SULEJMAN MEHAZI: PUBLICISTIKA DHE KORRESPONDENCA E LASGUSH PORADECIT, BURIM INTERESANT TË DHËNASH LETRARE E JETËSORE

Tetovë, 22. 0.2. 2016: Lasgush Poradeci, siç dihet, është i njohur në letërsinë shqipe si poet, këtë e argumenton duke thënë ”….përpara të gjithave është poezia”. Ajo formon shpirtin e kombit. Një libër me një roman është Unterhaltungsbuch (libër bashkëbisedimi), ndërsa një libër me poezi është një Bildungsbuch (libër formimi)… . Pas rënies së sistemit monist në Shqipëri do të shohim se Lasgush Poradeci përveç poezisë, është marr edhe me veprimtari prozaike dhe shkencore, mirëpo edhe prozat e tij janë të stërpikura me ndjenja poetike. Pra, kjo na bind se nuk kanë pasur të drejtë të gjithë ata që kanë thënë se Lasgush Poradecit i ka humbur frymëzimi dhe se me humbjen e frymëzimit s’ka se çfarë shkruan më. Këtë e thotë edhe Fatos Arapi në ”…Shënime për lirikën e Lasgush Poradecit…” , se veprimtaria tjetër përveç poezisë është shumë e paktë dhe se përveç një studimi për Veteranin e Lëvizjes Shqiptare të Rumanisë, Nikolla Naço dhe përveç disa artikujve dhe intervistave të rralla, kurrgjë tjetër.
Është e pamundur që një poet i lindur, me përsosje dhe thellësi shprehjeje, me një stil të jashtëzakonshëm e të veçantë, me një estetizëm poetik formal, me një simbolikë e metaforë poetike kaq të mprehtë, me vargje aq të rimuara dhe të paarrira të mos shkruajë në kohën gjysmë shekullore të monizmit. Askujt, as Fatos Arapit, e të tjerëve nuk u shkonte në mendje se heshtja gjysmë shekullore ishte protestë dhe revoltë ndaj sistemit të topitur komunist. Po pikërisht këtu është ajo metaforë e fshehtë jo vetëm e poezive, por edhe e poetit që edhe pas vdekjes mbetet enigmë dhe mister i përhershëm në letërsinë tonë shqipe. Ishte e pamundur që ky poet me talentin e tij dhe me përgatitjen artistike e shkencore të mos e kuptonte kohën se kur është e dobishme poezia për ndijorët, perceptuesit, e kur nuk është poezia për jo ndijorët, për pa perceptuesit. Ky sistem me këta poetë dhe shkrimtarë, mos donin që Lasgush Poradeci të ndalej dhe të shkruante për një kovaç fshati, apo poezinë e bukur Poradeci ta zëvendësonte me përralla fantastike gjuetarësh dhe peshkatarësh, apo ndonjë histori interesante mbi kafshët tokësore dhe ujore në vend të Vdekjes së Nositit, apo për ndonjë patë të liqenit të Pogradecit që duke u dekompozuar shndërrohet në breshkë, ose në vend të Valles së yjve të krijojë poezi mbi erën pjellore të këtij sistemi, që krijon minj në mullarë bari; apo në vend të poezisë Dremit liqeri dhe Lundra dhe Flamuri të shkruajë një lundërtar i cili mundohet të shkaktojë enigmë- klithmën dhe zhurmën e ujit; në vend të shtërgut dhe zogut të qiejve të shkruante se shpendët sëmuren dhe shërohen si njerëzit; jo vetëm kaq, po Lasgushi të shkruante edhe për minatorët t’i informojë dhe me poezinë e tij t’i shërojë nga sëmundjet e metaleve.

Lasgush Poradeci (Llazar Sotir Gusho) 1899 – 1987

Arti në veçanti poezia nuk ishte për poetin kusht i jashtëm për të shëruar natyrën, trupin dhe shpirtin sociale- realiste të vendit të vet, sepse veprën artistike e kuptonte, e shikonte si figurë krijuese që e do lirinë që është thelbi i saj fillestar. Kuptimi dhe natyra specifike e artit dhe poezisë në veçanti fshihet në kushtet e së brendshmes, vetes, e jo në kushtet e së jashtmes. Frymëzimi, ndjenja, përjetimi janë substanca dhe lëndë brenda vetes së poetit, siç e shpreh Lasgushi, bashkë me rrethanat vetjake dhe individuale, si mjet ushqyes krijues, duke i forcuar fuqitë krijuese në përputhje me ligjet e artit dhe duke e bërë veten ashtu siç dëshiron të bëhet poeti dhe vet krijimi poetik. Kuptimi i veçantë i një vepre artistike për Lasgush Poradecin qëndron pikërisht, që ajo është e aftë të shkëputet prej grykave të maleve, ngushticave dhe qorrsokakëve të sistemeve moniste, për të dal në horizontin e gjerë poetik, duke lënë shumë larg pas vetes të gjithë përkohshmërinë dhe jetëshkurtësinë e sistemeve makabre komuniste.
Ai dëshironte të bëhej poet i lirë i qiellit, e jo i urdhëresave dhe i dëshirave të dikujt, ai ishte mbi to, ishte mbi këtë natyrë shqiptare, mbi fisin, mbi këtë jetë, edhe pse ishte i dukshëm apo fizikë donte të tregojë për të padukshmen, mbi mallin dhe dashurinë, mbi ëmbëlsinë dhe hidhërimin, mbi shijen dhe aromën, mbi dashurinë e llaftarinë, mbi jetën, vdekjen, përjetësinë, mbi atë se ç’ është e bukur dhe jo e bukur në artin e mirëfilltë.
Pra, të gjitha këto Lasgush Poradeci nuk i ka shprehur vetëm në poezitë dhe veprat poetike, por edhe në publicistikë , në prozë duke publikuar mendimet nëpër ditarët, letrat, esetë, korrespodencat dhe trajtesa të ndryshme artistike . Që më lart thamë se Lasgushi është vetëm poet, sepse poezia lind dhe del nga zemra. Pse? Sepse burimi i poezisë është në zemër, e burimi i diturisë është në mendje, prandaj edhe thotë: ”…Poeta nascitur. Orator fit. (Poeti lind. Oratori bëhet.) …., por edhe në publicistikë do të vërejmë se Lasgush Poradeci nuk është orator apo eruditë, po edhe këtu do të shohim se është poet, sepse të gjitha prozat e tij të shkruara janë metafora të lidhura si në sistemin poetik të Lasgushit; me këtë kuptojmë se përveç gjeniut poetik do të zbulojmë dhe do të njihemi dhe me gjeniun prozaik. Sabri Hamiti thotë se emri i vetë poetit Lasgush Poradecit është metaforë më vete, se Lazar- Gusho që do të thotë Lazar, emër biblik, që nënkupton metaforë dhe Gusho emrin e familjes që ka kuptimin e dashurisë ndaj familjes së vet, dhe të mbiemrit Poradeci derivim poetik të vendit të lindjes, që prapë në formën origjinale shpreh dashurinë ndaj vendlindjes. Po të shohim edhe korrespondenca e tij: trajtesat, esetë, ditarët, letrat dhe intervistat janë metafora të mirëfillta poetike.
Pse?
