Pashtriku.org, 09. 01. 2015 – (Ua kushtoj guximtarëvet të gazetës SHARLI EBDO. „Je sius CHARLIE HEBDO“) – Pyetja më alarmuese, që duhet t’i vijë në mendje secilit banor të këtij planeti, edhe në këtë fillim viti 2015, siç duhej të ndodhte të paktën që nga shpërthimi i bombës atomike mbi Hiroshimë e Nagasaki, është kjo: „Ç‘duhet të bëjmë, ç’të bëjmë, si njerëzim, po edhe unë si individ, ç’duhet të bëj e ç’mund të bëj, që JETA në planetin tonë TË MOS SHPËRBËHET e TË MOS SHKATËRROHET prej VETË NJERËZVET?! Jo prej ndonjë fuqie jashtëtokësore, por prej VETË NJERËZVET!“
Nuk është hera e parë që po lëshohet ky alarm. Njerëzit, pjesa e tyre më e vetëdijshme, kanë folur, kanë shkruar, janë organizuar, kanë demonstruar, mirëpo, rezultati është më shumë se I MJERUESHËM. Jo vetëm nuk është arritur asgjë për ta shpëtuar JETËN nga SHUARJA, por, në kohën e sotme, 70 vjet pas atij shpërthimi, të gjithë qytetet e kësaj bote, janë si një Hiroshimë, pak para se të shpërthehej mbi të bomba atomike. Të gjithë qytetet e botës, të gjithë kontinentet, të gjithë malet, të gjitha luginat, të gjitha fushat, janë një Hiroshimë potenciale. Pra, një Hiroshimë E MUNDSHME. Madje, më e mundshme se kurrë ndonjëherë më parë.
Njerëzimi, pra, është treguar totalisht i paaftë për të parandaluar atë që DUHEJ DOEMOS TA PARANDALONTE.
KU QËNDRON DEFEKTI? Defekti qëndron te fakti që PJESA MË E VETËDIJSHME E NJERËZIMIT NUK KA DITUR TË ORGANIZOHET. Njerëzimit i duhet NJË ORGANIZIM I RI. Njerëzimit i duhet NJË FE E RE. Njerëzimit i duhet NJË RELIGJION I RI, një moral i riformuluar dhe një shtet i rikonstruktuar, i rindërtuar, mbi bazën e parimevet që do të përcaktojë religjioni i ri. Duhej ta kish filluar këtë punë njerëzimi të paktën këtu e 70 vjet më parë, sepse tash mund të jetë tepër vonë. Megjithatë, është më mirë të bëhet diç, sesa të rrihet duarkryq, duke pritur katastrofën, pa bërë asgjë.
Efekti i bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki!
Die Wirkung der Atombombe in Hiroshima und Nagasaki
***
Me qëllim që të mund ta kemi më të qartë pamjen e gjendjes së sotme, ta kemi të qartë, që nuk është fjala vetëm për një arsenal armësh bërthamore, por për një kompleks rrethanash shumë më të gjëra e shumë më gjithpërfshirëse, unë po parashtroj këtu një varg konstatimesh.
Vargun e këtyre konstatimeve do ta titulloj:
JASHTË FUNKSIONIT.
Grumbullimi i popullatavet nëpër qytete, më të mëdhenj apo më të vegjël, ka bërë që shumë dukuri natyrore dhe shoqërore të dalin JASHTË FUNKSIONIT të vet natyror dhe shoqëror.
Nga kafshët shtëpiake kanë mbetur pranë njeriut të sotëm, banues qytetesh, vetëm QENTË DHE MACET. Aty-këtu ka mbetur edhe ndonjë shpend, kanarinë apo papagall, si dhe ndonjë lloj i vogël peshku që mbahet nëpër akuariume. Funksioni i QENIT ka qenë, që ai të ruajë shtëpinë dhe bagëtitë. Funksion i tiji ka qenë edhe gjahu, ndihma që ai i jepte të zotit të vet për të gjuajtur. Në kohën moderne, duke e shoqëruar njeriun në shtëpi apo nëpër rrugë dhe parqet e qytetit, qenit i kanë humbur që të gjithë këta funksione. KY QEN, pra, qeni i cili jeton në qytet (s’është fjala për qentë e gjahut), si qenie e gjallë, si një kafshë e zbutur prej njeriut për një qëllim të caktuar, ka dalë tashmë JASHTË FUNKSIONIT të vet. Si rrjedhim, atij nuk i duhen më, as nuhatja, as të lehurit. Nuhatja dhe të lehurit e qenvet tashmë janë kthyer në cilësi thjeshtë dekorative dhe vetë qeni i qytetit s’është tjetër, veçse një kafshë dekorative.
Edhe me MACEN e qytetit po kështu ka ndodhur. Ajo nuk shërben më për të gjuajtur minj. Në një ndërtesë 120-katëshe, por edhe në godina më të ulëta, si dhe nëpër magazina, miu, i cili gjithashtu e shoqëron njeriun „me besnikëri“, nuk luftohet më me mace, por me mjete të tjerë. Në këto rrethana, maces nuk i duhen më, as të nuhaturit, as instinkti i të gjuajturit të minjvet.
Për kafshët e tjera shtëpiake, me të cilat njeriu është mbajtur gjallë dhe ka qenë i lidhur shpirtërisht me mijëra vjet, njeriu i sotëm i qytetit, nuk ka kurrfarë kontakti, përveç në formën e prodhimevet prej tyre, në format e të shfaqurit në ekran, të shumtën e herëvet të përçudnuar, si dhe në forma plastike, si lodra kalamajsh. Njeriu i sotëm i qytetit, lind edhe vdes, pa kontakte të drejtpërdrejtë, as me LOPËN, as me KALIN, MUSHKËN, GOMARIN, as me DELEN, as me DHINË, as me PULËN, as me PATËN, as me ROSËN. Po kështu ndodh edhe me BIMËT dhe me PEMËT. Nëse mund të flitet për një rol kulturor të kafshëvet dhe të botës bimore mbi njeriun, ky rol tashmë, përsa i përket formimit të njeriut, është JASHTË FUNKSIONIT. Fol sa të duash nëpër shkolla për kafshët dhe për bimët, nxiri sa të duash kafshët dhe bimët nëpër televizorë, funksioni i tyre praktik formues në jetën e njeriut qytetar tashmë ka marrë fund.
Ndërkaq, PULA, një shpend shtëpiak, dikur shumë i pranishëm në jetën e njeriut, duke u rritur në pularitë moderne, nuk ka nevojë më as për krahë e as për pupla. Të 2 këta organe i kanë dalë tashmë JASHTË FUNKSIONIT. I kanë mbetur deri diku funksionale vetëm këmbët, sqepi dhe organet e përpunimit të ushqimit, si dhe organet e prodhimit të vezëvet, edhe ata pa praninë e gjelit. Jeta natyrale e pulës në këtë mënyrë ka dalë praktikisht JASHTË FUNKSIONIT.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me LOPËN. Shumë nga rezultatet evolucionalë të lopës po dalin me shpejtësi JASHTË FUNKSIONIT. Lopës edhe demit s’u duhen më brirët, s’u duhet më forca e muskujvet, madje as shikimi, as zëri (pëllitja), as “mjeshtëria” e të kulloturit. Njeriu, me miopinë e tij, po i nxjerr cilësitë evolucionale të lopës JASHTË FUNKSIONIT.
Përfundimisht, edhe vetë NJERIU, nëse do të vazhdojë kështu, shumë cilësi të tijat biologjiko-socialo-morale, ka për t’i humbur. Madje, ai i ka humbur tashmë një pjesë të mirë të atyre cilësive, varësisht nga rrethanat në të cilat jeton.
Një pjesë e madhe e njerëzvet të sotëm, as karrocën e dorës, mbushur me pleh ose me gurë, nuk e shtyjnë dot. Po kjo pjesë e madhe e turmavet dhjetëramilionëshe, s’është më në gjendje as të presë dru me sëpatë, as të punojë 100m² tokë me bel, as të mihë me shat, madje as të heqë barin e egër rreth një luleje.
E gjithë kjo shoqërohet edhe me një deformim të MORALIT: Femra e sotme qytetëse, vajza apo gruaja, jo vetëm që nuk e mjel dot një dhi, por as nuk dëshiron ta bëjë atë punë. I përbuz të gjitha punët e bujqësisë dhe të blegtorisë. Çoje një modele në një fshat dhe jepi një tufë dhen apo dhi për t’i kullotur dhe ajo do të të quajë persekutues. Jo vetëm vajzat e qytetit, por edhe ato të fshatit, i urrejnë punët që bëhen në fshat. Po kjo femër e sotme po e nxjerr JASHTË FUNKSIONIT edhe të lindurit natyral të fëmijës. ORGANI I PJELLJES, duke iu nxjerrë foshnja gruas, lehonës, me anë të operacionit, po nxiret me shpejtësi JASHTË FUNKSIONIT dhe, për më tepër, po e quajnë gjë të mirë një dukuri të tillë. Një femër që nuk pjell dot, që nuk e nxjerr dot fëmijën nga mitra, a mund të quhet se është brenda fuksionit të vet si femër?!
Ashtu siç po ndodh me VAJZAT FSHATARE, që ëndërrojnë të bëhen modele dhe as që i hyjnë punës për të mësuar si milen lopët, po ndodh edhe me DJEMTË E FSHATIT, të cilët, në vend që të mësojnë si priten ferrat me kadhë, preferojnë të marrin nuset me nga 2-3 fëmijë dhe t’ia mësyjnë Lampeduzës.
Sigurisht që s’e kanë krejt fajin, as vajzat e fshatit, as djemtë, mbytës të fëmijëvet të vet. Fajin e ka “FILOZOFIA” aktuale gjithnjerëzore, e cila po e çon krejt bashkësinë 7-miliardëshe drejt një vetasgjësimi të lemerishëm. Në qoftë se, nga 4 anëtarë të një familjeje, 3 mbyten përballë Lampeduzës, nga 7 miliardë banorë të sotëm të botës, 5 miliardë do të shuhen llahtarisht, përballë pikërisht një të këtillë “filozofie”.
T’i thuash një qytetari të sotëm, madje edhe atij që rrëmon gjithë jetën nëpër kazanët e plehëravet, të marrë kazmën, shatin, belin, të marrë mjelcën dhe ta futë kokën te prapanica e dhisë, ai do të të quajë persekutues. Kjo do të thotë që një shumicë E PUNËVET, që NJERIUN e kanë bërë NJERI, tashmë, jo vetëm praktikisht, por edhe moralisht, kanë dalë JASHTË FUNKSIONIT.
Në anë tjetër, një varg cilësishë të këqia janë bërë e po bëhen te njeriu gjithnjë e më shumë “FUNKSIONALE”: Lojërat e fatit, kumari e bixhozi, alkoli, droga, tradhtia bashkëshortore, korrupsioni, spekullimi në fushën politike, spekullimi në fushën ekonomike, keqpërdorimi i shkencavet dhe i arritjevet në teknikë e teknologji, tregtia me organet e seksit. Të tjerë studiues do të mund të numërojnë këtu edhe nja 100 të tjera cilësi “funksionale” të NJERIUT të sotëm “TË RI” e “TË LIRË”, cilësi që po e shkatërrojnë njeriun.
Që një femër të zhvishet lakuriq përpara kameravet, nuk quhet persekutim. Që ta çosh po atë femër për të mjelë një lopë dhe për t’ia pastruar bajgat lopës, ky do të ishte mirëfilli persekutim. Unë nuk jam kundër ekspozimit të bukurisë femërore, por jam kundër të shndërruarit të femrës në KONE, në BUÇE. S’e di a i kuptojnë të gjithë këto fjalë. Kone dhe buçe, në gjuhën shqipe i thonë qenit femër. Jam, pra, kundër asaj që NJERIU FEMËR të shndërrohet në QEN FEMËR, sepse ashtu kjo pjesë e njerëzimit del JASHTË FUNKSIONIT të vet natyror.
Nëse një pushtetar do ta çonte një djalë të ri në një fshat për të punuar tokën, jo për pushtetarin, por për vete, ai djalë i ri do ta quante persekutim një masë të tillë, që në të vërtetë do të ishte masë njeriformuese, masë edukuese. Ndërsa, nëse po ai pushtetar i kërkon të njëjtit djalë të ri një shumë prej 5000 eurosh për ta punësuar si gardian burgu, djali do t’i gjente hua ato para dhe do t’i ishte mirënjohës pushtetarit, që njëkohësisht është, edhe jonjeri, edhe antinjeri. Që të 2 këta lloje njerëzish janë JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv.
Kjo analizë na nxjerr te përfundimi që një masë e madhe gjithnjerëzore, duke u grumbulluar nëpër qytete, jo mbi bazën e ndonjë projekti QYTETËRUES, por egërsisht e në mënyrë stihike, ka nxjerrë tashmë JASHTË FUNKSIONIT shumë nga veçoritë shoqërore, morale, si dhe biologjiko-psikologjike të NJERIUT, si QENIE.
Vetë fakti që në botën e sotme mbi 30% e çiftevet po DIVORCOHEN, tregon që edhe koncepti mbi FAMILJEN ka degjeneruar tashmë drejt konceptit kundër familjes. Kjo do të thotë që njeriu i sotëm, nga një traditë e krijuar me shumë mundime, për t’u ndarë nga bota e kafshëvet, po shkon, po rrëshqet, prapë në botën e kafshëvet. Madje, as në botën e kafshëvet, sepse edhe kafshët, ato që në skemën e gjallesavet gjenden poshtë rendit të primatëvet, biologjiksht i kanë krijuar disa rregulla që nuk i shkelin. BESNIKËRIA BASHKËSHORTORE po del JASHTË FUNKSIONIT, dhe kjo ka lidhje me nxjerrjen JASHTË FUNKSIONIT, qysh më parë, të parimit të VIRGJËRISË PARAMARTESORE. Qindra milionë fëmijë e duan një familje, kanë nevojë për një familje, por nuk e gëzojnë dot, sepse ajo, gjithnjë e më tragjikisht, po del nga FUNKSIONI.
Po dalin nga funksioni pozitiv edhe SHKENCAT E NATYRËS, edhe PSIKOLOGJIA, edhe PEDAGOGJIA, (Mjafton të shohësh një femër 30-vjeçe, me diplomë fakulteti, e cila nuk di, ose nuk do, as të rregullojë krevatin e vet, pasi të jetë çuar nga gjumi). Pas këtij shembulli mund të renditen mijëra shembuj të tjerë, që i kanë nxjerrë tashmë JASHTË FUNKSIONIT edhe pedagogjinë, edhe psikologjinë.
Por edhe RELIGJIONET e deritashëm, siç do ta shikojmë edhe më poshtë, po dalin nga funksioni. Ashtu siç doli nga funksioni POLITEIZMI në fillim të erës sonë, ashtu po del nga funksioni edhe MONOTEIZMI mistik në fillim të mijëvjetëshit të tretë.
Me sharlatanë të tillë imoralë, si një S.Berluskon, që s’ishte dhe s’është i vetëm, edhe SHTETI tashmë ka dalë JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv. Me raste të tillë, si dalja në krye të Rusisë së sotme e një cari arkaik, siç është V.Putini, përforcohet ideja se tashmë SHTETI, si institucion i domosdoshëm pozitiv, ka dalë jashtë kohës, është kthyer prapa, pra, ka dalë JASHTË FUNKSIONIT normal. JASHTË FUNKSIONIT, që do të duhej ta kishte aktualisht, ka dalë psh edhe SHTETI i Koresë së Veriut, duke u shndërruar nga një shtet komunist në një shtet monarkik, madje në një karikaturë monarkie.
Një SHTET i atillë, si ai i Meksikës, i cili nuk shkëputet dot nga “historitë” lemeritëse të varrezavet masive, një SHTET si SHBA-ja me 10 milionë klandestinë brenda kufijvet të vet, klandestinë, të cilët hyjnë në SHBA si djem të rinj e si vajza të reja, dhe plaken e vdesin aty po me “statusin” e klandestinit, një Bashkim Evropian, të cilit i është shndërruar Deti Mesdhe në varrezë klandestinësh dhe nuk e zgjidh dot problemin e klandestinëvet, krejt këto dëshmojnë që SHTETI, në “epokën” e një “zhivllimi” të pandalshëm të të gjithë armatimevet, midis të cilëvet, edhe bërthamori, edhe ai i armëvet kimike, edhe i armëvet bakterike, ndihmuar krejt këta lloje armatimesh edhe me çudibërjet e kibernetikës, krejt këto, pra, dëshmojnë që SHTETI, ai që u duhet popujvet, nuk po funksionon. (Këtë e dëshmoi edhe terrori i radhës që ndodhi këto ditë në Paris.)
Një SHTET i madh, si Shtetet e Bashkuar të Amerikës, dhe pas tij gjithë shtetet e pasur të botës, Kanada, Francë, Mbretëri e Bashkuar, Itali, Gjermani etj. etj, i cili nuk është në gjendje ta rregulojë THEMELISHT punën e imigrim-emigrimit dhe të ndalë PLOTËSISHT përdorimin e drogës, është përfundimisht JASHTË FUNKSIONIT.
Edhe SHTETI, ku lindin e rriten klandestinët, edhe SHTETI ku shkojnë klandestinët, janë JASHTË FUNKSIONIT. Edhe SHTETI ku lindin e rriten prostitutat, edhe SHTETI ku përdoren prostitutat, janë JASHTË FUNKSIONIT. Edhe SHTETI ku prodhohet kokaina, edhe SHTETI ku përdoret kokaina, janë JASHTË FUNKSIONIT.
Pjesa e kthjellët e njerëzimit, e organizuar rreth religjionit të ri, religjon pa misticizëm, nuk do t’i lutet SHTETIT: „Aman e bëhu i mirë!“ Kjo pjesë e kthjellët e njerëzimit, së pari do ta mësojë SHTETIN si duhet të veprojë e ç’duhet të bëjë dhe pastaj do ta DETYROJË atë, kryesisht me forcën e votavet, që të bëhet i atillë siç u duhet popujvet.
XHEK LONDONI i madh, ka parashikuar që një ditë, sado vonë e sado me sakrifica, prapëseprapë ka për të ardhur EPOKA E VËLLAZËRIMIT TË POPUJVET. Ndërsa tani, 100 vjet pas profetizimit gjenial të Xhek Londonit, ka vetëm 2 rrugë: O pjesa e kthjellët e njerëzimit do ta sjellë EPOKËN E VËLLAZËRIMIT TË POPUJVET, o THUNDRA E HEKURT (PLUTOKRACIA) do ta çojë në zero jetën mbi sipërfaqen e këtij planeti, duke asgjësuar, vetëkuptohet, edhe vetëveten.
Parlamentarë të tillë, si një Dik Marti monstër, i cili, pëderisa rezolucionet e tij qartësisht të pamoralshëm, i miraton një parlament i tërë i një Evrope shpresëmadhe, s’ishte dhe s’shtë vetëm, dëshmojnë që edhe SISTEMI PARLAMENTAR botëror tashmë ka dalë JASHTË FUNKSIONIT të vet normal.
Me parlamente të atillë që, si pa gjë të keq, mbështetur në disa pseudoarsyetime, miratojnë MARTESAT E GEJVET, martesat burrë me burrë e grua me grua, shkelës të natyrës më të rendomtë biologjike, dëshmojnë që krejt SISTEMI LIGJVËNËS botëror është JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv.
Me kryeprokurorë të atillë si një Karla del Ponte monstër, që doemos s’ishte dhe s’është vetëm, dëshmohet që edhe SISTEMI GJYQËSOR botëror është JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv.
SISTEMI FINANCIAR, evropian e botëror, me të cilin arrijnë të tallen nja 100 miliarderë të Greqisë, në “epokën atomike”, është krejt JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv. Ata miliarderë të Greqisë, i kanë, i zotërojnë, nja 700 miliardë dollarë apo euro nëpër bankat e Zvicrës e gjetkë, por, si të pafytyrë që janë, kërkojnë para prej TAKSAPAGUESVET të Gjermanisë, që t’a ushqejnë me supë popullin grek. 100 miliarderëvet të Greqisë, me këtë sistem banker e financiar që kanë sot Evropa dhe bota, u jepet mundësia të tallen cinikisht, edhe me popullin e vet, edhe me popujt e tjerë të Evropës.
Një SISTEM FINANCIAR, i cili nuk di apo nuk ka fuqi ta parandalojë qoftë edhe një të quajturin “recesion të përkohshëm”, në SHBA e në Evropë, në kohën tonë, është potencialisht tepër i rrëzikshëm. Është tepër i rrëzikshëm, sepse, pas atyre “recesioneve të përkohshëm”, vijnë pashmangshëm KRIZAT E MËDHA FINANCIARE dhe pas krizavet të mëdha financiare, vijnë LUFTËRAT.
Po thonë se situata monetaro-financiare ruse është sot në krizë, dhe perendimorët fërkojnë duart nga kënaqësia. A e dinë udhëheqësit e botës, midis tyre edhe perendimorët, ç’do të thotë të jetë në krizë financiare një Rusi?! A e dinë udhëheqësit e botës, midis tyre, në radhë të parë perendimorët, që, një krizë financiare në Rusi i çon gishtat e një cari “modern” rus drejt e te butonat e raketavet dhe të bombavet me mbushje bërthamore?! Ç’mendoni ju se do të bëjë tjetër cari “modern” i Rusisë, kur t’i kenë vdekur urie 300 mijë nënshtetas?!
Për SISTEMIN FINANCIAR botëror nuk mund të thuhet se është brenda funksionit të vet pozitiv, kur ai nuk është në gjendje ta asgjësojë njëherë e mirë dukurinë e të quajturit “PASTRIM I PARAVET”. Asnjëherë nuk mund të “pastrohen” ato para. Ato para, gjithë jetën janë dhe mbeten të pista, deri sa ta kenë ndyrë fund e krye krejt sistemin financiar botëror. Një SISTEM FINANCIAR botëror, o duhet ta çrrënjosë nga vetëvetja të quajturin “PASTRIM I PARAVET”, o duhet ta pranojë se është tërësisht JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv.
Pas vetërrëzimit të sistemit komunist, në botën kapitaliste perendimore u propagandua me të madhe që, i vetmi sistem ekonomik, i aftë për të sjellë mirëqenie në jetesën e popujvet, është EKONOMIA E TREGUT. U arrit deri atje, sa edhe në shtetet tradicionalisht kapitalistë, privatizimi i pasurisë shtetërore të shihej si një nga rrugët e forcimit të ekonomisë kombëtare. Mirëpo, të rrëshqasësh në të atillë budallallëqe në kohën tonë, do të thotë të luash jo me zjarre të zakonshëm, por me ZJARRE REKSIONESH ZINXHIR, ZJARRE ATOMIKË. E quajtura „EKONOMI E LIRË“ e tregut u dha dhe u jep mundësi të pasurohen, para të gjithëvet, forcavet NEGATIVE të shoqërisë. EKONOMIA E TREGUT i derdh paratë lumë në qindra mijë Las Vegas, shpërndarë gjithandej nëpër botë, në mijëra uzinat supermoderne të prodhimit dhe përsosjes së armëvet (Avionë pa pilotë e ku di unë çfarë tjetër, ndërsa avionët e pasagjerëvet me nga 200 njerëz brenda po na mbyten njëri pas tjetrit në ujërat e oqeanevet.) EKONOMIA E TREGUT i derdh paratë lumë në „plantacionet“ e bimëvet narkotike, duke i lënë popujt të ushqehen me mish viçi pompuar me kortizon, me viça që në 3 muaj arrijnë në 900 kilogramë. Qindra milionë teleshikues janë të detyruar të „shijojnë“ reklama që nuk u interesojnë dhe kjo ndodh sepse EKONOMIA E TGREGUT ia ka dhënë mundësinë që të grumbullojë para pikërisht pjesës që teleshikuesit, pra masës së madhe të popullit, nuk i intereson fare.
Popujt nuk kanë rrugë tjetër, veçse të varfërohen. E vetmja “perspektivë” e atij sistemi financiar, i cili mbështetet totalisht në “përparësistë” e EKONOMISË SË TREGUT, është KRIZA. Them totalisht, sepse askush nuk mund të thotë që EKONOMIA E TREGUT nuk ka edhe rol pozitiv. EKONOMIA E TREGUT ka rol pozitiv vetëm atëherë kur ajo menaxhohet mirë me anë të ligjevet. Pas KRIZËS, shkaktuar nga fetishizimi dhe mosmenaxhimi si duhet i EKONOMISË SË TREGUT, vijnë DIKTARURAT NAZISTE dhe, kur të përplasen DIKTATURAT NAZISTE, vjen pashmangshëm SHFAROSJA.
***
Por ne duhet të vazhdojmë edhe me dukuri të tjera, që tashmë kanë dalë ose po dalin JASHTË FUNSIONIT.
Me arqipeshkvinj, ipeshkvinj e priftërinj katolikë pedofilë, feja KATOLIKE është JASHTË FUNKSIONIT. Me kryepeshkopë ortodoksë të atillë si një Janullatos, trashëgues i kamufluar i një Sebastiani dhe i simpatizuar e përkrahur nga një monstër me merin Nikolas Geixh, apo si një Amfillohije, të cilët doemos nuk janë vetëm, feja ORTODOKSE është JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv. Me klerikë myslimanë që lejojnë gjithfarë Alkaedash, gjithfarë Talebanësh, gjithfarë Boko Haramësh e gjithfarë Kalifatesh, krijuar „në emër të Allahut“ e që s’kanë asgjë të përbashkët me Allahun, religjioni MYSLIMAN është bindshëm dhe alarmueshëm JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv.
Në fund, a mund të themi se PARTITË POLITIKE, të sotmet, janë brenda funksionit të tyre? Ato do të ishin “brenda funksionit të vet”, vetëm nëse paraprakisht do të pranonim si diçka “të ligjshme” pamoralshmërinë e tyre. Të pamoralshme në fushatat e tyre, jo vetëm në premtimet, por edhe në paratë që i derdhin pa kursim dhe i lënë popujt në pikë të hallit, të pamoralshme, vetëkuptohet, edhe në zbatimin e programevet, PARTITË POLITIKE janë kthyer prej kohësh në detashmente mashtruesish apo, në rastin më të mirë, korporata intersash të ngushtë gruporë.
PARTITË POLITIKE nuk duhet lejuar të jenë DETASHMENTE MASHTRUESISH. Duke qenë korporata interash të ngushtë gruporë, PARTITË POLITIKE nuk duhet lejuar të jenë as kundër kombit të vet dhe as kundër kombevet të tjerë.
Ç’PARTI POLITIKE mund të jetë një parti greke, e cila, kundër çdo të vërtete historike, e quan Epirin „tokë greke“?! Një e tillë PARTI POLITIKE, me çfarëdo emri qoftë, komuniste, socialiste, e qendrës, apo e djathtë radikale, është tërësisht JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv dhe, si pasojë, edhe kundër kombit grek. Ç’PARTI POLITIKE mund të jetë një parti sërbe, e cila Republikën e Kosovës e quan „Sërbi“, duke pasur në dorë vetëm faktin që Sërbia ka qenë pushtuese në këto hapësira njëlloj si Perandoria Osmane e dikurshme?! Një e tillë PARTI POLITIKE sërbe, me çfarëdo emri qoftë, socialiste, socialdemokrate, apo e djathtë radikale, është tërësisht JASHTË FUNKSIONIT të vet pozitiv dhe, si pasojë, është edhe kundë kombit sërb.
I mora si shembuj këta 2 shtete, që ne shqiptarët i kemi fqinjë, por, një analizë në shkallë botërore kam frikë se nuk do të nxirte dot as edhe 1 parti të vetme, që do të ishte realisht dhe qind për qind brenda funksionit të vet pozitiv.
***
Nuk po them që, shtetet, organet ligjvënës, gjyqet dhe religjionet, NË TË KALUARËN kanë qenë brenda funksionevet të tyre pozitivë. E dimë historinë dhe mund të sjellim që andej me mijëra shembuj nga më rrënqethësit. Dimë, psh, që, në Spanjë, në kohën e mbretëreshës Izabelë, në 10 vjet kohë, janë djegur në turrë të druvet 30 mijë njerëz, pa i pyetur dhe pa e ditur, ishin apo s’ishin kundërshtarë. I ka djegur Inkuzicioni. E dimë që ka pasur sulltanë, në krye të Perandorisë Osmane, të cilët, “në emër të vullnetit të Allahut”, i kanë vrarë vëllezërit e vet, madje ndonjëri prej tyre ka vrarë deri në 50 vëllezër të vet, të lindur prej të njëjtit atë, por me nëna të ndryshme. Shembuj si këta, nga e kaluara mund të sillen me mijëra.
Në të gjitha kohët ka pasur nxjerrje kobsjellëse të institucionevet jashtë funksionevet. Por unë po them që, kjo nxjerrje e këtyre institucioneve jashtë funksionevet të tyre pozitivë, po ndodh në shekujt e bombavet bërthamore. Nuk është njësoj! Epoka jonë është krejt e ndryshme nga të gjitha epokat e shkuara dhe njerëzimit nuk i lejohet të bjerë në të njëjtët delire si dikur.
***
Përfundimisht, mund të themi me indinjatën më shpirtndydhëse të mundshme, se, nëse vazhdohet me këtë rrugë, do të dalë, madje po del, nga funksioni i vet, edhe vetë PLANETI TOKË. Një shumicë „analistësh“ e „studiuesish“, flasin më kot, përhapin më kot pseudoshkencë, duke “parashikuar” “fundin e botës”, dhe nuk duan ta shohin, nuk duan ta kuptojnë që FUNDIN E BOTËS SË GJALLË NË PLANETIN TONË, PO E SJELL VETË NJERIU. Është e vërtetë që një ditë mund të vijë edhe shkatërrimi gjithësior i këtij planeti, por është gjithkështu e vëretetë që vetë NJERIU po ia sjell shkatërrimin planetit të vet, ndoshta 1 milion vjet më parë.
Ekzistenca, nga njëra anë, e armëvet bërthamore dhe e llojevet të tjerë të armëvet njeriasgjësuese, kafshasgjësuese dhe bimasgjësuese, dhe nga ana tjetër, një shthurje kaq indinjuese MORALIT dhe e ORGANIZIMIT gjithnjerëzor, përbën një rrëzik 1 milion herë më evident se rreziku i goditjes së ndonjë komete apo rreziku i “ftohjes” së Diellit.
Njeriu nuk është, as qen, as mace, as pulë, as lopë. Njeriu është qenie e vetëdijshme dhe nuk duhet kurrsesi ta ulë veten në shkallën e një gjallese që nuk di të dalë nga situata.
***
Një botë e zbukuruar si një parajsë përrallore, me qytete kaq të bukur, secili më impozant se tjetri, a nuk është keq të mbetet një ditë pa njerëz dhe pa gjallesa të tjera?! Një botë me një sistem ndërlidhjeje e komunikacioni kaq të magjishëm, a s’është gjynah të copëzohet e shurdhohet një ditë?!
Kur fola për pasojat negative që i ka sjellë njerëzimit grumbullimi pa sistem i popullatavet nëpër qytete, dikush mund të ketë menduar: „Ky e urreka qytetin!“ Të gjithë mendjecekëtit janë të prirur për të ngecur nëpër fjalët e tjetrit, duke e pandehur veten mendjethellë. Unë i adhuroj qytetin dhe qytetërimin, por dua që ai të jetë vërtet një burim lumturie e jo të shndërrohet në një tjetërsues të njeriut, qoftë edhe të një njeriu të vetëm, duke e ulur atë, në pemën e evolucionit, poshtë primatëvet.
Qindra milionë njerëz të mirë jetojnë anembanë këtij planeti. Popuj që punojnë, popuj me gjuhë e me kulturë të vetën, me histori të vetën, përpiqen të zhvillohen e të përparojnë, dhe nuk e dinë (apo nuk duan ta dinë, apo e dinë, por s’dinë si t’ia bëjnë), që, një ditë, të gjithë ata qindra milionë, do të mund të shndërrohen në pluhur radioaktiv.
Qindra milionë ndërtues, prodhues të çimentos, prodhues të hekurit, nxjerrës të gurit, prodhues të tullës, prodhues të xhamit, prodhues të profilevet prej alumini, të telavet elektrikë, të çdo gjëje që duhet për ta bërë banimin e njeriut sa më të mirë, ndërtuesit e shtëpivet dhe të pallatevet, me pamje nga më madhështoret, i pret, jo çasti i vdekjes së natyrshme, por shuarja nën flakët e një shpërthimi apo nën efektin shpërbërës të rrezevet të lemerishme.
Qindra milionë inxhinierë, teknikë, ekonomistë, mjekë, juristë, profesorë, akademikë, nëpunës të administaratavet, ushtarakë, klerikë, muzikantë, gazetarë, poetë, aktorë, që të gjithë, njerëz të mrekullueshëm ose jo të mrekullueshëm, bëjnë punët e tyre ditë për ditë dhe duket sikur as që e vrasin mendjen për çfarë po i pret, në mos ata, fëmijët e tyre.
Qindra milionë foshnja, qeshin engjëllisht ndër duart e nënavet të veta, qindra milionë fëmijë, nxënës e studentë, shkojnë nëpër shkolla e fakultete, flasin e qehsin gëzueshëm, bëjnë humor e bisedojnë, dhe duket sikur as që e mendojnë se jeta e të gjithë atyre, në një çast të vetëm, mund të shuhet dhe, me siguri do të shuhet, nëse nuk shkundemi nga letargjia.
Papa Farnçesku e tha një ditë, e deklaroi në njërin prej predikimevet të tij, që Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar. Por, kush ia vuri veshin papës?! A u pakësuan arsenalet e armatimevet pasi foli ai?! A u ndalën vrasjet e 200 mijë sirianëvet?! (Boko Haramët dje kishin vrarë 2000 njerëz në vendin e vet!) A u ndal përleshja e pamend në Ukrainën Lindore?! A iu ndal vrulli Kalifatit Islamik në Irak, edhe përkundër deklaratavet të shumë klerikëvet myslimanë, që kjo s’është rruga e Allahut?!
Është keq, është mëkat, është gjynah, është e pafalshme që, gjithë kjo e mirë, që e ka krijuar NJERIU në këtë planet, në këtë mikrothërrmi të gjithësisë, të shkojë kot, për fajin e vetë NJERIUT, të vetë atij që i ka krijuar gjithë këto të mira.
Prandaj njeriut të sotëm nuk i mbetet tjetër, veçse të krijojë një RELIGJION TË RI, religjion pa misticizëm, në funksion të shpëtimit të vetëvetes dhe të krejt botës organike që e rrethon. Religjionet ekzistues le të bëjnë sa të kenë mundësi, por religjioni i ri është i domosdoshëm.
Gjokë Dabaj ([email protected]) – Durrës, 1 – 09 janar 2015