GJOKË DABAJ: PËRÇARJA FETARE NDËR SHQIPTARËT NUK ËSHTË TEJKALUAR

Durrës, 01. 10. 2013 – I. Më nxiti për të folur edhe njëherë për këtë problem një shkrim i publikuar ditët e fundit në internet, të cilin dikush ma pat dërguar edhe mua. Unë e falenderoj dërguesin, sepse njerëzit, sidomos kur kanë marrë përsipër për ta thënë edhe vetë mendimin publikisht, kanë nevojë për sa më shumë informacione.
Shkrimi është reagim ndaj një prononcimi të Prof.Dr.Mehdi Hysenit në të mirë të bashkimit të Rep.së Kosovës me Rep.e Shqipërisë. Autor i shkrimit është z.Paul Tedeschini. Po citoj vetëm 2 fjali të z.Paul Tedeschini: 1.”Të paska futë në thes ish-komunisti i thekun Abdi Baleta!” 2.”Dy gjana me vend ka ba Evropa gjatë shekullit XX: Copëtimin e trojeve filoosmane shqiptare dhe copëtimin e Gjermanisë naziste.”
Shihet qartë që autori është KUNDËR KREJT SHQIPËRISË, për shkak se pjesa më e madhe e Kombit tonë është e besimit mysliman. Shiko: http://Kosova.albemigrant,com/?p=24564 Nuk po bëj më asnjë lloj komenti.
II. Po udhëtoja njëherë për një takim intelektualësh në rreth të Matit. Pranë meje qe ulur një burrë. Ai, me sa duket, e dinte që unë e studioj historinë dhe filloi të më flasë pikërisht për ngjarje historike. Kish lexuar një libër për Ballabapashë Baderën. Ish krenar, sepse, siç thoshte, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si Ballabanpasha, kanë qenë prej Matit. Mirëpo, Ballabani paskësh qenë më i madh se Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ai paskësh qenë gjenerali kryesor i Sultan Mehmetit në rrethimin e Stambollit më 1453-shin dhe, falë pikërisht gjeniaitetit të tij prej strategu, qenkësh bërë i mundur pushtimi i Stambolli. Këto ishin arsyet që historia duhej rishikuar dhe emri i Ballabanpashës të vihej në vendin që i takonte: Sipër atij të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Pastaj më foli për traditat e lavdishme të 4 shtëpive të mëdha feudale të Matit, për mënyrën se si e kishin qeverisur vendin ato shtëpi feudale, për njerëzit e shkolluar që paskëshin dalë prej atyre shtëpive bejlerësh dhe për fatin e keq që këto gjëra nuk mësohen ende nëpër shkolla.
Nuk më pyeti asnjëherë se si mendoja unë për këto gjëra. Foli gjithë rrugës vetëm ai, gjersa u ndal makina dhe ne zbritëm. Ai shkoi në shtëpinë e vet të dikurshme, (prej së cilës e kishin larguar me internim para 50 vjetësh), ndërsa unë shkova në konferencë.
III. Në vitet kur sapo ishte përmbysur regjimi komunist, më ndal një ish-profesor i ish-shkollës së Ministrisë së Brendshme, autor i disa librave, botuar në Kohën e Enverit. Ish një ditë korriku, me një diell shumë të fortë, por ai kish qejf të më bënte propagandë. “Historia” thoshte ai, “duhet të rishikohet. (Njëlloj siç do të bënte ai matjani vite më vonë.) “Nuk mund të konsiderohen figura madhore, as ajo e Enver Hoxhës, as ajo e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. ata duhet të hiqen.” “Po kush të vihet?” Mezi arrita ta pyes, sepse donte të fliste vetëm ai. “Begollt e Pejës. Ata janë familje e merituar në historinë e kombit tonë… Edhe Abdyl Frashëri duhet të hiqet. Ai ka qenë spiun i grekëvet. Ka dokumente. Grekët e kanë dërguar në Prizren për ta prishur Lidhjen. Më thuaj, pse nuk shkruaj unë një libër për Isa Boletinin? Sepse ai ka qenë spiun i sërbëvet. Ka dokumente. Të gjithë ata që e kanë luftuar turkun, kanë qenë, o spiunë të sllavëvet, o spiunë të grekëvet.”
Më mbajti ish-profesori i Ministrisë së Brendshme 1 orë në diell, mu afër sheshit “Avni Rustemi”.
IV. Një prift i yni, katolik, kur më sheh duke u përshkuar midis njerëzvet, ndalet, dhe unë kuptoj që ka qejf të bisedojmë. I prezantoj time shoqe. I them që është nga Jugu, prej një familjeje ortodoksësh patriotë. Dua të nisem, sepse jashtë po më priste vëllai me makinë. Mirëpo, meshtari ynë i nderuar, kërkon të shfryjë dufin kundër myslimanëvet tanë. “Janë gabim gjithë ditën!” thotë. “Të gjithë e dinë që e kanë prejardhjen të krishterë. Pse nuk kthehen? Pse nuk bëhen të krishterë dhe të shpëtojmë një herë e mirë prej hijes së pushtuesvet osmanë?”
Edhe unë do të isha dakord, por ç’t’i bëj, kur as unë vetë, si 70% e të krishterëvet të sotëm të botës, nuk po gjej më te krishtërimi atë perspektivë, e cila do të mund ta çonte njerëzimin më tutje drejt progresit?!
Krishtërimi Perendimor ka merita të mëdha në fushat e përparimit gjithnjerëzor. Por, a e dimë pse? Sepse, midis tjerash, “ka lejuar” që, në manastiret e tij të studiohet Antikiteti; “ka lejuar” që, në gjirin e tij të lindin poetë si Dante Aligieri, i cili “krijesat e Hyjnisë”, Purgatorin, Ferrin dhe Parajsën, guxoi dhe i emërtoi komedi; “ka lejuar” që, nga gjiri i tij, të dalin Xhordano Brunë, Galileo Galilei e Nikollë Kopernikë. Ja përse Krishtërimi Perendimor ka merita shumë të mëdha. Natyrisht që nuk ia them këto meshtarit tonë, aq më tepër, kur makinat e dasmës tashmë ishin larguar dhe vëllai qe bërë nervoz pse ndenja aq gjatë me priftin.
V. Është një shqiptar ortodoks nga Përmeti. Ka shkruar e botuar tashmë një duzinë libra. Midis tyre, edhe 1, ku flitet për fenë ortodokse në këto hapësira. Flet, me të drejtë, mbi presionet që ka ushtruar këtu pushteti osman mbi popullsinë e krishterë, flet për islamizimin, por nuk thotë asgjë mbi veprimtarinë shkombëtarizuese që ka bërë këtu Patriarkana Greke. Përkundrazi, shprehet me lëvdata ndaj kryepeshkopit A.Janullatos.
VI. Një shqiptar nga Mitrovica e Veriut, shkon dhe vret në Gjermani marinsat amerikanë, si një islamik nga më fanatikët. Vret amerikanët, përkrahës të shqiptarëvet, në një kohë kur krahinën e vet e ka të zaptuar prej kolonizuesvet sërbë. Gjyshi i tij, hoxhë, del e na thotë në trelevizor: “Ne nuk e kemi edukuar kështu djalin tonë.” Atëherë, kush e bëri të atillë atë djalë fatkeq?
VII. Qeveritarët turq u propozojnë shqiptarëvet që të mos e quajnë pushtim pushtimin e Arbërisë nga ana e Perandorisë Osmane, por ta quajnë bashkëqeverisje. Ata u kërkojnë shqiptarëvet që t’i ndryshojnë tekstet shkollorë dhe, ç’është më e keqja, gjenden midis nesh miratues të atyre kërkesave.
VIII. Grekët, deri në instancën më të lartë, bëjnë alarm, duke u angazhuar të na mësojnë ne, ç’duhet të ndërtojmë në qendër të një qyteti shqiptar: Të ndërtojmë pallat kulture apo kishë. Duan të na diktojnë vullnetin e tyre. Ndërkaq, priftërinjtë tanë, shqiptarë, në vend që t’u thonë grekëvet: “Dimë vetë ne ç’bëjmë në vendin tonë!” dalin në shesh dhe tundin veladonët. Gërricen me policët, që të bëjnë shou e të tërheqin vëmendjen e mediavet.
Ushtria greke improvizon manovra në anën e përtejme të Gramozit, duke ndërsyer vetëveten kundër ca UÇK-ve dhe ca UÇÇ-ve imagjinare. Priftërinjvet tanë ortodoksë shqiptarë as që u shkon mendja të bëjnë qoftë edhe një deklaratë kundër të atilla nxitjeve fqinjësish jo të mira. Madje, ka të ngjarë që ata, në shpirt, të ushqejnë simpati ndaj të atilla manovrave ushtarake të grekëvet.
IX. Një futbollist shqiptar, pjesëtar i përfaqësueses sonë kombëtare, lojtar i një ekipi grek, për shkak se ka guxuar të veshë një bluzë me inicialet e UÇK-së dhe me flamurin e kombit të vet, diskriminohet prej grekëve, deri në atë masë sa ai detyrohet të gënjejë, duke thënë: “S’e kam ditur ç’është ajo shenjë.” Të ish Fan S. Noli në krye të Kishës sonë Ortodokse, a do të rrinte pa folur lidhur me këtë lloj persekutimi?
X. Në Arqipeshkvinë e Tivarit, as për plakat katolike shqiptare nuk lejohet të thuhet meshë në gjuhën shqipe. Ndërkaq, shkoni dhe shihni ç’bisedojnë rreth tryezavet shqiptarët katolikë të Tivarit! Në vend që të kërkojnë shkolla shqip dhe meshë në gjuhën shqipe, ata, duke folur gjysmë shqip e gjysmë sllavisht, rrinë gjithë natën duke tjerrur kallëzime, mbushur plot me antipati ndaj myslimanëvet.
XI. Udhëtoj me një mikrobus nga Shkodra për në Kukës. Në një sedile para meje është ulur një djalë afër të 30-avet. Ka mjekërr të zezë e të bukur, është me syze. Fytyrë inteligjenti. Kuptohej që ishte i sferës së klerikëvet myslimanë.
Diku afër Pukës, ndalemi te një çezëm. Duke ndenjur më këmbë, grup pasagjerësh, djali me mjekërr më pyet: “Po ju, nga jeni?” (Me sa duket, më kish dëgjuar duke biseduar me zë të lartë gjatë rrugës.) Unë i përgjigjem: “Nga Tivari.” “Kam takuar shqiptarë nga Tivari”, më thotë ai. “E flasin bukur gjuhën shqipe.” Unë i them: “Tivari është vendi ku mendohet se është shkruar Meshari i Gjon Buzukut, libri i parë që njohim deri më sot në gjuhën arbërishte.” Djali nuk flet. “Gjon Buzuku”, vazhdoj unë, “është i pari, pastaj vijnë 3 pionierët e tjerë të librit në gjuhën tonë: Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Fran Bardhi. Por, sidoqoftë, Buzuku deri tash mbetet i pari, kolosi i kulturës sonë, ai që e ka hapur rrugën e botimevet në i gjuhën tonë.” Duke parë që djali nuk po donte të bisedojmë për këtë çështje, unë shtoj: “Pjetër Bogdanin e kemi nga anët tuaja.” Djali e mbyll bisedën, duke thënë: “Unë nuk i njoh ata.” Kthen supet dhe fillon të bisedojë me dikë tjetër. E dalloj nga pantallonat e shkurtuara që është vehabi.
Ç’do me thënë, kur një djalë shqiptar, mysliman, i shkolluar, nuk i njeh ose nuk dëshiron t’i njohë 4 fillestarët katolikë të letërsisë së shqiptarëvet?!
XII. Në Prishtinë përkujtohet me nderime “Dita” e një sulltani. Ai sulltan, sigurisht, ka sunduar në të njëjtën kohë edhe në Jordani, Liban dhe Egjipt. A thua përkujtohet kjo “Ditë” e tija edhe në ata vende? Ç’do të na shtynte ne shqiptarët të përkujtojmë sundimtarin e një shteti pushtues, në mos feja e përbashkët me atë sundues, por edhe një lloj iluzioni?! A e përkujton dikush në Kosovë “Ditën” e Jul Cezarit, se edhe ai ka sunduar dikur në vendin tonë? Sigurisht që jo dhe s’ka pse ta përkujtojë. Ndërsa Shën Konstantinin e Madh, po. Atë duhet ta përkujtojmë, sepse është një nga perandorët tanë, është nga Dardania, dhe ka qeverisur pozitivisht.
XIII. Në një libër, botuar vitet e fundit, tregohet me dokumente se si në rrethimet e Vjenës, kryekomandantët e ushtrisë osmane, filluar nga Veziri i Madh, kanë qenë arnautë. Edhe ushtarët që plaçkitnin e digjnin fshatrat e krishterë rrotull Vjenës, ishin arnautë. Pra, ndërsa një pjesë arbërish iknin prej vendit të vet dhe vendoseshin në Evropën Perendimore, për t’i shpëtuar mizorisë islamo-osmane, pjesa tjetër, donte dhe luftonte që ajo perandori ta pushtonte Evropën Perendimore dhe ta shkatërronte, ashtu siç edhe e kish shkatërruar Arbërinë.
Por nuk është këtu krejt e keqja. E keqja është se autori i studimit mbi pjesëmarrjen e arnautëvet (Ai thotë: shqiptarëvet.) në rrethimin e Vjenës, shpreh krenari që ne shqiptarët e sotëm jemi pasardhës të atyre sadrazemëve aq të famshëm.
* * *
Sigurisht që këta 13 apo 15 raste nuk janë raste të veçuar. Ka në jetën tonë të përditshme me qindra dëshmi që tregojnë se problemi I përçarjes fetare ndër shqiptarët nuk është aspak problem i tejkaluar. Përkundrazi, ai është tepër shqetësues dhe, në të ardhshmen, po u lanë punët në këtë rrjedhë të pakontrolluar, do të bëhet edhe më shqetësues. Madje, tepër i rrëzikshëm! Po sjell këtu edhe 2 shembuj.
* * *
XIV. U bë tashmë e njohur për publikun tonë që, në Siri po marrkan pjesë, si mbrojtës të një kauze myslimane, diku rreth 700 shqiptarë. Pra, 1 batalion luftëtarësh, fomacion e pakta 3 herë më i madh se secila prej njësivet tona “paqëruajtëse”, që shkojnë në vende të ndryshëm në kuadrin e forcavet të NATO-s. “Lumë e përrua”, do të thoshte një plakë e Jugut.
XV. Në të njëjtën hulli të turbullt, ditët e fundit po flitet se në radhët e partisë fashiste greke “Agimi i artë”, marrka pjesë një shumicë arvanitësh, e ndoshta edhe shqiptarësh ortodoksë të Çamërisë. Ata, veç përgatitjevet të tjera, po stërvitkan rreth 3000 ushtarë, për t’i përdorur si forcë pararojë goditëse askund tjetër më parë se në drejtim të Rep.së Shqipërisë. Ata duan të hyjnë këtu, me qëllim për ta “çliruar” Atdheun e tyre prej shqiptarëvet myslimanë. (Po thonë që u arrestuan krerët e asaj partie. Edhe Hitleri ka bërë burg, por ka dalë prej burgut nacist edhe më “i kompletuar”.)
* * *
Unë nuk jam mendërisht aq i papërgjegjshëm, sa të mos parashikoj dot që këta 2 “lloje” “ushtarësh” shqiptarë (edhe “lloje” të tjerë), po përgatiteten për të vrarë njëri-tjetrin. Shqiptarët ortodoksë dhe arvanitët ortodoksë po i përgatit “Agimi i artë”, në të vërtetë: Agimi i zi, për të vrarë shqiptarë, islamikë, gjysmëislamikë, çerekislamikë, thjeshtë për shkak të emrit Osman, Riza etj. Krahu tjetër, ai që po dërgon vullnetarë shqiptarë në Siri për hesap të një lloj islamizmi, po përgatit (psikologjikisht) kontigjente, të cilët, në dukje, mund edhe të luftojnë për Shqipëri, por, në të vërtetë, jo për Shqipëri, por për islamizëm.
Ishin shumica shqiptarë ata që i solli Ibrahimpasha, në fillim të shekullit XIX, nga Egjipti në Peloponez dhe ishin shumica arvanitë ata që u masakruan aty prej ushtrisë së Ibrahimpashës.
Ishin shumica shqptarë ata që luftonin për Mesolongjin grek dhe ishin shqiptarë të Mustafapashë Bushatasit, ata që po luftonin për t’ua marrë Mesolongjin grekëvet dhe për t’ia dorëzuar Turqisë. Në fund, Marko Boçarin, shqiptarin e madh, një ndër kryembrojtësit e Mesolongjit, e vranë, jo turqit, por shqiptarët.
Unë nuk jam aq i papërgjegjshëm mendërisht, sa të mos mund të shikoj e të kuptoj se edhe sot po përgatiten kontigjente shqiptarësh për t’u vrarë njëri me tjetrin, për të tjerët.
Por duhet të vëmë në dukje edhe një anë tjetër të kësaj perspektive ogurkeqe: Të gjithë ata djem shqiptarë janë djem të mirë! Janë djem të mirë, bijtë e nënavet, por janë të informuar gabim! Pikërisht këtu qëndron tragjedia jonë e pakundshembull: Vriten djemtë tanë të mirë njëri me tjetrin!
* * *
Po sjell këtu prapë 3 shembuj të tjerë, për të nënvizuar edhe njëherë faktin që përçarja fetare ndër shqiptarët nuk është tejkaluar. (Ashtu siç po duan ta paraqesin propaganduesit tanë fodullë dhe euforikë.)
1. Si është mundur të jetojnë në shtetin grek disa qindra mijë a miliona të krishterë, shqiptarë e arvanitë, dhe shteti i quajtur “demokratik” grek të mos i emërtojë ata, në dokumente, me emrin që u takon: shqiptar e arvanitë, por i quan: grekë?! A nuk është kjo një vepër përçarëse në Kombin Shqiptar mbi baza fetare?!
2. Si është mundur të jetojnë në shtetin turk disa milionë myslimanë, shqiptarë të hershëm e të vonshëm, dhe shteti i quajtur “demokratik” turk të mos i emërtojë ata, në dokumente, me emrin që u takon: shqiptarë, por i quan: turq?! A nuk është kjo një vepër përçarëse në Kombin Shqiptar mbi baza fetare?!
3. Si është e mundur që në shtetin malazias, në komunën e Tivarit, të jetojnë disa mijë katolikë shqiptarë dhe shteti i quajtur “demokratik” malazias ta konsiderojë Arqipeshkvinë e Tivarit një arqipeshkvi malaziase, në një kohë kur s’ka askund në botë qoftë edhe 1 malazez katolik?! A nuk është edhe kjo një vepër diskriminuese ndaj Kombit Shqiptar, nisur pikërisht nga feja?!
* * *
S’e di a munda të jem mjaft i qartë, për ta bindur lexuesin sa problem i madh është problemi fetar në Kombin tonë.
Tani do të mundohem të shpjegoj shkaqet.
Shkaku i parë, kryesor dhe më vendimtari, është, që ne, qysh së lashti e deri më sot, nuk kemi krijuar INSTITUCIONIN tonë ETNO-NACIONAL.
Të gjithë popujt kanë në gjirin e vet njerëz me moral të lëkundshëm, hipokritë, karrieristë, njerëz të cekët dhe budallenj, por shumica e tyre, së paku këta që i kemi rrotull, i kanë pasë krijuar me kohë INSTITUCIONET e vet, që s’janë tjetër, veçse mënyra për të mbledhur rreth një pike, rreth një ideje jetëzgjatëse, edhe të urtët, edhe budallenjtë.
Izraelitët e patën që në zanafillë atë INSTITUCION. Grekët e patën shkruar Biblën qysh para latinëvet, i patën krijuar kishat e veta dhe kastën e klerikëvet që ua predikonte krishtërimin në gjuhën greke. Sllavët e krijuan kishën në gjuhën sllave që me Qirilin e Metodin në shekullin IX. Gjermanët e krijuan INSTITUCIONIN e vet, që do të thotë: Biblën, liturgjinë, shërbimet fetarë, që në shekullin XIV, me Martin Luterin. Po kështu edhe anglezët, me Kishën Anglikane. Islamizmi, në thelbin e vet, s’është tjetër veçse xhami, dmth faltore, në gjuhën arabe, krijuar në shekullin VII.
Ne, në të gjithë këta shekuj, nuk e krijuam dot faltoren në gjuhën tonë.
Shën Konstantini i Madh, në shekullin IV, e çliroi Krishtërimin në krejt Perandorinë Romake, dmth bëri që të funksionojë legalisht INSTITUCIONI i krishtërimit, por, siç duket, nuk u kujdes që ajo fe të shkruhej e të predikohej në gjuhën ilire.
Shën Jeronim Eusebi e përktheu Biblën, Vulgatën, nga hebraishtja dhe greqishtja, në latinisht, por jo në ilirisht. Ta kish përkthyer Biblën në ilirisht, Shën Jeronim Eusebi do të kish qenë një Martin Luter i yni dhe, as më pak e as më shumë, por një Muhamed i ilirëvet, të cilët nuk do ta kishin pasur fatin të tkurreshin në shekujt VIII-XVIII në një grusht arbën (arbër), dhe të katandiseshin, në shekujt XVIII-XXI, në një grusht edhe më varfëror, me emrin shqiptarë : ilirë të mezimbijetuar.
Justiniani i Madh, shkupiani i pagjumë, e krijoi në shekullin VI Kishën e Ilirikut Lindor, me seli në Justiniana Prima, në Shkupin e sotëm, (në vendlindjen e vet). E shkëputi nga Episkopati i Selanikut, dmth nga Kisha Greke, por prapë, siç duket, e la shërbimin kishtar NË LATINISHT dhe kjo bëri që edhe vizioni i tij mbi krijimin e një INSTITUCIONI për ilirët, në rrjedhë të shekujvet TË DËSHTONTE.
Një përpjekje tjetër, për të pasur një liturgji dhe një kishë në gjuhën tonë, me aq sa dimë gjer më sot, është bërë në shekullin XV (mundet edhe më parë) dhe ka marrë formë më konkrete në shekullin XVI me Mesharin e Gjon Buzukut. Por tashmë ka qenë tepër vonë, sepse një pjesë të etnitetit tonë e pat vënë nën sundimin e vet kishtar Patriarkana Greke qysh në gjysmën e parë të shekullit VIII, një pjesë, në viset lindorë e juglindorë të Arbërisë, ishte nën sundimin kishtaro-bullgar të Ohrit, një pjesë tjetër, (viset e Tokës së Konstantinit (Kosova e sotme) dhe disa treva të Zentës), sundohej prej Kishës Pravosllave Sërbe, themeluar në vitin 1219.
Në shekullin XVI, kur u botua Meshari në arbërisht, thuajse e gjithë Arbëria sundohej shtetërisht prej Perandorisë Osmane dhe kish filluar tashmë gjithandej islamizimi. Arqipeshkvia e Tivarit bëri sa mundi, por nuk arriti dhe nuk mund të arrinte asnjëherë të kryente një punë gjithkombëtare në ato rrethana. Atë arqipeshkvi, nga shekulli XI deri në shekullin XIV e penguan sllavët, në një kohë kur as prej latinitetit nuk po shkëputej dot, kurse prej shekullit XVI e këndej, veprimtarisë kundërarbërore sllave iu shtua edhe procesi i islamizimit.
Në shekujt XVII-XVIII edhe bektashizmi tentoi të marrë një rol udhëheqës në fushën fetaro-kombëtare shqiptare. Aty u zhvillua një lëvizje patriotike REZULTATIVE. Kulmet e atdhedashurisë shqiptare bektashiane u arritën sidomos me veprimtarinë e vëllezërvet Frashëri. Bektashizmi ka meritë të jashtzakonshme që pjesa myslimane e Kombit Shqiptar u deklarua për shkëputje nga Perandoria Osmane dhe kërkoi afrim me bashkëkombësit e krishterë.
Në krijimin e atmosferës mirëkuptuese midis besimevet të ndryshëm në Kombin tonë, meritë ka edhe pjesa synite e myslimanëvet shqiptarë. Janë shumë të njohur hoxhët dhe myftijtë tanë që e propaganduan luftën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër ekspeditavet ndëshkuese të sulltanit, si luftë të shenjtë. “Kush bie sheit për vatan, e ka vendin në xhenet.” Kështu predikonin hoxhët tanë në atë kohë nga foltoret e xhamivet.
Megjithatë, as bektashinjtë, as synitët, as katolikët dhe as ortodoksët, nuk do të mund ta krijonin kurrë atë INSTITUCION gjithkombëtar që do t’u nevojitej shqiptarëvet.
Në këtë gjendje mbërritëm në shekullin XIX. Në këtë shekull, ishin rilindësit ata që ia dolën ta zgjidhnin, deri diku, këtë nyjë tonën, në shekuj të pazgjidhur. Ata shpallën kombin dhe gjuhën si veçori dalluese prej kombevet të tjerë, ndërsa besimevet, religjionevet, ua hoqën, apo, thënë më saktë, ua zbutën disi rolin përçarës.
Ky fenomen që ndodhi në Kombin tonë, i ka ofruar njerëzimit një mundësi krejt të veçantë të shkuarjes mirë, si brenda kombevet, ashtu edhe ndërmjet kombevet. Nuk e di a ka në botë kombe të tjerë, ku, kështu si ndër ne, të praktikohen 3 besimet dhe të qëndrojnë KOMBI dhe GJUHA përmbi besimet. Sidomos në raport me fqinjët, në këtë pikë, ne jemi shumë më të përparuar. Mirëpo, pikërisht kjo distancë emancipuese midis nesh dhe fqinjëvet, përmban edhe rrëzikun tonë shumë të madh.
Është gati e pabesueshme si kemi arritur deri në shekullin XIX pa u shpërbërë, pa u shkrirë si etni. Meritën që u ruajt etnia jonë, në shumë shekuj para se të vinte Turqia këtu, dhe edhe në 5 shekujt e sundimit turk, e ka pakundërshtueshmërisht pjesa jonë e krishterë. Në kohën e Rilindjes sonë Kombëtare, pjesa jonë e krishterë ka shërbyer, siç e kam thënë edhe në vende të tjerë, si një tharm, si një maja e këtij kombi, i cili, në rrethana të reja historike do të merrte emrin Kombi Shqiptar.
Mirëpo, nuk duhet kurrsesi t’i lihet krejt merita vetëm pjesës së krishterë. Në qoftë se, figurativisht, tharmi i Kombit tonë ishin të krishterët, mielli, me të cilin do të gatuhej kjo bukë e re, s’kish ku merrej tjetër, veçse në masën e madhe myslimane. Pa pjesën myslimane, të rilindur, nuk mund të rilindte Kombi Shqiptar.
Por, prapë nuk duhet harruar që jo gjithmonë dhe jo gjithkund ka funksionuar formula simbolike “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Parullën rilindëse “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria!”, unë po e quaj formulë simbolike, sepse ajo nuk nënkuptonte kurrsesi mohimin e besimit fetar të secilit grup banorësh, të secilës tërësi habitative, që bënte pjesë në Kombin Shqiptar. Ka qenë një mrekulli e vërtetë. Francezi ish francez, por ish edhe katolik. Kroati ish kroat, por ish edhe katolik. Greku ish grek, por ish edhe ortodoks. Sërbi ish sërb, por ish edhe ortodoks pravosllav. Ndërkaq, një shqiptar mund të ishte i cilësdo fe, por gjithsesi mbetej shqiptar.
Për të huajt kjo “formulë” ishte dhe është thuajse e pakuptueshme. Keqdashësit, këtë “formulë” tonën as që duan ta marrin në konsideratë. Le të themi sa të duam: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ata do të vazhdojnë të ngulin këmbë: “Katolikët janë latinë, ortodoksët janë grekë, myslimanët janë turq.” Mbështetur në statistika, jo në histori, as në konstruktin shpirtëror të shqiptarëvet, duke qenë se Kombi ynë përbëhet në shumicë prej myslimanësh, politikat e huaja burokratike, por edhe skolastike, Kombin tonë do të vazhdojnë ta emërtojnë si komb mysliman. Thuaju sa të duash që shqiptarët kanë për hero kombëtar një të krishterë, që flamurin e kanë të krishterë, që një shumicë familjesh myslimane shqiptare janë: Leka, Kola, Gjoka, Gjikola, Gjonleka, Gjipali, atyre nuk do t’u mbushet mendja.
Një i këtillë konceptim nga ana e të huajvet u shndërrua në tragjedi psh në Jugun tonë, në Çamëri. Atje, pjesa myslimane, nën ndikimin e konceptit osmano-grek të kombësisë, deri në fillim të shekullit XX, e keqtrajtoi pjesën tonë të krishterë. Pastaj, pasi ajo pjesë e Shqipërisë iu dha shtetit grek, pjesa ortodokse iu kthye pjesës myslimane e masakroi. Ortodoksët tanë atje, duke e ditur fort mirë që janë shqiptarë, për inat të myslimanëvet, pranuan të quhen grekë. Nuk kërkuan as shkollë, as liturgji në gjuhën e vet, dhe sot, po t’u thotë dikush: “T’u biem Gjirokastrës e Tepelenës për t’i çliruar!”, ata do të vriten me bashkëkombësit, sikur këta bashkëombës të ishin vërtet një popull i huaj. Gati e njëjta tragjedi ka ndodhur edhe në Rekë të Dibrës. Ortodoksët e atjeshëm sot nuk kanë qejf ta quajnë veten shqiptarë.
Me shqiptarët e Kosovës dhe me ata të Pollogut (Fatmirësisht, jo me të gjithë.), luajtën sërbët dhe sllavomaqedonët si deshën vetë, duke i konsideruar turq, ndërsa ata, jo pak por nja 260 mijë, duke e konsideruar Turkun fetarisht të afërm, lanë vendin e vet dhe shkuan në Turqi. Edhe këtu është sheshit tragjedia.
Rilindësit tanë e gjetën mënyrën: Si duhej vepruar dhe, me gjithë pengesat e sakrificat, arritën ta shpallin Pavarësinë. Po të mos e kishin shpallur Pavarësinë rilindësit shqiptarë në vitin 1912 dhe po të mos kishin luftuar shqiptarët e Kosovës, gjatë gjithë shekullit XX, si shqiptarë e jo si myslimanë, këta 2 shtete që i kemi sot, nuk do t’i kishim dhe do të lemeriseshim, duke shkuar drejt zhdukjes, jo siç po lemerisen sot kurdët dhe palestinezët, por më keq se ata.
Ato që i numërova në pjesën e parë të këtij shkrimi, tendencat përçarëse, janë shenja tejet negtivë, janë dukuri tejet negative, të cilat duhet të na shqetësojnë seriozisht. Duhet të na shqetësojnë seriozisht dhe duhet të na nxitin për të bërë diçka, sa s’është vonë.
* * *
Pikërisht në shërbim të kësaj ideje, të idesë që duhet bërë diçka sa s’është vonë, unë e kam botuar prej kohësh një platformë mbi domosdoshmërinë e krijimit të një INSTITUCIONI me emrin Përkujdesja Gjithshqiptare. Po nuk e krijuan shqiptarët një të tillë INSTITUCION, tashmë jo mbi baza fetare, por mbi baza kombëtare, i cili u përshtatet shumë mirë kohëvet moderne, Kombi ynë, në shekullin XXI do të rrëzikohet më keq se në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe, në rrethanat që nuk dimë si do të vijnë, në u bëftë ndonjë luftë, ne nuk do ta mbyllim dot këtë shekull pa u ricopëtuar. Le të thonë ç’të duan euforikët e BE-së! Vetëm Përkujdesja Gjithshqiptare do të mund ta përballonte çdo lloj sfide.
* * *
Në Luftën II Botërore u persekutuan edhe romët (jevgjit dhe arixhinjtë). Ndoshta jo në ato përmasa si hebrenjtë, por u persekutuan. Kjo është e njohur.
Mirëpo, çfarë bënë romët (jevgjit dhe arixhinjtë) pas Luftës II Botërore? Asgjë. Ata mbetën në mëshirën e bamirësisë. Në u kujtoftë bamirësia ndërkombëtare t’i mëshirojë, mirë, në mos, ata i ke përsëri kasollevet dhe rrugëvet, duke lypur.
Pse ndodhi kështu me arixhinjtë dhe me jevgjit? Ndodhi kështu, sepse ata nuk kishin dhe nuk kanë një INSTITUCION të vetin dhe, nëse nuk e krijojnë INSTITUCIONIN e vet etno-gjuhësoro-kulturoro-ekonomik, ata gjithë jetën do të mbeten në periferi të qytetërimevet. Që do të thotë: Në formë mbeturinash etno-sociale.
Ndërkaq, çfarë bënë hebrenjtë? Ata e mblodhën veten pas Holokaustit, kërkuan rrugëdaljen dhe e gjetën rrugëdaljen: Krijuan shtetin e vet dhe, jo vetëm kaq, por u bënë faktor i rëndësishëm në mesin e kombevet të tjerë të botës. Pse ndodhi kështu me hebrenjtë? Ndodhi kështu, sepse ata e kishin INSTITUCIONIN e vet PËRBASHKUES. Ata i kishin sinagogat e veta dhe rabinët e vet.
Shpërbërja, shkapërderdhja, kish ndodhur për faj të tyre, vetëmbledhja, rikthimi, riformatimi, ndodhën për meritë të tyre.

Kjo është rëndësia jetike e INSTITUCIONIT. Ne e rikrijuam shtetin tonë në fillim të shekullit XX, për meritë të rilindësvet. Ata u organizuan, ata u vunë në krye të Kombit tonë, ata sakrifikuan (Vdiqën 50 vjeç e më të rinj se 50 vjeç). Krijuan sentencën: “Feja e shqiptarit është shqiptaria” dhe ia dolën.
Ia dolën, jo duke qenë në pushtet, por duke qenë INSTITUCION.
Mirëpo, ai INSTITUCION i yni KOMBËTAR i rilindësvet tanë, për fat të keq, nga që nuk e kishte formën e duhur, u shkatërrua fill pas krijimit të shtetit. Pikërisht kjo mbetet për t’u korrigjuar.
E krijuam shtetin tonë, veçanërisht edhe për meritë të arbëreshëvet. Ata dhanë çdo gjë për Atdheun e të parëvet të vet dhe s’mbajtën asgjë për vete, veç krenarisë. Pse mundën ta kryejnë këtë vepër madhore arbëreshët, 500 vjet mbasi ishin larguar prej Atdheut të vet? Ata mundën ta kryejnë këtë punë madhore, apostolike, sepse e kishin ruajtur INSTITUCIONIN e vet: Kishën Uniate Arbëreshe dhe gjuhën liturgjike arbërishte, e cila, duke qenë gjuhë e kishës, s’e pat vështirë të dalë edhe jashtë kishës, te poezia e Jeronim de Radës, te Zef Serembeja, te Gavril Dara, te F.A.Santori, te Dh. Kamarda.
Tani ka ardhur koha t’i hyjmë punës për një model të ri për shpëtimin kombëtar. Një model të ri, i cili nuk do të punonte në dëm të askujt rrotull nesh, por përkundrazi, në të mirë të të gjithëvet: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE me FJALËMIRAT E GJUHëS SHQIPE.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura