QENDRA JUSUF GËRVALLA – KADRI ZEKA ME SHOKË NUK DUAN BISEDIME PËR BASHKIM ME JUSUF GËRVALLËN! MANIPULIMI ME METUSH KRASNIQIN (5)

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – KADRI ZEKA ME SHOKË NUK DUAN BISEDIME PËR BASHKIM ME JUSUF GËRVALLËN! MANIPULIMI ME METUSH KRASNIQIN (5)

Nga Xhafer Durmishi, Pashtriku 3 shkurt 2023

4. Uniteti i Jusuf Gërvallës me Kadri Zekën

4-1. Ndihma e njëanshme e Jusuf Gërvallës për Kadri Zekën

Jusuf Gërvalla ka bashkëpunuar me Kadri Zekën për organizimin e demonstratave në Perëndim në pranverën e verën 1981. Puna e Jusuf Gërvallës për revistën “Liria” nuk është bashkëpunim, pasi bashkëpunimi nënkupton punën për diçka që është e përbashkët. Revista “Liria” ka qenë e Kadri Zekës-OMLK-së dhe kurrë e Jusuf Gërvallës. Në librat e mi “Lëvizja e Jusuf Gërvallës” dhe “Jusuf Gërvalla dhe Liria” është dhënë në mënyrë të zgjeruar ndihma e Jusuf Gërvallës për Kadri Zekën dhe OMLK-në.

Sa i ka ndihmuar Jusufi – Kadri Zekës për botimin dhe shpërndarjen e “Lirisë” në Kosovë, marrëdhëniet e tyre kanë qenë të shkëlqyeshme. Çudi e madhe!! Pas ndërprerjes së kësaj ndihme, relacioni prishet. Çudi e madhe!!

 Në revistën Liria askund nuk përmendet organizata e Jusuf Gërvallës LNÇKVSHJ dhe asnjë organizatë tjetër pos të vetes, pra OMLK-së. Do të mjaftonte vetëm ky fakt për të treguar se sa shanse për sukses ka pasur iniciativa e OMLK-së për bashkim me të tjerët. OMLK nuk ka kërkuar bashkim konkret me organizata konkrete. OMLK ka kërkuar vetëm e vetëm bashkimin abstrakt, bashkimin e të gjithëve në Frontin e OMLK-së. Në mesin e fjalisë “Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”, në këtë përfshirje, të të gjithëve, një “vend nderi” e ka pasë të planifikuar Lëvizja e Jusuf Gërvallës.

Nuk jeni aq budallenj siç paraqiteni sa herë t’ua kërkoj nevoja.

Periudhën e ndihmës së njëanshme të Jusufit për Kadri Zekën e kam shqyrtuar në hollësi në librat e lartpërmendur dhe nuk do ta shtjelloj këtu. Këtu do të merrem vetëm me diskutimet rreth bashkimit.

Kadri Zeka (1953 – 1982), Metrush Krasniqi (1928 – 1986) dhe Jusuf Gërvalla (1945 – 1982)

4-2. Treshja unike

Një ide në godinën e rrenave është se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë përbër një Treshe të cilët çdo gjë e kanë bërë në marrëveshje me njëri tjetrin, se këta janë një Treshe e rëndësishme “unike” e Lëvizjes Kaçake të Kosovës.

Vrasja e tyre e përbashkët është një rastësi. Nga kjo rastësi gënjeshtarët mundohen të nxjerrin përfundimin logjik se nga rastësia, nga qëllime të papajtueshme, duhet të kalohet në domosdoshmëri “unike” të pastruar nga divergjencat. Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u kanë takuar organizatave të ndryshme politike. Këtë dallim e ka potencuar Kadri Zeka për së gjalli dhe shokët komunist-hegjemon të Kadri Zekës deri në ditët e sotme. Vëllezërit Gërvalla kurrë nuk kanë qenë anëtarë të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Ata kanë qenë anëtarë të LNÇKVSHJ. Ekziston një garë se pranë kësaj “Treshje unike” cili ka qenë i katërti. Pra nga “Treshja unike” me e ndërtua një Katërshe edhe më “unike”.

4-3. DOMINIMI, MEGALOMANIA DHE NDJENJA E EPËRSISË BOSHE

  Jusuf Gërvalla: “Po e panë ata të udhës, le të përpiqen të arrijnë “bashkime” me hope e boshllëqe, duke pasur cak të fundit jo grumbullimin optimal të forcave tona revolucionare në frontin e rreptë të luftës, por MEGALOMANINË e arrivistëve të revolucionit, ndjenjën e epërsisë boshe mbi të tjerët dhe TENDENCËN PËR DOMINIM ME ÇDO KUSHT MBI TË TJERËT.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981)

Ekzistojnë pesë rrugë të ndryshme me të cilët bëhet përpjekja të dëshmohet se Kadri Zeka ka pasur sukses ta dominoj me çdo kusht Jusuf Gërvallën.

Rruga e parë: Lufta për ta dominuar Jusuf Gërvallën direkt nga Kadri Zeka për së gjalli. Ndihmën superiore nga Jusuf Gërvalla, duke e ngritë në nivele më të larta revistën “Liria”, nga Kadri Zeka, sa ka qenë gjallë, dhe nga shokët e tij atëherë e deri më sot e kanë konsideruar si vepër e një personi inferior, që ka dëshirë të dominohet, të nënshtrohet nga të tjerët. Kjo përpjekje ka pësuar disfatë katastrofale, dhe Kadri Zeka për së gjalli ka pasur rastin ta përjetoj.

Rruga e dytë: Lufta për ta dominuar Jusuf Gërvallën si ideolog, përmes Sabri Novosellës. Kadri Zeka nuk pranon bisedime për bashkim me Jusuf Gërvallën edhe pse Sabriu i jep të drejtë Jusufit të zhvilloj bisedime rreth bashkimit, dhe udhëton në Turqi me Bardhoshin (në tetor 1981), me shpresën se Sabri Novosella nuk do ta kuptoj lojën e OMLK me Frontin. Kur të përkulet e dominohet Sabriu ”i paditur”, është i obliguar të përkulet e dominohet edhe Jusufi i ditur. Kjo taktikë për dominim me çdo kusht dështon përjetësisht.

Rruga e tretë: Lufta për ta dominuar Jusuf Gërvallën përmes “dëshmive” gënjeshtrave të shokut të organizatës së Kadri Zekës dhe komunistëve hegjemon – Ibrahim Kelmendit, të shprehura në librin “Atentatet”, librin “Lëvizja” dhe gënjeshtra të shumta në shkrime të shkurta sipas rastit, se gjoja Jusufi i ka thirr Kadri Zekën dhe shokun e tij organizativ Ibrahim Kelmendin të bisedojnë për bashkimin duke u bazuar në Tezat e OMLK-së. Letrat e Jusufit, fjalët e incizuara të Ibrahim Kelmendit dhe fjalët e Suzana Gërvallës demaskojnë gënjeshtrat se Jusufi i ka thirrë Kadri Zekën e Ibrahim Kelmendin në Shtutgart. Jusufi nuk e ka thirrë as Kadriun e as Ibrahim Kelmendin të vijnë nga Dusseldorfi në Bernhausen e as nga Dusseldorfi në Untergrupenbach (më 16 janar 1982), për asnjë punë, për asnjë shkak.

Rruga e katërt: Lufta për ta paraqitur Jusuf Gërvallën të dominuar prej Kadri Zekës dhe shokëve të tij përmes Metush Krasniqit, me gënjeshtrat e Selatin Novosellës dhe Hydajet Hysenit. Teknika e kësaj loje në emër të Metush Krasniqit të vdekur, i cili nuk mund të flas nga varri, sa është djallëzore është aq edhe e tejdukshme. Përmes kësaj loje bëhet skema se Jusuf Gërvalla, në pikëpamje hierarkie ka qëndruar në mvarshmëri të Metush Krasniqit dhe ka qenë dora e tij e tahretit politik. Këto ide janë të shtruara në një libër të Selatin Novosellës për Metush Krasniqin (Prishtinë 2011). Në këtë libër në mënyrë direkte aludohet se Metush Krasniqi ka qenë dora e tahretit politik të Hydajet Hysenit dhe shokëve të tij. Duke e vendosur në pozitë inferiore, të përkulur dhe të kërrusur Metush Krasniqin para Hydajet Hysenit, qëllimi është të vazhdohet analogjia se ashtu siç është përkulur Metush Krasniqi para Hydajet Hysenit, në mënyrë edhe më të shprehur është përkulur e kërrusur, i mvaruri nga Metushi – Jusuf Gërvalla para Kadri Zekës.

Jusuf Gërvalla nuk ka pas rol inferior as ndaj Sabri Novosellës, as ndaj Metush Krasniqit, dhe nga as një shoku brenda organizatës së tij, dhe prej asnjë anëtari e provokatori prej organizatave të tjera, anëtarë i të cilave nuk ka qenë kurrë.

Rruga e pestë: Përpjekja e shokëve të Kadri Zekës, pas 20 e 30 vitesh duke i mvesh dialogje e gënjeshtra në gojën e Kadri Zekës për superioritetin e tij të madh, dhe se si ky superioritet, ky dominim, është aprovuar nga i “përkuluri” Jusuf Gërvalla. Me thënë gënjeshtra të panumërta në emër të Kadri Zekës që nuk ka lënë asgjë me shkrim sa i përket çështjeve të bashkimit është punë aq e thjeshtë sa të thuash çfarëdo gënjeshtrash edhe për Metush Krasniqin. Në këtë turr i mvishen gënjeshtra edhe Jusufit se sa i është gëzuar ai rolit inferior, e sa dëshirë të madhe ka pasë që të dominohet nga Kadri Zeka. Jusufi ka vdekur por janë gjallë fjalët e shkruara të tij që e vërtetojnë çdo hap të veprimtarisë së tij, fjalë të cilat gënjeshtarët i dinë përmendsh por asnjëherë në ”simpoziumet shkencore” në Institutin e Prof. Dr. Abdyl Kadollit nuk iu referohen. Jusufi me veprën e shkruar nga dora e tij, me portretet e bëra nga dora e tij do të jet gjallë gjersa të ekzistoj populli shqiptar, do të jetoj deri sa të ka njerëz në këtë botë që luftojnë për liri, dhe lirinë e tjetrit e çmojnë po aq sa edhe lirinë e vetë.

4-4. Ankesa është arma e të mjerit

Hydajet Hyseni: “Por siç i ishte ankuar Jusufi Kadriut, ishte pikërisht kjo që kishte shkaktuar disa keqkuptime me ndonjë veprimtar të shquar me të cilët Jusufi ishte në lidhje.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 292)

 Jusuf Gërvalla: “Po e panë ata të udhës, le të përpiqen të arrijnë “bashkime” me hope e boshllëqe, duke pasur cak të fundit jo grumbullimin optimal të forcave tona revolucionare në frontin e rreptë të luftës, por MEGALOMANINË e arrivistëve të revolucionit, ndjenjën e epërsisë boshe mbi të tjerët dhe TENDENCËN PËR DOMINIM ME ÇDO KUSHT MBI TË TJERËT.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981)

 4-5. Kadri Zeka ka një propozim konkret

Jusuf Gërvalla: “Lidhur me këtë, ai (Kadri Zeka – shën i Xh. D.) ka një propozim konkret, të cilin ia kam aprovuar edhe unë, nëse pranon ti: të vijmë së bashku ai e unë te ti dhe ta ndriçojmë po qe e mundur këtë çështje. Fitimi, besoj, do të kish qenë i madh. Ai është një shok i mirë dhe mjaft i pjekur. Por, në qoftë se ti ngul këmbë që nuk duhet t’i hymë fare kësaj pune, atëherë ashtu edhe do të bëhet.” (Letër Sabri Novosellës, 16 qershor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 271)

Kjo letër dëshmon se më 16 qershor 1981 Jusufi ka pasaportë udhëtimi, pasi njohja e strehimit politik i ka ardhë më 13 prill 1981. Ideja e kësaj pjese nuk ka nevojë për shumë koment.

4-6. Ambasada turke nuk i jep vizë Jusuf Gërvallës

Jusuf Gërvalla: “Më lejo tani të informoj për disa çështje tash për tash të rëndësishme.

Lidhur me takimin tonë doli një pengesë tash për tash e pakapërcyeshme: ambasada turke nuk më jep kurrsesi vizë hyrjeje në Turqi. Me gjasë nuk i japin as atij shokut tjetër, se edhe ai e ka punën si unë. Ne do të provojmë ndonjë lloj intervenimi, por sa duket është e kotë. Prandaj, nga ju andej presim ndonjë propozim se si dhe përmes kujt të organizohet ndonjë kontakt, që do të shpiente kah bashkimi.” (Letër Sabri Novosellës, 21 korrik 1981)

Jusufi bënë përgatitje për udhëtim në Turqi por ambasada turke nuk i jep vizë.

4-7. Sabri Novosella e autorizon Jusuf Gërvallën të zhvilloj bisedime me Kadri Zekën

Jusuf Gërvalla: “Kësaj radhe e kam fjalën konkretisht te autorizimi që më ke dhënë për punë me shokun e „Lirisë“, e veçanërisht të bisedohet me të lidhur me bashkimin e dy organizatave tona. Siç e di, përvoja ime në punë të organizuar ishte e shkurtër dhe unë nuk i di ato hollësi për organizatën tonë, lidhur me të cilat kërkon të informohet shoku i „Lirisë“. (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

Sabri Novosella i jep autorizim dhe të drejtë Jusufit që të zhvilloj diskutimet rreth bashkimit të LNÇKVSHJ me OMLK-në. Kadri Zeka në fillim të qershorit 1981 ka gatishmëri të udhëtoj me Jusufin në Turqi për t’u takuar me Sabri Novosellën për çështje të bashkimit. Në fund të korrikut 1981, Kadri Zeka nuk ka dëshirë të zhvilloj bisedime me Jusuf Gërvallën por vetëm me Sabri Novosellën.

4-8. KADRI ZEKA DHE SHOKËT E TIJ NUK DUAN BISEDIME PËR BASHKIM ME JUSUF GËRVALLËN

Komunisti Kadri Zeka dhe shokët e tij komunist nuk dëshirojnë të zhvillojnë diskutime rreth bashkimit me intelektualin Jusuf Gërvalla, por vetëm me proletarin Sabri Novosella.

Donika Gërvalla: ”Qëllimi i Babit në Gjermani ishte të bashkonte diasporën shqiptare. Këtë qëllim e ndiqte me shumë ngulm, pasion dhe mençuri.” (Duhet thyer heshtjen)

 Jusuf Gërvalla: “Me një fjalë unë shoh një disponim të tij (besoj edhe të shokëve të tij) që kjo punë të mos bëhet përmes meje. Dhe u jap të drejtë.” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

Donika Gërvalla: ”Babai ka qenë shumë i interesuar që të bashkoj të gjitha rrymat shqiptare që ekzistonin në atë kohë në emigracion.” (Intervistë për Agron Bajramin, maj 2012)

 Jusuf Gërvalla: “Me një fjalë unë shoh një disponim të tij (besoj edhe të shokëve të tij) që kjo punë të mos bëhet përmes meje. Dhe u jap të drejtë.” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

Donika Gërvalla: ”Babai ka ardhur në Gjermani pasi u detyrua të lëshonte Kosovën, pasi u detyrua t’i ikte burgimit. Ka ardhë në Gjermani me një qëllim, që gjithë organizimin shqiptar për Kosovën ta ngrejë në një nivel tjetër. Ai kishte potencialin, si intelektual ashtu edhe njerëzor që t’i bashkonte njerëzit.” (Intervista e Donika Gërvallës në Koha TV, dhënë Agron Bajramit, 18 maj 2012)

  Jusuf Gërvalla: “Me një fjalë unë shoh një disponim të tij (besoj edhe të shokëve të tij) që kjo punë të mos bëhet përmes meje. Dhe u jap të drejtë.” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

4-9. NUK I KANË SHTRUAR HOLLËSISHT E ME SHKRIM ATO QË DUAN TË DINË E QË KËRKOJNË

Jusuf Gërvalla: “Nga ana tjetër, ata ende nuk i kanë shtruar hollësisht e me shkrim ato që duan të dinë e që kërkojnë. Mendimi i tyre, për sa e shoh unë, është se do të duhej të takoheshe ti, ose ndonjë shok tjetër nga më të rëndësishmit e Lëvizjes në atdhe, me ndonjë shok të njëjtit nivel, po në atdhe, nga ata të „Lirisë“. Kjo më duket edhe mua e drejtë. Dhe ndoshta vetëm në këtë drejtim do të mund të kontribuonim në këtë moment unë dhe ai shoku i „Lirisë“. (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

Çka mund të kuptohet më tepër nga kjo pjesë e letrës? Mund të kuptohet, se, edhe pse TEZAT RRETH FRONTIT POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS të OMLK-së, të hartuara në maj 1981, në fund të korrikut 1981 Jusufi nuk din për ekzistencën e tyre. Pse Jusufi nuk din për ekzistencën e tyre? Sepse në këtë kohë ai është i angazhuar me tërë energjinë në përgatitjen e revistës Liria dhe shpërndarjes së saj. Pra punët për OMLK shkojnë shumë mirë dhe atyre nuk u ngutet në asnjë pikë me ia tregua Tezat Jusufit. Sikur Jusufi t’i kishte parë Tezat në këtë kohë, ai nuk do ta përdorte fjalinë: Nga ana tjetër, ata ende nuk i kanë shtruar hollësisht e me shkrim ato që duan të dinë e që kërkojnë.

Vetëm pas njoftimit me Tezat në shtator 1981, Jusufi konsideron se ato janë një bazë e mjaftueshme për fillimin e bisedimeve, të cilat zhvillohen në mesin e tetorit (1981) në Stamboll dhe përfundojnë brenda disa minutash.

4-10. NJERI I PËRSHTATSHËM, BIE FJALA XHAFER DURMISHI APO BARDHI

Jusuf Gërvalla: “Sa për udhëtim deri te ti (se kështu me korrespondencë është e rrezikshme të thuhen hollësitë) do të gjendej ndonjë njeri i përshtatshëm, bie fjala Shpendi (Xhafer Durmishi-shën. im) a Bardhi.” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

4-11. Krijimi i teksteve, përparësia dhe obligimi i interpretimeve

Dokumentin TEZA RRETH FRONTIT POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS e ka krijuar OMLK-ja në maj 1981. (Këtë fakt e kam mësuar nga një libri i Mehmet Hajrizit për historinë e OMLK-së). Në shtator 1981 Hasan Mala i sjell nga Kosova këto Teza dhe ia jep Kadri Zekës në banesën e tij në St. Gallen, e ku është i pranishëm edhe Jusuf Gërvalla. Jusufi merr një kopje për të bërë radhitjen-daktilografimin e tyre me makinën e tij. Jusuf Gërvalla i ka radhitur dhe i ka aprovuar në atë mënyrë si i ka interpretuar për vete dhe për mua e Bardhoshin. Por ai ato Teza nuk ia ka interpretuar askujt jashtë Shtutgarti, pasi puna e interpretimit të tyre ka qenë punë vetëm dhe vetëm e autorëve të tyre, në këtë rast e Kadri Zekës. Tezat nuk janë vepër letrare që t’i jepet mundësia dhe liria që secili t’i interpreton nga shija dhe aftësia e vetë. Ato janë dokument politik dhe ka qenë obligim i OMLK-së, Kadri Zekës që i pari me i interpretua.

Çështja e interpretimit të teksteve dhe kush ka të drejtë të interpretoj tekste është shumë me rëndësi, dhe për të cilën janë zhvilluar lufta në të kaluarën dhe janë baza prej nga burojnë konflikte të përmasave botërore në kohën tonë. Në çështjet kishtare katolike interpretimi i teksteve bëhet nga priftërinjtë dhe në instancën e fundit nga Papa, në bazë të dogmës se Papa është i pagabueshëm. Në rrethanat shoqërore politike edhe pse bëhet përpjekja që tekstet juridike të jenë sa më të qarta dhe pasojat sa më lehtë të parashikueshme, interpretimi i tyre vendimtar bëhet nga gjykatat.

Kadri Zeka nuk ka guxua me i interpretua Tezat, me e interpretua qëllimin e vërtetë të tyre, para Jusufit si ideolog i Lëvizjes Nacionalçlirimtare në shtator 1981. Këto Teza Kadri Zeka i ka interpretuar vetëm para Sabri Novosellës, në Stamboll, në mesin e tetorit 1981, me shpresën se ai si rrobaqepës nuk e kupton përrallën e komunistëve hegjemon dhe pasi nuk e kupton, i përgjumur nga efekti i përrallës, edhe i pranon Tezat duke mos ditur se çka po pranon, dhe vetëm pas përkuljes së Sabriut ta shtroj çështjen e përrallës rreth Tezave me Jusufin si një akt të kryer me arsyetimin: Jusuf, shoku yt udhëheqës i ka pranuar Tezat dhe përrallën e Tezave, prandaj duhet t’i pranosh edhe ti. Thelbi i përrallës së Kadri Zekës rreth interpretimit të Tezave ishte: komunistët duhet të udhëheqin, komunist në Kosovë jashtë OMLK-së nuk ka, komunist në Kosovë jashtë OMLK-së nuk guxojnë të ekzistojnë, prandaj i vetmi shpëtim për çdo aktivist është inkuadrimi në Frontin e OMLK-së.

Këtë përrallë, pas parashtrimit nga Kadriu në disa minuta, Sabriu e zbërthen brenda disa sekondash dhe biseda prishet menjëherë. Këtë përrallë, të cilët komunistët hegjemonë nuk kanë guxua me ia tregua Jusufit, e hedh poshtë edhe Jusufi duke i hedhur Tezat në shportën e mbeturinave, pasi kthehet nga panairi i librit në Frankfurt, në tetor 1981, dhe i jep mendimet e tij në një letër që ia dërgon Sabri Novosellës më 5 nëntor 1981.

Hydajet Hyseni: “Por siç i ishte ankuar Jusufi Kadriut, ishte pikërisht kjo që kishte shkaktuar disa keqkuptime me ndonjë veprimtar të shquar me të cilët Jusufi ishte në lidhje.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 292)

4-12. Metush Krasniqi pranon të dominohet nga komunistët hegjemon

Selatin Novosella: “Metush Krasniqi pajtohet me Tezat rreth Frontit për Republikën e Kosovës.” (Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, faqe 179)

Sabri Novosella: “Tani lexojmë shkrime nga Hydajet Hyseni, Selatin Novosella etj. Gënjeshtra të turpshme që e fyejnë rëndë Metush Krasniqin se gjoja i paska pranuar tezat komuniste të organizatës Marksiste-Leniniste të ashtuquajturat “Tezat e frontit popullor” që do të udhëhiqej nga komunistët – OMLK.” (Rezistenca kosovare mes dy zjarresh, Prishtinë 2012, faqe 189-190)

4-13. Metush Krasniqi nuk kundërshton të dominohet nga komunistët hegjemon

Hydajet Hyseni: “Baca Metush nuk i kishte kundërshtuar Tezat rreth Frontit për Republikën e Kosovës.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, faqe 294)

Sabri Novosella: “Tani lexojmë shkrime nga Hydajet Hyseni, Selatin Novosella etj. Gënjeshtra të turpshme që e fyejnë rëndë Metush Krasniqin se gjoja i paska pranuar tezat komuniste të organizatës Marksiste-Leniniste të ashtuquajturat “Tezat e frontit popullor” që do të udhëhiqej nga komunistët – OMLK.” (Rezistenca kosovare mes dy zjarresh, Prishtinë 2012, faqe 189-190)

4-14. Hydajet Hyseni për Metush Krasniqin-Dajkocin dhe Dajën Sejdë

Hydajet Hyseni: “Daja Sejdë dhe Metush Krasniqi ishin shokë të ngushtë. Ishin shokë të rinisë, shokë të punës dhe shokë të idealit. Dhe jo vetëm kaq. Pas vdekjes së gruas së parë (mbesës së Lotë Vakut, Pashies), dhe pas lirimit nga burgu i parë, Daja Sejdë ishte martuar me motrën e Metush Krasniqit, Izushen, një grua shumë e pashme dhe jashtëzakonisht e njerëzishme e bujare.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, faqe 281)

Hydajet Hyseni: “Metush Krasniqi ishte njeriu më i nevojshëm dhe më i përshtatshëm i një bashkimi të gjerë.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, faqe 292)

Hydajet Hyseni: “Me atdhetar kolos si Baca Metush, do ta bashkonim Lëvizjen Çlirimtare Kombëtare.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, faqe 298)

Hydajet Hyseni:  “Emri dhe vepra e Metush Krasniqit janë gur i rëndësishëm në themel të të arriturave të realizuara deri më tash dhe do të jenë edhe në themelin e realizimeve tjera që do të sjellë e ardhmja.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, faqe 301)

(VIJON … )

________________

QENDRA JUSUF GËRVALLA – A KISHTE UNITET MIDIS JUSUF GËRVALLËS DHE IBRAHIM KELMENDIT ( 4 )

Total
0
Shares
1 comment
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura