GJOKË DABAJ: SHQIPTARËT, POPULL QË PO E HANË KUAJTË EDHE MUSHKAT!

Durrës, 20. 05. 2016: (Reportazh) – Po udhëtoja nga Durrësi për në Zarë të Dalmacisë. Atje do të përkujtohej 290-vjetori i krijimit të kolonisë arbëneshe të Borgo Ericos. Më pat lajmëruar njëri prej kushërinjvet të mi se do të shkohej në mënyrë të organizuar dhe u nisa me shumë dëshirë, pasi po bëheshin 57 vjet që s’kisha qenë në Zarë.
Shqetësimi nisi qysh në Tiranë. Në autobusin që po shkonte për Shkodër, një grua e moshuar më porositi që t’ia ruaja vendin, sa të lajmëronte të shoqin. Unë i ruajta 2 ndenjëse që të mos i zinte dikush tjetër dhe ata, kur erdhën, më falenderuan. Ky qe edhe shkasi, nxitja, që filloi biseda, me dëshirën për t’u njohur, siç ndodh rendom ndër shqiptarët.
Ai burri më pyeti nga jam, unë i thashë: “Nga Tivari.” “Ah!”, ia bëri ai gjithë entuziazëm. “Qenke nga Mali i Zi!” “Jo”, i thashë, “Tivari është qytet i Shqipërisë, por e kanë pushtuar malazezët. Ai sot vërtet gjendet shtetërisht në Mal të Zi, por territorialisht nuk është në Mal të Zi.” Burri rrudhi njëherë buzët, por s’ia vuri veshin sqarimit tim dhe filloi të më flasë sllavisht. Edhe unë iu përgjigja sllavisht. Meqë po donte të fliste në atë gjuhë, mendova të mos ia prishja qejfin. Biseduam një copë herë. E fliste gjuhën malaziase mjaft mirë. E pyeta: “Ku e paske mësuar malazezçen?! A je malazi?“ „Jo“, tha ai. „Unë jam puro shkodran, por malazezçen e kam gjuhën e nanës, se nanën e kam pasë podgoriçane.“ Foli me krenari dhe vazhdoi të më bëjë sqarime. Nëna e tij, lindur në Shkodër, u kish mësuar fëmijëvet të vet gjuhën që e kish prurë, jo ajo, por nëna e saj prej Podgoricet.
Mirëpo, në mua u krijua një turbullirë e madhe. Këta podgoriçanët e Shkodrës, a janë vërtet sllavë? Këta kanë ikur nga Podgorica prej malazezëvet, kur Mali i Zi e pat pushtuar Podgoricën, sepse ishin myslimanë. Por unë nuk po di a dokumentohet historikisht që ajo popullatë ka prejardhje sllave? Megjithatë, e ruajnë gjuhën sllave edhe në Shkodër, madje, siç po shihet, e përhapin atë gjuhë edhe nëpër familjet „puro shkodrane“. Epo mirë, thashë me vete, nëse janë vërtet sllavë (gjë që unë nuk e besoj), le ta ruajnë të vetën! U lumtë, që e ruajnë gjuhën e vet!

Mirëpo, vetë Podgorica, tradicionalisht dhe historikisht, nuk është një qytet sllav dhe për këtë ka dëshmi të mjaftueshme. Krejt kombi malazias, në 60% është me prejardhje arbërore ose vllahe. Le më një grusht podgoriçanësh! Këtë ia kumtova bashkëbiseduesit edhe me zë të lartë: „Podgorica vërtet është kryeqyteti i shtetit malazias,“ i thashë, „por gjeografikisht gjendet në Shqipëri.“
I foli diçka e shoqja me zë të ulët dhe, shkodrani me nënë podgoriçane e me babë „safi shkodran“, heshti e nuk më foli më, nga Fushë-Kruja deri në Shkodër. Sigurisht, kanë menduar që unë isha, ose provokator, ose i lojtur nga mendtë.
Prej Tivarit për në Zarë u nisëm me një autobus të madh, në orën 5. Ishim nja 50 vetë. Që të gjithë ishim shqiptarë. (Më vonë e mora vesh që vetëm 2 gra, bashkëshorte shqiptarësh, dhe shoferi nuk ishin shqiptarë.) Mirëpo, vetëm unë dhe bashkëfamiljarët e mi po flisnim shqip. Që të gjithë të tjerët përshëndeteshin dhe bisedonin në gjuhën malaziase. Grupit që s’e kish braktisur gjuhën shqipe, iu bashkua edhe znj. Drane Marvuçiqi, gazetare dhe folëse në gjuhën shqipe në radion lokale të Tivarit. Ajo është bijë e Malësisë së Madhe nga Gruda, e martuar në një familje shestanase në Tivar.
Udhëheqësi i shoqatës së shetanasvet të Tivarit Građansko Društvo Šestani (Gragjansko Drushtvo Shestani), sado që në autobus gjendeshim 96% „puro shqiptarë“, na foli në gjuhën malaziase dhe, midis tjerash, na e vuri në dukje: „Ata (dmth, arbëneshët e Zarës), e ndiejnë veten kroatë dhe janë shumë të devotshëm ndaj shtetit kroat.“
Në qoftë se për të quajturit podgoriçanë, të cilët, 150 vjet pasi i ka përzënë Mali i Zi prej Podgoricet, e ruajnë dhe e përdorin me ngulm e me fanatizëm gjuhën e malazezëvet, nuk di ç’të them dhe jam i paaftë të jap një gjykim të qëndrueshëm, historinë e shestanasvet, pjesë e të cilëvet jam edhe unë, e njoh shumë mirë: Këta janë shqiptarë nga koka gjer te këmbët, por nuk po e përdorin gjuhën shqipe as në familje, as në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Nuk e njohin pothuaj fare, ose e njohin së prapthi historinë e kombit të vet dhe u bashkëngjiten, si bajga pas këpucës, komunitetevet të tjerë, të udhëhequr thjeshtë prej opinionevet personalë. Dikush shkruhet malazi, dikush kroat, madje ka prej nesh nga ata që regjistrohen edhe si sërbë ose me „kombësi“ myslimane. Zot na ruajë! Do të mund të kish edhe të atillë që ta konsiderojnë veten hungarezë apo meksikanë. Vetëm shqiptarë të mos quhen!
Njëri nga pjesëtarët e grupit, duke u munduar ta orientojë disi këtë dukuri logjikisht të hallakatur, më afrohet dhe më thotë (sigurisht, në gjuhën sllave): „Përfundimisht, unë di të them vetëm kaq: Ne jemi shestanas.“ E redukton kështu konceptin e etnoqenies së vet në një hapësirë prej më pak se 100 kilometrash katrorë, duke mos ditur, ose duke mos dashur të dijë, që kombi i tij i ka e pakta 15 milionë frymë.
Mbërritëm kështu në Zarë. Mesha përkujtimore do të thuhej në Katedralen e Shën Loretës, që arbënisht i thonë Zonja jonë. Nuk kish vend për t’u ulur, sepse ndenjëset i kishin zënë ata që kishin mbërritur para nesh. Ndenjëm më këmbë gjatë gjithë celebrimit. Ndërkohë edhe oborri ishte tejmbushur.
Në ceremoni merrnin pjesë nja 20 klerikë dhe po aq seminaristë e fëmijë, veshur të gjithë me të bardha. Meshën e kryesoi një kardinal, gjë që dëshmonte rëndësinë që i kushtonin arbëneshët këtij 290-vjetori. Mirëpo, gjuha që u përdor aty, ishte krejt kroatisht dhe, në atë mënyrë, emërtimi Arbanasi dilte tërësisht jashtë funksionimit. Mua më lodhi më shumë kjo, se të ndenjurit më këmbë. Të ish mesha arbënisht, nuk do të lodhesha të rrija më këmbë gjithë ditën.
Pas meshës u zhvillua procesioni tradicional i „shëtitjes” me shtatoren e Shën Loretës nëpër lagjet e arbëneshëvet. Tek kalonim nëpër ato rrugë, na binin në sy emra personalitetesh shqiptarë dhe arbëneshë: Rruga Eqrem Çabej, Rruga Atë Gjergj Fishta, Rruga Josip Rela, Rruga Shime Deshpali e shumë të tjerë. Shqiptari i vërtetë nuk mund të mos e ndiente veten kranar, kur i shihte kështu, mu në krye të Dalmacisë, ata emra njerëzish të shquar të kombit të vet.
Shtatorja e Shën Loretës ishte „e tejngarkuar“ me sende prej floriri. Në qafë i vareshin shumë zinxhirë floriri. Po kështu edhe në qafën dhe gjymtyrët e fëmijës që Shën Loreta e mbante ngrykë. Një mantel që i varej shenjtëreshës nga supet deri te këmbët, ish i mbuluar i tëri me unaza e me sende të tjerë floriri, mbërthyer me kapëse te pëlhura. I gjithë ky thesar vinte prej besimtarëvet, që i kërkonin shenjtëreshës falje mëkatesh, ndihmë e përkrahje.
Vetëkuptohet, unë nuk do të ndalem tash në komentimin e kësaj dukurie socio-fetare, që haset në forma nga më të ndryshmet në krejt botën.

Pasi mbaroi procesioni, oborri para kishës u mbush sërish plot me njerëz, të cilët, ose zunë të argëtoheshin nën tingujt e një muzike bashkëkohore, ose të bisedonin njëri me tjetrin. Sapo patën marrë vesh që ishim midis tyre, qysh gjatë ecjes nëpër rrugët e lagjevet, na ishin afruar plot arbëneshë, për t’u përshëdetur e për të shkëmbyer dy fjalë në gjuhën arbënishte. U vinte mirë të na e dëshmonin konkretisht se nuk e kanë harruar gjuhën e të parëvet të vet. Pata fatin të bisedoj pak edhe me motrën e të madhit, tashmë të ndjerit, Aleksandar Stipçeviq.
Midis atyre që na afroheshin, kish që jetonin prej shumë vitesh në Itali dhe e përdornin edhe atje arbënishten. Njëri kish ardhur, me këtë rast feste, që nga Australia. Ai na tha me shumë krenari: „Kam 40 vjet në Australi, por në familjen time flitet vetëm arbënisht.“ Gazetarja Drane Marvuçiqi i mori intervistë, midis tjerëve, edhe një djali pak më madh se 20 vjeç. Edhe ai e fliste shumë mirë arbënishten, sado që të parët e tij kishin 300 larguar prej Arbënijet. Kishin aq shumë dëshirë të flisnin me ne, sa, disa prej nesh që flisnim shqip me ta, u shkëputëm prej grupit, u vonuam te autobusi, pastaj dolëm të kërkojmë njëri-tjetrin nëpër Zarë.
Mirëpo, thuajse në të gjitha bisedat, ishin të pranishëm ankimet. Shumica dërrmuese e arbëneshëvet të Zarës tashmë po e humbnin gjuhën e vet, të ruajtur në 3 shekuj. Nuk po i humbisnin ndjenjat dhe krenarinë ndaj atdheut të tyre të dikurshëm, por gjuhën po e humbnin. Disa madje shpreheshin të indinjuar: „Kemi pasë një rregull: Brenda shtëpisë, vetëm arbënisht, jashtë shtëpisë, fol si të duash!“ Por ky rregull tash në shumicën e familjevet nuk po zbatohej.
Më 11 maj do të mbahej një tryezë e rrumbullakët, me temë Arbëneshët e Zarës dhe identiteti i tyre. Udhëheqësi ynë na tha në mikrofon, prerë dhe me zë mjaft të sforcuar: „Kush të dëshirojë, mund të shkojë në atë tryezën e rrumbullakët, por pa të drejtë fjale!“ Këtë shprehjen e fundit e përsëriti 2 herë: „Bez prava gllasa!“ Kjo shprehje ka edhe kuptimin „pa të drejtë vote“, por këtu s’kishim të bënim me votime.
Ç’ish kjo punë?!
Kishim bërë qindra kilometra rrugë dhe të mos kishim të drejtë për të folur, të paktën për t’i përshëndetur bashkëkrahinasit tanë legjendarë?! A ish kjo kërkesë e tyre, apo një sajim i „udhëheqësvet“ tanë?! Konferenca shkencore e arbëneshëvet kish si qëllim, marrjen e masavet për ruajtjen e identitetit të arbëneshëvet. Nëse do të më jepej mua e drejta e fjalës, unë sigurisht që do të përkrahja përpjekjet e atij grupi veprimtarësh arbëneshë dhe do të kërkoja që të bëheshin të njëjtat përpjekje edhe për ruajtjen e identitetit të shqiptarëvet të Tivarit. Mos ish kjo „arsyeja“ për të mos na u dhënë e drejta e fjalës?!
Gjithsesi, disa prej grupit tonë morën pjesë në atë konferencë, në të cilën, fatkeqësisht, ashtu si në kishë, nuk po përdorej gjuha shqipe, përveç në disa recitime.
Unë, në përfundim, i dhurova Shoqatës Kulturore Artistike të Arbëneshëvet 2 librat e mi, në të cilët bëhet fjalë hollësisht edhe për arbëneshët e Zarës, për mënyrën se si janë shpërngulur, prej cilëvet katunde të Shestanit janë shpërngulur, si dhe për afritë gjuhësore midis 2 komuniteteve, dëshmi që ata e kanë prejardhjen pikërisht prej kësaj krahine.
U grumbulluam te autobusi dhe u nisëm për në Tivar në orën 16. Gjatë rrugës, diku afër kufirit me Malin e Zi, dikush shpërndau nja 1 litër e gjysmë raki dhe shestanasit e mi filluan të këndonin edhe në gjuhën shqipe. U mallëngjeva shumë. Ia merrnin një kënge, psh “Kah po vjen more Çul Mula”, ose “Nëpër mal, nëpër Rumi“, pastaj ia kthenin me një këngë në gjuhën malaziase, gjithnjë me të njëjtën melodi.
„O Zoti im!“ thashë me vete. „U dashka të vijmë në qejf prej rakisë, që të kujtohemi se jemi shqiptarë!“ (Me shprehjen „Zoti im“ unë kuptoj Kombin tim. Kjo tashmë dihet.)
Gjatë gjithë këtij udhëtimi, sa të mallëngjyeshëm, se do të takonim bashkëkrahinasit tanë, larguar prej nesh para gati 300 vjetësh, aq edhe të trishtueshëm, se, që të 2 komunitetet, edhe i Shestanit, edhe i Arbëneshit, po i humbnim tashmë gjuhën dhe identitetin tonë, gjatë gjithë këtij udhëtimi, pra, unë po mundohesha të gjeja një formulë përgjithësuese të kësaj dukurie tejet tragjike, jo vetëm të Shestanit apo të Arbëneshit të asaj Zare të largët, por të krejt Kombit Shqiptar.
Po tjetërsohen, po zhbëhen miliona shqiptarë! Si kripëra mineralesh, po shkrihen e po treten ndër kombet e tjerë! Arbëreshët e Italisë po italianizohen nga dita në ditë. Arvanitët e Greqisë, sado që po përpiqen të rezistojnë, po treten edha ata. Shqiptarët e Turqisë po shkruhen dhe po bëhen turq. Çamët ortodoksë dhe të gjithë shqiptarët e tjerë ortodoksë, në shtetin grek dhe në shtetin e quajtur „Maqedoni“, ndonëse jetojnë në truallin e Shqipërisë, dmth, në atdheun e vet, duket se nuk po bëjnë thuajse fare rezistencë për të mos u greqizuar e sllavizuar.
Me mërgimtarët e rinj gjendja është thjeshtë revoltuese! Ata që, para jo më shumë se 2 dhjetëvjetëshash, kaluan në shtetin grek, tash, kur po kthehen (se Greqia i la pa punë), po detyrohen t’u mësojnë shqipen fëmijëvet të vet. Një turp nacional që nuk mund të lahet me kurrfarë uji!
Ata që u ndalën në Itali, shumica e zëvendësuan sakaq shqipen me italishten. Ata që ndenjën në Gjermani, shumica „harruan“ t’ua mësojnë fëmijëvet të vet gjuhën e vet dhe po kështu ndodhi edhe me ata që mbërritën në Britani ose në SHBA. Kemi, në të gjithë botën, një shumicë shoqatash, por sa shqiptarë po mbesin jashtë ndikimit të shoqatavet?!
Në këtë mënyrë, qindra mijë fëmijë të lindur shqiptarë, kur të plaken, nuk do të jenë më shqiptarë dhe kur të varrosen, kushedi në ç’gjuhë do t’u shkruhen epitafet sipër varrevet.
Ju lutem, bëni statistika dhe shihni, a janë dhjetëra mijë apo qindra mijë të këtillë objekt-subjekte të kësaj shpërbërjeje tragjike të Kombit Shqiptar! Llogaritni pastaj sa miliona i firojnë këtij Kombi në 10 vjet, në 50 vjet, në 100 vjet e kështu me radhë!

Duke m’u ndrydhur shpirti sa s’ka ku të vejë më, po mundohesha t’ia konkretizoja këtë gjendje gazetares që e kisha pranë, znj. Drane Marvuçiqi. Dikur i thashë: „Të gjithë e dimë që birra prodhohet prej elbit. Pa elb nuk ka birrë të mirëfilltë. Mirëpo, për të prodhuar birrën, duhen edhe teknologjia përkatëse dhe fabrikat përkatëse. Pa fabrika birre, sado varietet i mirë të jetë elbi, ai nuk shndërrohet në birrë për njerëzit, por mbetet për ta hëngër kuajtë edhe mushkat.“
Gazetarja e kuptoi shumë mirë paralelizmin dhe unë shtova: „Pra, populli ynë mund të jetë një popull shumë i mirë dhe është popull nga më të fismit në botë, por, PA IU PREDIKUAR RREGULLISHT‚ FEJA E SHQIPTARËVET‘ NË GJUHËN E SHQIPTARËVET, ai s’është tjetër, veçse elb, të cilin e hanë mushkat, kuajtë, madje edhe gomerët!“
Njerëzit që po udhëtonin bashkë me ne, ishin, pa dyshim, njerëz të mirë, por atyre u mungonte mizorisht arsimimi në gjuhën shqipe. Ka më se 120 vjet që këtyre njerëzve u është mohuar deri edhe arsimi fillor në gjuhën e tyre!
Unë, që jam hartues dhe autor i një „teknologjie“, e cila do ta shpëtonte Kombin Shqiptar nga ky lloj dekompozimi, po e ndieja veten si një mjek, i cili e di ilaçin, por që i sëmuri nuk ia pranon. Ai i sëmurë, në vend që të pranojë mjekimin e mjekut, bredh ndër fallxhorë e ndër fallxhore, duke mos e gjetur asnjëherë rrugën e shërimit.
Ky ishte përjetimi im, që kur rashë në bisedë me atë shkodranin, të cilit ia kish shumë qejfi të ma vinte në dukje se në dejet e tij rridhte edhe gjak podgoriçani, sipas tij „gjak sllavësh“, e deri sa u ktheva prej Zaret me zemër, më shumë të thyer prej shestanasvet të mi të tashëm, se sa prej atyre që ishin larguar prej Shestanit para gati 300 vjetësh. Mendjen po ma gërvinte gjatë gjithë këtij udhëtimi projekti im „PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE“, deri tash tepër fatkeq. Më shumë se fatkeq! A do ta kuptojnë ndonjëherë bashkëkombësit e mi se s’ka rrugë tjetër shpëtimi?!
Gjokë Dabaj, Durrës 14-20 maj 2016

Arbëreshët e Zarës

………………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura