GJOKË DABAJ: NJË LETËR Z.SALI BERISHA – LIDHUR ME KONSTANTININ E MADH

Durrës, 06. 09. 2013 – Jo se nuk e njihja dhe nuk e njoh z.Sali Berisha, siç e njohin shumica e shqiptarëvet, por, sepse ai ishte në krye të një qeverie shqiptare, pra, kish për detyrë të merrej me këto punë, dhe se unë, si një shqiptar, e kisha për detyrë t’i drejtohesha atij. Shqetësimi im ishte dhe është ky: 1. Shqiptarët nuk e njohin historinë e vet, dmth shqiptarët nuk njohin qenien e vet, nuk dinë kush janë. 2. Bota nuk i njeh shqiptarët. Madje, edhe aq sa i njeh, i njeh shtrembër.
Për të mbështetur këtë që thashë, po sjell 2 a 3 shembuj:
Para disa ditësh, në një drekë miqsh e shokësh, u takova me Moikom Zeqon, shokun tim të fakultetit dhe mikun tim në vazhdimësi. Ai ka pasë rastin të udhëtojë nëpër botë. Në SHBA, në një bibliotekë të madhe, më duket, në atë të Harvardit, midis qindra mijë librash, tha ai, literatura shqiptare thuajse nuk ekziston. Poshtrim dhe vetëposhtrim më të madh, për kulturën tonë, nuk ka!
Ismail Kadareja, po gjatë këtyre ditëve, deklaroi në Prishtinë: “Shqiptarët dhe Shqipërinë po duan t’i nxjerrin nga Evropa.” Pyetja shtrohet: Ku po duan të na çojnë? Në Nepal apo në Pamir?! (Sepse edhe atje, thonë se i kemi disa fise të gjakut tonë!)
Është, pra, shqetësimi shumë i madh, tepër i madh: Ç’po bën bota me ne shqiptarët në këtë fillim shekulli dhe ç’po bëjmë ne vetë me veten tonë në këtë kohë ngjarjesh, sa të mëdha, aq edhe të frikshme?!
Në Luftën e Kosovës, 1998-1999, mezi marrin pjesë (me armë në dorë) nja 150 shqiptarë nga Rep.e Shqipërisë. Turp i botës! S’kemi asnjë të drejtë, as të hapim gojën, jo të mburremi me kontributin që dhamë për të çliruar atë pjesë të Atdheut tonë. Përkundrazi, shqiptarët e Rep.së Shqipërisë, sado që Eksodin e Kosovës e përballuan me ndjenjën e mirëfilltë të vëllazërisë (dhe kjo falë edhe punës vërtet atdhedashëse të kryeministrit të atëhershëm, z.Pandeli Majko), për mospjesëmarrjen në UÇK duhet t’i brejë ndërgjegjja për shumë kohë. Në anë tjetër, në Siri shkojnë për të luftuar 600 shqiptarë, mbledhur nga të gjitha trevat tona. Shkojnë atje dhe, sipas deklaratës së një udhëheqësi të kryengritësvet sirianë, ata 600 shqiptarë nuk marrin pjesë mirëfilli në ushtrinë kryengritëse siriane, por në disa formacione të dyshimtë që, sidoqoftë, nuk i nderon ata, por nuk na nderon as ne, sepse janë gjaku ynë. Le të krahasojmë tani 150 luftëtarë nga Rep.e Shqipërisë në UÇK, edhe ata kryesisht nga Hasi, me 600 luftëtarë shqiptarë, me busull të gabuar, në Siri! Pra, atë që po bëjmë ne me veten tonë, në këtë kohë ngjarjesh shumë të mëdha, atë, edhe më keq akoma, po e bën e do të bëjë edhe bota me ne. Puna do filluar nga themelet. Shqiptarët duhet ta njohin veten që nga kohët më të lashta dhe duhet t’u jepet mundësia që të mburren me çdo gjë të mirë që kanë bërë të parët tanë.

*   *   *
Pikërisht këtij qëllimi, shumë të madh edhe shumë të ngutshëm, desha t’i kontriboj kur i çova një letër z.Sali Berisha. Letra është kjo:

______________________

Gjokë Dabaj
Pjezë, Komuna Xhafëzotaj,
Pjezë, 18 janar 2013, SHIJAK Cel: 0692567880, Email: [email protected]
Z. S A L I B E R I S H A
KRYEMINISTËR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
T I R A N Ë
Lënda: Për një monument të Shën Konstantinit të Madh.
Zoti Kryeministër!

Problemi, për të cilin po Ju drejtohem, ka një rëndësi të madhe historike, kulturore, fetare, politike, turistike dhe, mbi të gjitha, ka të bëjë me prestigjin tonë në shkallë Evrope e në shkallë gjithnjerëzore.
Po Ju drejtohem Ju e jo ndonjë institucioni apo instance tjetër, sepse e di që këtë punë mund ta zgjidhni vetëm Ju, në mënyrën më efikase e më të shpejtë.
Në shkallë botërore, këtë vit do të përkujtohet e kremtohet 1700-vjetori i Ediktit të Milanos, formuluar e shpallur në Milano prej Shën Konstantinit të Madh, në vitin 313. Ishte momenti kur Krishtërimi çlirohej prej ilegalitetit dhe dilte përfundimisht prej katakombeve të nëndheshëm. Që nga ai moment njerëzimi ka tjetër histori. Progresi që ka njohur njerëzimi në Erën Tonë, ose, siç thuhet ndryshe, në Erën e Re, i dedikohet, pa dyshim, edhe atij akti të Shën Konstantinit të Madh, sa vendimtar për kohën e Tij, aq edhe vizionar për shekujt që do të vinin pas Tij.
Por, Shën Konstantini i Madh ËSHTË I GJAKUT TONË! Ai është një ILIR NGA NAISSUSI, Nishi i sotëm, dhe kjo nuk mund të mos përbëjë një burim krenarie edhe për shqiptarët e kohës sonë. Konstantini i Madh ka qenë perandor i një Bashkimi Evropian të Antikitetit. Madje Ai ka qenë perandor jo vetëm i Bashkimit Evropian të atëhershëm, por, i Evropës dhe i krejt Mesdheut, dhe vegimi madhështor i Tiji, IN HOC SIGNO VINCES (Nën këtë shenjë ke për të fituar), e shndërroi Atë në një gjenerues gjithnjerëzor prosperiteti. Jezusi ishte themeluesi i Krishtërimit, apostujt ishin përhapësit e Krishtërimit, Shën Konstantini i Madh qe legalizuesi i Krishtërimit. Pa këta 3 momente, tepër të rëndësishëm në historinë gjithnjerëzore, ekzistenca në vijimësi e Krishtërimit nuk mund të përfytyrohet. Në të gjithë truallin e Shqipërisë, ku të zbuluar, ku ende të pazbuluar, ka me dhjetëra monumente, pikërisht të kohës së Konstantinit. Bazilika, ikona me shqiponjën dykrerëshe, mozaikë.
Nuk do të zgjatem më tutje. Si studiues e njohës i historisë (Jam autor i disa veprave historiko-filologjike etj.) e konsiderova detyrë për të mos qëndruar në heshtje. Bashkëngjitur kësaj letre, po Ju ofroj edhe një elaborat më të zgjeruar, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë problem: “Krishtërimi perendimor dhe identiteti i shqiptarëvet”, botuar në revistën “Malësia”, Podgoricë, nr.4, 2011.
PROPOZIMI im është ky: Në pikën më të lartë të Shkëmbit të Kavajës të ngrihet Monumenti i Shën Konstantinit të Madh. Piedestali, 20 metra i lartë, vetë shtatorja, konstrukt betonarmeje, lyer me ngjyrë ari, 50 metra e lartë. Pamja përballë Gjirit të Durrësit do të ishte nga më impozantet. Efekti, imponues, ngjashëm me shtatoren e Jezusit në Rio de Zheneiro. Në anë tjetër, ndonëse, krahasimisht, kjo punë jo shumë e kushtueshme, efekti i saj do të ishte mbresëlënës, afatgjatë dhe me vlera të mëdha, si historike, ashtu edhe politike, turistike etj, nga më të gjeturat.
Të mos harrojmë që të tjerët, ka mbi 4 vjet që i kanë krijuar komisionet e këtij jubileu, komisione me nga mbi 50 anëtarë, me fonde pa kursim në dispozicion, ndërsa ne, të cilët normalisht duhej të ishim më të interesuarit, as që jemi dëgjuar apo vënë re gjëkundi në lidhje me këtë event kaq të madh, me rëndësi botërore.
Do të ishte turp të kujtoheshim për të, pasi të kenë kaluar kremtimet.
Duke shpresuar se do ta miratoni (madje “me procedurë të përshpejtuar”) këtë kërkesë, që tashmë e ka shtruar vetë koha,
Ju shpreh respektin tim, Gjokë Dabaj.

* * *
Nuk e di ç’bëri z.Kryeministër në lidhje me atë letër. Nuk mora asnjë përgjigje. Nuk u bë askush i gjallë për këtë punë.
Në të vërtetë, unë mendoj që Shën Konstantini i Madh nuk duhet të ketë monument vetëm në Durrës, por edhe në Prishtinë e ndoshta, edhe diku në Merdare, që njerëzit, kur të hyjnë në Kosovë, ta dinë se po hyjnë në Tokën e Konstantinit, ku edhe banorët janë pasardhës të atij populli nga rridhte, jo vetëm ai, por shumë Konstantinë të tjerë.
Unë mendoj që edhe në Shkup duhet të ketë një monument të madh për Justinianin e Madh, në mënyrë që bota, edhe ne vetë, ta dimë që nuk jemi këtu lëng groshe, por jemi një popull me rrënjë shumë të thella dhe me paraardhës që kanë peshë në histori.
Unë mendoj që edhe në Shkodër, madje edhe në Podgoricë, me paret e shqiptarëvet, duhet të ngrihen monumente për Dioklecianin, që bota, edhe ne vetë, ta dimë që nuk jemi lëng lakrash të egra.
Unë mendoj që, në qytetin e Manastirit, krahas monumentevet të Qirjazëvet, të Bajo Topullit e patriotëvet të tjerë të shekujvet të vonë, krahas memorialit të krerëvet shqiptarë, ekzekutuar aty pabesisht prej osmanllinjvet, duhet të ngrihet, me paratë e shqiptarëvet, edhe monumenti i Aleksandrit të Madh, në mënyrë që bota, edhe ne vetë, ta kuptojmë se Aleksandri i Madh nuk ka qenë grek, por ka qenë sundimtar i grekëvet. Ashtu si dhe Justiniani, ashtu si dhe Konstantini.
Durrës, 6 shtator 2013 – Gjokë Dabaj.

……………………………..

Tiranë, 22 Gusht 2013: Në një takim miqësor me bashkëpunëtorët e portalit www.pashtriku.org – Moikom Zeqo, Gjokë Dabaj, Besim R.Cengu, Demir Reshiti dhe Sheradin Berisha.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura