HALIL KRASNIQI: SI ECËM DHE KU ARRITËM PËR KËTO 100 VJET?

(Prishtinë, 22. 11. 2012) – Duke mos pretenduar që me një përshkrim të shkurtër ta përmbledhim tërë jetën e kombit tonë për këto 100 vjetët e fundit, një gjë mund ta themi me siguri, se, si njëri ndër popujt më të vjetër të Europës që jemi, vetëm një shekull Pavarësi e një pjese të popullit dhe e një pjese të territorit dhe gati katër vite të një pjese tjetër të tij, nuk duket se i shkon moshës së popullit shqiptar. Andaj, mund të konsiderohet kontradiktor fakti se shtetet më të reja të Europës, Shqipëria dhe Kosova, i takojnë njërit ndër popujve më të vjetër të saj, popullit shqiptar (bën përjashtim një shtet, por edhe ai me gati gjysmën e territorit shqiptar). Ndërkohë që kombet tjera europiane, komb-formimet e tyre i kanë përcjellë edhe me formim shtetesh kombëtare.
Për këtë vonesë historike, fajtorët mund t’i gjejmë kudo, varësisht se ku i kërkojmë, si brenda nesh që i lejuam të tjerët të luajnë me çështjen tonë, por edhe jashtë nesh, në Europë, që për interesat e saj nuk vendosi drejtë për çështjen tonë. Meqenëse ndërgjegjja e zgjuar perëndimore na ktheu borxhin duke na ndihmuar fuqishëm që përmes luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ta kthejmë Kosovën nën sovranitetin tonë, përpjeka do të jetë t’i identifikojmë çështjet kyçe brenda nesh që na përcollën për këto 100 vjet dhe të cilat duhet rregulluar.
Ndër fajet tona më të mëdha gjatë këtyre 100 vjetëve mund të konsiderohen:
1.Mungesa e të kuptuarit të rëndësisë së funksionimit mirëfilli të shtetit për dobi të qytetarëve; dhe
2. Instrumentalizimi ynë përballë interesave të huaja duke luajtur rolin e ruajtësit të ideologjive të mëdha politike, e me raste edhe atyre fetare.

Për pikën e parë, keqkuptimi i madh që iu bë dhe i bëhet luftës për pushtet, është faktori kryesor që s’kemi arritur të kemi shtet të fortë. Edhepse, si gjatë mbretërisë, si gjatë gjatë diktaturës në Shqipëri, shteti ishte funksional, lufta vetëm për pushtet, në të dy rastet e varfëroi popullin dhe dobësoi shumë shtetin. Ky keqkuptim po na përcjell edhe sot.
Lidhur me pikën e dytë, ideologjitë politike duhet t’i zgjedhim sipas interesave politike nacionale, ato fetare mund t’i (mos)pranojmë sipas bindjeve shpirtërore individuale. Dihet se, pas Luftës së Dytë Botërore, pa fajin tonë dhe pa dëshirën tonë, si Shqipëria, ashtu edhe territoret shqiptare jashtë saj, si edhe e gjithë Europa Lindore mbetën nën influencën sovjetike. Kjo nuk ndodhi me dëshirën tonë, siç tha këto ditë një akademik yni, pasi, sipas tij, komunizmi ishte shpresë për të varfërit. Nëse ne ishim të varfër, për nga pasuria banorët në lindje të Berlinit nuk dallonin nga ata në perëndim të tij. Andaj, në vend që politika shqiptare në Shqipëri të ishte e vetëdijshme për këtë ideologji të imponuar, ajo, për ta ruajtur pushtetin, ama kinse në emër të ruajtjes së shtetit, pretendonte ta begatonte dhe zhvillonte më tej një ideologji të madhe dhe të importuar nga jashtë, në lindjen e së cilës nuk kishte asnjë rol, dhe në ruajtjen dhe zhvillimin e së cilës në nivel botëror nuk kishte asnjë potencial.
Fatkeqësisht, instrumentalizimi i kësaj ideologjie nga armiqtë shekullor të popullit shqiptar i dëmtoi interesat tona nacionale. Të kuptuarit e drejtë të kësaj nga politika e asaj kohe, do u kishte ndihmuar shqiptarëve andej dhe këndej kufirit që t’i gjejnë më herët aleatët e vërtetë dhe t’i njihnin aleatët e rremë. Të kuptuarit e drejtë të kësaj nga politika e asaj kohe, nuk do ta linte Shqipërinë të izolohej dhe të katandisej ashtu siç u katandis. Pashmangshëm, kjo do i sillte edhe Kosovës më herët lirinë. Ky moskputim i madh, ky moskuptim tragjik, ka bërë që këtë 100 vjetor pavarësie shqiptarët ta presin si populli më i varfër i Europës.
Sa u përket ideologjive fetare, më shumë se pas shkëputjes nga osmanët, tendenca për tu bërë mbrojtës dhe misionar të përmasave të tyrë universale po vërehen sot në mesin tonë. Edhepse jemi në kryqëzim të civilizimeve, ne duhet ta dimë ku e kemi vendin. Është hipokrizi, që popujt e vegjël me probleme ekzistenciale t’ia ngarkojnë vetes një barrë të tillë. Ndërkohë, që asnjëra prej feve nuk ua ka kërkuar këtë kurrë shqiptarëve. Përkundrazi, këtë e dimë të gjithë, se nëse mund t’i mbajmë leksion dikujt për diçka, më së pari është bashkëjetesa fetare. Mosvlerësimi i drejtë i kësaj pasurie kulmore, mund ta dëmtojë rrugën e drejtë të cilën tashmë e ka marrë kombi ynë.
Ky 100 vjetor Pavarësie kombin shqiptar e gjen shumë më mirë sesa ishte, me rizotërim të territorit të tij (Kosova), të rifaktorizuar, por që është më e rëndësishmja, na gjen të rreshtuar andej kah i kemi interesat dhe andej kah i kemi shansat. Krejt çka na mbetet është vetëm t’i shfytëzojmë ato!
– Halil Krasniqi – [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura