DR.JAKUP KRASNIQI: PËR NJË DEBAT PËRMBAJTJESOR NË SHOQËRINË SHQIPTARE

Prishtinë, 26. 08. 2014: Kam menduar gjatë lidhur me këtë që po shkruaj, madje do të thosha tepër gjatë, edhe pse në ditët tona, në hapësirën tonë kombëtare në përgjithësi dhe, në veçanti, në Kosovë, nuk ka një ambient të përshtatshëm për një debat përmbajtjesor, me argumente e kundër argumente të qëndrueshme e konstruktive. Ndaj vendosa t’ia bëj të ditura opinionit të gjerë disa mendime të mia modeste, të cilat mbase do t’i hyjnë në puna ndokujt sot, apo nesër. Ne, shqiptarët, duhet të përballemi më seriozisht me disa probleme të mëdha që po ndodhin e do të ndodhin edhe në të ardhmen, nëse e dëshirojmë përparimin dhe zhvillimin e vendit tonë, para interesit meskin, personal, dukuri kjo që ka marrë përmasa pothuajse “epidemike”. E pra, duhet të jemi të gatshëm që të përballemi me fenomene edhe më të dhimbshme sesa këto të sotmet. Të dy çështjet e cekura, zhvillim e përparim, i kemi në mesin tonë si imperativ dhe mundësi, por shtrohet pyetja: si t’i funksionalizojmë? Së këndejmi lindin jo pak probleme në jetësimin e gjithë kësaj “farse”, aktuale vetëm në fushata elektorale. Pra, nëse jo sot, nesër do të duhej të merremi urgjentisht me këto probleme, që mund të thuhet se janë edhe globale. Nëse nuk dëshirojmë përshkallëzim problemesh të mëdha e të pariparueshme në të ardhmen e afërt si për kombin, ashtu edhe për shtetin tonë të ri, duhet të merremi sot dhe që tani, kur ato janë edhe më të kontrollueshme, edhe më të përballueshme. Problemet me të cilat shoqëria jonë shqiptare duhet të merret seriozisht, konsideroj se mund të përmblidhen në këto pika:
1. Ndërtimi i shtetit të mirëfilltë të së drejtës
Ndërtimi i shtetit të mirëfilltë të së drejtës fatkeqësisht, është tepër larg, për çka po marrim si vend e popull kritika të shumta, nga më të ndryshmet, madje edhe nga ata që i patëm aleatë e mbështetës në procesin e lirisë, të pavarësisë e të shtetndërtimit. Për këto çështje duhet të zhvillojmë një diskutim përmbajtjesor, intelektual, politik e shkencor edhe si “detyrim” institucional, i cili ne shqiptarëve përgjithësisht është duke na munguar tashmë shumë kohë, sepse nuk mund të arsyetohemi pafundësisht me “tranzicion”. Shoqëritë që udhëhiqen nga liderë largpamës dhe të përgjegjshëm nuk iu frikësohen debatit, pasi debati e shtyn përpara çdo lloj manifestimi të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Ligji i të kundërtave është kategori filozofike që i shtyn përpara jo vetëm fenomenet shoqërore dhe ekonomike, por edhe ato natyrore, ndaj shoqëria jonë e ka për obligim që t’i riorganizojë dhe rikonceptojë institucionet tona shtetërore, shkencore, kulturore e arsimore, duke i përshtatur ato me nevojat imediate e strategjike të kombit e të kohës. Momenti kërkon me ngulm shumë më shumë nga ne, e sidomos nga brezi që tashmë kemi shkelur në mileniumi e ri, i cili, mund të themi se filloi mirë për gjithë hapësirën kombëtare. Fillimi padyshim që ishte shumë i mirë, hapi i bërë me Luftën Çlirimtare (ndonëse edhe kjo i pati dhe fatkeqësisht i ka mohuesit e saj!) ishte kolosal, por vazhdimi lë shumë për të dëshiruar. Mbase tepër shumë! Ne, shqiptarëve, na duhet para së gjithash ndërtimi i shteti të së drejtës, pa të cilin nuk ka siguri, stabilitet e as zhvillim progresist të mirëqenë kombëtar.

2. Kahet e zhvillimit ekonomik të vendit
Patjetër që duhet të merremi urgjentisht dhe seriozisht si shoqëri e komb me kahet e zhvillimit ekonomik të vendit, gjë që nuk jemi marrë seriozisht deri më tani. As 15 vjet pas Luftës Çlirimtare nuk kemi arritur ta kemi Strategjinë Nacionale të Zhvillimit Ekonomik, mbi bazën e se cilës do të ngriheshin objektivat dhe strategjitë afatmesme të çështjeve më specifike. Kjo është një dëshmi se vendi është qeverisur nga njerëz të padijshëm, së këndejmi të papërgjegjshëm, të cilët “ekspertë” nuk ia kanë idenë ç’është planifikimi dhe zhvillimi. Fundja, letra (me copy paste!) i duron të gjitha, por realiteti, jetësimi i një planifikimi të mirëfilltë është krejtësisht tjetër gjë. A do të ndalet ky trend i shëmtuar do të varet, në një shkallë të madhe, prej asaj se a jemi të gatshëm t’i qasemi me seriozitetin më të madh këtyre çështjeve. Sigurisht që faji nuk është vetëm i yni, është edhe faji i atyre që na administruan për pothuajse dhjetë vjet. Duhet pranuar, ky fakt nuk na liron nga përgjegjësia e mosdija, përse nuk i bëmë punët si duhej të bëheshin. Fati i keq i këtij vendi qëndron në atë se liderët politikë, të luftës apo pacifistët, ishin tepër të padijshëm, të ngathtë dhe konfuzë për t’u marrë me nevojat tokësore të qytetarëve. Aty ku mungon përgjegjësia tokësore, shpresat mbesin në himnizimet jashtëtokësore që nuk ofrojnë gjë tjetër veç mashtrimit e zhgënjimit. Të tillët e zgjodhën rrugën e misionarëve shpirtërorë, edhe pse koha ishte dhe është e menaxherëve tokësorë sepse misionarët shpirtërorë në të shumtën e rasteve popujve u kanë hipur në zverk. Jo vetëm në kohë moderne, misionarët i kanë kushtuar tepër shtrenjtë njerëzimit ndër shekuj. Është e ditur se misionarët e cilësdo kohë i ka shoqëruar padituria e masave, por fatkeqësisht popujve nuk u kanë ofruar zhvillimin e duhur as dje e as sot. Nëse nuk veprojmë me urtësi e vendosmëri sot, kështu si ishte deri tani, mund të jetë edhe nesër.
Në dekadat e fundit të shekullit XX popullit tonë, mbase si imperativ kohe, iu kalit një gatishmëri brilante për liri e çlirim. Çuditërisht dhe thuaja pashpjegueshëm në shikim të parë, pas lirisë një diçka e keqe, një babëzi e tmerrshme hyri në shpirtin e mendjet e disa njerëzve liridashës, që me sa duket nuk është krejt rastësi. Ky fenomen, fenomeni i babëzisë dhe i paligjësisë, është një fenomen global që ka ndodhur në të gjitha vendet pas luftërave të armatosura antikoloniale apo çlirimtare qofshin. Ndoshta, për këtë kanë ndikuar faktorë të shumtë, cekur paksa edhe më sipër, por dominojnë fuqishëm: mos menaxhimi si duhet me pasuritë tokësore e nëntokësore të vendit, po aq sa edhe me pasurinë publike dhe menjëherë pas këtyre, mos menaxhimi i kapitalit njerëzor, duke mos pasur vlerësim të duhur të njerëzve të ditur e të përgjegjshëm, të cilët mund të bënin më shumë e më mirë për vendin e popullin tonë të vuajtur e punëtor. Shto pastaj edhe mosdijen e udhëheqësve me artin e qeverisjes, e cila ishte evidente në të gjitha vitet e lirisë e të pavarësisë sonë. E përbashkëta e Administrimit Ndërkombëtar të Kosovës me ata që bashkë qeverisën me ta e pa ta ishte gjithsesi margjinalizimi i Inteligjencës Kombëtare. Kjo shihet në çdo segment të jetës, e sidomos në arsimin e lartë dhe institutet shkencore që duhet të ishin në shërbim të arsimit, të shkencës e të zhvillimit. Shitja, blerja, falja dhe falsifikimi i “dijes” nuk vlen më vetëm për nxënës e studentë, por i ka përfshirë edhe drejtuesit e çertifikuesit e arsimit të lartë në Kosovë! Pra, para se të vijë në shprehje eksperti dhe njeriu i duhur në vendin e duhur, përparësia iu dha militantit mediokër! E pra, ky trend i degradimit duhet domosdo të ndërpritet, nëse dëshirojmë që të radhitemi denjësisht e domosdoshmërisht drejt trendëve të zhvillimit global! Këto trende nuk kapen me cilësinë e arsimit, të edukimit e të dijeve të tilla çfarë mjerisht i kemi ne, në të gjitha nivelet e shkollimit. E kemi një popull që e do shumë vendin e vet, për të cilin ka sakrifikuar shumë, me një shekull të tërë plot dëshmi e sakrifica të pafundme. A është i gatshëm brezi ynë t’ia rikthejë besimin popullit te bijtë e tij udhëheqës? Besimi rikthehet vetëm me punë të mira e të ndershme! Liderët që e sollën vendin në këtë “derexhe”, a thua mund t’ia kthejnë perspektivën aq të nevojshme për të? Vetëm të marrët do të përgjigjeshin pozitivisht! Këta njerëz nuk kanë kapacitet intelektual, politik e kombëtar, nuk kanë përgjegjësi e vullnet politik për ndonjë ndryshim cilësor për të cilin ka nevojë vendi dhe kombi ynë.
3. Edukimi i brezit të ri
Çështjes së edukimit të brezit të ri, me një fjalë të të rinjve, duhet kushtuar një vëmendje krejt ndryshe, pasi disa zhvillime të fundit flasin se të rinjtë tanë kanë mangësi të shumta në edukimin dhe arsimimin e tyre. Shoqëria jonë, çdo mekanizëm i saj, sidomos shkollat e të gjitha niveleve, duke mos përjashtuar as nivelin universitar, duhet të merren seriozisht me edukimin në përgjithësi dhe arsimimin me dije shkencore në veçanti, pasi kemi të bëjmë me të ardhmen e shtetit dhe të kombit tonë para së gjithash. Më shumë se nga kushdo tjetër, një vëmendje të shtuar duhet të kihet nga Bashkësia Islame e Kosovës, e cila nuk po mund të lirohet assesi nga disa zhvillime brenda e jashtë saj që mund të lidhen me individë e grupe të dyshimta. Ajo duhet të jetë vetëm brenda rolit të saj, respektivisht të fokusohet brendapërbrenda funksionimit të përcaktuar të BIK-ut. Ajo e ka për obligim, duke u mbështetur në islamin tradicional, i zhvilluar ndër shekuj në hapësirën tonë kombëtare dhe etnike pa fundamentalizmin ekstrem. Kështu ishte dje, e kështu duhet të jetë edhe në vazhdim. Toleranca fetare është vlerë e kombit tonë dhe si të tillë duhet ta kultivojmë edhe në të ardhmen. Aty ku nuk ka tolerancë, nuk ka as paqe, as zhvillim. Le ta kultivojmë atë, se nga ajo nuk do të “turpërohemi as para Zotit e as para Kombit” tonë të mrekullueshëm e të pasur me vlera kulturore të edukimit tradicional, të besës, të mikpritjes e të mirësjelljes. Të gjithë duhet të kontribuojmë për sigurinë e qytetarëve tanë. Aty ku ka siguri ka edhe zhvillim.
4. Lindje apo Perëndim?
Sigurisht se koordinatat nga duhet të ecim duhet t’i kemi të qarta: drejt perëndimit demokratik e tolerant, i cili na ndihmoi në fitoren e lirisë e të pavarësisë, apo nga lindja despotike e fundamentalizmi ekstrem? Thënë troç, pikërisht ky fundamentalizëm po e mbyt botën arabe me vëllavrasje të tmerrshme e shkatërrime ekonomike marramendëse. Kjo është çështja më serioze që shtrohet sot para drejtuesve të kombit, qofshin ata shtetërorë, shkencorë, arsimorë apo fetarë, që të gjithë dhe pa përjashtim duhet të jenë të rezervuar ndaj çdo forme të bashkëpunimit me ekstremistët që hedhin hije të zezë mbi kombin dhe të ardhmen e tij. Nga vizitat që kisha kohë më parë në disa vende arabe, mora edhe këtë sugjerim: Të keni kujdes nga grupet ekstremiste dhe nga vendet që i mbështesin këto grupe. Pra, ato grupe ekstreme pështirosin jo vetëm vlerat e kohës sonë, por edhe vlerat e historisë njerëzore, duke përfshirë edhe besimet fetare. Ne nuk kemi nevojë për asnjë udhëheqës të tillë, fetar a shtetëror që rrejshëm, formalisht dhe me servilizëm të skajshëm deklarohet properëndimor, e në fakt, kudo që i jepet mundësia sillet si fundamentalist agresiv e jo tolerant ndaj çdokujt që nuk mendon si ai. Të tillët janë refuzuesit më të mëdhenj të kombit, të gjuhës e të shkollës shqipe. Të tillët e kanë shfaqur hapur jo tolerancën e tyre jo pak herë edhe ndaj personaliteteve më të mëdha të kombit tonë. Lashtësia dhe fati i hidhur i shumë shekujve të historisë sonë ka bërë që të kemi heronj të besimeve të ndryshme fetare, madje edhe nga periudha pagane. Veprimet e tilla një shtet normal nuk i lejon, për faktin se në këtë mënyrë vetëm sa rritet pasiguria e qytetarëve tanë. Popullit tonë i duhen paqja, qetësia e zhvillimi. Pasiguria është në rritje kudo në botë, por edhe tek ne është jo aq e lakmueshme, të mos them se është për t’u alarmuar. Një trend i patolerueshëm është duke u përhapur kudo në botë, duke mos kursyer as kontinente, as kultura, as civilizime të ndryshme, madje as fe. Sepse nga kjo e fundit tashmë i kanë mbetur historisë lufta e kryqëzatave dhe antagonizmave të tjerë fetarë mesjetarë. Bota e re nuk duhet ta përjetojë një krizë të thellë morale, një dehumanizim të shkallës së lartë, çfarë janë shenjat më se evidente. Bota ka nevojë për një komunikim e mirëkuptim të ri e përmbajtjesor. Tani për tani, më të prekurat nga kjo sindromë shkatërruese janë Azia dhe Afrika, por imune nuk do të jenë as kontinentet tjera të banuara.
5. E ardhmja, pa doreza
A duhet të diskutojmë pa doreza për të ardhmen e kombit shqiptar? A thua jemi aq të pasur si komb sa të kemi dy shtete shqiptare? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje të studiuara e të analizuara gjithanshmërisht. Por, a i kemi kapacitetet e duhura politike, intelektuale e shkencore? Duke e parë sot integritetin e liderit politik, të intelektualit, të shkencëtarit apo akademikut tonë, përgjigjja nuk është ajo e dëshiruara. Natyrisht, ne assesi nuk bën që të pajtohemi me gjendje ekzistuese, duhet të kërkojmë rrugë të reja të interesit kombëtar e qytetar, pse jo edhe vendin tonë në familjen evropiane. Ne, shqiptarët, edhe si të tërë jemi kaq pak e lëre më që parcelimi e copëzimi na ka thërrmuar aq sa të mos i marrim këmbët e zhvillimit e të përparimit. Me këtë copëzim që na “dhuroi” historia e kemi të pamundshme të mbajmë kaq shumë qeveritarë (politikanë) babëzitë e aparatçikë injorantë. Ne, shqiptarët, as nuk jemi sa gjermanët, as si gjermanët që mund t’i mbajmë dy e më shumë shtete. Ky fakt e bën të domosdoshëm hapjen e një debati për të kërkuar rrugë e mënyra të reja të një integrimi politik dhe ekonomik të shqiptarëve, pa të cilën integrim vështirë se do të jetojmë e prosperojmë si kombet e përparuara të Botës Demokratike.
Realitetin e krijuar pas ndryshimeve në Evropën Lindore e Juglindore, sidomos realiteti i krijuar pas Luftës Çlirimtare, me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, të cilët ndryshime, ne shqiptarët nuk e shfrytëzuam aq sa është dashur dhe na është dhënë rasti, pas robërisë së gjatë dhe lirisë së gjakuar, fituar pas sakrificave të shumta. Ne kemi pasur mundësi, mendoj si komb gjithëpërfshirës, që të punojmë më vendosmërisht në strategjinë e integrimit të vlerave në fushat e arsimit, shëndetësisë, shkencës, sportit dhe kulturës, në heqjen e barrierave ekonomike, në solidaritetin kombëtar e kështu me radhë. Ngritja e shkallës së bashkëpunimit në këto fusha është kusht i domosdoshëm për të hapur perspektiva të mirëfillta për integrimet gjithëkombëtare. Pa një bashkëpunim të tillë, që hapin perspektiva të shumta pozitive, për kombin zor se do të ketë zhvillim e progres. Vendit e kombit tonë u duhen zhvillimi dhe progresi.
(Autori është Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën. Kontakti me autorin: [email protected])

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura