REXHEP KASUMAJ: ORË E RE …

Berlin, 12 dhjetor 2018: Ndërsa rilexoja përsiatjet e gjermanit të letrave Hess, përsëri e përsëri do ndaloja njëj fjale të artë. E mbushur me shpresë, ajo thotë: dhimbja shuhet kur ngujohet në varg.
Dhe, poashtu, përsëri e përsëri, ndjesia, kujtesa mëshirëpaktë m’kthejnë tek një dhimbje e vjetër. Tek një formulë e pandryshueshme e vdekjes. Veçse jo individuale që, sado lotnajë të ketë, tretet një ditë. Nëse jo vetishëm, aherë bashkë me të zo’në e saj.
Ndaj ç’varg vallë, ç’poezi, ç’bibël e vuajtjes mund t’a ngujojë, për t’a shuar, dhimbjen e popullit tim?
Gjithë vjershnajë e botës, krejt ata tela të lashtë lahute, tërë tingujt e kitarës së plagosur a enciklopeditë e mëdha që thurin rravgimet njerëzore, nuk e përballojnë dot peshëhidhtën e saj!
Sepse, ashtu si hëna që, qysh nga akti i Krijimit, shfaq vetëm një anë të ftyrës së saj, fatloja tundej në zi ç’prej qindra vitesh…
Por erinitë e Dhéut që s’dremisin njëherë, kanë rrotulluar Orën e re shqiptare. Atë që i muzikonte Gëtes në shtratvdekje, e të cilën nuk e dëgjonin dot shpirtërat voglanë. Orën e epërme të jetës së rilindur..!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura