Pashtriku.org, 21. 01. 2015 – Namik Selmani, nga Çamëria, e ka titulluar këtë vëllim me poezi „Borxhi i Ali Podrimjes“. Unë do ta kisha quajtur „Simfoni çame për Kosovën“ dhe aty do të përfshiheshin të gjithë, siç edhe janë përfshirë: Edhe Ali Podrimja e Din Mehmeti, edhe Ibrahim Rugova e Azem Shkreli, edhe Ukshin Hoti e Nexhmie Pagarusha. Namik Selmani është njëri prej poetëve tanë të kësaj kohe, i cili, as më pak e as më shumë, jep praktikisht orientimin, se nga duhet të priret krijimtaria jonë artistike, dhe jo vetëm artistikja, në shekullin XXI. Ali Podrimja e pa Çamërinë ashtu siç duhej ta shihnim të gjithë ne dhe shkroi për të ashtu siç duhej shkruar. Guri i Prevezës është gur që është rrëzuar përsipër zemrës sonë dhe s’na e lë gjakun të qarkullojë. Namiku përpiqet ta rivitalizojë gjakun tonë jugor të mavijosur, nën shembullin e atij të Veriut, i cili, për fatin tonë të mirë, nuk është mavijosur i tëri. (Them, jo „i tëri“, sepse: Shih Plavën e Peshterin, shih Tivarin, shih Rekën dhe vise të tjerë shqiptarë në qendërlindje… Edhe ata kanë pësuar, krejt ose pothuaj, fatin e Çamërisë dhe të visevet të tjerë shqiptarë të Jugut tonë.)
Shkurt thënë: Namik Selmani po rreh të na sjellë në vete, duke na thënë: „Merruni, o poetë, me punët kryesore! Me shqetësimet kryesorë, që nuk janë të pakët, dhe në mënyrën më prekëse të mundshme! “
***
E unë tash, po i marr me radhë ato që shkruhen në këtë libër.
Në fillim të librit, mu poshtë titullit, kam shënuar: „Unë nuk e di a ka ndonjë poet tjetër shqiptar nga Shkodra, nga Korça, apo nga Gjakova, që t’i jetë qasur me kaq përkushtim, sa Ali Podrimja, temës së përbashkësisë sonë kombëtare, duke përfshirë aty, krejt natyrshëm, edhe Çamërinë.“ Kaq mjafton. Ai që e ka përjetuar ç’ka shkruar Ali Podrimja për Metohinë, dmth, për Rrafshin e Dukagjinit, e kupton dhe e përjeton edhe „Gurin e tij të Prevezës“.
Në f.8, atje ku mbyllet parathënia e profesoreshë Migenë Arllatit, kam shënuar: „Përkrahja, e ngrohtë, patriotike, si prej motre, që i jep Migena Namik Selmanit, është disafish e vlefshme.“ Vetëkuptohet, ajo nuk matet me para.
Elbasani, Berati dhe Gjakova, kur shkrihen më një, e kanë fare të natyrshme t‘i përfshijnë në shpirtin e vet, edhe Ninatin, edhe Preshevën, edhe Ulqinin. Sigurisht, nuk është e domosdoshme të martohesh në Gjakovë, siç është martuar zonja Migenë Arllati, për ta kuptuar gjer ku shtrihet atdheu yt. Përkundrazi, unë paramendoj që, Vuthajt, Filati dhe Gjakova, kanë pasë zënë fill në shpirtin e Migenës qysh së vogli në Elbasan. Ka qenë familja, e para, ajo që e ka ushqyer Migenën me një dashuri më të gjërë se oborri i vet.
Te faqja 16, atje ku Namiku e ka shpjeguar, pse e ndien veten borxhli ndaj asaj që Ali Podrimja ka shkruar për Çamërinë, unë kam thënë: „Ti ke bërë shumë mirë që e ke ndier veten borxhli ndaj poetit gjakovar, por duhet të dish që edhe ai është ndier gjithë jetën borxhli, midis tjerash, edhe ndaj Çamërisë.“ Do të quhej i paformuar një poet shqiptar, i cili nuk do të kujtohej që ka Shqipëria edhe një Çamëri, edhe një Konicë, edhe një Kostur.
***
Vargu poetik i Namik Selmanit, nga faqja 17 deri në faqen 179, fillon të pulsojë dhe nuk pushon më së pulsuari, si një zemër që e vënë në punë, jo 1, por 3 lloje energjishë: Energjia e zakonshme motorike, energjia e jashtzakonshme shpirtërore, e mbështetur edhe nga talenti, dhe energjia, gjithashtu e jashtzakonshme, e mendjes dhe e vullnetit.
Tipari kryesor i vargut poetik të Namikut është: Bollëku befasues i figuravet stilistike, ngjashëm me rrëke ujërash, dhe bollëku befasues i neologjizmavet, ngjashëm me pluskimin e rrëkevet që hasin, herë këtu, herë aty, në pengesa gurësh apo trungjesh.
Tipar tjetër është konkretësia. Secili krijim i tiji flet, ose për një njeri, pra, i kushtohet një njeriu, ose për një vend. Ndërkaq, motivet e tjerë janë thjeshtë elementë zbukurues dhe plotësues të një qëndisjeje tashmë të konturuar.
***
Po i rendit, së pari, poezitë që u kushtohen njerëzvet emërpërveçëm:
Abdurrahim Buza. „nuset… vraponin të trembura në udhë./ Baladat thërrisnin njëra-tjetrën në kuvend.“ (f.24) O Zot! A do të mund të shkruajë dikush tjetër diçka më të fuqishme për veprën e piktorit tonë të madh?! Për pikturën e tij shumë të njohur „Refugjatët“?!
Jusuf Gërvalla. „Emrin e ka Kosovë dhimba jote uragan./… do të thurnim të gjithë një qiell të ri.“ (f.26)
Naim Frashëri. „Gjuhë e bukur, mjaltë Joni,/… dehe zemrën e poetit.“ (f.33, 34) Është fjala për të folmen e Çamërisë, që Naimi e pëlqente aq shumë. E pëlqente, doemos, se ish rritur në prehërin e asaj së folmeje, sidomos sa ish në Janinë, por edhe në Sarandë dhe në të gjithë vendet ku kish popullsi çame.
Zef Serembeja. „Në Strigar jehon këmbana,/ Këmbanon nëpër agime.“ (f.37) Duhet të them këtu, se Namiku i ngjan shumë Zef Serembes, pasi edhe Zefi, kudo që shkonte nëpër miq, e shkruante nga një vjershë dhe ia linte të zotit të shtëpisë për kujtim. Por ka edhe një dallim: Ndërsa ato të Zefit, për fatin e keq të panteonit tonë, humbën thuajse të gjitha, këto të Namikut, për fatin e mirë tonin, nuk po humbasin dhe do të „këmbanojnë“ në të ardhshmen gjithnjë e më zëshëm e më bukur.
Jeronim De Rada. „Takova De Radën më të thinjur se të thinjurit./ … e më erdhi në zemër gjerdani i lirikave.” (f.42)
Zahir Pajaziti. “… Vargun/ do ta bëj martinë për të vrarë HARRESËN./ …Lapidarin për ty/ e ngre brenda vetes.” (f.48. 49)
Gani Elshani. “Fëmijëve të parritur/ të mos u mungojë liria, buka e shkronja e abetares./ Në tymtarët e kullës/ fryma të zgjojë zjarret e pashuar, për ty, Gani Elshani!” (f.50)
Nexhmie Pagarusha. “E lisat,/ i ngrita në duar si të ishin të gjithë kukulla/… duke dëgjuar Pagarushën.“ (f.57)
Ukshin Hoti. „Loket po të presin./ Në rrathët e djepit e kanë nisur për ty një ninull shenjtërie.” (f.66)
Tahir Desku. “Na u desh që të vinim plumbat në trastën e shkronjës. / …U bëmë sa e sa herë Gjergjë për pragjet e ndritura të Kosovës.” (f.69)
Iljaz Kodra. “Merrma vargun, Komandant Iljazi,/ E bema, në u dashtë, plumb të ri në vezme!“ (f.71)
Antigonë Fazlliu. „Në gjoksin tim të thinjur/ Le të ndalte ai plumb i nxehtë.” (Thotë poeti.)(f.74)
Adem Jashari. “Bacë, u kry, po thotë kulla,/ Cep më cep me plumba shpuar.” (f.83)
Asim Lokaj. “Në trotuare po bien petale lulesh dhe gjethe./ E Prishtina ëndërron një qiell të ri, pa plumba./ Eja, mjeshtër, lëre tej vetminë e përjetshme.” (f.87)
Azem Shkreli. “… dashurisë/ T’i japim të gjithë urimet si gjerdanë me margaritarë/ Përtej tradhtive/ Pendimi të mos na bëhet si kocka që fytin e çan.” (f.88)
Rexhep Malaj, Nuhi Berisha. “Në pllakë të varrit përkëdhel buqetat me lule,/ E ballin e rrudhosur të burrit mbi varr po e ul/ …Me buzën e përskuqur puth një flamur.” (f.90)
Ali Neza (Luftëtar i shquar i Lidhjes së Prizrenit). “Të kërkon teli i lahutës,/ Që të bëhet krua kënge,/ Përmbi grykë të nxehtë të pushkës,/ Zgjo kujtimin e të rënëve.” (f.92)
Ibrahim Rugova. “Do mbetesh yll për ne, një plis i bardhë shqiptarie/ E brezat do të ulen për ty në gjunjë me nderim.” (f.94)
Din Mehmeti. “Ma flatro atë mandile Juniku thinjur ndër ortekë!/ Ma thuaj njatë këngë të pathënë!“ (f.104)
Anton Çeta. „Na duhet një Anton Çetë në ditët tona karvanore/ Ta shohim sy më sy vetëveten.“/ „…Të heshtim para marrisë që hap arkivole.“ (f.106)
Fran Bardhi. „Në duar/ Mbante fjalorë si të hapte në KULLË derën e një ODE/ E radhiste fjalëshqipet/ E burrave mentarë me plisa që prisnin te balli i pragut.“ (f.107)
Dervish Shaqja. „Hasmi magjen na e kalli,/ Ne në shkëmb e poqëm bukën./ …Djep i këngës s’ia mat shtatin,/ Deti, jo, s’ia matka shpritn!” (f.109)
Fatmirë Hasani. “Fatmira ime/ …kishte një gjerdan me ëndrra të bukura për vajzërinë/ Dhe ishte lule/ E patharë në Baçen e Kujtesës gjer në amshim./ …E unë/ Ende pres këngën e pakënduar në dasmën e munguar.“ (f.117,118)
Adem Demaçi. „E lavdia/ Të mbetet pas më shumë se një shkronjë në mur e gdhendur./ …E Kosova/ të bëhet një plis me besë të pashkelur/ E tupani për ty e zgjon edhe këngën e fundit.“ (f.121)
Gjyshe Emineja. „Pragjet e Sojevës i dua, i dua sa dhe vendlindjen time./ Tek ajo kujtoj Çamërinë e largët ku ullinjtë vënë kurorë./ Në varret dhefreskët tretet engjëllorja, e mira Emine,/ Ajo gjyshe që, me engjëjt dhe qiellin, prek muzgun e vonë.“ (f.127)
Isa Boletini. „Po vjen larg, prej Mitrovice, ndalka vrapin mbi Tamiz,/ Po trokon ai hap ndër vite, na zgjon ëndrrën për lirinë./ …Ta dëgjojë mbarë Evropa si flet Isa fjalëbajraku!/ “ (f.140)
Vajza me emrin Çamëri. „Më sillke fllad ullishtor nga brigjet mitike,/ Më sillke një këngë të gjyshes sime çame te kroi.“ (f.141)
Jakup Ceraja. „Më i ngrohtë se zjarri e më i urtë se vetë urtësia,/ …Ke mbetur në sytë tanë, ku lotët pikojnë vetë si dhimbje.“ (f.142)
Bekim Fehmiu. „I heshturi dhe sokëllitësi i vitevet të rreptë./ …Na le mistere/ Si të ishin ca çelësa të hedhur në një det të pafund.” (f.151)
Migenë Arllati. “Ti çerdho në mëngjese Gjakove, me kumuritë dhe zanat,/ …E dëgjo, qoftë edhe nën dhe, amanetet e yjeve të lirisë.” (f.167)
Rifat Kukaj. “Në rrugëtimin parajsor/ do të të pyesim për… nimfat ulqinake…/ Në një fluturim pulëbardhash/ si një anije pa vela do të na duket një bedenë kalaje.” (f.169)
Namik Selmani (vetëvetja). “hapat djalosharë më zbukuronin ditët me ëndrrat e fshehura./ Aty ishin, Kënga dhe Vallja Çame./ …Kudo e kurdo/ ngrita për vetëveten, si skulpturë, monumentin shkronjor.” (f.179) Përsëri, edhe këtu, nuk ka si të mos na kujtohet Zef Serembeja. Namiku i Ninatit, në shumë aspekte të krijimtarisë së tij, i ngjan poetit tonë të madh të Strigarit.
Dhe, doemos, Ali Podrimja, të cilit i kushtohen në këtë vëllim 3 poezi. “Në kontinentet e Gazit, Brengës e Mbijetesës,/ Në ç’shilarëse t’u përkundën vargjet?/ Ç’mbeti nga dialogu me Gurin e Prevezës?/ …Kush t’i vodhi lotët thellë gjoksit fshehur?” (f.17-18) “Lumi po të pret i heshtur te Dera e bardhë e Parajsës,/ E pikë loti po i derdhet mbi faqe, si lumë, si një ortek.” (f.170) “Kërkoj nëpër Gjakovë gati këmbadoras ca shtigje që s’të lodhin./ Me një trastë ngarkuar me dhjetëra fjalë të pathëna,/ …Po ku je fshehur kështu, pash Zotin, O POET I KOMBIT!” (f.176)
***
Solla këtu vetëm nga 2-3 vargje prej secilës nga këto poezi, me qëllim që, sado kudo, të mund të konceptohet, po edhe të shijohet estetikisht, ajo çfarë ka krijuar, për njerëzit e Kosovës (dhe për disa të tjerë), ky poet i Çamërisë sonë dhimbjerëndë. Kjo tematikë, kushtuar njerëzvet konkretë, ku shumica janë dëshmorë, ka zënë thuajse gjysmën e vëllimit. Duke ua lënë kështu thuajse gjysmën e librit personavet historikë, Namik Selmani bëhet prijatar i konsideratavet, i respektit dhe i miqësisë midis trevavet tona të stërndara e të stërcopëzuara. Dëshmorët e Kosovës janë edhe dëshmorë të Çamërisë, që njëkohësisht do të thotë që ata janë dëshmorë të krejt Shqipërisë.
Gërshetuar me vargjet, kryesisht elegjiakë kushtuar atyre bijve të vendit tonë, që u flijuan në emër të lirisë, dhe me vargje ditirambikë për disa nga të gjallët, që gjithashtu i janë përkushtuar atdheut, Namiku, krejt natyrshëm, ka thurur edhe vargje për vendet e Kosovës. Aty janë: Karadaku i Shkupti (f.53), Prishtina me lulëkeqet e saja (f.56), Drenica (f.61), Presheva (f.84), Bytyçi (që është pjesë e Malësisë së Gjakovës) (f.95), Lumbardhi i Prizrenit (f.99), Nju Borni (f.110), Malisheva (f.114), Peja (f.130), Mitrovica (f.132), Ura e Ibrit (f.138), Trepça (f.143), Prizreni (147), Gjakova (f.161), Strellci (f.163). Edhe këtu Namiku është prijatar.
Lajtmotivi i të gjithë këtyre krijimeve është dashuria për secilin prej këtyre vendeve. Ke përshtypjen sikur, kudo ku ka shkelur ky njeri, nuk është ngopur dot së pari e së kënaquri. Ka gjithandej reflekse mbi gjuhën që përdorin banorët e këtyre hapësirave, gjuhëshqipen, siç i pëlqen atij ta emërtojë. Janë abetaret dhe libërshqipet në përgjithësi. Doemos, sepse në Çamërinë e tij sot as që mund ta përmendësh këtë gjuhë, le më ta mësojnë fëmijët nëpër shkolla.
Natyrisht që nuk do të mund të ishte e kompletuar kjo simfoni atdheadhuruese, nëse Namiku nuk do të përfshinte këtu edhe motivet për Çamërinë. Janë vargje plot dhimbje e brengë. Le të kujtojmë vetëm atë që ky autor as që mund ta vizitojë Çamërinë e tij, pa u shoqëruar me telashe. Këndej, me sa duket, buron edhe ai lumë dëshirash për ta parë të paktën Kosovën, pa e gjurmuar njeri. Më në fund, të paktën nëpër qytetet e Kosovës po mund të shëtisim pa atë trishtimin shekullor përzier me revoltë, që sjell kontradikta: Vendi është i yni, shteti, i huaji.
Kjo është brendia e këtij libri. Nëse do të ndaleshim te secila strofë e te secili varg, komenti ynë do të dilte dyfish me i madh se vetë libri.
Gjithsesi, nuk mund të lë pa i përmendur disa nga krijimet që mund dhe duhet të përfshihen nëpër antologjitë tona poetike.
“Nëna çame kërkon Rikthimin. Por grekët, gjoja ‘të demokratizuar’, nuk e lënë plakën as t’u afrohet malevet të Margëllëçit. Një këngë që ta këput shpirtin.”
Për poezinë “Monolog” (f.25), kam shënuar: „Këngë e qëndresës shqiptare. Do të duhej recituar në çdo hapje e mbyllje dite, në të gjithë televizionet dhe radiot që flasin shqip.” Është poezi që nuk kapërcehet dot pa një pikë loti.
Te poezia në f.33-35 kam shënuar: „Një tufë vargjesh, filigranë ari për një Çamëri që na ka vdekur. (Mos qoftë e thënë!) Kur vdes një fëmijë, e qajmë dhe pushojmë. Por kur na vdes a na e vrasin një copë atdhe, gjëma s’pushon me shekuj.”
Në faqet 136-137, te poezia “Po vij nga Ura e Prevezës“, kam shënuar: „Poezi nga më të bukurat.”
Në fund të poezisë që flet për një vajzë të Mitrovicës me emrin Çamëria (f.141), kam shënuar: “Poezi që duhet ta ketë çdo libër antologjie i shkollavet të mesme.”
Te “Mitrovicë, 2014” (f.145), kemi një varg metaforash, shoqëruar me nga një epitet, të gjetur, me shumë domethënie. Është një tekst ideal për ta komentuar me nxënësit e shkollës së mesme. Me këtë rast, nxënësit do të mund të mësonin mbi njjë të vërtetë nga më të hidhurat e kombit të vet.
Poezinë “Dil, moj, dil!” (f.159), e kam cilësuar si një nga më të bukurat e këtij vëllimi. Ndoshta, nga që edhe unë, para më shumë se gjysmë shekulli, kam përjetuar çaste të tillë pikërisht në Prizren. Por, kush shkoi njëherë në atë qytet e s’i mbetën atje shpirti dhe mendja?!
Te poezia “Vezullimi i ri i Gjakovës” (f.164), kam thënë: “E bukur si vetë Liridona. Emër i gjetur në përshtatje me shumë emra të tillë kuptimplotë, në mbarë Koosvën. Figura të fuqishme. Më pëlqen shumë.” Tani po shtoj, me zemër të dridhur: A thua do të arrijnë brezat tanë të ardhshëm të kenë Liridona, vajza kaq të magjishme, edhe në Gumenicë, Margëlliç e Artë?!
Krejt libri më ka pëlqyer jashtë mase, sado që ka aty-këtu edhe ndonjë pjesëz të paarrirë, gjë që, në një punë kaq të madhe, është e pamundur të shmanget. Por më së shumti më kanë pëlqyer shpirti dhe angazhimi i këtij poeti. Atdheu është i pandarë, sado që të na e kenë copëtuar të tjerët, shpeshherë edhe me “angazhimin” tonë, dmth, duke na përdorur si shërbëtorë dhe si puthadorë.
Namik Selmani është kirurgu, i cili është i aftë t’i riqepë copëzat e këtij atdheu dhe të na e rivitalizojë këtë atdhe, jo me bisturinë e zakonshme metalike, por me bisturinë e fjalës çudibërëse poetike.
Ç’mund të kërkohet më tepër prej një mësuesi të gjuhës shqipe, i cili jeton në Tiranë dhe punën e ka në Berat, 140 kilometra larg vendbanimit?
Gjokë Dabaj – Durrës (Dhjetor 2014 – janar 2015)
…………………………………………………………………………….
Promovohet libri “Borxhi i Ali Podrimjes” nga Namik Selmani