Shkup, 22 dhjetor 2020: Reka e Epërme shtrihet përsëgjatë rrjedhës së sipërme të lumit Radika. Ajo kap hapësirën gjeografike ndërmjet shpateve më jugore të malit Sharr – qafëmalit Vllajnicë – mali Bistra – zonës Reka e Poshtme dhe maleve Kërçin e Korab. Ndër shekuj, numri i vendbanimeve në këtë zonë oscilon (lëviz), varësisht nga kushtet konkrete historike nëpër të cilat po kalonte ajo. Nga gjithsej 15 vendbanime të banuara dhe 3 të shpopulluara, sa kishte zona e Rekës së Epërme nga fundi i shek. XV, për të arritur në gjithsej 22 fshatra, në vitet tetëdhjeta të shek. XIX dhe në kapërcyell të shek. XIX/XX. Ndërkaq, periudhën, nga dekada e parë të shek. XX e deri në fund të këtij shekulli, e karakterizon rënia e numrit të fshatrave dhe e numrit të banorëve në Rekën e Epërme, për shkaqe politike. Sipas Josif Bagerit, në dekadën e parë të shek. XX kjo zonë numëronte gjithsej 18 fshatra, kurse, sipas Milivoje M. Saviq, në vitin 1914, këtu kishte gjithsej 20 fshatra. Ndërkaq. Numri i fshatrave në këtë zonë, në fund të viteve njëzeta të shekulli XX, ra në 17 fshatra të banuara dhe 5 fshatra të shpopullzuara. Fshatrat e shpopullzuara u rrënuan nga pushtuesi serb në vitet 1912-1913, kurë popullata e Rekës së Epërme, iu kundërvu me arnë në dorë ushtrisë pushtuese serbe, si dhe nga ajo bullgare në luftën e Parë Botërore, kurë popullata e kësaj zone mbështeti Lëvizjen çlirimtare kundërbullgare. Fshatrat e shpopulluar asokohe ishin Strezimiri, Reçi, Shtirovica, Tërrnica dhe Dëbova, disa nga të cilët u shlyen nga faqja e dheut, si Reçi, Strezimiri, Dëbova etj. Ndërkaq, në fund të shek. XX në Rekë të Epërme ekzistonin gjithsej 15 fshatra (pa Dufin), dhe në 13 prej tyre ende banonte një numër i vogël i popullsisë kurse në 2 të tjerët nuk banonte më kush.
Ndërkaq, të dhënat antroponomike, patronomike, etnonimike dhe toponimike nga Defteri kadastral Nr. 508 i vitit 1467, dëshmojnë qartë se edhe në mesjetë, shqiptarët ishin faktori dominues në strukturën e përgjithshme demografike, në zonën e Rekës së Epërme. Në një përfundim të këtillë, arrijnë edhe studiuesit Aleksandar Stojanovski dhe Gallaba Palikrusheva, në një punim studimor të tyre, kur po i referohen këtij defteri kadastral, veç tjerash ata pohojnë: “në fshatin Bogde të Rekës së Epërme, si dhe në fshatrat e afërta për rreth tij, elementi etnik shqiptar ishte shumicë absolute”. Një strukturë e këtillë etnike e popullsisë në Rekën e Epërme, u ruajt edhe në kohën e re dhe atë më të re. Në një dorëshkrim anonim, të viteve tetëdhjeta të shek XIX, thuhet se gjuha kryesore e folur në Rekë të Epërme ishte gjuha shqipe, (“arnautski apo shkiptarski” si që thuhet teksualisht), atë e flasin si myslimanët ashtu edhe të krishterët. Po ashtu, edhe Gjorgje Popoviq, konsull serb, në një raport të tij për ministrin serb të arsimit dhe fesë, datë 13.o1.1889, veç tjerash thotë: 13 fshatrat e Rekës së Epërme “janë shqiptarë, por ortodoks, nuk flasin serbisht”. Ndërkaq, sipas Kënçovit, po në fund të shek. XIX, Reka e Epërme kishte gjithsej 6959 banorë, që të gjithë shqiptarë, nga të cilët 3221 ishin të konfesionit ortodoks dhe 3738 banorë ishin të konfesionit mysliman. Kështu, Reka e Epërme, në kapërcyell të shekujve XIX/XX, ashtu si dhe më parë, ishte zona e vetme në Trevatë Lindore shqiptare (trevat në lindje të: maleve: Sharr – Korab – Deshat – Jablanicë) me popullsi një nacionale shqiptare.
Në burimet dhe literaturën historike e etnografike të shek. XX, hasim më shumë të dhëna fragmentare mbi përkatësinë etnike e gjuhësore të popullsisë së Rekës së Epërme, por dhe të dhëna statistikore jo zyrtare dhe zyrtare. Kështu, p.sh. M: V: Veselinoviq, zëvendëskonsull i përgjithshëm serb, në një raport të tij, datë 17 qershor të vitit 1903, e karakterizon për “shqiptar i krishterë” një person me emrin Damjan nga Kiçinica. Po ashtu, edhe Jovan Cvijiqi, në një punim të tij, popullsinë e Rekës së Epërme e karakterizon etnikisht për shqiptare ortodokse; “pravoslavnim Arbanasima”. Gjithashtu, edhe studiues dhe publicist të tjerë të proveniencës serbe apo jugosllave, si ç’janë: Rista T. Nikoliq, dr. Dushan Nedellkoviq, Toma Smiljaniq (Bradina), Millorad Markoviq, Edo Markoviq, Milivoje M. Saviq, Aleksije Jevtoviq etj., në punimet e tyre të publikuara qoftë gjatë periudhës midis dy luftërave botërore apo edhe pas saj, jo vetëm që e pranojnë por dhe dëshmojnë, se si popullata e konfesionit mysliman ashtu edhe ajo e atij ortodoks e Rekës së Epërme, fliste vetëm shqip në shtëpi dhe jashtë saj kurse “serbisht” (sllavisht/shqenisht) dinin pak apo nuk dinin fare, veçanërisht, pohojnë ata, gratë e kësaj zone fare nuk e dinin “serbishten” (sllavishten/shqenishten).
Mirëpo, në shek. XX fati historik i Rekës së Epërme ishte sa dramatik aq edhe tragjik, si rezultat i propagandave dhe i pushtimit serb dhe i politikës kundërshqiptare serbe, që rezultoi me ndryshime të mëdha në strukturën demografike e etnike të popullsisë. Në Rekën e Epërme, që në gjysmën e dytë të shek.XIX (pas viteve 1860-1870) filloji të shtrihet propaganda e organizuar bullgare, kurse që në vitet tetëdhjeta të këtij shekulli (pasi qe formuar Shoqëria serbe “Sveti Sava”, në gusht të vitit 1886) filloji të reflektoj në këtë zonë edhe propaganda e organizuar serbe. Synimet e këtyre propagandave ishin shkombëtarizimi, përkatësisht bullgarizimi dhe serbizimi i popullsisë shqiptare të konfesionit ortodoks të kësaj zone. Mirëpo, këtyre synimeve shkombëtarizuese e kundërshqiptare të propagandave të huaja, me sukses u rezistoi, dhe besoj se ende iu reziston, popullsia e Rekës së Epërme, fal qëndrueshmërisë së traditës dhe kulturës kombëtare të kalitur ndër shekuj nga bijtë e kësaj zone. Nga fshatrat që u dalluan në këtë drejtim ishin: Reçi, Strezimiri dhe Tërrnica, por më së shumti ishte shquar Shtirovica, saqë Dushan Nedellkoviq konstatonte se “në Shtirovicë filluan të formojnë veçanërisht qendër për çështjen kombëtare shqiptare”. Ruajtjes së traditës dhe të qenies kombëtare shqiptare, por dhe të lartësimit të vetëdijes dhe të shpirtit revolucionar ndër popullatën e kësaj treve, gjithmonë i kontribuuan mendjet e ndritura dhe veprimtaria e bijve të njohur të kësaj zone, nga të cilët u shquan patriotët e njohur, jo vetëm në nivel lokal, por dhe në nivel kombëtar, si: Josif Bageri, nga Nistrova, Anastas Albanski, Lazër (Llazar) Siliani, Haxhi Vildani, nga Rimnica, Maliq Tanushi, nga Tanushaj, Vahid Abdullahu e Thoma Serexhi, nga Shtirovica etj. Falë veprimtarisë së tyre patriotike dhe sakrificave të plejadave të veprimtarëve të këtillë, populli i Rekës së Epërme, përkundër terrorit të organizuar institucional dhe joinstitucional serb dhe bullgar, me sakrifica shumë të mëdha, i sfidonte qëllimet e propagandave serbe e bullgare për asimilim të kësaj popullate. Në radhë të parë, për shkak të politikës së brendshme serbe/jugosllave të dealbanizimit mekanik të tokave shqiptare të pushtuara, në shekullin e XX popullsia e Rekës së Epërme u pakësua shumë.
Përderisa në fillim të shek. XX, sipas Kënçovit, Reka e Epërme kishte një popullsi prej gjithsej 6.959 banorë, në fund të këtij shekulli popullsia e saj, sipas regjistrimit zyrtar të vitit 1994, numëronte gjithsej 774 banorë. Kështu, sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë, më 31 janar 1921, në Rekën e Epërme jetonin gjithsej 2.181 banorë, shumica e të cilëve i takonin konfesionit ortodoks, apo 1271 banorë, kurse 907 banorë të tjerë i takonin konfesionit mysliman. Sa i përkiste përkatësisë kombëtare/etnike, përkatësisht asaj gjuhësore (sepse nuk ekzistonte grafë e veçantë për deklarimin e përkatësisë etnike por vetëm të asaj gjuhësore) nga numri i përgjithshëm i banorëve të kësaj zone, 2.102 prej tyre deklaruan për gjuhë amtare të vet gjuhën shqipe kurse vetëm 78 të tjerë gjuhën serbe. Ndërkaq, në vitin 1925, Reka e Epërme numëronte gjithsej 2569 banorë, do të thotë 476 banorë më shumë se në vitin 1921. Kurse në vitin 1931, sipas Dushan Nedellkoviq, në Rekë të Epërme jetonin gjithsej 545 familje, nga të cilat 266 ishin të konfesionit ortodoks dhe 267 familje ishin të konfesionit mysliman, apo po ta shumëzojmë numrin 545 me mesatare 5 anëtarë për çdo familje, siç veprohet zakonisht në analizat demografike për kohën në fjalë, atëherë fitojmë numërimin e përgjithshëm të popullsisë së kësaj zone prej rreth 2725 banorë, përafërsisht aq sa kishte në vitin 1925. Por, atë që nuk e arriti pushtuesi deri në Luftën e Dytë Botërore, e arriti pas sajë. Në këtë kuadër, veçanërisht, nga regjistrimi zyrtarë i popullsisë, të vitit 1953, në këtë zonë na paraqitet një numër i popullsisë nën etnonimin “maqedon”, të oktrouar nga Beogradi pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas rezultateve zyrtare nga ky regjistrim (i vitit 1953), për herë të parë në histori shqiptarët në këtë zonë numerikisht u shpallën pakicë. Megjithatë, ndonëse numri i popullsisë së kësaj zone ka shënuar rënie drastike permanente në gjysmën e dytë të shek. XX, për më shumë shkaqe, dealbanizimi i plotë i saj nuk u arrit. Sipas regjistrimit zyrtar të vitit 1994, kjo zonë kishte gjithsej 774 banorë dhe atë 462 shqiptarë dhe 312 “maqedonë”.