Durrës, 05. 04. 2015 – Sapo ka dalë numri i fundit i revistës “Metafora”. Është revista më e mirë letrare që del sot në gjuhën shqipe. Meritë të veçantë për cilësinë e kësaj reviste ka kryeredaktori Abdyl Kadolli, një ndër intelektualët tanë më me vlera. Midis lëndës, të përzgjedhur me shumë kujdes e akribi, në faqen 10 të kësaj reviste, zënë vend 3 poezi të poetit dhe profesorit të poezisë, zotit Xhevdet Bajraj. Që të 3-a kanë vlera të spikatura, vlera të cilat vetëm shpirti i revoltuar i një kombi mund t’i nxjerrë.
I lexova e i rilexova shumë herë dhe thashë me vete: “Kush mund të thotë që poezia shqipe e sotme nuk ka përfaqësues të shquar?!” Xhevdet Bajraj, qoftë edhe vetëm me këto 3 poezi, të botuara këtu (“Një ditë nën okupim”, “Vrasësit serikë” dhe “Gjellë shqiptare”), është tashmë njëri ndër ata krijues shqiptarë, që i kërkon vetë koha, në të cilën po jetojmë.
Koha jonë është kohë revolte. Koha jonë është kohë që nuk të lë, as të flesh i qetë, as të rrish i qetë, as të kapërdish i qetë qoftë edhe një kafshatë bukë.
Sapo e kaluam një luftë të tmerrshme, mizorisht të pabarabartë, dhe kombi ynë ende nuk po jeton dot në ditët e veta, as të sigurta, as të lumtura. Do të ish e pafalshme që poezia shqipe e kësaj kohe të mos e pasqyronte këtë gjendje tonën shpirtërore nga më të trazuarat. Poeti Xhevdet Bajraj, ndonëse fizikisht larg atdheut, në Meksikë, po e pasqyron më së miri këtë gjendje tonën, sa të rëndë, aq edhe të paparashikueshme.
– Poeti Xhevdet Bajra –
Unë po e rishkruaj këtu, vetëm njërën prej poezivet të Xhevdetit, “Gjellë shqiptare”, i mbushur deri në grykë me vrunduj revolte, si ndaj pushtuesvet të tokavet tona, ashtu edhe ndaj shurdhërisë së botës, përpara asaj çfarë ata pushtues na kanë bërë. Po e rishkruaj dhe po e përcjell aty-këtu me ndonjë koment, sado që asnjë verg i saji s’ka nevojë për kurrfarë komenti.
“Ushtarët e armikut në Kosovë
Kishin meny të pasur shqiptare
Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
dhe foshnja të posalindura të ziera në zjarr shtëpish
servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
dhe nga një shishe lot të valë”
Të gjithë e dimë që ashtu ka ndodhur. Të gjithë i kemi parë fotot e lemerishme të atij realiteti më se makabër, por, me mënyrën e figurshme poetike, si na e thotë Xhevdet Bajraj, përjetimi bëhet përherë e më përvëlues.
I kthehem prapë asaj strofe. E lexoj e rilexoj. Dhëmbët më shtërngohen deri në thyerje të nofullavet, sytë dhe tëmthat më fryhen, gjoksi gufon dhe kërkon të shpërthejë.
„Në drekë/ Zemra të plasura të të gjitha moshave
Të ziera në lëng eshtrash në njërën anë
Dhe mish kurrizi të pjekur në gacë
Përzier me tru të fërguar fëmijësh
E sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri
dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara“
Midis zemravet të plasura, bashkë me atë të poetit dhe të të gjithë të tjerëvet, është doemos edhe zemra ime, pra, zemra e lexuesit. „Dhe mish kurrizi të pjekur në gacë/ Përcjellë me tru të fërguar fëmijësh“/ A thua është në gjendje të kuptojë bota për çfarë po flitet në këtë poezi?! A e kuptojnë dot cilëtdo lexues, meksikanë ose spanjollë, apo edhe anglezë e kinezë, që këto që po thuhen këtu nuk janë fantazira, por ndodhi të vërteta të vitevet 1998-1999, në një pjesë të globit, të përcaktuar saktësisht dhe që quhet Kosovë?!
„Në darkë/ Mushkëri të zeza e të bardha
aty-këtu ndonjë veshkë
Mish fëmije të përzier me gjakun e nënave
Ca tul plake a plaku pjekur në hell
Njelmësuar me kripën që nxirrej nga lotët“
Unë sapo e botova një roman timin me të njëjtën temë, „Kriza e arkivistit-kronikë beogradase“, por mënyra si është pasqyruar këtu ai realitet i yni, që kombi ynë po e përjeton pa ndërprerë tash më shumë se 1 shekull, ia kalon çdo vepre tjetër të kësaj natyre. Janë vargje që duhet të lexohen në të gjitha gjuhët e botës. Janë vargje që duhet të recitohen nëpër skenat tona dhe të popujvet të tjerë, deri sa politikanët e shtetevet ta kuptojnë më në fund se plagët e këtij kombi duhet me doemos të mjekohen dhe të shërohen.
„Në meskohë (në sillë, Gj.D.)
bluanin veshë të majtë e të djathtë
Gishtërinj duarsh e këmbësh
aty-këtu ndonjë hundë të përgajkur
dhe ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit“
„Dikush kënaqej sall me një kokë të pjekur“
Militarët dhe pranëmilitarët (ushtarakët dhe pranushtarakët), sërbë të veshur me uniforma apo civilë, janë edhe sot e kësaj dite aty, shëndoshë e pa u hyrë ferrë në këmbë. Askush nuk i ka shqetësuar! Qeveria sërbe po deklaron, nga njëra anë, se e mbështet politikën evropiano-perendimore, por nga ana tjetër, nuk pranon kurrsesi ta njohë shtetin e Kosovës.
Në një stadium të Beogradit, për pak sa nuk na i hëngrën mish të gjallë një tufë sportistësh tanë, me të njëjtin „oreks“ siç përshkruhet në këtë poezi.
A nuk na shtyn kjo situatë e palogjikshme t’ua dërgojmë këtë poezi, me adresë personale, të gjithë presidentëvet dhe kryeministaravet të botës?!
„Piqnin e zienin në zjarre shtëpish
Hanin e pinin nga kafka shqiptarësh
Sikur të mos ishin njerëz.
Apo jo Zoto
deri sa vera (behari, Gj.D.) i ktheu në dheun e tyre
Kur u majmën nga vdekja“
Poeti i drejtohet më në fund Zotit, thotë se shqiptarngrënësit u kthyen në vendin e tyre, por e gjithë kjo mua më ngjan vetëm me një ndërprerje të përkohshme ankthi. Ata përsëri po i merr „uria“! Ata nuk po duan të ndalen para asnjë arsyetimi! Rusia u dha 2 miliardë euro për ta shtuar armatimin, edhe ashtu të mjaftueshëm për të ripërsëritur të njëjtën „gosti“.
Fjalët, figuracioni, vargjet e këtij poeti janë të rëndë e të ashpër. Është një satirë e shkallës më të lartë, me figuracion, mirëfilli siç e kërkon një shekull si ky, i alarmuar gjer në ekstremin më të papërfytyrueshëm. A mund të jemi „delikatë“ përballë këtij realiteti?! A mund të jemi më të shtruar e më të qetë përballë shurdhërisë së pafalshme të opinionit të sotëm botëror, që Ismail Kadareja e ka konstatuar prej kohësh me trishtim të madh te „Laokonti“ i tij?! Përballë shurdhërisë, madje edhe të shumë prej vetë shqiptarëvet!
Strofat dhe vargjet e kësaj poezie janë një ulurimë, një „simfoni“ ulurimash, që i tregojnë lexuesit se vepra letrare, në të shumtën e rastevet, nuk krijohet as nga pasioni, as nga kënaqësia. Vepra letrare, në të shumtën e rastevet, krijohet nga halli i madh, nga kërkesa e brendshme e shpirtit të njeriut, apo e shpirtit të një kombi, për të klithur me të madhe.
Në këtë mënyrë, poeti Xhevdet Bajraj, tashmë poet i madh shqiptar i shekullit XXI, është njëri nga zëdhënësit më autentikë të kombit tonë. Revista „Metafora“ po bën një punë të lavdërueshme, që po ia ofron lexuesit shqiptar të këtillë krijime, që kaq shumë na nevojiten për ta njohur gjer në themel kohën në të cilën po jetojmë. Për ta njohur dhe për ta përjetuar me gjithë forcën e revoltës së kombit tonë, i cili GJITHSESI duhet të mbijetojë.