HALIL HAXHOSAJ: POEZI ME NGJYRIME HISTORIKE PËR PRIZRENIN

Prizren, 03. 03. 2014 – Në vend të hyrjes – Krijuesi i njohur nga Prizreni, Salajdin Krasniqi, në librin e tij poetik me titull “Rrapi i Prizrenit”, trajton të gjitha anët e historisë së bujshme të qytetit të Prizrenit, duke u nisur nga themelimi, emërtimi, ngjarjet, peizazhi, karakteristikat dhe të gjitha anët e shënuara me maturi historike për këtë qytetit karakteristik të historisë shqiptare në veçanti, por edhe të asaj ballkanike në përgjithësi.
Vepra e krijuesit, Salajdin Krasniqi, përshkohet edhe me disa befasi të tjera. Ato janë një simbiozë e ndërtimit të kësaj vepre, duke u ndërthurë me fotografi e dokumente të rralla, të vjetra, e pse jo edhe të reja të Prizrenit, që janë begati e veprës, autorit dhe e strukturimit të saj. Vepra është një përkushtim, të cilin autori e vë në faqen e parë, menjëherë nën titull në formë poezie:
“Ky libër do të mbetet fole
për qytetin e lashtë, për jetën e re.
Kujtime e fëmijërisë bien orë më orë,
Me dashuri të heshtur të ndezur në dorë.”


Libri është botim i Teatrit të qytetit të Prizrenit, në bibliotekën “Prizreni” me redaktor Skënder Zogajn. Pjesa e parë e poezive e shkruar në dyvargësh është e përkthyer edhe në gjuhën anglishte, që e ka bërë Nehat S. Hoxha. Vepra është pasuri e shumëfishtë e autorit për qytetin e tij, për vendlindjen, për kryeqytetin e historisë kombëtare, për qytetin e dashurisë së parë, për qytetin e vuajtjeve, por edhe të krenarisë e të mburrjes sonë. Të gjitha këto, strukturimi, dokumentet, fotografitë dhe të tjera, gërshetohen me figurat poetike dhe ngjyrime artistike të poetit të frymëzuara nga jeta personale, historike, kombëtare e antike. Dhe kështu, vepra e Salajdin Krasniqit me titull “Rrapi i Prizrenit” është pasuri e madhe për lexuesit, në radhë të parë, por edhe për të gjithë prizrenasit, bashkëqytetarët e bashkëvendësit e tij.
Vepra është e ndarë në tri pjesë, që fatmirësisht janë përkushtuese për Prizrenin. Në pjesën e parë poezitë janë të shkruara në dyvargësh dhe të përkthyera në gjuhën angleze, që fatmirësisht ia shtojnë vlerën e shtrirjes së veprës përtej kufijve të trojeve kombëtare shqiptare. Dhe kështu i shtohet edhe hallka biligve e veprës. Poashtu ky cikël i kushtohet profesor Bashkim Fehmiut, arkitektit të njohur. Andaj shikuar në të gjitha anët mbështet mendimi se kjo vepër përveç të tjerash është edhe përkushtues dhe kështu e përmbush anën humanitare e frymëzuese të poetit Salajdin Krasniqi.
Ndërkaq vargjet e pjesës tjetër të veprës janë katrena, pra me rimë të përputhur dhe që secila strofë shënohet me numër. Andaj kjo pjesë e librit përbëhet prej 114 strofash me vargje katrena dhe ndahet në gjashtë nënpjesë të strukturimit poetik të këtij kapitulli.
Pjesa tjetër është “Albumi” me disa fotografi historike dhe karakteristike.
Dashuria për Prizrenin dhe dashuria për të vjetrën
Të gjitha shkrimet janë bërë në formë poetike, me vargje, që shpesh dalin aq të qëlluara dhe të ndërtuara me frymëzime të thella sa historia e jonë dhe e qytetit të Prizreni, andaj nuk është rastësi kur shprehet me vargjet nismëtare që janë moto, pse jo edhe një konspekt poetik i ndërtimit të veprës, sepse poeti pyet:
“Ç’kemi pasur-Ç’kemi tash-Ç’kemi për të fituar
Kalaja, Kompleksi, Marashi, lagjet, biblioteka dhe urat
Grimcat e kohës të rënduan në petkun e arkitekturës

që janë vargje të përkthyera edhe në gjuhën angleze. Nëpër këto gurra, frymëzimi i poetit e gjen vendin, mënyrën, formën, synimin për ta shuar etjen poetike duke e vargëzuar. Kalaja, Marashi, por edhe kompleksi, lagjet, urat dhe biblioteka janë gurra ky lexuesi do ta shijojë përshkrimin artistik të kësaj poetike, figuracioni dhe vargëzimi. Në fillim ai shkruan vargje në veten e parë, sepse kështu ia kërkon forma e shkrimit. Subjekti lirik tashmë shndërrohet në rrefimtar intim që ka në brendësi një mllef, i cili sa vjen e rritet në ndjenjat dhe penën frymëzuese të poetit. Ai është i kthyer në retrospektivën e vet të historisë dhe vështron me ndjenja atë rrjedhë. Mbase diku i rrjedhin lot dhimbjeje, sepse iu ka zvetënuar diçka e praruar, diçka e artë, diçka që tregon lashtësi, por edhe krenari. E poeti është ai që sodit frymëzueshëm me penën e tij nëpër të gjitha këto qeliza tashmë poetike që janë 12 ura, Bushtrica, Marashi, Kalaja, Shatërvani, kishat e xhamitë, teqetë e tyrbet, shkollat e Universiteti, Lidhja e Parë dhe e Dytë, fushat e arat e pëlleshme, malet e larta e kreshnike e deri te “Agimi” e “Agimi i Lirisë”.
Këto, por edhe të tjera qeliza bashkohen në strumbullarin e organizmit poetik dhe me figura e vargje të përjetuara nga vet krijuesi, formojnë organizmin e denjë të krenarisë jo vetëm subjektive, por edhe kombëtare të qytetit të Prizrenit. Poeti tashmë shndërrohet në vrojtues lirik, duke u mbështjellë me petkun e një rrëfimi artistik që e bën lexuesin kureshtar dhe shijues permanent të këtij ”rrëfimi”, i cili shtrohet gradualisht në strukturimin e veprës letrare. Inspirimet e këtij frymëzimi për vargëzime poetike janë të ndryshme e të nduarduarta. Ato fillojnë që nga rrëfimet e Gjyshit të poetit, i cili kishte shërbyer ushtar në Kala, dhe shtrihen nëpër të gjitha poret dhe hallkat e jetës së gjeneratave të tjera e deri te autori i veprës, poeti, Salajdin Krasniqi. Këto rrëfimi mbarsën me frymëzime, duke marshuar kalldrëmeve të rrugëve të historisë, shtëpive me dritare me grila druri e hekuri, veshjeve karakteristike kombëtare të Prizrenit dhe rrethinave të tij si të Hasit, Lumes e të tjera. Dhe kështu edhe frymëzimi tashme merr ngjyrime krenarie, mburrjeje te antikitetit historik. Vargëzimet e këtilla me distikë fitojnë muzikalitet të gurgullueshëm, sepse përputhem me rimën AA.
Dashuria për Prizrenin e këtij vargëzimi del shpirtërisht i gdhendur, i përjetuar, e pse jo, edhe i skalitur. Bashkëdyzimi me figura poetike e bën atë të qëndrueshëm dhe interesant.
Sqarimet dhe shpjegimet në formë poetike të Prizrenit, lashtësisë së tij, origjinës dhe të tjerave gjera interesante të këtij qyteti, pena e poetit, Salajdin Krasniqi, i laton në pjesën tjetër poetike “Perzerend”. Kjo njësi qerthullore e këtij vëllimi karakteristik poetik ka edhe nënnjësitë poetike që janë të shtresuara për të latuar edhe më tutje, por edhe me mirë lirikën, e pse, edhe liriko-epikën e veprës. Këtu, poeti ndërron formën e vargëzimit, sepse atë e ngrit në nivel paksa më të sofistikuar ngase përdor sonetin, apo vargëzimin katrenë. Kjo formë shtrohet në të gjitha segmentet e kësaj njësie poetike dhe ka 114 strofa në formë soneti, andaj edhe duket më e shtruar, më intime, e pse jo edhe më e përjetuar dhe e latuar artistikisht.
Këtë autori e bën duke filluar nga emërtimet e qytetit të Prizrenit që nga lashtësia dhe shkruan:
Që nga rrjedha ti për mua je Bushtricë,
Për ata të djeshmit rrëshqet si Bistricë,
Për të sotmit gurgullon si Lumbardh,
Klithma jote për emrin zemërbardhë.

Këto janë vargje që shtresohen në rubrikën “Kronikë stuhish” të këtij qerthulli poetik. Edhe në të ashtuquajtura rubrika të tjera poetike të këtij qerthullin vargëzohen figura e vargje që pasqyrojnë të gjitha anët e Prizrenit, por që fuqizohen edhe më shumë me fotografi të kohëve të ndryshme të këtij qyteti, të cilat poeti i radhit për mrekulli, duke ua shtuar edhe më shumë vlerën jo vetëm vargjeve, por edhe madhështinë këtyre fotografive tashme muzeale.
Edhe në vazhdimësi, pra në rubrikat poetike “Kujtimet me zemër të thyer”, “Nostalgji e kujtimeve”, dhe “Ëndërr e dashurisë së vjedhur”, poeti ; Salajdin Krasniqi, vargëzon ndjenjat e tij duke i gërshetuar me të gjitha nuancat e Prizrenit, qoftë historike, qoftë intime, qoftë erotike, qoftë krenarie e kombëtare, natyrore e shumë e shumë të tjera. Të gjitha këto e paraqesin Prizrenin qytet të lashtë historik çfarë ishte dhe është, që gjithmonë ka bërë por edhe bën dritë edhe atëherë kur ishte e ndaluar, sepse në qenien e tij ishin shpëtimtare jo vetëm dashuritë, por edhe fshehtësitë.
Edhe pse Prizreni në histori shpesh e ka rritur, por edhe e ka zvogëluar trupin dhe madhështinë, prapëseprapë mbetet krenari për poetin, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë, kudo që jetojnë dhe kudo që frymojnë, sepse:
Sot ke mbetur i vogël, por jo edhe qyqar,
Trupin urë kurrë nuk e bëre, s’u bëre as tradhtar,
Me ty mburren Kosova, Ilirida e Shqipëria,
Në vazhdimësi të përmendin kënga dhe historia.
shprehet poeti në katrenën 110 të këtij qerthulli poetik.

Vepra “Rrapi i Prizrenit” e Salajdin Krasniqit mbyllet me qerthullin “Album” i cili përbëhet prej shtatë fotografive që paraqesin historinë e qytetit të Prizrenit që nga viti 1864 e deri më 1913 që janë pasqyrë e një dimensioni historik të këtij qyteti të krenarisë së historisë sonë kombëtare.
Kjo vepër shënon një veçanti në strukturimin dhe kontruktimin bashkëdyzues të verbit poetik me fotografi. Gërshetimi i këtillë ia shton vlerën dokumentare dhe historike të veprës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura