GOLGOTA SHQIPTARE E PRANVERËS 1999!

GOLGOTA SHQIPTARE E PRANVERËS 1999!

Për 79 ditë (nga 27 marsi deri më 13 qershor 1999) një qytet i vogël fitoi vëmendjen e gjithë botës, ndërsa iu dhjetëfishua popullsia sa hap e mbyll sytë.

 ‘Me 5 maj t’atij viti e pyeta Marie Laure Colson, gazetare e Liberation-it të Parisit: – Ç’mund të ndodhë me Parisin nëse popullsia do t’i dhjetëfishohej menjëherë? – Apokalips! – foli menjëherë ajo. – Ja, këtu s’po ndodh asgjë, – ia ktheva unë. – Ose; po ndodh diçka fort e bukur. Banorët e Kukësit po shkruajnë historinë e pangjashme të humanizmit në fundin e shekullit XX…’

Këto 79 ditë të dramës për jetë a vdekje, i ka përmbledhur në librin-ditar ‘Kukësi në 79 ditë – Pranverë 1999’ shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Petrit Palushi, i cili përshkruan eksodin e shqiptarëve gjatë periudhës së bombardimeve të vitit 1999.

Nga Petrit Palushi, Pashtriku 17 Nëntor 2021

Pranvera e ’99-s qe një stinë dramatike, por njëkohësisht edhe e bukur se solli lirinë e ëndërrueshme e të mezipritshme të Kosovës.

Asokohe, Kukësi s’e humbi drejtpeshimin dhe pati fatin të bëhet i njohshëm dhe të thyejë rregullat e qyteteve të vegjël provincialë, rregulla që i mbajnë gjithmonë të lidhur mbas veti.

Ky qytet ndoshta është ndër të vetmit në botë që fitoi njohje të menjëhershme për shkak të krejt banorëve të tij. Të banorëve që dëshmuan se çfarë do të thotë humanizëm njerëzor apo respekt për njeriun, respekt që u shndërrua në kod të brendshëm moral, të pashkruar kund, por të ngritur në një institucion të çuditshëm, shpesh gati – gati të pabesueshëm.

Me 5 maj t’atij viti e pyeta Marie Laure Colson, gazetare e Liberation – it të Parisit:

– Ç’mund të ndodhë me Parisin në se popullsia do t’i dhjetëfishohej menjëherë?

– Apokalips, – foli menjëherë ajo.

– Ja, këtu s’po ndodh asgjë, – ia ktheva unë. – Ose, po ndodh diçka fort e bukur. Banorët e Kukësit po shkruajnë historinë e pangjashme të humanizmit në fundin e shekullit XX.

Banorët e përhershëm si dhe banorët e rinj, që ndejtën përkohësisht në këtë qytet ose bujtësit e përkohshëm, bujtës dhjetë herë më shumë se banorët e vetë qytetit e kthyen atë në qytet – shtet, në një vend të tillë ku çdokush qe në lirësinë e vet dhe për asnjë çast s’e ndjeu vetin se qe i tepërt.

E diel, 28 mars 1999

(Pak kohë pa u avitë mesnata)

Në Kukës ranë këmbanat e alarmit.

Në orën 13 të ditës së djeshme afër 300 vetë të Krushës së Madhe dhe të Krushës së Vogël kaluan Doganën e Morinit dhe po vinin drejt Kukësit. Por ky qe veç fillimi. Askush s’e dinte dhe s’mund ta merrte me mend se prej mesditës së djeshme dhe deri në këtë orë, bash kur po mbërrin mesnata, në Kukës do dyndeshin 40 mijë vetë. Aq më tepër kur ditën e të premtes në Doganën e Morinit s’kishte kurrfarë lëvizje. As natën e të premtes. Por as paraditen e ditës së shtunë.

Këto janë shenjat e para se Millosheviçi dhe qeveria e tij kanë nisur spastrimin etnik apo shkuljen etnike ndaj të shqiptarëve të Kosovës. Eksodi biblik ka përfshi tani për tani kryesisht vetëm gratë dhe fëmijët. Nuk dihet sa do të vazhdojë kështu, por nuk dihet se çdo të bëhet me ata që erdhën dhe po vijnë në këtë qytet, popullsia e të cilit po shtohet prej orës n’orë.

Por, kjo zhvendosje, kjo lëvizje e papritshme e mijëra e mijëra shqiptarëve të Kosovës sikur shkaktoi tërmet. Të duket se në qytet dhe rrethinat e tij, por edhe në rrugën Morin – Kukës sikur ka humbë drejtpeshimi. Të duket se traktorët dhe automjetet e tjera që vijnë në Kukës nuk shkarkojnë të shpërngulurit me dhunë prej trojeve të tyre, por vetëm vuajtje dhe dhimbje njerëzore.

Kjo vuajtje, kjo dhimbje e pamatshme shtrihet përgjatë rrugës Morin – Kukës, në krejt katundet atypari, në qytet dhe krejt hapësinën përreth.

Është e vështirë ta kundrosh këtë pamje, gati – gati e pamundshme.

Njeriut mund t’i zihet fryma kur sheh fëmijë të vegjël strukë në traktorë dhe, sado mund të bësh për ta, të duket pak, shumë pak dhe aq më tepër kur e ndien se drama e tyre po merr përmasat e një orteku, që sa vjen e shtohet dhe pa e ditë kush se kur mund të ndalë.

Në mbasditen e djeshme shumë familje u mbajtën në shtëpitë e tyre prej banorëve të Morinit, Bardhocit e të katundeve të tjera, por fluksi i të tjerave që vinin, shtohej gjithnjë e më tepër.

Sheshi qendror i qytetit u mbush plot.

U hapën edhe dyert e Pallatit të Kulturës ‘H. Prishtina’ dhe u mbush menjëherë.

Por Pallati i Kulturës sa mbushej, zbrazej. Banorë të qytetit vërshyen në dyert e tij dhe marrin një a dy familje me veti pa i njoftë e pa i ditë. Gjithçka kryhet pa fjalë, pa zhurmë. Mjafton vetëm thirrja e të zotit të shtëpisë: ‘Ju, sa të jeni do vini tek unë’, dhe familja e ftuar niset për kah e prin banori i Kukësit që e fton. Mund të dëgjohen fjalët: ‘Të njani-tjetrit jemi’, siç mund të dëgjosh të thuhet: ‘Ju ruajtë Zoti!’.

E hënë, 29 mars 1999

Kukësi u kthye në një qytet pritës.

Të ardhurit këtu sikur marrin frymën e parë. Por njëkohësisht është dhe qyteti ku shkarkohet dhimbja, që ka mbështjellë të ardhurit. Dhimbja për njerëzit e tyre të vrarë, të masakruar. Dhimbja për rrënimin e shtëpive, për zhvendosjen me dhunë nga trojet e tyre. Ajo shtrihet në krejt qytetin dhe hapësinën përreth. Shpërndahet kahmos dhe duket se s’e lehton asgjë. Sikur ngrihet dhe mbështetet në shpatnajën e zhveshtë të Malit të Gjallicës, por menjëherë kthehet mbrapsht. Kërkon të mbështetet në liqenin pranë qytetit, por edhe liqeni sikur është ngrijas dhe s’e mban më. Nëpër rrugë s’ka ku të rrijë, s’ka vend të lirë, sepse rrugët i mbushën njerëzit. As përreth qytetit. Prap gjenden hapësina të ndërmjetme dhe dhimbja gjen shteg e rri në sytë e njerëzve. Aty sikur rri pa lëvizë. Sytë e njerëzve lëvizin, ndërsa ajo rri prap aty. S’dihet sa do rrijë kështu, krejt ngrijas në sytë e lëvizshëm të mijëra vetëve në këtë qytet të vogël, ku, për shkak të pluhurit të dendur, njeriu duhet të fshijë këpucët tri – katër herë brenda ditës.

Pika e kalimit në Morin i ngjan derës së madhe të një tuneli t’errët, derë që rri haptë gjithë ditën e natën e lume dhe, që vetëm nxjerr e nxjerr njerëz. Njerëz të veshur me ankth. Me pikëllim. Duket se ritmi i jetës së tyre është këputë.

Thuhet se në qytet po mbaron buka dhe mallrat e tjerë ushqimorë, ndërsa fluksi i të ardhurve shtohet pandërprerë.

Gjatë ditës së sotme pika e kalimit në Morin bllokohet vetëm për katër orë, por kjo gjë pak vihet re ose nuk vihet re, mbasi kolona e traktorëve shtrihet përgjatë rrugës Morin – Kukës dhe të lë përshtypjen se lëvizja e njerëzve nuk këputet as edhe për një çast. Ata që vijnë vendosen aty ku mund të ketë vend të lirë: Në sheshin qendror, në gjithë hapësinën ndërmjet xhamisë dhe ndërtesës së Prefekturës, në ish – këndin e lojnave për fëmijë, në mjediset e brendshme të magazinave të patates apo të magazinave të tjera (sidomos n’atë vend ku deri para disa viteve quhej ‘Zona industriale’).

hamia dhe Pallati i Kulturës ‘H. Prishtina’ janë mbushur plot e përplot, por edhe përjashtë tyre. Njerëzit i kanë rrethuar, siç rrethoheshin kështjellat moti, veçse këtu i sheh t’ulur, mund t’i shohësh mbi traktorë, por edhe mund të shohësh mbledhnaja njerëzish në hapësinat ndërmjet traktorëve, të lodhur dhe të heshtur njikohësisht. Thuhet se do vijë miell nga rezervat e shtetit, siç thuhet se po vijnë rreth 20 mijë çadra për të strehuar të shpërngulurit, të cilët, shtohen nga çasti në çast dhe në banesat e qytetarëve s’kanë më ku të futen, jo vetëm pse banesat e tyre e kanë hapësinën shumë të ngushtë, por në çdo banesë tani ndodhen mbi 20 a 30 vetë.

Sot nga sheshi u nisën 110 automjete me 4 mijë vetë për në zona të tjera të Shqipërisë, por në qytet erdhën edhe 10 mijë të tjerë.

E mërkurë, 31 mars 1999

 Letër shkrimtarit Vath Koreshi (Fragment)

Të shpërngulurit që vijnë në Kukës janë të lodhur, të traumatizuar, të dëshpëruar për çfarë ka ndodhë dhe ç’po ndodh në Kosovë. Ata kallëzojnë se Kosova është mbushur me varrnaja dhe kjo gjë në shumë katunde e qytete të Kosovës, se shpirti i njeriut atje po vritet për kurrgjësend, se shtëpitë dhe pasuria e shqiptarëve të Kosovës po shkon dëmas, se karvani i njerëzve që po futet në Kukës është i gjatë dhe që s’ka të sosur, por po aq e gjatë është edhe dhimbja që ka mbështjellë shpirtrat njerëzore.

Poeti boshnjak Izet Sarajliq pat shkruar:

‘Përveç vdekjes

gjithçka më ka ndodhur’,

por këta njerëz që erdhën këtu, kanë pa shumë gjëra, se e kishin vdekjen pranë, se kanë pa njerëz duke vdekë para syve të tyre, se i kanë pa ushtarët serbë  të qëllojnë pa kurrfarë dhimbje, se ushtarët serbë mbasi kanë vra sikur kanë qenë më të qetë. Ata që erdhën në Kukës thonë se duke dalë nga Kosova u ngjan se kanë dalë nga një tunel i errët e ku dritë s’duket kërkund. Ata sikur kanë ikë prej ferri dhe tashmë ndihen si të mpirë, si të këputur krejt.

E diel, 4 prill 1999

Mali i Gjallicës në tri stinë të vitit, përveç dimrit, në mëngjes zakonisht merr ngjyrë të përhimtë, aty kah dreka kthehet në ngjyrë të jeshiltë, ndërsa në prag të mbrëmjes futet në t’ullijtë. Por natën mali duket si një ajsberg gjigand, si një ajsberg i vendosur jo në mes t’ujanës së pafund, por në mes të një terri veshë me të bardha. Natën, sidomos natën e terrtë largësia pesë kilometërshe ndërmjet malit dhe qytetit sikur ngrin. Dritat llamburitin si yjet dhe këto drita, si të mos vareshin në trup të qytetit, por në trupin e malit i japin atij një pamje të shkëlqimtë dhe ndriçojnë çdo skutë të tij.

Askush s’e vë re këtë metamorfozë të malit.

Mbrëmë vonë hodha në letër skicën për një roman.

Një kufi trazues që ndan luftën me një paqe trazuese.

Dy studentë të dashuruar nuk kanë mundësi të komunikojnë. Djali (Shkrepi) mbeti në Prishtinë, në qytetin fantazmë, ndërsa vajza (Puhiza), mbas një odiseje të gjatë vjen në Kukës, në qytetin ku s’dihet kur çel dita e soset nata. Një qytet që ngrohet vetëm me frymë njerëzore. Mesnatë. As dritat s’e shuajnë terrimin. Ku të shkojë? Ku do e kalojë natën? Po të nesërmen?

Sot, aty kah mesdita shkova te një pallat dhe tek ngjitesha prej katit të parë në të pestin njeha 168 palë këpucë para dyerve të apartamenteve.

Në çast, thashë vetmeveti se s’mund ta shkruaja kurrsesi atë roman.

Thënia e Dostojevskit se nganjiherë realiteti është më i fuqishëm se fantastikja, zu vend ngultas në mendjen time. Kështu, nisa një roman që s’do shkruhet kurrë.

E premte, 9 prill 1999

Sipas një rrëfimi të Mirdash Hoxhës (Inspektor në Drejtorinë Arsimore), një bujtës në shtëpinë e tij, Ruzhdi Isa Dina prej Celinës së Rahovecit i kallëzoi se forcat ushtarake serbe granatuan dhe i vranë babën, mu te dera e shtëpisë. Atëherë, ai e merr trupin e pajetë dhe përpiqet ta futë në dhé. Nuk pati kohë të hapte varrin se filluan prapë granatime të tjera. Trupin e pajetë e rrethon me blloqe betoni, me ato blloqe të pavëna në punë, që i kishin mbetë pranë shtëpisë dhe vendosi një batanije përmbi. Më mbrapa u larguan prej katundi. N’atë shtegtim të vrazhdë e plot pezm dëgjonte herë pas herë hungërimat e qenve. Qentë i shfaqeshin kudo, tek e tek ose në një varg të gjatë që vetëm hungërinin. Ndërkohë, trupin e kish n’ethe, por sapo lirohej pak prej tyre i gjëmonin rishtas në veshë hungërimat e qenve.

E hënë, 12 prill 1999

Në shtypin e përditshëm dhe në mediat elektronike (të vendit apo të huaj), flitet për një mikpritje të admirueshme të banorëve të qytetit dhe të rrethinave të tij. Kukësin e cilësojnë si qytet të mikpritjes, të bujarisë dhe të respektit njerëzor. Por, mbase është ndër rastet e vështira për t’u kuptuar a zbërthyer: Askush nga banorët e këtushëm, pavarësisht se i kanë shtëpitë plot e përplot s’e përdor në ligjërimin e përditshëm fjalën mikpritje. Pra, njeriu e administron shkëlqyeshëm krejt procesin që ka të bëjë me mikpritjen (pritja e mikut, respekti dhe të gjitha nderet që i takojnë) dhe e ka të vështirë dhe ndihet jo shumë krenar kur dikush ia përmend respektin që i ka bërë tjetrit. Kjo, ka të bëjë me një lloj kodi moral, të veçantë, që mekanizmin e respektit ndaj mikut e ka shndërruar në një çelës që mund ta lëvizë në çdo kohë: Kur dikush troket në derën e shtëpisë së tij, i njohur apo i panjohur qoftë, apo kur dikë ose disa i ka ftuar vetë. Pra, njeriu në këtë zonë e ndien si detyrë ta presë dhe ta përcjellë dikë kur i vjen në shtëpi, por me nderet e veçanta që i takojnë natyrisht vetëm mikut. Miku është i shenjtë, i respektuar. Këtu nuk përdoren fjalët mikpritje, mikpritës (ose përdoren shumë rrallë), por përdoren: pritje, pritës. Fjala mik është si të thuash, e tepërt e panevojshme. Kur thuhet pritje, pritës, njeriu i ka thënë të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me respektin e tjetrit. Por përdoret shpesh edhe fjala shpijak, për dikë që është i sojshëm dhe pret e përcjell njerëzit në shtëpinë e tij në mënyrën më shembullore. Veç kësaj, kur thirret dikush për darkë, në raste të veçanta si me humor i thuhet: ‘Hajde heqim keq një natë!’. Madje, kur dikush që tregon se ka qenë bujtës diku, bashkëbiseduesi i tij me lehtësinë më të çuditshme mund ta pyesë: ‘A hoqe keq?’. Ose, kur dikush tregon se po shkon si bujtës diku, atëherë bashkëbiseduesi mund t’i thotë: ‘Paske me heqë keq!’. Kjo do të thotë se fjalët në këtë rast marrin kuptim tjetër, të kundërt.

Pritja këto ditë mori një formë të institucionalizuar, formën e saj më të përkryer.

Këtu vendasit nuk e përdorin fjalën refugjat, por as t’ardhunit s’e përdorin një gjë të tillë. Fjala refugjat noton vetëm në shtypin e përditshëm apo në mediat elektronike. Zakonisht këtu përdoren shprehjet: ‘Jemi të njëri-tjetrit’, ‘Të mirën dhe të keqen e ndajmë përgjysmë, jemi shqiptarë’, etj. Njerëzit që erdhë n në Kukës pas asaj drame dhe përjetimi filluan të marrin frymë lirshëm dhe u duket vetja si në shtëpinë e tyre, pavarësisht se ajo çka ndodhi dhe ç’po ndodh në Kosovë i ka lodhur dhe tronditur.

Nuk e di ku kam lexuar se mikpritja dhe bujaria është virtyt i njerëzve të varfër. Padyshim që kjo shprehje duhet qortuar. Mbase i nisur edhe nga rasti i fundit në Kukës. Në këtë zonë pritja që i bëhej tjetrit dhe bujaria, qenë pjesë e veçantë e jetës së këtyre njerëzve edhe në vitet e diktaturës, pa shkuar në vitet e mëhershme, që e pat vënë re dhe pat shkruar zonja Edit Durham.

E martë, 13 prill 1999

Kosova duke ecur prej kohësh me dramën në trup ia mbërriti në kohën e sotme ta nxjerrë këtë dramë prej trupit të vet dhe të demonstrojë se ç’po ndodh përnjimend. Këmbanat për këtë dramë patën rënë më parë, shumë kohë më parë. Dhe, bota përgjithësisht e pandjeshme ndaj dramave të tilla të mëdha, si ato që mund të quhen si drama të Kosovës, këtë radhë ia arriti megjithatë, të reagojë në mënyrë të civilizuar ndaj kësaj drame, ndaj dramës së një populli që dëbohet nga trojet e veta.

E martë, 27 prill 1999

Në një ndejë te Bar Amerika, Bukurosh Onuzi (Jurist në Prefekturë), më thotë se mbrëmë vonë shkoi te xhamia. Brenda pa shumë gra dhe fëmijë. I pyeti nëse u mungonte gjë. Njëra prej grave i thotë: ‘Mirë jemi. E kemi marrë vetin, kemi shtrojë e mbulojë, kemi me ngranë e me pi e krejt t’mirat. Kukësin ka me e bekue Zoti! Qe, me ne asht edhe nji serbe, kjo plakë e vetmueme afër meje me flokë si t’verdha. E zu rropama me ne, e qitën këndej. Po asht njisoj si ne, kur shtrojmë bukë ma para i qesim kësaj’.

 E diel, 13 qershor 1999

(Ora 6 e mëngjesit)

Sot do thyhet kufiri absurd shqiptar – shqiptar, ashtu si thyhet një tra i kalbur…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura