GOLGOTA SHQIPTARE NË KRONIKAT E SHTYPIT TË HUAJ (1912 – 1913)

Në 109 vjetorin e pavarësisë

GOLGOTA SHQIPTARE NË KRONIKAT E SHTYPIT TË HUAJ (1912 – 1913)

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 26 Nëntor 2021

Shkrimtari austriak, Leo Freundlich (1875-1953) me të drejt vitet 1912 – 1913 i ka quajtur si vite të krimeve dhe të shfarosjes së shqiptarëve nga Serbia. Prandaj edhe librin e tij e titulloi: “Albanienes Golgotha” (Golgota shqiptare), të botuar në vitin 1913 në Vjenë. Libri është një përmbledhje e dëshmive të cilat autori i ka mbledhur nga kronikeat e shtypit të kohës si dhe gjatë udhëtimit të tij në viset shqiptare  në vitet 1912-1913, duke shpjeguar në detaje masakrat, dhunimet, dëbimet, torturat dhe abuzimet në shkallë të gjerë të shqiptarëve nga ushtria serbe!

“Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundin t’i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ato që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ata ishin shtatzëna, ju çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku e vendosnin në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mbildhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të”. – kështu i përshkruante maskrat mizore serbe ndaj shqiptarëve, Leo Freundlich në librin: Albanienes Golgotha, Wien, 1913 (“Golgota shqiptare, Vjenë 1913”) të kryera nga mesi i tetorit 1912, kur filloj lufta e parë ballkanike, deri në mars 1913.

Leo Freundlich në librin e tij përshkruan kronikat e gazetave europiane për krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve. Po i shpërfaqim disa prej tyre:

Më 12 nëntor të 1912-ës, gazeta “Daily Chronicle” (Kronika ditore) kishte raportuar se masakrimi i mijëra shqiptarëve i kryer nga serbët ishte fakt i pamohueshëm. Afër Shkupit – 2000 shqiptarë myslimanë dhe 5000 të tjerë jo larg Prizrenit u masakruan. Shumë fshatrave u ishte dhënë flaka dhe banorët e tyre ishin masakruar. Kur shtëpitë ishin kontrolluar për armë, shqiptarët vriteshin në mënyrën më të thjesht, edhe pse kurrfarë arme nuk kishin gjetur në shtëpitë e tyre. Serbët bënë të qartë se shqiptarët myslimanë duhet zhdukur dhe çrrënjosur. Ata pohonin se kjo është mënyra më efektive për ta qetësuar vendin.” (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 8-9).

Në një artikull të publikuar në “Crusading”, profesori Shiman (Schiemann), konstaton se “serbët janë duke bërë një luftë gjenocidi kundër shqiptarëve. Ata duan që ta shfarosin tërë kombin – me rrënjë dhe degë”. (L.Freundlich, po aty)

Një mjek rumun, dr.Leonte, më 6 janar 1913 kishte raportuar në “Adeverul” të Bukureshtit se mizoritë të cilat i kishte bërë armata serbe mbi shqiptarët e të cilat i kishte parë vetë, kishin qenë shumë më të trishtueshme sesa mund t’i imagjinojë ndonjë njeri. Dr.Leonte në një përshkrim të dëbimit të qindra shqiptarëve të zënë robë, shkruan: “…këta njerëz të shkretë duke ecur rrugëve nga rraskapitja, uria dhe etja rrëzoheshin për tokë, kurse ushtarët serbë në ato çaste ua ngulnin bajonetat në fyt duke shkuar currili i gjakut dhe duke mbetur përplot kufoma të tyre të pavarrosur rrugëve. Edhe fushat, ishin mbulur me kufoma të trupave të vrarë, duke përfshirë të rinj, gra po edhe fëmijë.” (Po aty)

“Një vajzë shqiptare 15 vjeçare” – shkruan dr. Leonte – “ishte rrëmbyer dhe ishte dërguar në Kështjellën e Nishit. Ajo ishte e dyshmitë se ka hudhur bomba kundër serbëve, të cilët kishin hyrë në Ferizaj. E gjora vajzë e vogël e cila ishte ngarkuar me krim iu dorëzua ushtarëve serbë në vend se të dërgohej në gjyqin ushtarak. Ushtarët i mëshuan në kafkë me dajak derisa ia thyen kokën grimca – grimca”! (Po aty)

Dr.Leonte, ngjashëm me këto i përshkruan edhe masakrat e bëra nga serbët në Kumanovë, Prizren e gjetiu.

Gazeta “Humanite” e Parisit publikoi një shpjegim zyrtar i cili ishte komunikuar në Konsulatën e Selanikut, ku tregon lidhur me mënyrën se si serbët kishin vepruar në Shqipëri – për grabitjet e tyre, shkatërrimet dhe masakrat. Aty vihet në pah shkatërrimi i 31 lokaliteteve shqiptare, plaçkitja e të gjitha lokaliteteve në rajonin e Kratovës dhe Koçanit si dhe djegjjen dhe vrasjen e popullatës shqiptare. Në këtë kronikë, gazeta shkruan, se në “rajonin e Kavadarcit (Kavadar), nga gjithsej 98 fshatra, u dogjën dhe u shkatërruan 34 prej tyre… ndërkaq në Drenovë, të gjithë banorët ishin vrarë. Midis këtij vendi dhe Palikurës ishin zbuluar me radhë shumë varreza, ku dukeshin prej disave kokat e nxjerra jashtë. Të fundit ishin varret e martirëve të cilët ishin varrosur për së gjalli.” (L.Freundlich, po aty)

***

Lexoni: Leo Freundlich: Albaniens Golgotha 1913

https://pashtriku.beepworld.de/files/libra/Libri_Golgota_1913/leo_freundlich_albaniensgolgotha_1913_23.8.08.htm

***

Barabaria serbe ndaj shqiptarëve!

Lidhur me barbarinë serbe ndaj shqiptarëve, ka shkruar edhe gazetari danez Fritz Magnussen, i cili gjatë Luftës së Parë Ballkanike (në vjeshtën e vitit 1912) ishte korespondent i gazetës daneze “RIGET, pranë komandës së armatës së 3’të serbe. Leo Freundlich në librin e tij ia kushton një kapitull të veçantë kronikave të gazetarit Fritz Magnussen.

Fritz Magnussen, në raportin e datës 07 nëntor 1912, nga Shkupi (Yskyb’i) për gazetën Riget, shkruan:

“Lufta serbe në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakre të tmerrshme ndaj popullsisë arnaute (shqiptare). Ushtria ndjek një luftë shfarosëse të tmerrshme. Sipas prononcimve nga oficerë dhe ushtarë janë vrarë 3000 arnautë midis Kumanovës dhe Yskyb (Shkupit) dhe 5000 përreth Prishtinës. Fshatrat arnaute rrethohen dhe me pas ju vihet zjarri. Banorët që dalin nga shtëpitë qëllohen për vdekje si minj. Kjo gjueti njerëzish tregohet me gëzim nga ushtria serbe. Gjendja në Yskyb është e tmerrshme. Janë bërë kontrolle në shtëpitë e arnautëve dhe nëse gjenden gjëra që ngjajnë me armë njerëzit qëllohen në vend. Është shumë e pasigurt që të qarkullosh në rrugë, sepse vazhdon të qellohet drejt shtëpive dhe brenda tyre. Në çdo moment fluturojnë plumba të vegjël nëpër rrugë. Dje 36 arnautë u denuan me vdekje pa gjyq dhe u ekzekutuan në vend. Lumi sipër në të djathtë është i mbushur me kufoma. Çdo ditë krijohen ekspedita gjuetarësh në fshatrat përreth. Dje një oficer serb më tha mua se kishte marrë pjesë në një gjueti të tillë ku njëkohësisht mburrej se pardje më në fund kishte vrarë 9 arnautë. Nuk kalon asnjë ditë pa patur ndonjë vrasje makabre e ndonjë arnauti…

***

Lexoni: Çfarë raportonte gazetari danez Fritz Magnussen nga frontet e luftës pushtuese serbe , në tetor-nëntor 1912:

https://pashtriku.beepworld.de/files/Histori/Kryengritja_1912/gazetari_danez_nga_fronti_luftes_1912_26.11.08.htm

***

Në një kronikë (reportazh) të publikuar në gazetën “New York Times” më 31 dhjetor të vitit 1912, përshkruhen mizoritë serbe ndaj shqiptarëve.

Në vijim botojmë të plotë këtë kronikë rrënqethëse:

Mijëra burra, gra dhe fëmijë të masakruar, sipas raportimeve hungareze. Gjenocid i tmerrshëm, pasojë e politikave që kishin për qëllim të shfarosnin myslimanët (shqiptarët).

VRASJET SI SPORT DITOR

LONDËR, E martë, 31 dhjetor 1912

I dërguari i “Daily Telegraph” në Budapest tregon detale në lidhje me mizoritë që po ndodhin në Shqipëri dhe përreth, raporte këto të mbledhura për autoritetet e Austro – Hungarisë. Korrespondenti thotë: Gjatë marshit drejt detit nëpër Shqipëri, serbët jo vetëm që dinakërisht vranë dhe ekzekutuan shqiptarët e armatosur, por mizoria e tyre nuk u ndal as kur u takuan me njerëz të paarmatosur dhe të pambrojtur, gra dhe burra, fëmijë dhe foshnja në gji. Oficerët serbë, të dehur me fitoren e tyre, deklaruan se qetësimi më i efektshëm i Shqipërisë është zhdukja totale e shqiptarëve muhamedanë. Kjo thënie u adoptua shpejt nga ushtria serbe e okupimit dhe u vu në përdorim.

Në mes të Kumanovës dhe Shkupit, rreth 3000 veta janë rrahur deri në vdekje. Afër Prishtinës, diku afër 5000 shqiptarë ranë në duar të serbëve, jo gjatë ndonjë lufte të ndershme, por gjatë vrasjeve të pajustifikueshme. Për t’i bërë këto krime, ushtarët e çmendur shpikën metoda të reja mizore për të kënaqur etjen e tyre për gjak. Në shumë fshatra, tërë shtëpitë ishin djegur dhe, derisa banorët fatkëqij iknin nga flaka, ata u pushkatuan si minj.

Burrat u vranë para syve të grave dhe fëmijëve, e pastaj gratë e pashpresa u detyruan të shikojnë fëmijët e tyre duke u bërë copë e grimë me bajoneta. Ekzekutimet ishin përditshmëri për ushtarët serbë. Në secilën shtëpi ku gjendeshin armë, të gjithë banorët vriteshin, duke u varur ose pushkatuar. Brenda një dite ndodhnin mbi 36 ekzekutime.

Ish-sekretari i premierit Pashiq, Tomiaç thotë se gjatë një udhëtimi nga Prizreni në Pejë, ai nuk pa asgjë tjetër pos fshatra të shkrumbuara. Anash rrugës kishte trekëmbësha për varje, ku vareshin trupat e shqiptarëve. Rruga për në Gjakovë ishte si “rrugë e varjeve.”

Por tregimet e ligësive, të cilat u bënë në Shqipëri nuk mbaruan me kaq. Veprimet e bëra në Prilep, Kosovë, Veshitcë, thuhet se kanë tejkaluar çdo gjë që shqiptarët kishin vuajtur nën okupimin turk.

Një shqiptar, i cili iku nga Prizreni në Graz, në Stiria dhe i cili studioi në Austri, si i ri, tregon: “Kushdo që e denonconte një shqiptar te serbët, ishte e sigurt që ai person do të vritej.Kjo ndodhte aq vazhdimisht sa njerëzit që iu kishin borxh të holla shqiptarëve muhamedanë, i lajmëronin si tradhtarë. Këta vareshin menjëherë dhe borxhliu mund ta blinte shtëpinë dhe fermën e viktimës me një çmim absurd të lirë”.

Në Shkup shqiptarët e paarmatosur thjesht vriteshin në rrugë nga oficerët serbë dhe nëse vetëm një thikë e gjuetisë gjendej në shtëpi, pronari vritej pa mëshirë.

Në Verisoviç (Ferizaj – Sh.B komandanti serb i ftoi refugjatët të kthehen dhe t’i dorëzojnë armët. Pasi ata i dorëzuan armët, 400 veta u vranë. Në tërë Veroviçin vetëm pak familje myslimane kishin mbetur. Në Pana, serbët vranë të burgosurit, ndërsa në Prishtinë popullata ishte masakruar.

Vetë oficerët serbë thonë se i kanë ndjekur shqiptarët dhe një oficer mburrej se si kishte vrarë 9 shqiptarë brenda një dite. Edhe jashtë kufijve të Shqipërisë ushtarët serbë kryen krime të llojeve të ndryshme. Në kalanë e Nishit, ku ishin sjellë shumë të burgosur turq, ndodhën skena tragjike. Një njeri ishte shkelmuar deri në vdekje për shkak të mosbindjes.

Një doktor i Kryqit të Kuq thotë: “Kudo që gjendeshin shqiptarët, ata vriteshin pa mëshirë. As gratë, fëmijët dhe pleqtë nuk u kursyen. Unë pashë fshatra që digjeshin për çdo ditë.” Afër Kratovës gjenerali Stefanoviç renditi qindra të burgosur në dy rende dhe urdhëroi të vriteshin me mitraloz.

Gjenerali Zivkoviç urdhëroi të vriteshin 950 njerëz të shquar shqiptarë dhe turq afër Sjenicës, sepse ata e kundërshtonin përparimin e tij.

(Publikuar, më 31.12.1912, në gazetën: „The New York Times”)

* * *

Nga kronikat e shtypit të huaj, del se përmasat e shfarosjes fizike të shqiptarëve nga Serbia, janë të trishtueshme. Të dhënat burimore flasin se, gjatë Luftërave Ballkanike (luftës së parë dhe të dytë) dhe Luftës së Parë Botërore (1914- 1918) në viset e Shqipërisë Etnike, përpos numrit të të vrarëve të përmendur më lartë, u rrafshuan përtokë mbi 800 lokalitete shqiptare dhe mbi 500 mijë shqiptarë u shpërngulën me dhunë për në Turqi e gjetiu. (Prof.Dr.Muhamet Pirraku: Tkurrjet e dhunshme të arealit etnik shqiptar…, pashtriku.org)

Nga kjo hartë mësojmë se shqiptarët në Vilajetin e Kosovës – kanë qenë shumicë në këto troje dhe se duke i indentifikuar si „turq“ ose „muslimanë“ ata i kanë shpërngulur nga vatrat e tyre stërgjyshore. Nga ky dokument pos të tjerash mësojmë se shqiptarë ka pasur edhe në këto rajone: Poreçi (Juzhni Brod-Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Bitoli (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihovo (Manastiri-Marihovë); Negotin Na Vardaru (Negotini i Vardarit); Velesi (Velesi); Ovçe Pole (Ovçe Pole); Radovishte (Radovishte); Strumica (Strumicë); Dojrani (Valandova); Gjevgjelija (Gjevgjelija); Kriva Pallanka (Kriva Pallanka); Kratovo (Kratova); Carevo Sello (Carevo Sello); Malesi (Berovo).

Të dhëna mbi shqiptarët, para masakrave serbe të viteve 1878 – 1913

NË MESIN E SHEKULLI XIX, KISHTE DY HERË MË SHUMË SHQIPTARË DHE MË PAK SERBË!

Ami Boué (1794 -1881), botanist, gjeograf dhe gjeolog Francez, i lindur në qytetin Hamburg të Gjermanisë në fillim të Shekullit të XIX, gjatë viteve 1836 – 37 ndërmori një udhëtim në ballkan, i cili në atë kohë i përkiste Perendorisë osmane. Në vitin 1840, Bue përmblodhi në katër volume, secili me nga 400 faqe të mëdha, përshtypjet e tija të udhëtimit në Evropën Juglindore.

Në vëllimet e tij voluminoze për pronësinë osmane në Europë, Boue përshkruan me saktësi shkencore, si askush më parë, pasuritë e vendit dhe popullit në Ballkan. Saktësia shkencore e tij, pati një vlerësim të jashtëzakonshëm edhe nga vetë serbët. Akademiku Aleksandër Beliç shkroi se “Librat e Buesë janë një enciklopedi e vërtetë, e cilat nuk mund të krahasohen nga saktësia me asnjë botim tjetër të këtij lloji”.

Sipas librave të Boue’s, Serbia në atë kohë kishte më pakë se 900 mijë banorë, ndërsa Shqipëria kishte një (1) milionë e 600 mijë banorë. Rrjedhimisht, në mesin e shekullit të kaluar (shek.XIX) kishte shumë më tepër Shqiptarë sesa Grekë dhe dy herë më tepër shqiptarë sesa Serbë. (Hivzi Islami: Spastrimet etnike, politika gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve, Fryma, Sh.B Dukagjini, Pejë 2003, fq. 164).

***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura