Durrës, 20 shtator 2019: Tashmë nuk po përdoret përcaktuesi PARAMILITARË, por po thuhet thjeshtë KOSOVARËT. “Kosovarët kishin ardhur për të djegur Parlamentin!”
Pyetjet e para që të bien ndërmend, janë: Pse pikërisht kosovarët?! A s’pat ai organizuesi, ai keqbërësi, horra keqbërës: në Laç, në Vlorë, në Berat, në Shkodër?! Horra keqbërës, o mund të gjesh këtu në Republikën e Shqipërisë, o askund tjetër në Shqipëri! Madje, edhe të stërvitur ushtaralisht. Këtu, deri në vitin 1990, njësi të posaçme, aktive dhe rezerviste, stëviteshin intensivisht, për të depërtuar në prapavijat e armikut, për të vënë mina e për të djegur objekte.
Problemi, pra, qëndron, jo te djegia e Parlamentit, por te përçarja midis shqiptarëvet të Republikës së Kosovës dhe shqiptarëvet të Republikës së Shqipërisë.
Duhet t’u dalë nami i keq kosovarëvet! Kosovarët duhet të shikohen me dyshim këtu në Republikën e Shqipërisë! Mundësisht madje edhe të urrehen. Ky është synimi i vërtetë i atij që i organizon këto gjëra!
Një biznesmen i Republikës së Shqipërisë duhet të mendohet mirë, para se të nisë bashkëpinimin me një kosovar. Një biznesmen i Republikës së Shqipërisë duhet t’i besojë më shumë një sërbi a një greku, se sa një kosovari!
Plakat, këtu në Republikën e Shqipërisë, duhet të thonë: Ah, ç’kemi bërë ne, që i kemi ushqyer me bukë në kohën e Luftës! T’i kishim lënë në rrugë të madhe! Të shkonin nga të donin!
Studentët e Republikës së Shqipërisë duhet të mendojnë keq për studentët kosovarë dhe, sapo të hapet ndonjë debat midis tyre, këta duhet ta kenë gati sloganin: Hë more, se ju deshët me na djegë Parlamentin!
Në botë, nëpër sheshet e qytetevet, gjithnjë e më shumë po shikohen demonstrues të bashkuar, shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarë të Republikës së Shqipërisë. Le të urrehen! Le t’u vihet një njollë, këtë herë kosovarëvet, njëherë tjetër, në një rast të përshtatshëm, të bëjmë që edhe kosovarët “të kenë arsye” për t’i urryer këta “të Shqypnisë nanë”.
Ky është qëllimi dhe këtë qëllim, shqiptarët kudo që janë, duhet ta kuptojnë mirë! Përçaj e sundo! Ka qenë dhe mbetet parimi më rezultativ i cilitdo që kërkon t’i bëjë keq dikujt.
Armiqtë e Kombit tonë e kanë përdorur këtë marifet shumë herë. Greku nuk do të mund ta merrte kurrë gjysmën e Shqipërisë Jugore, nëse nuk do të kish mbjellë përçarje midis shqiptarëvet ortodoksë dhe atyre myslimanë. Mbollën përçarje deri aty, sa elementë kriminelë të pjesës ortodokse u vunë aq keq në shërbim të pushtuesit grek, sa arritën t’i masakrojnë bashkëkombësit e vet myslimanë. S’ka ku të vejë më keq!
Në vitin 1997 dikush tentoi të ndezë luftë midis gegëvet dhe toskëvet, duke çuar forca të Veriut për të shuar “kryengritjen” në Vlorë, Përmet e gjetkë. Nuk ia dolën, por rrëziku ish i dukshëm. Pilotë, të urdhëruar për të goditur Jugun, ia mbathën me gjithë avionë për në Itali. Një repart ushtarak në Bushat të Shkodrës refuzoi të niset për në Jug.
Ja, e këtillë është historia e atyre 10-15 vetëve, kosovarë që qenkan bërë gati të djegin Parlamentin në Tiranë!
Unë, të isha si ata, do të kisha dalë në televizion, qoftë edhe dikund në Evropë, dhe do të kisha thënë: “Po, më çuan në Tiranë!” Dhe do t’i kisha treguar të gjitha ato që di. Gjyqe të ndryshëm mund edhe t’ju dënonin të 15-vet. Por, në sytë e Kombit Shqiptar, në sytë e popullit tuaj, ju, nga kriminelë, të përdorur për të tilla punë të ulëta, do të shndërroheshit brenda natës në heronj.
Vëllezër! Bëhuni heronj, në vend që të vdisni nëpër kanale, pa emër e pa lavdi! Atdheu ju pranon, edhe në paçi bërë gabime.
Gjokë Dabaj, Durrës – 19 shtator 2019.