Sepse të gjitha korrespondencat janë krijime të një bote të imagjinuar dhe të re, krejtësisht ndryshe nga korrespodencat e shkrimtarëve të tjerë, të cilët janë më afër botës reale se asaj ideale; Këto fjalë bëhen figura për shkak të motivimit të madh shpirtëror e mendor dhe të duket se në korrespondencat e tij kemi të bëjmë me një gjeni që i jep peshë fjalës, mendimit, formës, përmbajtjes dhe bukurisë së fjalëve. Letrat, ditarët, esetë dhe trajtesat e tij edhe pse paraqesin një botë reale, por me kuptime të ndryshme nga realja, një botë të re me gjuhë mjaft poetike, gjuhë që rëndë përkthehet, që nuk mund të imitohet; pikërisht kjo e bënë që të jetë gjuhë e figurshme, simbolike e metaforike. Publicistika dhe korrespondenca e Lasgushit nuk ka të bëjë me tema shoqërore, politike, i huaj është edhe në këto shkrime ndaj jetës dhe botës shqiptare reale, njëlloj sikurse në poezinë e tij, kjo do të thotë se edhe vet jeta e Lasgushit ka qenë e huaj, ka qenë me një botë tjetër të përfytyruar e cila do të jetë më shumë një botë ideale sesa reale. Duket se jo vetëm poezia e tij është e lartësuar dhe e kthyer nga qielli dhe përjetësia e jetës poetike, por edhe vet ai si njeri dhe person fizikë është i kthyer nga qielli i jetës së tij.
Jetë e vdekje përqafuar,
Nuk e di se ku po vete:
Shkon e ndal e ri menduar
Në kalove – edhe në mbete.
Përqafime (rondel )
Sipas përkufizimit të Kantit, “…kënaqësia estetike, mund të ndahet nga kënaqësitë e tjera, si diçka e painteres, rezultat i vëzhgimit të diçkaje jo si kuptim, por si qëllim në vetvete, jo aq i përdorshëm sa stolisës. Të vëzhgosh estetikisht do të thotë të vëresh “bukurinë” e diçkaje. Jo moralja, jo utilitarja, jo zotëruesja, kjo është pastërtia e kënaqësisë estetike…” . A ekziston bukuri më të madhe sesa të vëzhgosh, të vëresh dhe të studiosh kohën si vlerë më të madhe të jetës, të matësh kohën njëlloj si akrepat e orës të cilat një ditë do të “përqafojnë jetën tonë me vdekjen” dhe kjo do të dëshmojë se ne vetëm kemi “kaluar” rastësisht pa asnjë gjurmë, apo do të ”mbetemi” me gjurmët e kohës sonë. E këtë kohë të vlefshme Lasgushi e ka matur me anë të ditarëve të tij që do të lënë gjurmë jo vetëm artistike, por edhe autobiografike.
Ç’kuptim ka ditari për Lasgush Poradecin? Ditari ka të bëjë me ditën, dita ka të bëjë me kohën, koha nuk e dimë se ku vete dhe fatkeqësisht koha ec me ritmin e saj të shpejt ajo “shkon” ne ndalemi e rimë të”menduar” për vrapin e saj marramendës dhe na le pa fjalë, sepse na duket se fluturimthi kalon çdo çast, minutë, orë apo muaj qoftë. Na duket sikur ajo di vetëm të ecë, të vrapojë pa mbarim, na duket sikur gjithmonë është me ne, sikur nuk mbaron kurrë. Pra, me anë të poezisë rondel Përqafime dhe ditarëve a nuk e bënë me dije poeti sesa e çmuar është koha e jetës sonë. A nuk është i vyeshëm çdo çast dhe sekondë e saj e milimetruar, a nuk është e shtrenjtë kjo kohë që duket sikur është gjithmonë me ne. Ditarët dhe korrespondencat do të t’ia zgjasin jetën poetit njëlloj si veprat poetike, sepse këto shkrime të shkurtra prozaike jetuan miqësinë e tyre jo vetëm në pjesën e parë të shekullit të kaluar, por edhe në fund të këtij shekulli. Gjurmët e këtyre korrespondencave dhe ditarëve janë të gjalla, kanë lënë gjurmë si të ishin edhe sot gjallë, më duket se vetëm me anë të ditarëve dhe letrave shoqëritë zgjasin përtej shekujve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura