HAKI MORINA: PRESIDENTJA JAHJAGA, NJË ZHGËNJIMI I PARATHËNË

Prishtinë, 24. 09. 2012 – (Në këtë molepsje të përgjithshme, u hamendësua se i mirë mund të ishte vetëm njeriu politik pa biografi, i ardhur drejt e nga anonimati i pafaj. E dalë, prandaj, nga një pliko e mistershme, ajo duhej të bënte antipodin e lukunisë së gjahut: një pasqyrëz e bardhë përballë botës dyshimtare! E pra, një figurë me modesti heroike dhe, që këndej, pa pedigre negative, pa histori shpërdorimesh e, sidomos, pa lidhjen fataliste me pushtetin shtetëror! Po a rezultoi të ishte znj. Jahjaga një promocion i profilit dhe vlerës së tillë të ëndërruar?!)
1.
Cila ndër ato ballkanëse vuajti më shumë se shoqëria kosovare mungesën e rendit demokratik dhe shtetit kombëtar? Të tjerët përreth kishin, së paku, diktaturat nacionale, madje dhe të iluminuara, si shqiptarët e Atdheut historik! E Kosova, ndërkaq, nuk kishte diktaturë nacionale e as liri kombëtare. Të dyjat bashkë, si një binom tragjik, ishin të huaja: edhe tirania bolshevike edhe shteti pushtues serbian! Ndaj, për rrjedhojë, ku duhej të merrte më shumë kuptim për pushtetmbajtës, sintagma e interesit madhor treshkallor: ndjeshmëria për interesin e njeriut të vogël, shërbesa për interesin publik dhe sakrifica për interesin kombëtar?!
Por a do të ndodhte kështu?
Një shkrimtar a publicist tiranas (nuk e kujtoj assesi në këtë çast) e vijëzoi bukur punën e fytyrës si atribut moral, tek shkroi se nëse dikur në monizëm kishte dyfytyrësi, tani në miljeun e ri të lirisë – nuk ka asnjë. Njeriu i ri (përherë në kërkim të njeriut të ri) demokratik, është tani krejtësisht i pafytyrë! Dhe megjithë nderimin për një dorë idealistësh që kanë mbetur të tillë dhe në këtë kohë qenërie – përskajimi i sipërcituar, më tepër se askund, ngjan të jetë trollëzuar thellë pikërisht në Kosovë.

Presidentja e ZARF’it! të Dell’it!

………………………………………

Prishtinë, Prill 2011: 10 falenderimet e tri kufomave të gjalla – pas arritjes së marrëveshjes, për Presidenten e ZARFIT të Dell’it!

PASHTRIKU: POLITIKANËT TANË – KUFOMA TË GJALLA!
Hapni kete lidhje: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=594

………………………………….

2.
Në këtë molepsje të përgjithshme, u hamendësua prandaj, se i mirë mund të ishte vetëm njeriu politik pa biografi, i ardhur drejt e nga anonimati i pafaj. Kur krerë partish, që më parë se grupime politike përgjasojnë me kartela krimi, do të provojnë maksimën e dëgjuar latine “omnes erga omnes”, pra kur të gjithë akuzojnë të gjithë për vrasje, hajni e shpirtshitje e kur, poashtu me ç’duket, të gjithë do të kenë të drejtë – shfaqet beftë e meteorisht një grua e panjohur rrethesh politike, që do të ngjitej, si në prrallë, në fronin presidencial. E dalë nga një pliko e mistershme, ajo duhej të bënte antipodin e lukunisë së gjahut: një pasqyrëz e bardhë përballë botës dyshimtare! E pra, një figurë me modesti heroike dhe, që këndej, pa pedigre negative, pa histori shpërdorimesh e, sidomos, pa lidhjen fataliste me pushtetin shtetëror!
Po a rezultoi të ishte Jahjaga një promocion i profilit dhe vlerës së tillë të ëndërruar?!
Aspak.
Përkundrazi!
Kompetenca e vobektë politike, mandej pedigreja e diskutueshme dhe veprimësia e saj e mëpasme, nuk do të provojnë veçse zhgënjimin e idhshëm.
Figurina e saj zbehtane, pa karizmë e sharm, ka shumëçka që e delegjitimon atë krejtësisht: pakulturën e përgjithshme, mosdijen proverbiale politike, provincializmin, çorientimin strategjik kombëtar, përuljen, paaftësinë kontaktvënëse me njeriun e vogël…Por njëkohësisht, për ravijëzim të tabllosë, ajo lëngon mungesën e dhimbshme të gjithçkaje që përligj një shef denjësor shteti: magjepsjen e ideve, besueshmërinë idhujtare të prijësit, pastaj mbipalësinë partiake, apokrifinë intelektuale dhe tejpamësinë shtetërore!…
Ndoshta, kjo gjëmë sikur ngjan të jetë, pjesë e një morali e psikologjie kolektive të instaluar në Kosovë. Kujtdo që do ti ishte ofruar posti presidencial do ta pranonte hareshëm duke shfryrë bezdisshëm e me arrogancë: përse jeni kujtuar kaq vonë?!
Por fabula e saj është e veçantë. Ajo nuk u hodh në krye të presidencës për zotësinë zilindjellëse. E ulën të tjerë, si thamë, për imazh. Një model dlirësie që duhej ti shkonte botës që survejon ditë e natë aftësinë e shqiptarëve për të prodhuar e konsumuar qytetninë e së drejtës dhe demokracisë.
Dhe?
A ishte ajo e tillë?
Përveç dijes së saj inkompetente, ajo sikur nisi të lajthiste llastueshëm dhe në rrafshe të tjerë: aty ku nuk e priste askush! Ajo, ngadalë e lehtësisht, do të akomodohej me favoret pushtetare dhe do të mësonte truket e mbajtjes së tij, qoftë duke krijuar mjegullnajën e krizës politike apo duke u pozicionuar me indiferencë të çuditshme ndaj saj. Thelbi i demokracisë indirekte është marrëdhënia e besimit midis elektorëve dhe ligjvënësve që pajisen me autoritetin e përfaqësimit të vullnetit popullor. E kur kjo, në rravgime të gryksisë dhe rënjes së ultë njerëzore, pëson degjenerimin e pështirë, aherë prishet esenca e saj: kjo marrëdhënie e bekuar e mirëbesimit të shenjtë. Ndaj, nëse kryelëdëkëisti Isa e kishte huqur tek pohonte se korrupcioni nuk luftohet në opozitë, tani është plotësisht në të drejtën e tij kur ngulmon që presidentja, në frymën e Ujdisë së treshes, të dorëhiqet. Dhe keni parë reagimin e saj ashpërsor? Ishte mohues e i papritur. E joshur nga magjia pushtetare, ajo do të refuzojë me ftohtësi e arrogancë idenë e zbritjes nga panteoni politik, duke u katandisur, kështu, si titullare publike – në fjalëngrënëse perverse, kurse si shqiptare – në besëprerëse të ligë!
Por ç’e do!
Kaq paskësh qenë radiusi i saj ditunor dhe rrezja e përndritjes morale. Mendonim se Voskopojën e dijes do ta mbronim me dritën e librave nga armiqtë obskurë, por rezultoi gabim fatal, thotë B.Blushi përmes një personazhi në romanin “Të jetosh në ishull”. Gjaku i tyre nuk u hollua dhe mëndja u mbeti e babëzitur dhe voskopojarët shijuan kobshëm peshën e prangave robnore.
3.
Po cila do të jetë pedigreja e saj familjare e, natyrshëm pastaj, dhe aktivizmi i mëpasmë politik? Nga ç’jemi vënë në dijeni, ato hedhin hije të pamira e plot duhmë zymtore në zyrën epërsore presidenciale.
Trajektorja negative e gjenealogjisë, fjala vjen, vete prapa qysh në shkuarësinë e largët. Gjyshi (Adem, apo ndoshta stërgjyshi) i saj ka kryesuar një kohë Komunën (rrethin a si quhej atëherë) e Becit (afër Gjakovës) gjatë kohës së Mbretërisë serbiane mes dy luftërash të përbotshme. Meqë shqiptarët, si dihet tashmë, nuk mund të kishin atëbotë partitë e tyre nacionale, ai do të ketë qenë, gjithsesi, eksponent i një prej partive të Serbisë monarkike! Të Pashiqit famkeq, ndoshta? Apo? Po ç’rëndësi ka kjo kur të gjitha partitë serbiane të të gjitha kohëve ishin e janë programatikisht antishqiptare! Dhe një burg familjar që presidentja përpiqet ta akontojë në patriotizëm, ishte bërë për shkak të një kushëriri të të parëve të saj (Mehmet) që në luftën e dytë të messhekullit të ikur kishte zgjedhur anën e kuislingut pronacist! Kaq. Asgjë më shumë dhe asgjë tjetër!
Tevona, si për të ndjekur hullinë, babai i saj (Ibrahimi) bashkë me dy vëllezërit e tij (njëri syresh nuk është më në jetë), ka punuar gjatë gjithë kohës së sundimit të Millosheviqit apo, si thuhet shpesh pak figurshëm, deri kur do të binte dhe e fundmja bombë e NATO-s në Kosovë. Kolegët e tij (si rrëfejnë ca prej tyre) ose ishin larguar vetë ose ishin dëbuar forcërisht nga puna, si mijëra shqiptarë, pse kishin refuzuar establishmentin e ri të përdhunshëm dhe vetë shtetin serb. E ky, i dëgjueshëm, besnik e i përulur, vijonte punën thuase nuk ndodhte asgjë. Thuase Kosova ishte në ditët e saj më të lumtura! Madje kur të tjerë, jo vetëm i largonin a vetë braktisnin flijueshëm punën, por dhe kur do ti zbonin nga banesat me gra e fëmijë në rrugë – këtij, sërish urtak e i pafjalë, i dorëzohen çelësat e artë të banesës (ku ka fëmijëruar, është rritur e, pastaj, dhe studijuar dobët Atifetja) pikërisht në vitet e përgjakura të Sllobodanit! Sipas rrëfimit të qarkulluar prej vetë protagonistit krenar – babait të saj, kur milicia serbe, në ekspeditat e radhës së ditëve bizantine të luftës, i shkon në punë dhe, kur të habitur që gjejnë një shqiptar në kujdestari të rregullt, e pyesin: “ç’bën, bre, ti këtu?”, ai, shkrepshëm e zellshëm, u thotë: “po punoj, “dërzhava” (shteti) duhet të funksionojë!” E ata, të kënaqur nga përgjigjja e tij, lëre që nuk e ngucin fare, por i rrahin krahët miradijshëm duke e kurajuar me fjalët: “ashtu pra, të lumtë!”
„Nuk po m’dilet në sokak“, ankohej më herët një kushëriri i tij i parë (Sadri, i vrarë në luftën e mbramë). „Po jam me sy të nxanun se njerëzia m‘drejton gishtin e thotë: hë ore, ku janë ata spiunat e tuaj?!“ Këtë epitet, me mund e djersë të pashoqe, duke përdhosur emrin e familjes së tij të gjerë, arriti ta fitojë meritorshëm si diademë në sfondin e zi, ai – babai i presidentes së shpresave të rreme! Po këtij, me sa duket, aq i bënte. I njihte mirë cenet e popullit të tij. E dinte se ai ishte kujtesshkurtër. Madje më keq akoma. I mësuar gjatë me jetë robnore, kishte farkuar në shkallë identitare, konformizmin, poshtëvënjen vullnetare dhe puthadorsinë e neveritshme! Një palë do harronte e të tjerët, mbamendësit më pedantë, do ia falnin. Madje tani i venë pas zvarritshëm. Ja, sikur i shoh tek ngjatjetojnë e gratulojnë me politesë atë dhe njerëzinë e satisfaksuar rreth tij!..

Trinomi i gëzuar: Thaçi – Jahjaga – Dell!

…………………………………………….

Të mos e rëndojmë tani znj. Atifete, me faje të pararendësve, ndonëse edukata e tyre e, veçanërisht prindore, janë vulëdhënëse në formimin e politik e kombëtar të fëmijës. Ajo ngjizet si pjesë e qenies, botëvështrimit dhe kodit të themeltë jetik!
Sidoqoftë, për korrektesë, pyesim: po ajo vetë?
Përse, pra, ajo vetë ka ndjekur, si të thuash, po atë lavër të shtëpisë?! Rastësi? Natyrshmëri e përsonit të saj? Si dhe pse ka zgjedhur këshilltare për sigurinë e saj (që ka zënë të paraqitet dhe në audience të larta dhe në ekrane mediale) njëfarë znj. me mbiemër Kida, të cilën, në fakt, e bart me vete si inventar personal ngado që shkon? E kush na qenka kjo eminencë gri e pazëvendësueshme në llojin e saj? Mësuam se ajo qenkësh një ish-punëtore e SUP-it ( kështu quhej aherë në zhargon çarshie shërbimi i SPB-së ose Sekretariati i punëve të brendshme) ku ka bërë karrierë deri në orët e fundme të tij. Kurse babai i saj paskësh qenë zëvendësministër i po këtij Sekretariati, ndërkohë që i vëllai (një kohë, apo dhe tani, këshilltar komunal i Pacollit në Prishtinë), po aty kishte kryer punë inspektori e analisti të lartë që, veç tjerash, kujtohet besoj nga shumëkush, për aktin e shquar: i ka shkuar me një togë mneruese në shtëpi dhe i ka vënë prangat Ak.Qosjes!!!
Mandej, në këtë vrajë teme, titullin “aga” ose “agallarë” që shqiptarëzinjtë, shpesh, i dedikojnë reverancë si një reminishencë fatkeqe e së kaluarës dhe që presidentja nuk e ndërron as pas martesës, ishte një titull i thjeshtë në kohën e turkut. Domëthënia e tij, me prejardhje mongole, ishte disi si bacë tek ne shqiptarët, ose njëlloj shërbyesi a pararojë trupash dhe pronarë tokash. Por çështja nuk shtrohet asfare kështu. Do të ngjante krejt e mbrapshtuar sepse dhe sikur të ishte më i naltuar e fisnik – sërish i kujt ishte? Dhe përse ishte dhënë? Ishte titull pushtuesi dhe i dhënë për nënshtrim të devotë! Është, ta zëmë, si të thuash sot “vojvodë” ose “gospodin” a “zhupan”, tituj serbë, që nëse janë aq të urryer për shqiptarë si të njëvlershëm kuptimisht me poshtërimin dhe gjakun – aherë, sipas të njëjtës logjikë e simetri, a nuk duhet urrejtur poaq dhe titujt turq tok me bartësit e kreshpëruar, rimohues të vjetër e të rinj, të tyre?!
Ç’marrëzi?
Njerëzit e presidentes, ata më të afërmit e saj familjarë, nuk u bënë dot kurrë pjesë e rezistencës: as civile as të armatosur në këtë fundshekull! Më saktë, ata provuan shijen e të kundërtes: lëmuan “dërzhavën” serbe në të gjithë format dhe motet e ekzistencës së saj në Kosovë!
4.
Dhe në fund fare një pyetje dëshpëruese: a mos ndoshta, nga sa thamë, Zoti i do më shumë kolaboratorët se atdhetarët?
Kur pyeten filozofin e shquar grek Sokrates se, ç’e bën më të mërzitur njeriun, u përgjegj kthjelltësisht: lumturia e të këqinjëve!
Athua të jetë bërë dhe Kosova për lumninë e të këqinjëve? Sidoqoftë, kështu do shkojë dhe për ca kohë kjo punë e Kosovës: një përplasje e pambarim mes frakut të huaj e të zi sallonesk, në një anë dhe vulgut vetor, të egër, të uritur, të pakultivuar dhe të pamëshirshëm, në anën tjetër!.. Kështu ka qenë përherë: pothuaj çdo dhjetë vjet, sipas një cikli në rreth të mbyllur, Kosova tronditej e përgjakej. Dhe ja, fatthënja e saj sikur dërgon parashenjën e ligë edhe këto ditë: presidentja e fortifikuar në lëbyrjen e ëmbël pushtetare, model-monstra pacolliane, mandej reforma e zvargur ligjore, veriu i eksklavuar dhe njeriu i vocërr shqiptar… ah, sa i zvogluar nga despotia vrastare dhe rrëzoma skamnore në baltën e mbijetesës! Por vulgu i pushtetuar gëzon. I paaftë të përballet me jetën sociale, ai fërkon duart nga gazi dhe ofshanë çlirueshëm që ka një krizë tjetër, një krizë shtetërore që asfikson mëllefin e ndryrë popullor!..
Ndaj, marr kurajon të them se ka një të vetme rrugë: ose pritje e disa legjislaturave zgjedhore derisa të spastrohet helmi ngadalë, vdekshëm ngadalë ose: një plasje e një “pranvere” popullore rebeltare që do t’i çonte ata shpejtësisht në arkivin e errtë të historisë. Nga prania e huaj nuk duhet pritur shumë. Janë njësoj të korruptuar. Disa eurokratë nisin karrierë – dhe nuk kanë një ide për hallemëdhatë e vendësve, kurse disa të tjerë e mbyllin atë – dhe aq u bën se si do agojë dita e tyre. Po kush do ta bënte “pranverën kosovare”? Veteranët e robërisë, siç janë shqiptarët? Ata të cilët skllavërinë e kanë, tashmë, përmasë të krijesës së vet? Që vetëm besojnë e nuk arsyetojnë kurrë?
Kush? Vërtetë kush? Ah, druaj se askush! Asnjëherë!
– Autori është poet e publicist.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura