetet, pavarësisht se aty mund të hyjnë e dalin gjithfarë banorësh shqiptarë e joshqiptarë. Në SHBA jetojnë miliona zezakë, servus alias sclavus të dikurshëm, edhe ata, si dikur servët alias sclavët në tokat tona, por Kongoja e pjesët e tjera të Afrikës Perendimore, vendorigjinat e atyre servusvet alias sclavusvet të dikurshëm, nuk do të mund të kenë kurrë pretendime tokësorë e shtetërorë ndaj tokavet të SHBA-së.
Mua më vjen keq ta them, por politika që na predikon Pofesori ynë, është një politikë po aq primitive, sa edhe e indigjenëvet të Amerikës ndaj kolonistëvet evropianë. Kolonistët bënin punët e tyre, ndërsa, siç dihet, indigjenët mbylleshin në rançet e vet, “të pastër” etnikisht, dhe mbroheshin me shigjeta, duke ardhur vërdallë hipur mbi kuajt e tyre dhe duke u vrarë heroikisht. Ne nuk na lejohet të zhvillojmë politikën e rançevet! Profesor R.Qosja pikërisht atë politikë po na predikon.
S’ka rëndësi se cili popull sllav do t’i zgjasë duart këndej. Rëndësi ka që atyre, tashmë, edhe në shkallë akademike, nëpërmjet R.Qosjes, po u jepet e drejta për të gllabëruar.
Kur Profesori ynë Rexhep Qosja po thotë që t’ia japim Sërbisë Mitrovicën Veriore, përse të mos e kërkojnë, tashmë me “argumente juridikë”, edhe grekët Himarën?! Grekët e kanë marrë një pjesë të madhe të Shqipërisë Jugore dhe ka kohë që kanë synuar të marrin edhe pjesën tjetër, deri në Elbasan. Është më se e sigurt që grekët, fill mbasi t’i jetë dorëzuar Mitrovica Verore Sërbisë, do t’u vërsulen Himarës, Gjirokastrës dhe Korçës, tashmë me një “justifikim” më se konkret: “Ia dhanë shqiptarët Sërbisë Mitrovicën Veriore, përse të mos na e japin edhe ne Vorio Epirin?!” Domethënë, “pse të mos ua marrim!?”
Akademiku R.Qosja mund të ketë vdekur atëherë, por mallkimi do të mbetet.
Akademiku R.Qosja e di që Tivari tashmë quhet tërësisht i sllavizuar, sado që aty rreth 60% e banorëvet janë shqiptarë. Por a e di ai çfarë po punojnë sllavët në Ulqin? Sllavët malazias, pasi hasën në vështirësi për ta populluar me sllavë ortodoksë Ulqinin, tani po veprojnë sistematikisht për të çuar atje sa më shumë popullatë myslimane sllavishtfolëse. Po u krijojnë lehtësira në blerjen e trojevet për ndërtimin e shtëpivet dhe për hapjen e biznesevet, në mënyrë që, deri në vitin 2025, në Ulqin të mos qeverisin më shqiptarët, por sllavishtfolësit, qoftë edhe myslimanë, rozhajas, shqiptarë të dikurshëm. Të njëjtën taktikë po ndjekin edhe në Tuz.
Kjo është e vërteta. Unë nuk e di sa i ndjek Profesor Rexhepi këto situata dhe nuk them që, propzimin për t’ia dorëzuar Sërbisë Mitrovicën Veriore, e bën me qëllim për ta dëmtuar Kombin Shqiptar. Por kam bindjen e plotë që e ka gabim dhe se, po të ndodhte ashtu si thotë ai, shumë shpejt do të pendohej rëndë.
Dhe unë, si bashkëkombës i tiji, si adhurues i derivonshëm i tiji, i derivonshëm, por jo këndej e tutje, me këtë njollë që po ia vë vetes, uroj që të pendohet para se të vijë e keqja e të mos presë për t’u penduar pasi t’i jetë bërë gjëma këtij Kombi, midis tjerësh, edhe për shkak të tijin.
Gjithsesi, i dashuri Profesor, unë po ta bëj edhe një tufë pyetjesh në përfundim të këtij shkrimi, më se të vështirë dhe më se të hidhët:
Ta zëmë se i shpëtove Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, duke paguar për ta një mal me flori, një mal me argjend, një mal me bakër, një mal me zink dhe një mal me plumb. Po me Vuthajt çka do të bësh?! Apo do t’i lësh vuthjanët që t’i grijnë mjegullat e shkjenizimit?!
Ç’do t’u thotë pasardhësvet të vet historiografia e shqiptarëvet? Na ish njëherë një Rexhep Qose që shpenzoi krejt diplomacinë e vet për të “shpetuar” një Medvegjë, ndërsa Vuthajt i la të kalben në Qafë-Previ?!
Ta zëmë se e shpëtove Anamoravën, përfshirë aty edhe një mijë shqiptarë të Medvegjës, se të tjerët i ke që të gjithë në Zvicër. Po me Hotin, me Grudën, me Trieshin, me Tuzin, çka do të bësh?! Apo do t’i lësh të bëjnë thjatro me ta beniaminët e Amfillohijes?!
Ta zëmë se na i hoqe qafet sërbët e Mitrovicës Veriore, duke ua falur atyre krejt minierat e Trepçës, dhe e bashkove Republikën e Kosovës me Republikën e Sërbisë. Le që unë nuk e kuptoj: Pse të mos bashkoheshin këta dy shtete pa ia dhënë Sërbisë Mitrovicën Veriore?! A sërbët e Mitrovicës Veriore dhe Leposaviqi janë pengesë për të mos u bashkuar dy Shqipëritë?! Megjithatë, ta zëmë se i shpëtove Preshevën, Bujanovcin e Medvegjën, i shpëtove dhe krejt Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, duke ua mbushur mendjen Bujar Nishanit e Hashim Thaçit, Ilir Metës dhe Kadri Veselit, Isë Mustafës dhe Ed Ramës. Po me Filatin, Margëlliçin, Pargën, Paramithinë, Prevezën, Artën, Janinën, Konicën, Kosturin, Follorinën, ç’do të bësh?! Cilin mal me flori e me argjend do t’i japësh Greqisë në shkëmbim të kësaj pjese të Shqipërisë?!
Me kaq, Profesor, dikur i nderuar, unë mbarova punë me ty, lidhur me këtë temë, domethënë me temën e dhurimit të tokavet të Shqipërisë fqinjëvet tanë. Për zhvillimin e mëtejshëm të mendimit të mirëfilltë patriotik e mençuror, joinfantil, mund të bisedojmë, por jo më për punë dhuratash e ryshfetesh të kësaj natyre, që të tallin bythën me ne, një Nikoliq, një Vuçiq, një Daçiq dhe, në krye të të gjithëvet, Të tallin bythën me ne, një Kishë Pravosllave Sërbe dhe një Akademi Sërbe e Shkencavet dhe e Artevet.

Gjokë Dabaj, Durrës 24-26 janar 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura