DR.JAKUP KRASNIQI: ZOTI PETRISCH, DUHET TË “NDJEHEMI MIRË” TË GJITHË, JO VETËM SERBËT!

Prishtinë, 18. 11. 2015: Wolfgang Petrisch, tani si kryetari i Fondacionit Marshal në Austri, për mediat serbe paska thënë se: “përparimi i Kosovës varet edhe nga ajo se si ndihen pjesëtarët e bashkësisë serbe”. Nuk e di sesa kjo që u shkrua sot në Portalet tona (të marrë nga Tanjugu) është e saktë, por kjo kështu siç është thënë, kërkon një përgjigje. Kjo që e thotë Petriqi se “përparimi i Kosovës varet nga ajo sesi ndihen pjesëtarët e bashkësisë serbe”, nuk e di sa një njohës i situatës politike në rajonin tonë, gjë që nuk ia mohoj ketë Petriqit, do ta lidhte “përparimin e Kosovës” me atë sesa “serbet do të ndiheshin mirë” në Republikën e Kosovës, kur në ketë komunitet ndikimi i politikës së Beogradit është i madh? Ndoshta dëshmia më e freskët është fushata e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, por kjo nuk është ma kryesorja.
Nga ajo që kemi parë deri më sot, serbët (të nxitur nga Beogradi) nuk po ndihen mirë në Republikën e Kosovës?! Këtu natyrshëm do të shtrohej pyetja: në hapësirën tonë të quajtur Ballkan, pjesë e Evropës gjithsesi, a duhet të ndihen mirë të gjithë dhe çka do të thoshte dhe si do ta kuptonin pjesëtarët e kombeve e minoriteteve tjera veç serbëve, me ketë: “të ndjehen mirë”. Madje pse edhe të tjerët mos të “ndihen mirë” në Serbi? P.sh., pse mos të “ndiheshin mirë”, shqiptarët në Serbi, në Maqedoni dhe në shtetet tjera fqinje. Madje po të pyetshin shqiptarët në Serbi e Maqedoni: “kur do të ndiheshin mirë”? Ata do të përgjigjeshin: “Do të ndihemi mirë në Shqipërinë e bashkuar”. Por kjo dëshirë u është kufizuar në dokumentin që ka derivuar nga bisedimet e Vjenës, i cili ka qenë një kompromis për tu “ndier mirë” gjithë qytetarët e Kosovës pa asnjë përjashtim.

– Wolfgang Petrisch –

Wolfgang Petrich është njëri nga personalitetet evropiane që ka pasur angazhime në rajonin tonë në këto 20 vjetet e fundit, ndoshta edhe më herët dhe e ka pasur një rol të rëndësishëm pothuajse në të gjitha proceset që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe në rajonin tonë. Pa asnjë dyshim, kam pasur e kam konsideratë të larta për angazhimet e tij për zgjidhjen e problemeve në rajonin tonë, për mua që nga vera/vjeshta e vitit 1998 e në vazhdim dhe ruaj kujtime shumë të mira. Jam i bindur se zoti Petrich e din se Bisedimet gati dy vjeçare që janë zhvilluar në Vjenë, ku edhe vendi i tij kishte një rol të rëndësishëm (Zoti Rohan ishte zëvendës i Presidentit Ahtisari), kishin qëllim që pas pavarësisë së Kosovës, serbët e Kosovës të ndjeheshin mirë. Dhe i gjithë ai proces i gjatë dhe i mundimshëm, qëllim parësor kishte krijimin e një ambienti të tillë në Kosovë, që serbët e Kosovës të ndiheshin mirë. Pastaj nuk ka asnjë dyshim se pala e Kosovës në ato bisedime kishte bërë një kompromis të dhimbshëm dhe vetëm e vetëm që minoriteti serb në Kosovë të “ndihej mirë”. Ketë e tregon fare mirë edhe Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës, i cili mbi 80% të tij merrej me akomodimin dinjitoz të komunitetit serb, sa në shumë raste u harruan komunitetet tjera, përfshirë edhe shqiptarët si shumicë absolute në Kosovë. Natyrisht që ai kompromis u bë për Pavarësinë e Mbikëqyrur dhe në masë të madhe ia ka vlejtur.
Kam bindje e besim se zoti Petrich i dinë shumë mirë, standardet evropiane që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e komuniteteve pakicë. Konsideroj që e dinë edhe faktin, se pakica serbe që nuk përbënë më shumë se 5% te popullsisë së Kosovës, me Kushtetutë e ligjet e Kosovës, kanë të drejta më të mëdha se secili komunitet pakicë në Evropë. Madje kanë më shumë se edhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë edhe pse ata atje e përbëjnë më shumë se 30% te popullsisë. Nuk kam asnjë dyshim se edhe ata nuk “ndihen mirë” me pozicionin që kanë. Ndoshta do të duhej që të kërkonte nga Serbia që edhe shqiptarët atje të “ndiheshin mirë”. E vërteta është se ata nuk ndjehen mirë.
Pa dyshim që është krejt normale që qytetarët serbë në Kosovë të “ndihen mirë”, ashtu si do të duhej të “ndihet mirë” çdo qytetarë i Republikës sonë. Unë dyshoj dhe dyshoj shumë se mund të “ndihen mirë” shumica e qytetarëve të Kosovës përfshirë dhe komunitetet tjera pakicë, që mundësin për t’u “ndjerë mirë” të kanë vetëm komuniteti serb, të cilët (një masë kriminale e nxitur e të paguar nga Beogradi zyrtar) ma arrogancë po e rrezikojnë stabilitetin që 16 vite?! Pasi kërkesa e tyre për tu “ndjerë mirë”, shkon tepër larg dhe ketë e dinë mirë Ambasadori W Petrich. Ne qytetarët e Kosovës dëshirojmë që të “ndjehemi mirë” e të barabartë në çdo segment të jetës, pra të ndjehemi mirë pa privilegje. Pasi aty ku ka të privilegjuar, domosdo ekzistojnë edhe të diskriminuarit! Historia e këtij rajoni jo pak herë e ka konfirmuar ketë! Shkurt, duhet të ndjehemi mirë të gjithë dhe jo vetëm në Kosovë!
Krejt në fund, mund të shtrohet edhe një pyetje: Ata që kanë qenë me dekada të privilegjuar në një njësi federative, të cilën për t’i ruajtur privilegjet i shkaktuan katër luftëra, a mund të “ndihen mirë” duke qenë të barabartë me të tjerët? Dhe sa mund të jetë kërkesë vetëm që të “ndjehen mirë”?! Prandaj unë nuk mund të besoj që “progresi në Kosovë mund të matet me atë sesa do të ndjeheshin mirë serbët”?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura