GJYKATA E HAGËS DHE ÇËSHTJA ÇAME

GJYKATA E HAGËS DHE ÇËSHTJA ÇAME

Nga Besnik Imeri, Vlorë 24, 05. 2022

 Dje (23.5.2022) në Tiranë Ministri i Jashtëm i Republikës së Greqisë, Dendias, deklaroi, apo la të kuptohej, se: Çështja Çame nuk ekziston?  Mund të pyetet: nga e gjen kurajon ky ministër që flet kështu? Unë mendoj se ai e gjen këtë guxim nga dobësia e shqiptarëve, më saktë e politikës shqiptare. Dyshoj, në se partitë politike shqiptare, përjashto PDIU, e kanë në programin e tyre Çështjen Kombëtare, në mënyrë të veçantë atë Çame. Çështja Çame duhet të jetë në programin e çdo partie shqiptare, pasi është një çështje shqiptare dhe jo vetëm e çamëve. Nuk mund të pretendohet nga asnjë parti shqiptare sot, se përfaqësojnë dhe mbrojnë aspiratat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk e kanë në program të tyre Bashkimin e Kombit Shqipëtar, e cila është edhe në preambulën e Kushtetutës. Pra Çështja Kombëtare nuk ka një mbështetje të sigurtë nga i gjithë spektri politik. Por jo vetëm kaq. Ajo nuk është mbështetur realisht asnjëherë nga pushteti politik, pra nga mazhoranca parlamentare që zotëron pushtetin. Dhe, grekët e dinë këtë, pasi pushteti politik në Shqipëri gjithë këto kohë, Çështjen Kombëtare, dhe në veçanti, Çështjen Çame, kanë bërë sikur e kanë mbështetur.

Por pushteti politik gjithmonë ka pasur frikë nga revolta e popullit shqiptar, në rastin, kur ata që që ndodhen në krye nuk e mbrojnë kauzën kombëtare, prandaj ka bërë lojën e pistë për ta mbajtur në gjumë ariun me emrin popull. Këta që erdhën në pushtet më 2013, për t’u hequr më patriot se ata që “rrëzuan nga kali”, shpallën me bujë e pompozitet, se do të zgjidhnin Çështjen Çame. Por kjo ishte një demagogji e pështirë.

Pas nëntë vjetësh, jemi atje ku u nis, madje më keq. Pse? Sepse këta të “rilindurit” e sotëm, pasi u tallën nëntë vjet, thonë që ne u lodhëm, por grekët nuk duan. Këtu fillon loja tinzare e politikës greko-shqiptare, me demek, meqënëse pas kaq kohësh nuk po e gjejmë gjuhën, atëhere t’i drejtohemi Gjykatës Ndërkombëtare. Skenari i kësaj shfaqje është i thjeshtë: Ministri grek bën një hap mbrapa nga ajo që ka thënë para dy vjetësh, dhe me një qëndrim arrogant bën presion dhe mohon çdo gjë. Krahu tjetër, kryeqeveritari ynë, gjoja nga ky presion, ngre duart lart, dhe, “duke larë duart si Ponc Pilati”, thotë se me këta nuk merremi dot vesh, le të na zgjidhë gjykata.

Duket sikur punët janë vënë në vijë dhe Gjykata e Hagës do t’a zgjidhë drejt. Por nuk është ashtu. Në rradhë të parë, Çështja Kombëtare nuk nxirret në Pazar. Nuk ka gjykatë në botë që të vendosë për trojet tona. Shqiptarët asnjëherë nuk duhet të pranojnë që sovranitetin, trojet që i kanë trashëgim nga të parët e tyre, të cilët kanë derdhur gjakun lumë, për qindra e qindra vjet, për mbrojtjen e tyre, t’ia dorëzojnë një gjykate të huaj, kushdo qoftë ajo. Shqiptarët duhet ta dinë mirë, si “buka që hanë”, se Gjykata e Hagës, ashtu si do t’ia dhurojë detin Greqisë, ashtu dhe do të rroposë edhe Çështjen Çame.

Pse unë dyshoj tek drejtësia e Gjykatës së Hagës? Janë disa fakte, të cilat krijojnë një bindje të tillë. E fillojmë me të parin. Karla del Ponte kur ishte Kryetare e Gjykatës së Hagës, për të gjithë shqiptarët dukej si perëndesha e drejtësisë. Por me t’u larguar nga ajo detyrë, ajo, si me magji, u shndërua në një armike të egër të shqiptarëve të Kosovës, dhe mbështeti të gjitha shpifjet dhe intrigat sërbe kundër luftëtarëve të UÇK-së. Ajo u bë zëdhënësja më e zjarrtë e shifjeve të ulëta të monstrës me emrin Dik Marti, dhe me të gjitha gjasat, ka ndikuar edhe në vendimmarrjen e Rezolutës Europiane.

Së dyti, kjo gjykatë, morri nëpër këmbë, dhunoi, poshtëroi, shkeli mbi dinjitetin e drejtuesve të Luftës Çlirimtare në Kosovë, pa përjashtim nga më kryesorët deri tek më të ultit dhe tek familjarët e tyre. Prokurorët e saj i ngritën akuzat mbi bazën e relacioneve dhe raporteve të shërbimit secret sërb. Gjykata e Hagës u bë vegël e qarqeve antishqiptare për largimin nga pushteti në Kosovë të atyre që dhanë gjakun e tyre për liri. Gjyka e Hagës dhunoi  dhe cënoi dinjitetin e Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Së treti, kjo gjykatë, në mesin e shekullit të XX, padrejtësisht, vendosi drejtësi në favor të organizatorëve të incidentit të Kanalit të Korfuzit. Shteti shqiptar, me të drejtë, nuk e njohu këtë vendim arbitrar dhe të padrejtë të kësaj Gjykate. Por meqënëse kjo gjykatë, është një gjykatë e pazarit europian, vendosi në favor të grabitësve të arit shqiptar. Juristët më të mire të së drejtës ndërkombëtare sot, si K.Krisafi, thonë së vendimi i Gjykatës së Hagës para 70 vjetësh nuk ka dha drejtësi për shqiptarët. Vendimi i saj nga pikëpamja ligjore ishte i gabuar dhe i pambështetur në fakte.   Nëqoftëse një gjykatë nuk jep drejtësi, nuk është gjykatë, dhe asaj nuk mund t’i besohet peshorja e drejtësisë. Njohja e së drejtës së shqiptarëve për incidentin e Kanalit të Korfuzit pas 70 vjetësh është shumë e vonshme. A duhet të presin shqiptarët, që pas 70 vjetësh, në vitin 2092, të marrin drejtësi për Çështjen e Detit dhe Çështjen Çame?!!!

Unë do t’i besoja kësaj gjykate ndërkombëtare nëqoftëse ajo do të merrte në shqyrtim, dhe do të njihte Genocidin Sërbo-Grek ndaj shqiptarëve, dhe do të vendoste drejtësi në favor të palës së dhunuar, shqiptarëve; të cilët u shpërngulën me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore nëpërmjet raprezaljeve, vrasjeve, djegjeve, therrjeve dhe përdhunimeve të bëra nga sërbët dhe grekët.

Grekët kërkojnë drejtësi. Siurdhëron zoti grek. Por drejtësia nuk është e njëanëshme, është e dyanëshme. Drejtësia nuk është për njërën palë dhe për tjetrën të jetë padrejtesia. Nëqoftëse shqipëtarët do të vendosnin drejtësi shekullin e kaluar, gjënë më minimale që duhet të bënin, duhet të përzinin në Greqi të ashtuquajturin minoritet grek në Shqipëri; ashtu siç përzunë grekët shqiptarët e Çamërisë. Atëhere mund të krijohej një balancë; gjithësesi një balancë e keqe. Por i ligu nuk e kupton ligësinë kur ajo bëhet në trupin e tjetrit, duhet t’ia kthesh në trupin e vet, që ta kuptojë.

Njohja e genocidit sllav dhe grek ndaj shqiptarëve duhet të njihet nga vetë Europa, ashtu siç u njoh genocidi turk ndaj armenëve. Kjo do ta nderonte Europën, por edhe shtete të veçanta të saj si Gjermania, e cila ashtu siç njohu genocidin ndaj armenëve të njohë edhe genocidin ndaj shqipëtarëve. Ne shqiptarët, thuhet se kemi miq të fuqishëm, por nuk kemi parë deri më tani, që miqtë tanë të kenë njohur genocidin sllavo-grek, ashtu siç njohën genocidin turk ndaj armenëve.

Nuk ka të ardhme pa të kaluar. E ardhmja vjen pasi ka një të kaluar, por pasi ka edhe një të sotme. Ne po flasim për sot zotëri. E ardhmja nuk rregullohet, po nuk u rregullua e sotmja dhe për më tepër, po nuk u rregulluan gabimet e historisë në të kaluarën. Brezat e rinj të shqipëtarëve, që do të jenë në të ardhmen, asnjëherë nuk do të na e falin tradhëtinë e sotme.

Besnik Imeri, 24 maj 2022.       

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura