Durrës, 20. 07. 2016:
Të ndërtojmë një observator të madh,
(Me paratë fitime
që do të mund nxjerrim
nga gara e kombevet
në shekullin që vjen.)
(Por a do të nxjerrim dot
edhe një kacidhe, vallë?!)
Sidoqoftë, një observator të madh
shqiptarët e ardhshëm
duhet ta kenë.
//
Dhe të observojmë,
me atë mjet të shtrenjtë,
yjet tanë të perenduar.
Yjet dhe planetet.
Qielli i së kaluarës
shqiptaro-arbro-iliro-pellazge
është aq plot dhe aq keq i vrojtuar,
sa nuk dallohet:
Është qiell,
apo një shesh me byk e me kashtë.
//
Kushedi ç’gjëra do të zbulohen
në atë qiell aq të thellë!
Kushedi ç’mistere fshihen
përtej ayre aparaturave të çuditshme elektronike!
Atje, ku me sy nuk shihet,
veç një pikëz e verdhë,
papritur mund të shfaqen oqeane,
vargmale, faje, gabime trashanikë.
//
Arsyet,
ato që quhen arsye të historisë,
ndoshta do të duken si stepat pa fund,
mbushur me guriçka dhe me shkurre.
Mu në mes të stepavet,
hedhur si pa qëllim aty-këtu,
vullkanet e egoizmit të meteorëvet tanë,
që herë nxjerrin tym
e herë llavë e shkumë.
//
Lumenjtë e përpjekjevet për të bërë diçka,
o mbeten të gjallë
e derdhen në detra të huaj,
o humbin vdekjedhimbshëm
ndër shpellat karstike,
o myshku i mosvullnetit
shtrihet përtueshëm mbi ta
dhe shekujt përpara
e ne pas shekujve,
përherë të vonuar.
//
Kushedi ç’gjëra
teleskopët do të na thonë!
Mbase më qartë do të shihet
në ç’kunja lidheshin dhokanët e tradhtivet.
Shkodra, Shkupi apo Damastioni,
pse s’u bënë Romë?!
Ngjarjet e jetës së këtij vendi,
pse s’i shkrojtëm ne,
por grekët dhe latinët?!
//
E kështu,
mbas nja njëqind brezash shqiptarësh eruditë,
mbas një evolucioni disashekujsh të teleskopëvet,
mbase do të pikaset diku
ajo vrima e zezë
e sonës galaktikë
dhe mbase disi do të mbyllet ajo gropë.
________________________
Marrë nga “Ditar e poezi“, 1996-1997. Numri 21.
Shkruar më 6 maj 1997. Hedhur në kompjuter më 19 korrik 2016.