GJOKË DABAJ: UNË PO U LUTEM SHQIPTARËVET!

Durrës, 8 gusht 2020: Në këtë moshë që, dua apo s’dua unë, po shkoj drejt fundit, unë po i lutem secilit shqiptar veç e veç dhe të gjithë shqiptarëvet së bashku, brenda dhe jashtë atdheut: Mos e lini pa e krijuar institucionin “Përkujdesja Gjithshqiptare”! Mos i lini pa i ndërtuar dhe pa i vënë punë, kudo ku ka shqiptarë, Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe!
Po bëhen 10 vjet që është botuar libri im “Strategjia e shqiptarëvet“, në të cilin janë hedhur idetë e para mbi DOMOSDOSHMERINË e krijimit të një organi kulturor gjithkombëtar, organ i cili do të merrte përsipër ta udhëhiqte kombin shqiptar nga dita në ditë, nga viti në vit dhe nga shekulli në shekull.
Në harkun e këtij dhjetëvjeçari, unë edhe disa nga pëlqyesit e kësaj ideje, kemi bërë përpjekje për ta ngritur praktikisht më këmbë këtë institucion gjithkombëtar shqiptar. Bëmë dy mbledhje në Prizren dhe të dyja na dështuan. Na dështuan sepse nuk u sigurua vazhdimësia e punës që kishim nisur. Njerëzit u larguan dhe rreth meje mbetën fare pak, kryesisht nga ata që më njohin personalisht prej shumë vitesh. Por as këta, dmth as ky grup i vogël që mbeti, nuk ia doli, nuk arriti të bëjë diçka të dukshme. Shokët e mi, që më njohin dhe doemos dëshirojnë që kjo punë të ketë sukses, me të drejtë po presin prej meje realizimin e këtij projekti, vënien në jetë të idevet që unë i kam shtruar dhe publikuar. E bëmë edhe një mbledhje në Tiranë, me të njëjtin synim, por sërish s’u vu dot në lëvizje programi ynë, progam që është fare i qartë dhe i kuptueshëm prej kujtdo. Po të shprehemi figurativisht, do të mund të thoshim, me një shaka shumë të hidhur: “Sërish motorina nuk arriti ta ndezë motorin”.
Një nga portalet tanë, mirëfilli patriotikë, “pashtriku.org”, të cilin e ka themeluar dhe po e mban gjallë, me shumë përpjekje, prej shumë vitesh (që nga koha kur përfundoi lufta në Kosovë), Sheradin Berisha, i ka publikuar e vazhdon t’i publikojë të gjithë shkrimet që bëjnë fjalë për këtë nismë. Është botuar aty onlain libri im “Strategjia e shqiptarëvet”, janë botuar aty të gjithë njoftimet dhe artikujt e mi që lidhen me “Përkujdesjen Gjithshqiptare”, gjithsejt mund të jenë më shumë se 700 faqe, të cilat ka pasur mundësi dhe ka mundësi t’i lexojë çdo shqiptar.

Përse nuk ka reaguar askush?! Përse nuk më ka marrë askush as në telefon, për t’u informuar më nga afër me idenë që është shtruar atje, jo thjeshtë për t’u lexuar, por edhe për t’u zbatuar?! Përse nuk shkroi dikush diçka, qoftë edhe kundër asaj ideje dhe kundër atij programi?! Kundër ose pro, në mënyrë që ta dinë shqiptarët se ekziston edhe një Gjokë Dabaj, i cili ka shkruar diçka për problemet e kombit shqiptar!
Më duket se e kam thënë edhe herë tjetër: Në qoftë se do të kisha vrarë me sëpatë fqinjin tim ose ndonjë pjesëtar të familjes sime, s’do të kish mbetur gazetë pa e publikuar me të gjitha hollësitë, krimin që ka kryer Gjokë Dabaj, një plak 83-vjeçar, diku në në fshat të Shijakut. Por, sepse po merrem ditë e natë me një problem të madh të kombit tim dhe se, mbi mënyrën se si mund të vihet në rrugën e zgjidhjes ky problem i madh, janë botuar 700 faqe literaturë, askujt s’iu kujtua t’i shkruajë as edhe dy fjali.
Askush nga qeveritarët, lokalë apo qendrorë, askush nga kryesuesit e partivet, që ditë për ditë na shesin mend se s’po i zë gjumi për kombin e për atdheun, askush nga klasa e të pasurvet shqiptarë, askush nga akademikët, nga profesorët, nga studiuesit dhe nga shkrimtarët tanë, nuk dha shenja as që i ka lexuar, jo ato 700 faqe, por as titujt e asaj ç’kam shkruar unë dhe që, fjali për fjali e rresht për rresht, lidhet vetëm me fatin e kombit, të cilit i përkasin të gjithë këta njerëz!
Shpjegimet, pse po ndodh kështu, mund të jenë të shumtë.
I pari është, se atdhedashuria në kombin tonë është e sipërfaqshme, madje, në një masë të madhe shqiptarësh, edhe inekzistente. (Pikërisht kjo është edhe arsyeja pse unë po mundohem ta themeloj këtë institucion.)
Shpjegimi i dytë është se një shumicë shqiptarësh mendojnë se vetëm ata janë atdhetarë dhe se vetëm idetë e tyre mund t’i vlejnë këtij kombi. Të tillëvet as që u shkon mendja se rreth tyre ka dhe të tjerë që e duan këtë vend dhe që ndoshta do të duhej të përkraheshin.
Një shpjegim tjetër unë e shoh edhe te familjet. Shumë nga atdhedashësit shqiptarë mund të kenë edhe pengesa familjare, pasi atdhedashuria jonë, jo në kuptimin, të flasësh për atdheun, sepse në familjet tona s’ka natë që të mos përmenden kombi e atdheu, por në kuptimin, t’i kushtohesh atdheut, është delikt, është faj e krim ndaj fëmijëvet të tu, të cilët presin prej teje për t’i ushqyer.
Kështu, s’është çudi që shumë vajza e djem, gra e burra shqiptarë, pengohen edhe prej familjevet, që t’i kushtohen efektivisht atdheut. Po punon për Shqipërinë, por sa të paguajnë?!
Së fundi, një nga shpjegimet, pse nuk po gjen rrugë zbatim kjo ide e imja, është se edhe vetë unë nuk po jam në gjendje ta bëj të pranishme këtë program në opinionin e gjërë. Unë jam në gjendje të bëj projekte dhe t’i publikoj projektet e mi, por nuk jam i aftë për t’i zbatuar ata projekte. Një arkitekt mund të bëjë mrekullira në kompjuter e në letër, por duhet të ketë edhe sipërmarrës, që t’i interesojnë ata projekte dhe duhet të ketë edhe inxhinierë zbatues. A mund të më ndihmoni, që ta gjejmë diku një sipërmarrës?!
Ndërkaq, jeta ime po i afrohet fundit. Jam 83 vjeç. Kur s’po e vënë re këtë projekt sa jam gjallë, ata që duhet ta vënë re, po mbas vdekjes sime, a do të kujtohet kush ta shikojë me sy?! E pra, unë kam bindjen që ky projekt është I VETMI, i cili do të mund ta ndalte tkurrjen e mëtejshme të këtij kombi.
Mjaft më! Mjaft jemi ngushtuar dhe mjaft jemi pakësuar! Prandaj, unë po u lutem shqiptarëvet: Lexojeni këtë projekt, vlerësojeni dhe përkushtojuni për ta vënë në jetë! Zëreni se këto janë fjalët e fundit të një njeriu në çastet kur po jep shpirt! Amanetin s’e tret dheu!
Gjokë Dabaj, Durrës 7 gusht 2020
 __________________
Lexoni librat elekronik në formatin PDF, botuar në portalin pashtriku.org:
GJOKË DABAJ: STRATEGJIA E SHQIPTARËVET
https://pashtriku.beepworld.de/files/gjoke-dabaj/strategjiaeshqiptarevet.pdf
***
GJOKË DABAJ: PLATFORMË PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/gjoke%20dabaj%20plaforme%20perkujdesja%20gjithshqiptare.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura